Kulturë
Thani Naqo: Jam kosar
E merkure, 25.06.2014, 06:00 PM
Thani
Naqo
JAM KOSAR
Livadhin kosit nën të fundmen hënë,
Majëdirekut të mullarit vari limën e ngrënë
Dhe gjysma e hënës m'u ul mbi sup.
Livadhin e fundit sonte kosit,
Hapësira e zhveshur më fut në trishtim.
Përçartazi flas... Nuk di ç'i mërmëris,
Gjoksbardhës nuselalë që u fsheh për dimërim.
Tehu i kosës fap-fap, fap-fup,
Fryma mpikset me klorofilin e tretur.
Gjarpëron mes yjeve një meteor, e u zhduk,
Prej syri
më
Hijet e dyshimeve mpreh tehu i kosës.
Ndërsa gjysma e hënës mbi sup më rëndon,
Sikur, e i verrbër, në anën tjetër të botës,
Dielli të më shohë, kur lind e perëndon...
Brymohet streha e kapelës së vjetër,
Zemra e mullarit më fal shtratin me bar.
E në ardhtë dëbora, fshehur, si dhelpër,
S’ka ç’ të më bëjë; unë jam kosar!