E diele, 28.04.2024, 06:22 PM (GMT+1)

Kulturë

Skënder Hoxha: Sintezë studimesh

E diele, 29.06.2014, 06:45 PM


(Recension)

SINTEZË STUDIMESH NË FUSHË TË SEMIOTIKËS

- Përkitazi me veprën studimore “Semiotika dhe zhvillimi i saj” të prof. dr. Hasan Mujaj.

Nga Mr. SKËNDER R. HOXHA

Prof. dr. Hasan Mujaj është studiues i zellshëm i cili deri më tash ka botuar veprat: Stilistika gjuhësore në epikën kreshnike, Gjuhësia e tekstit, Favorizimi i antivlerave. Profesor Mujaj ka marrë pjesë me kumtesa në shumë sesione dhe simpoziume shkencore që janë mbajtur për çështje të ndryshme shkencore albanologjike, në Prishtinë dhe jashtë vendit. Gjithashtu, është autor i mbi dyqind punimesh dijesh të ndryshme filologjike.

Pas veprave, kumtesave dhe punimeve që i përmendëm më sipër, prof. dr. Hasan Mujaj publikoi veprën e tij studimore Semiotika dhe zhvillimi i saj, e cila ka 251 faqe tekst libror, ndërsa e botoi Shtëpia Botuese Faik Konica, Prishtinë, 2011.

1. Semiotika shkencë e shenjave

Ky libër niset me shkrimin analitik e retrospektiv, Rezultate dhe synime të gjuhësisë shqiptare, për të organizuar në vijim lëndë interesante në disa kapituj. Kapitulli i parë, Semiotika dhe zhvillimi i saj, rrok një sistem zhvillimesh të semiotikës si disiplinë shkencore, nga Xhon Loku ( gjysma e dytë e shekullit XVII (1690), si dhe fillet e studimeve te semiotikës moderne, të cilat datojnë në gjysmën e parë të shek. XX me Persin në krye, të cilin disa studiues e kanë quajtur “Baba i semiotikes moderne”, duke u  qartësuar këtu se semiotika është dije e hulumtimit të shenjave të ndryshme dhe se për emërtimin e saj gjatë zhvillimit historik janë përdorur disa terma: semiologji, teori e shenjave, semiotikë, shkencë e shenjave etj. Në këtë rrafsh, profesor Mujaj, gjithashtu na ofron njohuri se historiku i gjurmimit të shkencës së shenjave shtrihet që nga koha antike dhe është ndjekur nga dijetarë të mëdhenj si: Herakliti, Platoni, Aristoteli e deri te G. V. Lajbnic,  J. Locke, Hajdegeri, De Sosyri, Persi, Barti etj., ku kjo teori është shtrirë në të gjitha fushat e veprimtarisë njerëzore.

Këtu zbërthehen pikëpamje e konstatime të Persit për shenjën dhe teorinë e shenjës, pastaj mendime të Morrisit, dijetarit belg Erica Buyssensa, argjentinasi Luis Prieto etj. Janë me interes gjithashtu mendime të ndryshme studiuesish për termat “semiotikë” dhe “semiologji”, ku themeluesi i linguistikës moderne evropiane De Sosyri ka përdorur termin “semiologji”, kurse përfaqësuesit e shkollës linguistike amerikane: Persi, Morrisi etj., kanë përdorur termin “semiotikë.”

Në pjesën vijuese të këtij kapitulli autori paraqet mendime të linguistëve e dijetarëve përkitazi me tremin “semiotikë”, pastaj shtrirjet e studimeve rreth lidhjes së semiuotikës me shkencat tjera, përkufizimin e semiotikës, ku thotë se “Zhvillimi i semiotikës në shekullin XX ende nuk është gjurmuar sa duhet.”

2. Zhvillimi i semiotikës dhe raporte të semiotikës me disiplina të tjera shkencore

Çështjet dhe problemet e studimeve semiotike, si: Semantika semiotike, Sociosemiotika (semantika didaktike), Linguistika dhe semiotika, Retorika dhe semiotika, Semiotika e stilistikës, Retorika dhe stilistika, Hermenautika, Estetika semiotike, e ndonjë tjetër, ofrojnë dimensione të qasjes shkencore për këtë fushë të dijes. Ndërkaq, këtë kapitull sikur e begatojnë të dhënat për disa studiues më të njohur të semiotikës, si: Gottfried Wilhelm Leibniz, që llogaritet ndër klasikët e historisë së semiotikës, Hobbs, John Locke, Johan Heirich Lambert, Immanuel Kant, Wilhelm Von Humboldt, për të vazhduar me një lagje të tërë dijetarësh, si: Ferdinand de Sosyr, Aristoteli, Edmund Husserl, Martin Heidegger, Ludvig von Witgenstein, Michel Foucaunt, Zhak Derrida, Max Bense, Walter A. Koch, Michael A. K. Halliday, Tomas Albert Sebeok, me kërkimet e trajtimet e të cilëve lidhen ngusht gjurmimet semiotike e linguistike si dhe zhvillimi i disa disiplinave të reja semiotike.

Tek kapitujt: Gjuha dhe semiotika, Semiotika e komunikimit, trajtohen mendime te dijetarëve rreth relacioneve, pikave të përbashkëta dhe pikave dalluese midis gjhës dhe semiotikës, linguistikës dhe semiotikës, semiotikës dhe semiologjisë etj., që tregojnë shkallë më të avancuar të zhvillimeve shkencore të këtyre dijeve. Janë kërkimet semiotike të Roland Barthesit që përfshinin një gamë mjaft të gjerë gjurmimesh, ku vendin më të rëndësishëm e zë semiotika e tekstit.

Ndërkaq, për semiotikën, autori thotë se dijetarët sforcojnë mendimin se ajo gjen zbatim edhe në teorinë e komunikimit dhe mund të nënkuptohet se semiotika ka shtrirje shumë më të gjerë në të gjitha fushat e veprimtarisë. Kjo argumentohet edhe me shpjegimet për përbërjen e shenjës gjuhësore, semantika dhe shenja, shenjuesi dhe i shenjuari , ndërkomunikimi, shenjat në komunikim, etj. Gjithashtu, jo pa arsye, profesor Mujaj sjell të dhëna rreth indeksialitetit semiotik të tekstit, meqë indeksialiteti i fjalëve dhe i shprehjeve gjuhësore është i lidhur me situatën e komunikimit dhe me shtysën motivuese  të autorit për të ndërtuar tekstin. E këto plotësohen me mendime të dijetarëve të kësaj fushe, duke u marrë edhe me thellimin e njohurive studimore për semiotikën e tekstit, teksti si praktikë semiotike, kushtet pragmatike të tekstualitetit, semiotika pragmatike dhe teoria e veprimit – teoritë që e karakterizojnë, pastaj disa subdisiplina, si: Kuptimi brenda kuptimit, lidhja veprim- gjuhë, semioza dhe semiotika, semantika – rrugë te pragmatika, konotacioni dhe literariciteti, semiotika dhe arkitektura, linguistika si shkencë pilot e semiotikës, dhe shumë të tjera, të cilat janë me mjaft interes.

Në kapitullin Semiotika si pjesë e linguistikës, autori niset nga pikëpamja e studiuesit Roland Barthes, i cili semiotikën e sheh si pjesë të linguistikës, për të na dalë më pas mendimi se “Linguistika është degë e semiotikës dhe shkencë fqinje e saj. …”, ku shpjegohen më tej lidhjet e ndërsjella të këtyre dy disiplinave. Në këtë kontekst autori citon edhe mendime e këndvështrime të studiuesve të ndryshëm përkitazi  me funksionin, rolin dhe përkufizimin e semiotikës në raport me disiplina të tjera shkencore, në mesin e të cilëve: Guiraud, Maunin, Çomski, etj., pastaj dijetarët që llogariten si klasikë të semiotikës, si: Sosyri, Hjelmslevi, Jakobsoni dhe mbase Karl Byhleri. Prej tyre dalin edhe çështje studimore me interes lidhur me trajtimin pragmatik të gjuhës, linguistikën semiotike dhe disiplinat e saj, etj.

3. Çështje të semiotikës moderne

Studiuesi ynë, prof. dr. Hasan Mujaj, në këtë libër iu ka qasur edhe hulumtimeve rreth burimeve të semiotikës moderne, e që rezultojnë se semiotika moderne ka dy burime: 1. Burimi i semiotikës strukturaliste evropiane, me themelues Ferdinand de Sosyri, me mbështetje në fushën e linguistikës dhe 2. Burimi i semiotikës pragmatike amerikane, e cila ka si mbështetje ka logjikën dhe filozofinë, me në krye dijetarin Sharl Sander Persi. Edhe sipas këtyre studimeve sintetizohen mendimet rreth kuptimit që manifestohet në diferencën materiale, mandej pamjen tingullore që është njëra anë e shenjës, ndërsa ana përmbajtësore identifikohet me anën tjetër të shenjës.

Dhe, në kapitujt e fundit të këtij libri, studiuesi Mujaj paraqet lëndë të rrallë (sidomos tek ne) studimore në rrafshin e kësaj dijeje interdisiplinare, duke trajtuar çështje të metabolës dhe kohezionit të ndërtimit të tekstit. Por, kur trajton probleme të komunikimit ndërkulturor, si veprim intensional dhe social i partnerëve folës me anë shenjash gjuhësore ose jogjuhësore, profesor Mujaj vlerëson se teoria e komunikimit në studimet perëndimore ka shënuar shkallë të lartë zhvillimi, e në anë tjetër shtron nevojën e kultivimit të kësaj dijeje edhe në gjuhësinë dhe në kulturën shqiptare.

4. Përfundim

Kundruar nga aspekti përmbajtësor, respektivisht për nga lënda që trajtohet në librin  Semiotika dhe zhvillimi i saj”, duhet thënë se kemi në duar një përmbledhje me studime në fushë të semiotkës, në fushë të një dijeje interdisiplinare, e cila në studimet tona gjuhësore dhe kulturore ka munguar.

Përpjekjet serioze të studiuesit Mujaj për t’na dhënë një vepër sa më cilësore për të arriturat evropiane e botërore në fushë të semiotikës, me këtë libër, kanë vënë një themel të mirë për studiuesit e dijeve të ndryshme filologjike shqiptare. Parathënia në fillim të librit dhe përfindimi, (edhe në gjuhën angleze), në fund të tij, referencat (shënimet) e shumta që ka përdorur autori, si dhe bibliografia e begatë, plotësojnë kritere kërkimore e hulumtuese dhe veprës i vënë shtylla të qëndrueshme shkencore.



(Vota: 24 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora