E shtune, 03.05.2025, 11:24 AM (GMT+1)

Kulturë

Tahir Bezhani: Pëshpëritjet poetike të Lulzim Logut

E marte, 08.07.2014, 07:19 PM


PËSHPËRITJET POETIKE TË LULËZIM LOGUT

(Lulëzim Logu: ”Frymë në një kuti”, poezi, botoi KL.”Gjon N. Kazazi” Gjakovë,2014)

“Sytë i janë mbyllur,merr frymë ngadalë

Po nuk mashtrohem,nëna kurrë nuk fle.

Edhe ashtu,nënat janë zgjuar

Që të flenë fëmijët mbi dhe’….”

(Lulzim Logu)

Nga Tahir Bezhani

Këto ditë doli nga shtypi libri më i ri me poezi i poetit tropojanë, Lulëzim Logu, pena e tè cilit nuk ka pushim në vrapimin pas të bukurës  në art. Këtij libri poetik, i paraprinë një parathënie e krijuesit të spikatur nga Durrësi, zotit Shpendi Topalli, i cili gjithsesi  i vë në dije lexuesit  cilësitë krijuese të poetit, egon e tij dhe shumë karakteristika të tjera brilante me të cilat posedon autori i librit, Lulëzim Logu.

Autori i librit”Frymë në një kuti”, zoti Logu, edhe kësaj radhe ka dëshmuar për talentin e tij prej krijuesi me një gamë të gjerë, me një botë të pasur e imagjinatë cilësore, një shkathtësi interpretuese e intimitetit psikologjik, ku motivet strehohen gjatë në palcën e shpirtit plot frymëzim, plot vuajtje, plot dashuri e shumë sakrifica jete. Një shprushje motivesh e hetojmë që në poezinë e pare, kur kujtesa poetike rikthen ngjarjet e viteve 90-ta, plot dhimbje, vuajtje, shkatërrime, e që poetit të mirëfilltë, i lënë mbresë e vragë kohe, të ngjyera në dhimbjen, vuajtjen e popullit. Situatat me ngarkesa e turbullira politike, poetin e bëjnë sentimental, andaj, sado që  duron, nuk përmban pa pëlcitur mllefi nga brendësi. Më së miri këtë e lexojmë në poezinë ”Maska”, ku poeti shkarkon dhimbjen poetikisht:

 

“Vdekja shëtit pranë nesh

Dhe prêt një çast të vetëm

S’ka kohë as për lamtumirë

Nën kallash pluhuri tretesh

 

Ndërkohë që shkruaj

Ti ike miku im,tani je

Pluhur lulesh të verdha

Ngjyre letrash dashurie”

 

Në qenien shpirtërore të Lulzim Logut, me gjasë, gjendet një det ku të bashkuara flinë dhimbja e gëzimi, dashuria e urrejtja, ashtu që ky det trazirash brenda një krijuesi, është e pa mundur të ketë qetësi. Sepse, “njeriu sot vdes për një orë lirie”, thotë poeti. Pas trazirave të atyre viteve të dhembshme (viteve 90-ta), poeti sikur edhe sot, ndihet i prekur nga ai shkretërim vendbanimesh, nga ai det ikjesh, nga ajo lëngatë historike…

Për këtë arsye, ofshama poetike rrjedhë në vargje si lumë. Ja poezia “Shtëpishkreta”:

 

“Vetëm një mace, rron me thërrime

Shtëpishkreta, vdes, ngadalë, në vetmi

Dikur vile e bukur, si prej ëndrre

Tani po humb në hiç në shi”

 

Poeti, pos dhimbjes së pa përshkrueshme për situatën që kishte pllakosur vendin, kishte dhimbje  shpirti edhe për gjeneratat e reja të mbetura në stihi kohe, pa asnjë përkujdesje, bile edhe dashuria ishte e larë me gjak ato vite të kobshme, ku edhe kanunorja mbisundonte. Ja si reflekton poeti në poezinë “Frikë”:

 

“Nuk e di

Se si puthin buzët tua

Kam frikë

Kurrë se kam kuptuar

Gjakun,pas dashurisë….”

 

Lulëzim Logu, tash më është poet i dëshmuar për cilësi artistike, kredibil, është një poet me shtrirje të gjerë në fushën e artit poetik me thellësi kuptimi e larushi temash ku trajtim të veçantë zë natyra dhe kompleksiteti i saj atraktiv, ku poeti shpesh ndihet i huaj brenda vetvetes… I ndodhur para bukurive të natyrës, mjeshtërisht di të krijojë jetë të re hapësirave me qëllimin e vetëm për t’i larguar vuajtjet e një jete të ngarkuar e që sjellë  rraskapitje. Duke dalë nga një ankth lodhje, rreket qëndresës dhe stoicizmit si imanentë jete. Dhe poezia “Hiri” dëshmon:

 

“Ëndrra ime e hershme

Zjarri që s’di për fikje

Pengu im i vonë

Fikja e hershme

Hiri që mbetet

Kurrë nuk tretet….”

 

Poeti di të përballojë situatat e komplikuara dhe lë mesazhe edhe tjerëve për kapërcimin e kohëve të liga. Një ndjenjë tjetër, kapur për bukuritë e natyrës, ndryshon kaptellin e mendimeve dhe frymëzimi e drejton në kahe tjetër shpirtin poetik, si në poezinë, ”Nata në Jezercë”:

 

“ Nga Jezerca thërras

Poshtë pesimistë

Poshtë ata,për të cilët

Një lek nuk vlen jeta….!”

 

Të tilla janë edhe poezitë “Muzgu në Jezercë”, ”Borë gushti në Jezercë”, ”Imazh” e tjera, poezi të cilat reflektojnë optimizëm jete, krenari, por edhe një “vetmi jete e Kamysë”.

Duke u futur në thellësi të librit, lexuesi ndeshet me botën interesante, imagjinatën krijuese të autorit, i cili i përkushtohet jetës nga të gjitha anët, thithë atë nektar, ëmbël e ithtë, dhe lufton me jetën përmes dashurisë dhe qëndresës, si kërkesa imanente për ndryshimin e raporteve shoqërore e njerëzore…

Ndoshta këtë madhështi nuk e kanë të gjithë. U bie hise vetëm krijuesve të merituar, të cilët përjetojnë thellësitë e jetës, dhe atyre u shfaqin luftë për t’ua lehtësuar të tjerëve jetën. Apo, të janë bashkëvuajtës me masën nga e cila edhe dalin poetët.

Në përmbledhjen me poezi të autori Lulëzim Logu, ”Frymë në një kuti”, lexuesi do e hetojë vetvetiu universin e kuptimit poetik, do e gjejë vetveten brenda vargut logian, i cili me mbresën dhe karakteristikat e veçanta, të ngrohë, të tërheqë ëmbël si një puhizë bjeshke kur ke lodhje nga vapa e ditës.

Libri me poezi i Lulëzim Logut, ”Frymë në një kuti”, i ndarë në tre qerthuj, ku përfshihen afër 200 poezi, është prurje e këndshme për artin letrar në përgjithësi, ndërsa për dashamirët e poezisë në veçanti.

Tropoja, Malësia e Gjakovës, është një trevë ku lindin përherë poetë, të cilët me zjarrin dhe penën e tyre, përherë do bëjnë dritë në altarin e letërsisë, duke shprushur e ndezur zemrat e gjeneratave në vazhdim. Lulëzim Logu është vetëm njëri prej pishtarëve të këtij rrugëtimi…



(Vota: 3 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx