E shtune, 27.04.2024, 02:45 PM (GMT+1)

Kulturë

Drita Lushi: Vendim i vështirë

E premte, 20.06.2014, 09:21 PM


VENDIM I VËSHTIRË

NGA DRITA LUSHI

Kishte net që s’po mundja të flija krejt e qetë.

Një ndjenjë, që s’e kisha provuar më parë, më kishte bërë të mendoja thellë dhe shpesh nuk e linte gjumin të më afrohej. Pavarësisht se ishte diçka e bukur, më kishte pushtuar aq shumë, sa më dukej vetja e “mbytur” në gëzim. Po kështu kishte përfshirë dhe mendimet e arsyetimet e mia shpeshherë të tepruara.

Herë-herë më dukej sikur isha një pikë ekuilibri e një filli me dy pole, e unë isha ajo që duhej të vendosja nga cila anë do rëndoja .

Në fakt e kisha të qartë ç’duhej të bëja, e jo vetëm me logjikë, por mbi të gjitha, unë e ndieja fort brenda vetes vendimin që duhej të merrja. Nuk më thërriste ai që të anoja drejt tij. Unë dhe vendimi thërrisnim njëri-tjetrin dhe ishim në sinkron për të thënë një Po të madhe.

Por kur jeton në mes njerëzish, edhe më indiferenti qofsh, edhe nëse fati ka dashur të jetosh në një metropol, përherë do të ekzistojë një grup personash, me të cilët do të krijosh marrëdhënie interesi, apo jetësore të ndërsjellëta. Përherë do të ekzistojë një komunitet, sado i vogël, që do të na njohë e do të ndikojë, ashtu pa kuptuar, në jetën tonë. Cili nga ne, që jeton për më tepër në një qytet jo të madh si imi, do të mund të shpërfillte plotësisht frikën e opinioneve që krijohen nga fjalët, thashethemet, që përhapen si ajo merimanga që thur e thur pa u ndalur atë pëlhurë, në dukje të brishtë, por që pak e nga pak mbulon edhe hapësira të lira e dikur të paqme?

Isha në një gjendje mes një dashurie të papritur dhe dyzimesh po aq të forta. Një dëshirë dhe një ndjesi e re ishte zgjuar brenda meje dhe mbante të tendosur shpirtin dhe mendimet e mia, logjikën dhe moslogjikën time.

Kur isha në punë, e rrethuar nga kolegët, shpeshherë shkëputesha dhe “flisja“ me “qetësinë” time për gjendjen e re në të cilën ndodhesha, ndonëse jo pak e lëkundur, anonte më shumë nga gëzimi. Atëherë kujtesa ime, bashkudhëtarja e pandarë e ditëve dhe netëve mbështillej nga kujtimet e atyre ditëve, që më kishin zgjuar nga “gjumi” i gjatë e nga ajo përditshmëri rutinë, që s’më krijonte asnjë emocion.

Ato ditë ishin bërë e tashmja ime dhe po i përjetoja me një gjendje të re, që më kishte mbushur, e që më bënte të ndjehesha si kurrë më parë. Një njohje e papritur më kishte ndryshuar ditët dhe më kishte zgjuar ndjesi të bukura njerëzore.

Kisha kaluar moshën e rinisë së hershme, kisha kaluar të tridhjetë vitet, dhe isha “mbyllur” në njëfarë mënyre në guaskën time dhe nuk doja t’ia dija se ç’bëhej përreth. Nuk më tërhiqte vëmendjen asnjë mashkull. Të gjithë më dukeshin njëlloj.

Vërdallosjeve të para të disa prej kolegëve të bankës, ua kisha prerë shkurt dhe tani isha e qetë nga lajkat e tyre.

I shihja thjeshtë si kolegë pune, që mund të pija një kafe me ta dhe kaq. “Kufijtë” ishin vendosur njëherë e mirë.

Pas gjendjes së re që kishte pushtuar gjithë qenien time si një puhizë që frynte veç për mua, ndodhte, që kur uleshim për kafen e mëngjesit së bashku, kolegët jo pak herë të më ngacmonin.

Ishte më se normale dhe s’mund t’u shpëtonte syve që më njihnin prej kohësh, qoftë në punë, qoftë në shtëpi, pamja ime e ndryshuar, e çlirët dhe e gëzuar.

Edhe kur më pyesnin larg e larg, e ndonjëherë edhe drejtpërdrejt, cili ishte shkaku i këtij ndryshimi, unë qeshja pa u dhënë asnjë shpjegim.

Kureshtja e tyre rritej, por gjithashtu ata ishin të bindur se nuk do zbulonin gjë duke më pyetur, kështuqë nuk ngulmonin të dinin më tepër.

Unë e shihja edhe vetë se nuk arrija ta fshihja ndryshimin, sado që përpiqesha të dukesha ajo vajza e përhershme indiferente, e vëmendshme dhe serioze, siç isha treguar gjithmonë.

Tashti bëja shaka përherë, qeshja më shumë, përkëdhelja fëmijët që takoja rrugës, i ndalja, u flisja ndonjë fjalë mikluese.

Një ditë mamaja më tha: “Nëse ke gjë për të thënë, ma thuaj”.

E pashë gjatë me dhembshuri dhe heshta. Ajo ishte mësuar me heshtjen time, për më tepër e dinte se unë, për probleme intime e delikate, flisja me tim atë më shumë.

Ajo e kishte merak të madh që unë të “gjeja fatin tim”- siç thoshte shpesh, e niste më përmendte një varg me emra vajzash, që tashmë kishin familjet e tyre dhe ishin me fëmijë. Unë gjithmonë e dëgjoja në heshtje dhe me njëlloj nervozizmi të brendshëm këmbënguljen e saj, por e përmbaja veten. Pasi mbaronte së foluri, justifikohej: “Do më kujtosh kur të bëhesh nënë”

Ajo kishte atë merakun prej nëne, se mos mua ende më kish ngelur mendja tek Berti, djali të cilin e kisha njohur në fakultet.

***

Më ishte dashur shumë kohë që të harroja historinë me Bertin.

Ishim njohur në fakultet dhe kishim qenë tre vite bashkë.

Sapo mbaruam vitin e fundit, ai vajti në Milano, pranë familjes, për t’i parë dhe për t’i njoftuar për vendimin që kishim marrë, që dashurinë tonë ta kurorëzonim me fejesë.

U dëgjuam në telefon ditët e para të mbërritjes në Itali e pastaj ai s’u bë më i gjallë.

I telefonova në numrin që më kishte marrë, por dilte vazhdimisht i mbyllur. Ai e kishte familjen në Milano, vetëm kaq dija, asgjë më shumë. Nuk i njihja personalisht prindërit e tij. Me gjithë telefonatat e njëpasnjëshme që bëra, si përgjigje mora vetëm heshtje. Mësova të hesht edhe unë.

Nuk jam tip që hapem me njerëzit. E vuajta me veten time këtë që më kishte ndodhur. Në sytë e prindërve shihja dhembshuri, por kurrë s’më thanë një fjalë. Ndjeja keqardhje edhe më të thellë pikërisht për ta. Vëllai ishte më i vogël dhe as me të nuk mund të bisedoja. Ai përjetonte adoleshencën e tij dhe kalonte kohën me moshatarët. Nuk mund ta gjykoja, sepse vetëm para pak vitesh e kisha kaluar vetë atë moshë. Çdo moshë ka bukurinë e saj, magjinë e saj të papërsëritshme, që s’duhet cenuar.

Im vëlla dinte pak rreth lidhjes sime me Bertin, por pa u futur asnjëherë në hollësira. Është vetë shkujdesja që karakterizon këtë moshë, ku nuk sheh shumë se çfarë po ndodh rreth e qark, por të duket se bota sillet veç rreth teje.

Heshtja tashmë kishte mbyllur gjithçka; natyrisht jo për mua, por të paktën për të tjerët.

Megjithatë nuk e urreja, (as sot nuk e urrej), por më tepër përpiqesha të gjeja gabimin tek vetja për atë që kishte ndodhur. Pak e nga pak krijova mosbesim tek njerëzit përreth, e aq më shumë tek bota mashkullore. Kisha qenë njëzetekatër vjeçe kur kisha mbaruar shkollën, jo fare e re. Dija të arsyetoja dhe të merrja vendime të logjikshme, të matesha shumë herë para se të vendosja.

Që atëherë kishin kaluar vite dhe unë s’kisha krijuar asnjë lidhje, jo vetëm pse besimi im ishte lëkundur, por më shumë, pse tek asnjëri nuk gjeja atë të veçantën që mund të më bënte për vete. Jam nga ato tipa, që o dua, o s’dua. Nuk mund t’u besoj asnjëherë gjërave sipërfaqësore dhe kalimtare. Më kanë pëlqyer gjithmonë gjërat e thella dhe me taban. Kam besuar dhe besoj ende në dashurinë e vërtetë dhe jo historitë kalimtare në të cilat shumë vajza e djem s’e kanë problem të përfshihen.

Mbase jam tip i vështirë, por s’mund të bëja ndryshe. I jepja të drejtë, ndonëse në heshtje, mamasë, kur më fliste për këto gjëra, por asnjëherë nuk pranoja me zë të lartë e t’i thosha: “Po, ke të drejtë, mama”, e t’i hidhesha në qafë, të qaja e të mallkoja jetën time e fatin tim, që dhe pse isha tridhjetë e dy vjeçe, ende s’kisha marrë një vendim për jetën time.

Kështu isha gatuar. Moshataret e mia ishin me fëmijë. Kishte dhe nga ato që ishin divorcuar pas dy apo tre vjet martesë. Isha në një moshë që i shihja gjërat mbarë e prapë. Por kjo s’do të thotë që, teksa rrija në dhomën time shtrirë, të mos skicoja mendime, herë të bukura e shpresëdhënëse, herë të zymta e larg realitetit. Njeriu mund të mendojë gjithçka, e kjo, do të thosha, është gjëja më e mirë. Mendimet s’t’i lexon njeri. Ato janë pronë e jotja përderisa s’t’i ka nxjerrë goja. Ato janë aleatët dhe dhoma e fshehtë e rrëfimit brenda nesh. Herë, herë guxoja e mendoja sikur të kisha një familje, një fëmijë, dhe të jetoja qetë, po s’mund të mbyllja sytë e të gjeja një njeri pa e dashur e pa ma bërë zemra “trak”- siç thuhet. Nuk më shqetësonte aspak mosha ime, por kjo ishte një problem për familjarët dhe të afërmit e mi, që në biseda, më shprehnin përherë shqetësimin e tyre për pavendosmërinë time për të marrë një vendim. Aq shpesh ma thoshin këtë, sa më krijonte bezdi ardhja e tyre në shtëpi. Gjithë mblesëritë e të afërmve i ktheja mbrapsht pa shumë takt. Jo pak prej tyre edhe m’u zemëruan, por as kjo nuk më shqetësonte. Doja të ndihesha mirë me veten, para se me të tjerët.

Të vetmit që më dhimbseshin, ishin prindërit, sepse, ndonëse s’ma thoshin, e dija që isha pika e tyre dobët.

Tashmë edhe Niku, vëllai im i vogël, ishte rritur dhe bërë burrë. Kishte mbaruar fakultetin ekonomik, si edhe unë, dhe punonte si menaxher në një firmë të njohur. Udhëtonte shpesh dhe kalonim pak kohë bashkë. E shihja se ai nuk shqetësohej se çfarë mendonin prindërit për mua.

Kur takoheshim, përqafoheshim dhe fjala e vetme që më thoshte ishte: ”Mos e vrit mendjen për asgjë”. Unë i buzëqeshja lehtë dhe dukej sikur merrja forcë nga fjalët e tij. Tani ai ishte i pjekur, nuk ishte më ai adoleshenti i dikurshëm. Kisha marrëdhënie të mira me tim vëlla, nuk mund të them se ishin aq të ngushta siç krijojnë shpesh shumë motra me vëllezërit e tyre, por rëndësi ka, që ne e donim njëri tjetrin sipas mënyrës tonë.

Po ja, pikërisht në rrethana që s’i prisja, njoha Gjergjin.

***

Drejtoria e përgjithshme e Bankës, ku punoja më kërkoi të shkoja një muaj në Erile, ku ishte filiali më i ri i bankës sonë. Mua, në të vërtetë, më pëlqente të udhëtoja, të largohesha nga qyteti, të kisha njohje të reja, por fakti që më caktuan mua e jo ndonjë nga ekonomistet e Drejtorisë në Tiranë, më kishte lënë përshtypje të hidhur. Përse pikërisht mua? Apo . . .

Kjo “apo” më bënte që ta vazhdoja fjalinë në shumë variante.

Si një vajzë që i masja dhe i shihja rreptë gjërat, mendja më shkonte pikërisht tek fakti që ata më çonin mua, mbase sepse isha e lirë, pa familje, dhe mund të udhëtoja pa problem. Nuk jam nga ata që mendoj anën e keqe të gjërave, apo të paragjykoj dhe të gjykoj të tjerët, kolegë apo persona me të cilët me lidh e përditshmja, por arsyetoja qetë dhe i merrja gjërat dhe ndodhitë, vlerësimet dhe opinionet jo ngushtë. I rrotulloja situatat në të gjitha anët dhe drejtimet, derisa t’u jepja vendin që u takonte. Ndërsa më vinte mirë që mund të udhëtoja, nga ana tjetër më kujtonte që të tjerat s’mund ta bënin se ishin me fëmijë dhe të martuara. Ndërsa unë . . . isha tridhjetë e dy vjeçe dhe pa familje. . .

Megjithëse dy-tri prej punonjësve të filialit më ftuan të banoja në shtëpinë e tyre, unë u vendosa në një hotel, paçka se do të isha vetëm.

Me të arritur (ishte kohë dreke), shkova në një restorant afër hotelit, pa u menduar shumë për të zgjedhur.

Që ditën e parë më la përshtypje të mirë ai restorant. Shërbimi ishte i ngrohtë, të krijohej përshtypja se po haje në shtëpi, aq sa më dukej sikur kishte gatuar mamaja e pjatat na i sillte dikush tjetër.

Ishte një restorant i vogël, familjar, e që ditën e parë u befasova nga pritja që më bënë. Më vonë e kuptova se ata ashtu silleshin me të gjithë klientët, prandaj edhe zakonisht aty shkonin të drekonin të njëjtët persona; shihje çifte, apo familjarë, por dhe grupe vajzash, apo miqsh, të cilët zinin gjithmonë të njëjtat tryeza, hanin dhe rrinin gjatë e bisedonin.

Më pëlqeu shumë lirshmëria e sjelljes së klientëve, por dhe e të zotëve të lokalit, që i njihnin me emra ata që drekonin dhe u drejtoheshin në mënyrë familjare, siç mund t’u drejtohet një nënë fëmijëve, apo vëllezërit njëri tjetrit.

Pa dashur u bëra një vëzhguese kureshtare e njerëzve që po drekonin, ashtu edhe e atyre që shërbenin. Isha krejt vetëm, dhe kjo më jepte mundësinë të shihja ç’bëhej përreth.

Kuzhina ndahej nga salla e ngrënies nga një banak i madh, i gjithi prej qelqi. Prej tryezës ku isha ulur dalloja qartë kuzhinieren. U çudita, sepse isha mësuar të shihja kuzhiniere të shëndosha. Përkundrazi, ajo vinte e hajthme. Mund të kishte moshën e mamasë time, ose edhe pak më e moshuar. Kishte fytyrë të rregullt, të pastër, dhe mendova një çast, se në rininë e saj mund të kishte qenë mjaft simpatike.

Ndërsa po mendoja për kuzhinieren, më afrohet një djalë i ri, dhe duke më sjellë menynë, buzagaz, më tha: “Mirëdita, zonjushe, vetëm jeni”?

”E përse duhet të jem e shoqëruar?”– thashë me vete dhe një habi e lehtë mund të ishte ravijëzuar në fytyrë.

Ai, thua se më kishte lexuar mendimet, ndërhyri në çast: “Më falni, po thashë se mos po prisni njeri dhe ardhja ime është e parakohshme”.

“Jo, jam vetëm” – iu përgjigja, - “nuk pres njeri”.

Mora në dorë menynë dhe fillova ta lexoja ngadalë, sepse kohë kisha plot. Gjithashtu as ndonjë uri të madhe jo. Por në familje respektoheshin gjithmonë oraret e vakteve dhe pikërisht për ketë hyra në atë restorant.

Kamerieri, siç dukej, kishte folur me kuzhinieren për mua, sepse pas pak e pashë të vinte drejt meje me hap të ngadaltë, por të sigurt, dhe pa marre leje, u ul në karrigen bri meje.

“Si je, moj bijë?” – m’u drejtua me një dashamirësi, që më çarmatosi.

Më vajti mendja menjëherë tek ime më.

“Mirë, faleminderit - iu përgjigja duke u përpjekur të isha sa më e sjellshme.

“Dukesh që vjen për herë të parë në qytetin tonë, se nuk të kam parë.

“Ashtu është – i thashë - kam ardhur për punë. Do rri rreth një muaj”.

- Nëse vendos të drekosh këtu tek ne, më thuaj në mëngjes e ta gatuaj unë për drekë”.

I buzëqesha duke e falënderuar . Ajo u largua po me hap të ngadaltë.

Pas pak Ermali (kamerieri) erdhi dhe mori porosinë. Hëngra lehtë, por e shijova atë drekë, pikërisht nga ai mjedis familjar.

Pas pak djali më solli një kafé.

“Këtë e keni nga mami” - më tha ai.

Teksa gjerbja ngadalë kafenë, më kaloi para sysh një vajzë e vogël, si një puhizë e bukur, me flokë të gjata, topolake, bionde, që iu hodh Ermalit në qafë.

E ndoqa me vëmendje, sepse më dha kënaqësi lirshmëria e saj prej fëmije.

Ai e puthi në dy faqet, e mori përdore dhe e çoi tek e ëma në kuzhinë.

E kisha marrë me nge atë pasdite vjeshte. “Edhe në hotel do mërzitem” – mendova. “Të paktën këtu mjedisi më duket familjar”.

Njerëzit filluan të rralloheshin. Përveç dy klientëve, që porsa hynë, isha unë dhe të zotët e lokalit.

Në këndin tjetër dëgjohej zëri i vogëlushes, që i tregonte Netës, kuzhinieres, se si ia kishte kaluar në shkollë.

“Mësuesja ma nxori fletoren përpara klasës” – po fliste me një ton mburrës biondinka e vogël.

Qesha me vete. Vajza, kur fliste, nuk e shqiptonte mirë shkronjën “r”. Kjo e bënte edhe më tërheqëse sjelljen e saj lozonjare.

”Sa pak duhet që një fëmijë të jetë i gëzuar” – mendova me vete.

“Mirë – i foli butë Neta – shko tani e ulu në tryezë të hash. Kur të vijë babi, ta kesh mbaruar”.

Vajza u ul në një tavolinë afër meje dhe filloi të hante ngadalë e duke ngritur kokën e vështruar Ermalin, që mblidhte pjatat nga tryezat ku s’kishte klientë.

“Eri, do të të ndihmoj edhe unë, ja, sa të mbaroj pjatën” – foli ajo me gojën plot.

“Nuk flitet kur hahet” – i thashë duke qeshur.

Më vështroi e habitur dhe më tha:

“E di, e di, po vetëm një fjalë fola”.

“Një fjalë falet” - i thashë unë, më tepër për të vazhduar bisedën me të, sepse po më pëlqente aq shumë ajo pafajësi dhe çiltërsi fëminore.

“Si e ke emrin?” – e pyeta

“Irva ” – m’u përgjigj. - Po ti? – më tha pas pak duke më parë në sy.

Ada” – iu përgjigja.

Kur mbaroi së ngrëni, u afrua tek tavolina ime. Nisi të më tregonte dhe njëherë nga fillimi ato që pak më parë i kishte treguar Netës në kuzhinë. U kënaqa me të folurën e saj të lirshme .

E pashë që kisha ngelur vetëm unë dhe Irva në sallën e ngrënies.

Më tërhoqi vëmendjen hyrja e një burri simpatik, brun dhe shtatlartë. Salla ishte bosh, sa edhe një mizë të kalonte e do ta shikoja, jo më atë . . . . Po e ndiqja me sy, kur ai mbajti këmbët tek tryeza ime .

Nuk mund ta fshihja habinë.

Instinktivisht hoqa sytë nga ai. Pata frikë për një çast se mos ma kishte kuptuar vështrimin dhe mendimin tim.

“Ky është babi im” – tha vajza – Quhet Gjergji. Ndërsa kjo është Ada – iu drejtua të atit.

Qesha me gjithë shpirt nga ky prezantim që na bëri. Kisha kohë pa qeshur ashtu.

Mendova se ishte koha të ngrihesha. U përshëndeta me Irvën, të atin dhe pronarët e lokalit. Mbajta këmbët për në hotel. Por ecja aq ngadalë, sa më bëhej se kisha humbur rrugën dhe mundohesha të hidhja hapa të kujdesshëm.

Ndjehesha fare mirë.

Ecja. Doja të merrja gjithë të artën e perëndimit në sytë dhe qenien time. Ishte një ditë e ngrohtë dhe flladi që frynte ma bënte me të lakmueshme pasditen, aq sa do të kisha dashur të mos mbaronte.

Në hotel bëra dush. Ndenja në rrjedhën e ujit të ngrohtë më shumë se çdo herë tjetër. Doja t’ia merrja kënaqësinë deri në fund asaj dite të bukur.

Kur dola nga dushi, u ndjeva e ripërtërirë.

Yjet po fillonin të mbushnin prehrin e qiellit. Pamja nga ballkoni ishte e mrekullueshme.

Pastaj u ula në poltron dhe fillova të lexoja “Sagën e Forsajtëve”, që e kisha marrë me vete. Më pëlqen jashtë mase të lexoj. Librat ishin bërë miqtë e mi më të mirë këta tetë vite.

Të nesërmen e ndjeva jo pak lodhjen. Ishte pikërisht ashtu siç më kishin paralajmëruar ata të Drejtorisë së Përgjithshme: Gjithçka për t’u risistemuar. E dija që do kishte pune se ishte dhe filial i ri, por jo kaq. E binda veten me qetësinë dhe vullnetin që më karakterizonte, se ishte diçka qe duhej ta beja pikërisht unë. Çdo nxitim, apo mërzi, apo nervozizëm, s’do më ndihmonte, veçse do më sillte pengesa dhe çorientim .

Në orën katërmbëdhjetë i përshëndeta kolegët e filialit dhe u nisa për tek “Enigma” (kështu quhej restoranti im). Hahahahahaha! Qesha me vete kur e quajta pikërisht restoranti im. Ishte një tërheqje ndaj njerëzve dashamirës, që më bëri të shpejtoja këmbët drejt tij.

Restoranti ishte plot. Gjithsesi, Ermali më rregulloi një tryezë, që e mori nuk di se ku, dhe e vendosi pak në kënd me banakun e madh të kuzhinës. U rehatova në karrige dhe po shihja njerëzit rreth e rrotull: ishin pothuajse po ata të një dite më parë.

Neta më përshëndeti që nga kuzhina me një ngritje të lehtë të dorës. I ngrita dorën edhe në unë në shenjë miqësore.

Pas pak hyri Irva me atë të ecurën e saj serbes-serbes dhe shkoi drejt e në kuzhinë. Qesha me vete.

Ajo ma bëri me dorë që andej dhe pas pak erdhi e u ul në tryezën time.

“Nuk ka tryeza të lira, a mund të ha edhe unë këtu”? - më tha, tashmë e ulur në karrige.

Qesha me zë dhe i thashë: “Të hash e të bëhesh më buçko se ç’je!”

Po do vijë edhe babi” - vazhdoi ajo – Ja, ja ku erdhi! - dhe bëri me kokë nga hyrja. Ai po ecte me hap të ngadaltë, mbase shikonte për ndonjë tryezë të lirë.

Irva i doli përpara dhe e solli drejt tryezës sime.

“Ju kërkoj ndjesë – foli ai vërtetë pak i zënë ngushtë, – po nuk paska tryezë të lirë”.

“Pa problem” - i thashë me mirësjellje.

Ai më falënderoi dhe u ul.

Gjergji fliste shtruar, ngadalë, dhe dukej sikur e mendonte mirë atë që do të thoshte. Më tha se ishte financier edhe ai, e se shpeshherë ia linte vajzën për t’u kujdesur Netës, tezes së tij, kur ai ishte i zënë me punë. Në pritje të porosisë, mundëm të flisnim paksa më gjatë e pastaj filluam të hanim në heshtje.

Një fëmijë dy tryeza përtej, përpiqej t’i tërhiqte vëmendjen së ëmës, që po fliste me një shoqe, dhe thërriste fort: “Mami! Mami ime!”

Gjergji dhe Irva, u shikuan një çast në sy, pastaj i ati e puthi në faqe dhe filluan të hanin përsëri.

Irva, pasi mbaroi dhe lugën e fundit të gjellës, m’u drejtua mua pothuaj si me vete, edhe pse i ati mund të dëgjonte shumë mirë: “Unë nuk kam mami”!

U zura ngushtë. Çfarë t’i thosha, aq me tepër që nuk dija asgjë!.

”Irva , shko ndihmo pak teta Netën ” - i tha butë Gjergji.

Si u largua vajza, ai mu drejtua:

“Ajo e vuan shumë humbjen e së ëmës”.

E kisha marrë shumë për zemër vogëlushen, prandaj pikëllimi dhe keqardhja qenë të mëdhenj kur mora vesh këtë gjë. Irva kishte qenë pesë vjeçe kur kishte humbur të ëmën nga një sëmundje e pashërueshme. Tani ajo ishte tetë vjeçe. Kur kishte qenë më e vogël, gjendja nuk kishte qenë kaq e prekshme sa tani. Me rritjen e saj e ndjente ende më shumë mungesën e së ëmës.

U trishtova dhe u ndjeva keq nga ato që më tregoi Gjergji.

Nuk dija ç’t’i thosha. Mendoja që nuk isha këshilluesja e duhur. Ndonëse e ndieja brenda vetes keqardhjen, nuk mund të gjeja fjalët e duhura për të thënë. Nuk jam nga ato që ulem e u jap mend të tjerëve edhe pa ma kërkuar, ose të hapem e të flas për gjëra personale, as të pyes e të tregoj kureshtje edhe për gjëra që s’më takojnë. Njeriu ka një gardh përmbajtjeje, i cilit mund t’i çelet porta me raste, por s’mund ta lërë ditë-natë hapur, sepse s’do të mund ta quajë më të tillë.

I thashë, se më duhej të largohesha për punë dhe u ndamë.

Ditët në vijim qenë të zakonshme sa u përket orëve të gjata në punë, lodhjes, llogarive, letrave, qëndrimit me orë në kompjuter, por dhe jashtë të zakonshmes sime në marrëdhënie me njerëzit dhe pas kohës së punës. Kush ishte e zakonshmja ime? Pikërisht kjo jetë me punë që bëja edhe këtu, kjo rutinë mes letrave, kafeve e ndonjë thashethemi  që dëgjoja nga koleget në kafe. E zakonshmja ime ishte edhe të kthehesha në shtëpi, të bisedoja pak me prindërit, të bëja ndonjë punë e te zhytesha në libra, të lexoja pa u lodhur, a thua se aty ishte një jetë tjetër, që bënin personazhet e librave, por që vetëm unë mund ta shihja dhe kuptoja. Ndërsa pasditet këtu, në këtë qytet, ishin jashtë të zakonshmes sime, larg përditshmërisë. Po dilja nga bota e librave, nga personazhet ireale, nga personazhet e fantazuar, dhe po takoja personazhe dhe njerëz të vërtetë.

Edhe në qytetin tim e kisha këtë mundësi. Miket (megjithëse tani ishin martuar) më ftonin shpesh për të dalë për kafe, por i refuzoja. Më shumë doja “të bisedoja” me librat, sesa të dëgjoja bisedat e tyre për fëmijët, edukatoret e fëmijëve, për këmishët që u blinin burrave etj.

Eh! Më dukeshin aq jashtë botës sime këto biseda, prandaj dhe tërhiqesha shpeshherë. Këtu kisha takuar njerëz të tjerë, që ngadalë-ngadalë po më përfshinin në jetën e tyre.

Një mbrëmje, teksa po kaloja në rrugë me një kolege (që më shoqëroi me qëllimin ”që të mos mërzitesha në qytetin e tyre”), më doli përpara Irva dhe gati m’u hodh në qafë.

Gjergji ishte pak më larg. M’u duk sikur ai nuk deshi të afrohej më shumë.

Po unë . . . . . Nuk di sesi pikërisht ky ngurrim i tij më tërhoqi, dhe sa hap e mbyll sytë, u përshëndeta me kolegen, mora Irvën përdore dhe u drejtova tek ai.

Kur u gjendem përballe ndonëse vetëm nën dritën e një llambe të zbehtë të trotuarit, Gjergji m’u duk si i zënë ngushtë.

“Mirëmbrëma, Gjergji – i thashë. – Unë dhe Irva po shkojmë të “bëjmë një kontroll” në ëmbëltore, do të na shoqërosh?”

Ai u çel në fytyrë, po dukej haptas se ishte i emocionuar.

Nuk e di pse, por më pëlqente ta shihja kështu të emocionuar dhe të zënë ngushtë nga prania ime. Nuk po kuptoja as veten, me gjithë këtë guxim për ta ftuar unë atë ne ëmbëltore, e jo ai mua. Nuk po e kuptoja se ku kishte vajtur serioziteti dhe vetëpërmbajtja ime. Ndonëse mund ta gjykoja veten pas një ftese të tillë të bërë spontanisht, ishte gjysma tjetër e imja që më mbështeste e më thoshte: “Mos harro, je vetëm një vajzë tridhjetë e dyvjeçare, e ai një burrë simpatik, bile shumë simpatik”. Në të vërtetë jo të gjithë fajin ia hodha vetes. Mendoja që “faj” kishte dhe Gjergji, që ishte kaq i mirë, i pjekur, i matur dhe simpatik. U mundova t’i dal vetes në krah njëherë, dhe jo vetëm ta kritikoja.

Bëra sikur nuk e kuptoja që ai ishte i emocionuar. Edhe unë isha jo vetëm e emocionuar, por ndjeja që pas kaq kohësh kisha filluar të bëhesha paksa çapkëne dhe mjaft e guximshme. Nuk e kuptoja se si isha “zgjuar” kështu papritur nga mbyllja ime.

Ditët në vazhdim ndodhen aq gjëra, sa njeriut s’mund t’i ndodhin dhe për muaj të tërë.

Isha unë ajo që bëra, që orarin e punës në bankë ta rregulloja me orarin kur vinin të drekonin Gjergji dhe vogëlushja. Nëse kishin ardhur para meje, shkoja e ulesha në tryezën e tyre pa marrë më leje.

Isha unë ajo, që i ngulja Gjergjit vështrimin, sa çuditesha edhe vetë me guximin tim, kurse ai do t’i ulte sytë i pari. Më vinte të qeshja me vete, dhe në të vërtetë qeshja, sa herë që ndodhesha vetëm, me këtë “lojën” e vështrimeve. Ndërsa, kur isha me Irvën dhe Gjergjin e kur ai “detyrohej” të ulte sytë nga vështrimi im, qeshja së brendshmi. Do të doja që të qeshja me të madhe si dikur, por druhesha se mos habitej vogëlushja.

Filluam të takoheshim edhe darkave, të pinim një kafe, a një ëmbëlsirë me Irvën. Ndiheshim mirë në shoqërinë e njëri tjetrit. Rridhte biseda pothuajse pa kuptuar, dhe kur vinte çasti që do të shkëputeshim, na vinte keq. Ajo vjeshtë po mbante e ngrohtë, pa shira, dhe kishte një shkëlqim që nuk e kisha parë vitet e tjerë

Një mbrëmje erdhi vetëm Gjergji. Irvën e kishte lënë tek fqinja. Pikërisht atë mbrëmje ndryshuan “rolet”. “Çapkënia” që ishte zgjuar brenda meje filloi të mos i gjente fjalët, madje dhe t’i mbahej goja. Ndërsa ai më shihte më gjatë.

Pasi mbaruam kafen, (atë mbrëmje ndenjëm më gjatë ) e dolëm jashtë, më zuri një “panik”, që befas më “zgjoi” gjysmën time të kujdesit dhe vëmendjes. Gjysma më ftonte t’i përgjigjesha afrimit të tij, gjysma më thoshte: “Kujdes!”.

Afër hotelit, Gjergji më kapi të dyja duart (e unë, për çudi, i lashë të pushonin në pëllëmbët e tij dhe u ndjeva mirë).

Ishte një ndjenjë brenda vetes që më shtynte të shkoja më tej, mbase edhe t’i hidhesha në qafë, ta përqafoja, te çliroja në fund të fundit atë çfarë kisha filluar të ndieja për të. Nuk ishte instinkt, ishte një “tik” ndjenje. Pikërisht se e vlerësoja shumë, pikërisht se për tetë vjet nuk më kishte ngacmuar asnjë gjendje e tillë, apo asnjë person, që të më “shkundte” nga qetësia e gjatë, pikërisht për këtë, ndërhynte logjika ime, që thoshte :”ngadalë, qetë . . . butë. ”

“ Je e sigurt që është dashuri? Je e sigurt që është ndjenjë aq e thellë, që të shkosh me tej?”-më fliste brendësia ime, e ato çaste mbase më shpejt dhe më me forcë.

Në të njëqindtat e sekondës e dëgjova dhe i tërhoqa duart nga të tijat butë, që të mos e lëndoja. M’u duk se atij nuk i erdhi papritur kjo zmbrapsje. Ai ishte tip i matur dhe i pjekur. Ky ishte mbase reagimi më i përshtatshëm për të dy.

Ishte nata e parë që nuk bëra gjumë të qetë në hotel. Atë natë nuk doja të gjykoja veten. Por pavarësisht se nuk doja, mendja “punonte” dhe mendonte pa më pyetur mua.

Pas disa ditësh u ktheva në qytetin tim.

Gjergji dhe Irva erdhën të më përcillnin.

Largësia të bën t’i mendosh dhe t’i ndjesh më mirë gjërat. Ndonjëherë, kur jemi afër me një person, arrijmë t’i shohim atij tiparet e bukura: sytë, ballin, buzët. I ndiejmë frymën afër tonës teksa na flet, i dëgjojmë zërin që depërton në timpanin tonë dhe na bëhet aq i dashur, si një muzikë që do ta donim ta dëgjonim mëngjeseve. Kur je afër shikimet zhyten tek njeri- tjetri, e bashkë me ta edhe shpirtrat, a thua se të dy po shohin brenda secilit. Ja, kjo më kishte ndodhur edhe mua me Gjergjin. I kishim ndjerë të gjitha këto, për më tepër, unë e “ngurtësuara” prej kohësh, këto çaste më kishin çelur buzëqeshje kaq të veçanta, sa po bëja kureshtarë njerëzit që më rrethonin, si në punë, ashtu edhe në shtëpi.

Por mbase kjo është vetëm gjysma e asaj çka duhet të shohim në të vërtetë. Unë kisha njohur një njeri të mirë, kisha kaluar me orë dhe ditë duke biseduar me të, kisha parë tiparet dhe sjelljen e tij. mbase kjo mund t’i ndodhë çdo njeriu në shoqërinë e dikujt si Gjergji. Mbase prandaj dhe vetëdija ime nuk më kishte lejuar që atë natë të bëja më shumë, siç do të dëshironin trupi dhe instinktet e mia të rizgjuara, dhe kështu s’munda t’i dilja kundër logjikës sime strikte. Tani në qytetin tim ishte një botë tjetër.

Një botë, ku kisha marrë me vete edhe Gjergjin.

Këtu, ne qytetin tim e shihja ngjarjen, Gjergjin dhe veten si një palë e tretë. Tani i vrojtoja si një spektatore, e cila sheh aktet e një pjese teatrale dhe do të donte që akti final të ishte siç do t’i pëlqente asaj. Gjatë kësaj kohe në njëfarë mënyre, do “masja” me logjikë të ftohtë, se sa e thellë ishte kjo ndjenjë. Do i shihja gjërat në distancë e fushëpamje më të gjerë vizuale dhe logjike.

Kjo kohë më duhej.

Pasi flisja në telefon me Gjergjin një kohë të gjatë, zëri i tij i butë, i qetë, i përmbajtur, dhe ndonjëherë i veshur me njëfarë dridhjeje, që i vinte nga emocionet, më kthehej në një jehonë, që më thërriste: ”Ku je? Ç’bën? Kam nevojë për ty, sepse të dua!”

Kjo kohë më duhej jo vetëm për t’i parë dhe ndjerë thellë gjendjen, por edhe për të përgatitur çastin e duhur për të folur me prindërit dhe të mos t’u binte si “rrufe” edhe njerëzve të afërt .

Në mendjen time tashmë të lirshme e të gëzuar, në largësinë fizike që u krijua nga Gjergji, po provoja një gjendje, një ndjenjë tjetër: mallin.

Po, më kishte marrë malli për Gjergjin, por edhe për Irvën.

Ishte bërë një dëshirë e përditshme, që ta kisha pranë, të kryqëzonim vështrimet e të zhyteshim në sytë e njëri-tjetrit.

Aty nga mesi i javës, ndërsa po flisnim në telefon, për pak desh i thashë Gjergjit: “Më prit, këtë të shtunë më ke aty, por u përmbajta pikërisht në çastin e fundit”

Papritur ai më bëri një propozim: Po sikur të vish e të kalosh Vitin e Ri me Irvën dhe me mua?

Zot! E dëgjova mirë, apo ishte një dëshirë e imja e përkthyer në valë zanore? Unë heshta. . . , heshta në imagjinatën time të fortë, për të qenë atje, pranë tij, ashtu siç donte qenia ime, që kishte vënë ne një: zemrën, shpirtin, ndjenjat dhe vetëdijen.

Heshti dhe ai. Priste zërin tim.

M’u duk një shekull ajo heshtje. M’u duk se ishim mijëra kilometra larg dhe s’mund të dëgjoheshin zërat tanë.

Por jo!

Dëgjoheshin frymëmarrjet tona, që na e sillnin njëri-tjetrin aq afër.

Me zërin që më dridhej, fola:

“Do të të kthej përgjgjie, Gjergj, s’mund të vendos kështu, në çast”.

Mbylla telefonin dhe befas m’u bë sikur brenda meje u përplasën dy male. M’u bë sikur shkova vite dritë pas. Gjergji, pikërisht ai, kishte bërë “tërmetin” e zgjimit, të ndryshimit, përmbysjen e dyshimeve dhe pasigurive të mia. Gjergji po më sillte dritën e dashurisë. Ndieja që pas tij më hapej një portë lumturie. E kisha kaq pranë.

Hapa përsëri telefonin dhe i thashë:

“Gjergj. . . , Gjergj, unë do të vij!”



(Vota: 15 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora