Kulturë
Poezi nga Neki Lulaj
E enjte, 26.06.2014, 07:20 PM
Neki Lulaj
MONOLOG
Mbi gurët graniti gavruar ishin emrat që na mungojnë
Lindur në data, muaj e vite të ndryshme të jetës fluturore
Ardhmërinë e kishin në supet që kohëve iu rëndojnë
Pavdekësinë e kishin si datë të shenjtë engjëllore
Ishin shumë bacalokë ku sofrën kishte shtruar jeta
Lëvizja ime ishte fort e rëndë, plumb e pikëllim
Si një qen i tërbuar zemrën ma kafshoi heshtja
Këta e shkruan epopenë e historisë e lavdisë me shkëlqim
Si diell po më dukej mes rrasave, mbi qiellin redendur
Nga bebëzat që dridhen syve filloi një shiu me rigë
Nga legjenda del baca me kobure e jatagan të ngjeshur
Ta ndajmë krenarinë bashkë o vizitor, o vëlla i Dardanisë
Jemi kthyer në gurë graniti me besë të shqiptarisë plot lavdi
Jemi bërë puhizë lirie me eshtrat brumë e gur, e eshkë
Gjakun kurrë nuk e pi toka po e ruan zemrës gjer në thellësi
Po të jetë nevoja dalim nga graniti me armikun me u përleshë
KOBI DORË ZI
(Kushtuar Elvis Pistes)
Bredh kobi fshehur si sonambul nëpër bisqe terrnaje
O pjella e Naibit mbuluar me qefin tradhëtie.
Për sa okë ari mjeran e shkrehe atë shqekëz arme
Pas territ a s’e dëgjon psherëtimën mes plumbave pjellë zie?
Ti ngrive gjakun e damarit në melodinë e qyqes mjerane
Polli nata e të volli tek shtrydhte tek pusi nën hijen e hënës
Lotojnë pa pritë nga dhimbja çatitë e Kosovës çlirimtare
Me helmetën e daltën e skuqur nga liria me bekimin e nënës
Vehten e shtrin gjaku mbi tokën e ngopur në pranverë shqiptare
Rrënqethen zanat e fushës dhe zbresin mes nesh në fluturim
Malet ofshajnë dhimbshëm nga letargjia vdekatare
Engjëjt çirren me Pistën në prehërin e Rahovecit trim
E shtydhka natën si limonin, si të ishte në syrin e hënës
Heshtja ugurëzezë u gurëzua në pusi pjella e Naibit
Zbrazet trathëtisht pabesia mbi trupin e Elvisit mes ëndrrës
Merrni mallkim flakësh në kullat e Oso Kukës vit pas viti
Flamurin nuk mund të na shkulë askush nga palca e nervit
Edhe para pushkatimit na shkrehë buza në gaz
Nuk u dorëzuam para asnjë furtune e mentarisë së kuvendit
Elvisi do vijë me breznitë e reja e në sofrë komb i bëjmë konak
Therin e kullojnë plagët e dëshmorëve si të ishin dekorata
Lotët rrjedhin nëpër lugina përrenj, në maja e kreshta
Nuk gjunjëzohen kurrë shtyllat e kombit si të ishin shkarpa
Sa do që e madhe është plaga që do kullojë nëpër breza
IKNI
Ikni, o farë hijenash më hapa fodulli mes hijeve të mbetura
Se ju kanë mallkuar pa fund me piskamë viktimat e pusisë
Gjatë u kakarisët në koptecë si gjeraqinat e çmendura
Ju bijtë i Kainit armikut ia shtrini dorën e miqësisë.
Egjër bimë helmuese në mes luleve të jetësisë
Ferexhe e turpësisë mes katedrave shkencore
Kundërmon kolona në luftën që nxorri veç viktimë
Kjo është dhuratë për ju në mote, o gjarpinj Kosove
Do ju mallkojë kombi, nënat, nuset pa bashkëshortë
Do ju mallkojnë në breza fëmijët që pa baba kanë mbetur
Gjëmon nga plaga shkëmbi dhe plisi dheu në tokë
Gjyshi do ju mallkojë se thëngjinjtë e zjarrit janë tretur
Do ju mallkoi me forcë flamuri i lashtë dardan
Edhe himni kombtar dhe shkronja shqipe ju mallkon
Se ju jeni lubijat e lugeterit që sillni vetëm natë
E ditën jenë pjesë e përcjelljes së kortezhit që zezon.
O heshtja ime vrastare, e dhimbshme, e harlisur
Furrë gëlqereje qenke bërë në shpirtin e zjarrtë
Si të ishe një lis i djegur apo një fidan i parritur
Gurë loti lëshon në shtigje Gjeravica ime e artë