E shtune, 27.04.2024, 07:15 PM (GMT+1)

Kulturë

Meri Lalaj: Fjalë për dashurinë

E hene, 14.07.2014, 07:57 PM


Fjalë për dashurinë

Nga Meri Lalaj

Sapo kam mbaruar së lexuari librin “Eh, si qenka dashuria” të mikut tim Përparim Hysi, them së lexuari sepse poezive të Përparimit duhet t’u kthehesh e t’i lexosh sërish kur shpirti të të jetë brengosur, t’i lexosh vargjet heshtur e të ndiesh muzikën që kumbon brenda tyre e me sytë e mendjes të shohësh të gjitha bukuritë ku zenë fill dashuritë. Ja disa vargje: “Me bishtin e syrit përvodha profilin, / Lojta prej fiqirit, se më solle prillin / Lëkura e lëmuar, flokët si pendkorbi / Aq jam i mbresuar sa më zuri “kobi”. Bukuria e qashtër e femrës shqiptare nuk qëndron vetëm tek përshkrimi me fjalë të zgjedhura poetike për syrin e zi a blu, për buzën, gushën, gjinjët, këmbët, trupin në tërësi (që të kujton Çajupin apo Ali Asllanin), por kjo bukuri vihet në pah edhe në karakterin, shpirtin e vajzës a të gruas, që rrallë poetët e ditëve tona këndojnë në këtë mënyrë dhe (që e bëjnë Papin “t’i ikë mendja”).

Vura re se në njëmbëdhjetë libra me poezi dhe tregime që ka botuar Përparimi, gjashtë prej tyre kanë në titull fjalën dashuria, sepse Përparimi e ka shpirtin si deti, si dashuria e paanë (siç shkruan në një varg). Përparimi shkruan përditë herë në prozë herë në poezi dhe nuk rresht duke dhënë mendime për librat e autorëve që lexon. Dhe gjithnjë shkruan me dashuri. Sikur secili prej ne, shqiptarëve të kishim aq dashuri sa ka zemra e Përparimit, Shqipërisë do t’i shkonin punët më mirë: pyjet nuk do të ishin prerë deri në këtë gjendje që ndodhen sot, lumenjtë, liqenet, bregu i detit nuk do mbusheshin me plehra, do të kishte më pak krime, vrasje e përdhunime,  gjyqtarët do mashtronin më pak, nxënësit do të mësonin më mirë, deputetët nuk do të rriheshin në Kuvend, do kishim më pak fëmijë që lypin e të tjera. Unë këmbëngul në këtë se Shqipëria jonë do të bëhet vetëm me dashuri.

Shumë poezi të Përparimit janë tekste të gatshëm për këngë. (Ata që kompozojnë këngë përdorin ca fjalë të sforcuara, sepse përtojnë e nuk marrin mundimin të lexojnë poezi.)

Ia kam thënë autorit se nuk duhet të përdorë në poezitë e tij për veten e vet fjalët: pleqëri, kokëbardhë, i thinjur e të tjera, se në poezi ai ndihet si djalosh i saporritur dhe që e kundron botën me kureshtje pa kufi. Përparim Hysit i uroj edhe shumë vëllime të tjerë në prozë a poezi.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora