E premte, 02.05.2025, 11:41 PM (GMT+1)

Kulturë

Riza Greiçevci: Adem Zaplluzha - ”Druri i pikëlluar”

E diele, 13.07.2014, 09:20 AM


SONTE DUA TË LUFTOJ ME ÇDO KË,

NËSE LYPSET, EDHE ME PERËNDITË!

Adem Zaplluzha:”Druri i pikëlluar”, poezi, 2014

Të thellohesh në leximin e veprimtarisë prodhimtare dhe poetike të njeriut me mbi një gjysmë shekulli me penë në dorë, duke ngarendur gjithandej kopshtit të jetës, vërtet e ke tepër zor që të mos bësh sytë katër, të kthehesh me fytyrë e zemër nga njeriu, fjala e tij, të bëmat, kënaqësitë  dhe zallahitë e tij, të kthehesh, herë në kohë fëmijërie, herë-herë në ecejaket e kohës me plot të panjohura, të njohësh e të mësosh se si shkrihet çdo qelizë e poetit në gjirmën e prushimës të artit poetik, kjo do të thotë se ti,o kreshtar dhe dashamirë i poezisë je mrekulluar duke shëtitur me hare nëpër Parnasin plot me bukuri letrare.

Vepra e radhës me poezi “Druri i pikëlluar” i poetit më prodhimtar i këtij brezi, mëton të imponohet si motër siameze e gjithë atyre veprave të tjera që botoi deri me tash, mirëpo, ja që kjo që kemi para vetes në sy vështrim, për shumëçka qëndron  më e avancuar. Sapo e hap lexuesi librin haset në ciklin e prapë të kësaj vepre, të cilit i prin poezia “Me lërë të qaj sonte”, e cila sikur arrin të bashkojë në një trup të gjitha takimet e poetit me shokun e brezit, të cilit i thotë:

Sonte mund të luftoj me tërë botën

Por jo edhe me zemrën time!

Sepse, zemra e poetit kërcen si ketër në kraharorin e tij, prandaj prapë i rikujton shokut:

Të kujtohet sa shumë

Ecëm mbrëmë

Rrugët ishin të gjata

I përngjanin dhembjes sonë

Ti ishe vetëm një lule

Në varfërinë e stinës...

Takimi mbi valsin e vargjeve i dy shokëve,  gjithsesi është i mallëngjyeshëm, i tujgur me emocione, mirëpo, poeti prapë vargjet poetike janë ato, me të cilat i rrëfehet për gjithçka shokut të tij, e pse, jo, edhe për gjendjen momentale të vetë poetit:

Jam shndërruar në gur varri

Askush nuk më kupton

As të vdekurit nuk më duan

Si të eci nëpër këtë sterrë

Si të qëndroj

Pranë kësaj ofshame!

Ajo që vargjet poetike të kësaj vepre i bën lëngështa, të buta, të kapshme, interesante, dinamike, me vokacion të ngrehur, është rrëfimi i butë dhe real i poetit, me vargje poetike, jo edhe aq në tepri  për biografinë e sendeve, rrethit të jetës, gjërave që përbëjnë spektrin e gjallimit, mirëpo, zoti Ademi depërton si ngjalë në thellësi të meditimeve dhe imagjinatës gjithnjë reale, sa për të gatuar brumin e fëmijërisë, të djalërisë, të burrërisë, kështu për të bërë një biografi të jetës së vet. Jeta është e bukur, e ëmbël, e çmuar, por, herë-herë, shklasë poetin, kurse ky menjëherë reagon dhe tregon gjendjen e tij, por jo edhe dorëzimin:

Thashë edhe më parë

Më ikën miqtë

S’ka mbetur më njeri

Në këtë fotografi

Vetëm disa silueta si gur varri

Rrinë ngulur nëpër sinorët e kujtesës.

Me vargje poeti mishërohet me qiellin, me yjet, me detet, me lumenjtë, me zogjtë, me bjeshkët, shkrepat, por, Toka për poetin është djepi, gjaku, gjuha, identiteti, dheu, prandaj vjershërimi për Tokën vërtet zgjon kureshtje:

Kjo tokë e mirë

Sa herë që e vura kokën mbi të

Mi shëroi plagët e hidhura

Edhe në dimrat më të acarta

Pati  mirësinë të mi ngrohi damarët

Herë e pata nënë e herë babë

Asnjëherë nuk ngjau të ofshante

Dhembjet ishin të huaja për të

Toka ime ngjizur me legjenda

Toka ime

Djepi i stralltë i gjyshërve të mi!

Në shumë prej vargjeve të kësaj vepre dominon përshkrimi aq i hollë, aq i vëmendshëm, aq dinamik, sa frymëzimi sa vjen e merr gradacion të ngritur. Vërtet janë të bukura, muzikale, por që në vetvete fshehin atë sekretin e poetit për shumë çka e zemrës, vargjet me të cilat poeti përligj metodën diskriptive, por jo aq e thjeshtë, banale, por moderne me mjete e figura të zgjedhura shprehëse dhe me një vokacion të avancuar. Përvoja në lërimin e poezisë e bën të veten, e lartëson poetin, e bën të këndshëm, të dashur dhe më të afrueshëm, siç ndodh në vargjet:

Më ndihmoni ju lutem

Kam nevojë

Kam shumë nevojë sonte ta ndjej

Aromën e barit të atdheut

Atë aromë

Me të cilën zuri shtat fëmijëria ime!

Vargjet e Zaplluzhës nuk ngarendin pas përrallave, legjendave,  kornizave imagjinare e të mbufatura me fjalë e shprehje banale, por, nga se poeti di të shkruaj poezi, atëherë ai me vargje poetike depërton në secilën pore të jetës, në secilin cep të vendit të tij, edhe në vendlindje, në Prizrenin magjik, me të cilin rast, shkruan:

Në behar si ujëvarë zbresin zambakët

Gocat dashurojnë pa mend

Lumëbardhi si dhëndër që s’plaket

Çdo stinë është e bukur në Prizren!

Vepra më e re e Zaplluzhës “Druri i pikëlluar”, vërtet ngjitet edhe më lartë drejt kurorës së artit të poezisë, duke dëshmuar pa tjetër se me poezi u morën, merren dhe do të merren brezat edhe pas nesh, shumë dashamirë të saj, por sikur shpesh po harrojmë se të shkruash poezi do të  thotë poeti të shkrihet në secilin varg, në secilën rimë, në secilën metaforë, si  ai qiri i Naimit, vetëm e vetëm që “të shkelë këmba e saj!”. E unë, poetit Adem Zaplluzha , i uroj shëndet dhe të mos i plaket edhe shumë stinë pena, me të cilën e pasuroi aq shumë letërsinë.

Riza Greiçevci, shkrimtar,

mesprill i motit 2014, Drenicë



(Vota: 2 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx