Kulturë
Adem Zaplluzha: Sytë e gurtë të erës
E merkure, 09.07.2014, 07:22 PM
Adem Zaplluzha
Pesë poezi nga libri “Sytë e gurtë të erës”
Çdo menatë
Atje përtej brigjeve të harresës
Zgjohet kujtesa
Nëpër një dhembje të pashëruar
Dizgjinët e erës
Kalërojnë mbi shpirtrat e mjegullave
Një nënë disa vjet me radhë
Nuk i ndal piskamat e gjëmave
Diku te retë e kristalta
Një copë mjegulle ëndërron shiun
Ëndërron vrapin e kalorësit
Të vetmuar
Në drejtim të universit të humbur
Ne ecim kah e panjohura
Zëri i kambanës i ndez qirinjtë
Një kërrabë e vjetër
Dhe me një arkivol të kaltër
Udhëton si një somnambul
Në një drejtim të panjohur
DIMRAT ME TËRBIM
Asnjëherë nuk kuptova
Se cili ishte ai vit kur derdhej shiu
Nga shtambat e urrejtjes
Vendi im
Qante si një fëmijë jetim
Qanin edhe zogjtë nëpër çati
Një fat i shkruar
Ose i pashkruar nëpër libra
Shfletohej si një histori e trishtuar
Gishtat e holla të mjegullave
Sa herë që i hapnin
E stinëve
Që shkelnin mbi lule të vrara
Dimrat me tërbim
Shfryheshin nga një dhembje
Ose heshtnin
Nën një copë guri të murrmë
Dhe pritnin shpirtin
E një tufani
Të zgjohej më në fund
Nga ëndrrat e zgalemave
SYTË E GURTË TË ERËS
Ecte
Ose ne të gjithë ecnim
Mbi një vig të paramenduar
Askund nuk ndaleshin hijet
Në imagjinatën tonë të etur
Binte një tjetër lloj shiu
Mbi flokët e stinës
Ngjizej po ashtu një tjetër lloj shtreze
Në lotin e gurit
Fatin e një fatkeqësie
Qanin edhe degët kur thyheshin
Për qerpikët e erës
Me dënesje burrash qanin lisat
Kur erdhën lejlekët
Mbi çatitë e kafshuara prej korbave
Filluan të mbijnë disa lloje barojash
E dimri thahej në vetminë e shtrojerës
Binte një shi që s’i përngjante
Asgjëje të lëngtë
Sytë e gurtë të erës po ashtu qanin
Me një dënesje të paparë deri më sot
DHE KUSH JENI SOT
Diçka po ngjan me ëndrrën time
Për çdo mëngjes
I kreh flokët te buzët e erës
Pastaj qohet peshë
Dhe luan valsin e një shiu të largët
Asnjëherë nuk më kujtohet
Se kur dhe kush
Na hyri pas portave të pasme
Dhe ia morri krehrin e nuses
Por dikush e bëri këtë
Dhe kurrë më nusja nuk qeshi
Kaluan disa dimra të rënd
Më të rënd se vet trishtimi
Erdhën edhe ardhacakët e egër
I shlyen nga faqja e dheut
Të gjitha faltoret e qytetit
E shlyen nga faqja e dheut
Edhe vet thistorinë
2.
Si shihni
Kemi mbetur degë pa gjethe
Në shtatin e plagosur të rrapit
Asnjë qyqe më nuk ndalet
S’ka se kë të vajtoj
Ju degdisën në shtëpinë e rërës
Dhe zutë një myk të verdhë
Në një gjuhë të huaj kënduat
Mbase nuk jeni në gjendje
As t’i luteni Hyjit
Në gjuhën e bukur shqipe
Ju shndërruan në statuja
Të një tjetër gjuhe
Harruat se kush ishit dje
Dhe kush jeni sot
NJË KAL I GJELBËR
Njerëzit thonë se ëndrra
Është një pjesë përbërëse e vdekjes
Kurse unë them të kundërtën
Vdekja është ajo pjesë e ëndrrës
Që fle përherë
Në sqepin e zogut të verdh
Një kalë i gjelbër
Mbrëmë vrapoi çmendurisht
Nëpër udhët e dizgjinëve
Vrapoi
Dhe askurrë nuk u ndal
Të bisedoj
Me kroin për etjen e shirave
E shirat këtu
Reshin vetëm kur kanë etje
Bien jo për ta shuar mallin
E mjegullave të shfrenuara
Por për të bisedua
Për ëndrrën e mëngjesit
Njerëzit përherë mendojnë
Se ëndrrat nuk janë të mira
Por kurdoherë ëndërrojnë
Vdekjen e zogut shtegtarë të gjumit
Ëndërrojnë edhe shiun si një zog
Që nuk ndalet
Te portat e kujtesës
__________
SONTE DUA TË LUFTOJ ME ÇDO KË,
NËSE LYPSET, EDHE ME PERËNDITË!
Adem Zaplluzha:”Druri i pikëlluar”, poezi, 2014
Të thellohesh në leximin e veprimtarisë prodhimtare dhe poetike të njeriut me mbi një gjysmë shekulli me penë në dorë, duke ngarendur gjithandej kopshtit të jetës, vërtet e ke tepër zor që të mos bësh sytë katër, të kthehesh me fytyrë e zemër nga njeriu, fjala e tij, të bëmat, kënaqësitë dhe zallahitë e tij, të kthehesh, herë në kohë fëmijërie, herë-herë në ecejaket e kohës me plot të panjohura, të njohësh e të mësosh se si shkrihet çdo qelizë e poetit në gjirmën e prushimës të artit poetik, kjo do të thotë se ti,o kreshtar dhe dashamirë i poezisë je mrekulluar duke shëtitur me hare nëpër Parnasin plot me bukuri letrare.
Vepra e radhës me poezi “Druri i pikëlluar” i poetit më prodhimtar i këtij brezi, mëton të imponohet si motër siameze e gjithë atyre veprave të tjera që botoi deri me tash, mirëpo, ja që kjo që kemi para vetes në sy vështrim, për shumëçka qëndron më e avancuar. Sapo e hap lexuesi librin haset në ciklin e prapë të kësaj vepre, të cilit i prin poezia “Me lërë të qaj sonte”, e cila sikur arrin të bashkojë në një trup të gjitha takimet e poetit me shokun e brezit, të cilit i thotë:
Sonte mund të luftoj me tërë botën
Por jo edhe me zemrën time!
Sepse, zemra e poetit kërcen si ketër në kraharorin e tij, prandaj
prapë i rikujton shokut:
Të kujtohet sa shumë
Ecëm mbrëmë
Rrugët ishin të gjata
I përngjanin dhembjes sonë
Ti ishe vetëm një lule
Në varfërinë e stinës...
Takimi mbi valsin e vargjeve i dy shokëve, gjithsesi është i mallëngjyeshëm, i tujgur me emocione, mirëpo, poeti prapë vargjet poetike janë ato, me të cilat i rrëfehet për gjithçka shokut të tij, e pse, jo, edhe për gjendjen momentale të vetë poetit:
Jam shndërruar në gur varri
Askush nuk më kupton
As të vdekurit nuk më duan
Si të eci nëpër këtë sterrë
Si të qëndroj
Pranë kësaj ofshame!
Ajo që vargjet poetike të kësaj vepre i bën lëngështa, të buta, të kapshme, interesante, dinamike, me vokacion të ngrehur, është rrëfimi i butë dhe real i poetit, me vargje poetike, jo edhe aq në tepri për biografinë e sendeve, rrethit të jetës, gjërave që përbëjnë spektrin e gjallimit, mirëpo, zoti Ademi depërton si ngjalë në thellësi të meditimeve dhe imagjinatës gjithnjë reale, sa për të gatuar brumin e fëmijërisë, të djalërisë, të burrërisë, kështu për të bërë një biografi të jetës së vet. Jeta është e bukur, e ëmbël, e çmuar, por, herë-herë, shklasë poetin, kurse ky menjëherë reagon dhe tregon gjendjen e tij, por jo edhe dorëzimin:
Thashë edhe më parë
Më ikën miqtë
S’ka mbetur më njeri
Në këtë fotografi
Vetëm disa silueta si gur varri
Rrinë ngulur nëpër sinorët e kujtesës.
Me vargje poeti mishërohet me qiellin, me yjet, me detet, me lumenjtë, me zogjtë, me bjeshkët, shkrepat, por, Toka për poetin është djepi, gjaku, gjuha, identiteti, dheu, prandaj vjershërimi për Tokën vërtet zgjon kureshtje:
Kjo tokë e mirë
Sa herë që e vura kokën mbi të
Mi shëroi plagët e hidhura
Edhe në dimrat më të acarta
Pati mirësinë të mi ngrohi damarët
Herë e pata nënë e herë babë
Asnjëherë nuk ngjau të ofshante
Dhembjet ishin të huaja për të
Toka ime ngjizur me legjenda
Toka ime
Djepi i stralltë i gjyshërve të mi!
Në shumë prej vargjeve të kësaj vepre dominon përshkrimi aq i hollë, aq i vëmendshëm, aq dinamik, sa frymëzimi sa vjen e merr gradacion të ngritur. Vërtet janë të bukura, muzikale, por që në vetvete fshehin atë sekretin e poetit për shumë çka e zemrës, vargjet me të cilat poeti përligj metodën diskriptive, por jo aq e thjeshtë, banale, por moderne me mjete e figura të zgjedhura shprehëse dhe me një vokacion të avancuar. Përvoja në lërimin e poezisë e bën të veten, e lartëson poetin, e bën të këndshëm, të dashur dhe më të afrueshëm, siç ndodh në vargjet:
Më ndihmoni ju lutem
Kam nevojë
Kam shumë nevojë sonte ta ndjej
Aromën e barit të atdheut
Atë aromë
Me të cilën zuri shtat fëmijëria ime!
Vargjet e Zaplluzhës nuk ngarendin pas përrallave, legjendave, kornizave imagjinare e të mbufatura me fjalë e shprehje banale, por, nga se poeti di të shkruaj poezi, atëherë ai me vargje poetike depërton në secilën pore të jetës, në secilin cep të vendit të tij, edhe në vendlindje, në Prizrenin magjik, me të cilin rast, shkruan:
Në behar si ujëvarë zbresin zambakët
Gocat dashurojnë pa mend
Lumëbardhi si dhëndër që s’plaket
Çdo stinë është e bukur në Prizren!
Vepra më e re e Zaplluzhës “Druri i pikëlluar”, vërtet ngjitet edhe më lartë drejt kurorës së artit të poezisë, duke dëshmuar pa tjetër se me poezi u morën, merren dhe do të merren brezat edhe pas nesh, shumë dashamirë të saj, por sikur shpesh po harrojmë se të shkruash poezi do të thotë poeti të shkrihet në secilin varg, në secilën rimë, në secilën metaforë, si ai qiri i Naimit, vetëm e vetëm që “të shkelë këmba e saj!”. E unë, poetit Adem Zaplluzha , i uroj shëndet dhe të mos i plaket edhe shumë stinë pena, me të cilën e pasuroi aq shumë letërsinë.
Riza Greiçevci, shkrimtar,
mesprill i motit 2014, Drenicë