E merkure, 01.05.2024, 05:14 PM (GMT+1)

Kulturë

Blerim Rrecaj: Imagjinata faktike e artistit

E merkure, 02.07.2014, 07:30 PM


Imagjinata faktike e artistit-fotograf?

Nga Blerim Rrecaj

Dhe vjen një çast kur mes hamendjesh vendos të shkruash diç. Për njërin nga artistët. Për njërin nga fotografët, fotot e të cilit fillimisht e kryesisht i kam parë e vazhdoj t’i shoh në dritaren e madhe teknologjike të kohës sonë: facebook-ut. Pra jam ka flas për mozaikun e fotografive të Naim Shalës, të cilat vazhdojnë të shpërndahen, shikohen, shijohen, komentohen prej shumë njerëzve.

Dhe “shkrepëtimat” e syrit e të fotoaparatit të artistit sikur nisin nga ballkoni i strehës së tij, diku në Dardani, me peisazhe të magjishme resh, një koktej ngjyrash (ku dallohen e kuqrremta dhe portokallia) të cilat e “vizitojnë” qiellin prishtinas here here dhe siç na thotë autori se retë e tilla s’ka brushë piktori që mund t’i pikturojë.

Dhe më pas artisti zbret nga “foleja” e tij për të na dhuruar atë që sheh e ndjen, si peisazhe të tjera urbane nga kryeqyteti me dromca e detaje të ndryshme në të cilat gërshetohen ngjyra të larmishme stinësh. Diku shohim e ndjejmë aromën e një dite të ngrohtë, diku një muzg këndellës, diku një diell në të përënduar që s’përendon e i kapur peng, diku gjethe të rëna vjeshte, diku njerëz-kalimtarë me çadra në një mjedis të larë a të shpërlarë nga shiu, diku vallëzimin e fluskave të bardha të borës.

Diku ndjejmë (atë që bën udhën këmbë a me biçikletë) dhe fëshfëritjen e gjetheve të plepave të gjatë përreth Stacionit të Autobusëve. Dhe nga këtu ndjejmë shtegtimin e artistit drejt vendeve(stacioneve) të tjera, për të “ateruar” nga stacioni në stacion për të na kujtuar se s’kanë të mbaruar bukuritë e vendit tonë.

Por artisti nuk harron që diku të paraqesë dhe plagët e pashëruara të luftës, pasojat e së cilës ende ndjehen, as pamje të mjerimit “migjenian” të ditëve të sotme, por as ndonjë cope vendi a toke, me a pa lum që është kontaminuar barbarisht.

Në këtë mozaik që përmendëm, here here përballen e mira me të keqen, terri, drita, hijet dhe nuancat e tyre pa harruar dhe ftesën artistike, të qartë e domethënëse që rri mbi fotografitë: “Mos harroni me jetue o njerëz të mire!”. Nga bisedat “facebook”-ore që autori bën me shokë, dashamirë, miq, pëlqyes të veprave të tij shpjegon se motoja e tij bazohet në fjalën e këngëtarit John Lenon: “Jeta është ajo që të ndodh, ndërsa je i zënë duke bërë plane të tjera”.

Dhe gjërat e bukura të kësaj bote artistët nuk i lënë të shkojnë pa i vërejtur duke i bërë publike ato, dhe përpiqen të mos i lënë “të shkojnë dëm”dhe mrekullitë që zbulojnë gjatë rrugëtimit të tyre.  Andaj dhe fotografitë e Naimit, herë duken si piktura, herë si poezi, herë ndjehen si melodi e herë si ndonjë formë tjetër e shprehjeve artistike. Ato përmbajnë në vete imagjinatë faktike e mbresëlënëse. Dhe këtë e dëshmojnë shembujt, fotografitë. Përderisa njëri nga peshkatarët në Golem hedh rrjetën e tij në det, artisti na dëshmon se rrjeta iu hodh diellit dhe jo detit dhe kjo më s’mund të kundërshtohet, as të zgjatemi më përpara këtij fakti nuk ia vlen…

Pjesë e veçantisë së punës artistike është dhe pamja që na zgjeron horizontin imagjinar dhe na bën të pyesin se sa lloje janë ylberët që shfaqen e që duken  e zhduken nëpër qiej , për këtë na “flet” ylberi horizontal i “kapur” në Artanë…

Dhe po përmbyll mbresat e një mozaiku fotografish, duke pasur ndjesinë se mund të kem lënë shumë gjëra pa thënë (ca anash, e ca mangut…), po fotografitë artistike të lartpërmendura vazhdojnë të na bëjnë të ndjehemi mirë, duke na zbukuruar çastet, ditët, jetën…



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora