E shtune, 27.04.2024, 10:12 PM (GMT+1)

Kulturë

George Seldes: Udhëtimi i paqes me Woodrow Wilson

E shtune, 28.06.2014, 08:14 PM


Udhëtimi i paqes me Woodrow Wilson

Nga George Seldes

Ndonëse e mbajta dhomën time në Riesenfurstenhof në Koblenc, ku na caktoi ushtria dhe na ishte dhënë pa pagesë, unë shpesh shkoja me Eyre në Paris për të parë se çfarë do të bëhej me konferencën e paqes në Versajë. Eyre dhe unë ndodheshim në Paris për të përshëndetur “Mesian e ri,” siç e thërrisnim në të vërtetë dhe seriozisht në atë që njihej si botim “i ftohtë” në shtypin e vendeve aleate të Europës dhe Amerikës. Shtypi amerikan në kohën e paraqitjes programatike të Katërmbëdhjetë Pikave të Wilson tha se Presidenti ynë ishte “një instrument në dorën e Zotit,” dhe gazetat e Parisit e pritën atë si “Mbret të Njerëzimit.”

(Shumë pak kombe dhe individë nuk ishin të përfshirë në këtë vërshim emocional. Gazetarë dhe politikanë profesionistë, kundërshtarë të shquar, të vetmuar i bënin ballë kësaj dallge përmbytëse gëzimi. Ndërmjet korrespondentëve, ishte edhe një ekip përgjegjës për udhëtimin e tij në Francë, delegacioni i Shteteve të Bashkuara në një anije oqeanike, gazetarët mbushnin një anije tjetër. Ndërsa vapori i Wilson po ia kalonte Anijes S.S.Orizaba, me disa qindra përfaqësues të shtypit mbi të, James Montague vërejti: (“Po kalon Anija George Washington, me shpejtësi njëzet-e-një nyje në orë.”)

Pritja në Paris ishte gati, Presidenti e kaloi Kanalin me një torpedinierë britanike. Eyre dhe unë ishim të vetmit burra me uniformë të Shteteve të Bashkuara për ta shoqëruar, përveç truprojës së Presidentit. Ne u shoqëruam edhe nga dy torpedinierë, djathtas dhe majtas, të cilët kohë pas kohe suleshin anash përpara nesh, pastaj rrëzoheshin prapa, duke e ngritur ujin përpjetë dhe nga valët krijoheshin ca bukurira posi zambakë.

Wilson u orvat t’i shmangej takimit me shtypin. Megjithatë, ai i pat marrë disa mësime prej Kolonelit House dhe miqve të tjerë të ngushtë, të cilët mundën t’i flisnin për vlerën e publicitetit të mirë për bërjen e traktatit; sesi t’ia dilte mbanë, ose në mënyrë miqësore, më tepër si qenie njerëzore dhe kështu ai u përpoq të bënte më të mirën për gjënë më të vështirë. Ai qëndroi tek parmaku i kiçit të kuvertës i rrethuar nga diplomatët e vet edhe trupat e shtypit mbushën të gjitha vendet e lira. Menjëherë u vu re se ai po na drejtohej neve sikur të ishim ose qenie gjysmë-inteligjente ose fëmijë shkolle. Ai na nënvlerësoi duke folur. As që i binte ndërmend të tregohej miqësor. Mundohej veç të përdorte një gjuhë të zakonshme, po përpiqej fort të fliste pa gramatikë.

“Italianët nuku do shkulin asnjë fije leshi mbi sytë e mi,” tha ai.

(“Nuku” nga presidenti i mëparshëm i Prinstonit!)

Kolonel House njëherë pat thënë, “Woodrow Wilson e do njerëzimin, por ai nuk i do njerëzit.” Njerëzit atij i dukeshin së paku si disa qindra gazetarë, që kishin ardhur t’i rrëfenin botës për planet e tij se do të sillte paqe të përjetshme mbi tokë dhe dashamirësinë njerëzve.

Wilson, natyrisht, kurrë nuk pat qenë nga ata që i quajmë “një njeri i popullit.” Po ashtu edhe Lenini, që pat qenë mësues shkolle, as Trocki, që pat qenë gazetar, nuk patën qenë as shumica e të tjerëve burra shteti. Në ndryshim me të tjerët, ai nuk ishte demagog. Ai sigurisht nuk ishte hipokrit. Ndonëse, ende nuk e pata dëgjuar vërejtjen e Kolonelit House, shkrova në ditarin tim të 1918-tës:

Demagogët i përqafojnë gjithnjë njerëzit, por Wilson nuk është as demagog as hipokrit; ndoshta nuk mund ta dojë njeriun e zakonshëm si Linkolni, por ai ka shumë besim tek ky njeri, sepse ai vetë është idealist. Ai beson tek njerëzit, ai beson se njerëzit janë të mençur dhe duhej të dëgjonin arsyetimin e tij, ai e ndiente se mund të fitonte mbi ta po të kishte mundësinë t’u fliste të gjithëve. Por ai nuk e hiqte veten sikur të ishte një nga ata njerëz.

Zhurmëmadhe, por në mënyrë britanike dhe prandaj nuk kaloi në çmenduri, ishte mikpritja që i bënë dy milionë londinezë Presidentit Wilson kur udhëtoi në karrocën shtetërore tok me Mbretin dhe Mbretëreshën si edhe Dukën e Konautit, rrethuar nga Roja Kalorësiake plot shkëlqim. Në një farë largësie ushtonin topat. “Një pritje e padëgjuar në histori,” e quajtën gazetat e mbrëmjes, ndoshta të habitura nga kryeartikujt.

Mbreti Xhorxh i V-të, Pallati Buckingam

Ne, më se dyqind gazetarë, u vendosëm në Savoja dhe Cecil. Pasditen tjetër na shpunë në oborrin kryesor të Pallatit Buckingham dhe na lanë të fërgëllonim tek shkallët duke pritur Mbretin Xhorxh dhe mikun e tij. Turma me aparatet fotografikë sillej sikur të ishte në shtëpinë e vet. Ata e zotëruan vendin. Por ata ose nuk e dinin ose nuk e patën vënë re se zakoni i britanikëve është ta ngasin makinën nga ana e majtë, kështu i patën vendosur aparatet nëpër qoshet e gabuara.

Kur u afrua automobili i Mbretit, kameramanët amerikanë duke e kuptuar se do ta humbnin foton e mbërritjes në rast se do të rrotulloheshin pas gardhit të rojeve, që kishin mbushur oborrin. Kështu, vunë aparatet me mbështetëset me tri këmbë mbi supet e tyre dhe filluan një të shtyrë diagonale përmes radhëve të Rojeve Mbretërore, duke i shtyrë e duke i përplasur e në disa raste duke i rrëzuar. Ishte një skenë e çmendur, që mund të mbetej e pavdekshme tek ndonjë film.

Mbreti Xhorxh zuri vendin e vet tek shkallët e pallatit dhe vizitorët u grumbulluan në të djathtë të tij, katër a pesë formuan një radhë jashtë grumbullit e u shoqëruan nga mjeshtrat e ceremonive tek shkallët. Secili prej nesh ia jepte emrin një mjeshtrit të ceremonive, ky ia kalonte tjetrit që të arrinte tek Mbreti. Pikërisht para meje ndodhej Montague Glass, drama e tij Potash and Perlmutter, korri sukses gjatë kohës së luftës në Nju Jork dhe Londër. Nuk e di se si ia kish dalë ai që të futej në sektorin e shtypit.

“Emri juaj?” tha mjeshtri i ceremonive

“Montague Glass.”

“Zoti Montague Glahss,” tha mjeshtri i ceremonive.

“Madhëria Juaj, Zoti Montague Glahss,” i tha mjeshtri i dytë i ceremonive mbretit.

Mbreti Xhorxh, të cilit ia patën thënë emrat automatikisht dhe në mënyrë automatike pat takuar duart me ta, u mëdysh.

“Zoti Glahss,” tha ai, “Ua di emrin; mendoj se kam parë një dramën tuhaj.”

Zoti Glass u kënaq.

“Mbret, a u pëlqeu vepra ime?” bëlbëzoi ai.

Madhëria e Tij nuk u përgjigj. Radha lëvizi më tej dhe ai po më jepte mua një dorë të squllur.

Atë natë Mbreti Xhorxh e ftoi Wilson me pjesën shoqëruese që të hanin darkë në Pallatin Buckingham dhe Sër George (më vonë, Lord) Riddell i ftoi gazetarët vizitorë për të darkuar bashkë me të tek Savoja. Pas stridheve, aragostave, gjelit të detit farci a la l’Anglaise, e të tjera, na dhanë koktejle, verë franceze (Graves superieur) dhe dy shampanja të vitit 1911, të shoqëruara me likerna dhe pije të tjera sa të na e donte qejfi.

Sër George foli për miqësinë Anglo-Amerikane, pastaj i ftoi të tjerët për të folur. Në tryezën time prej pesë vetash, njëri ishte redaktor dhe botues, më ndërmendet se ishte edhe pronar i gazetës Pilot të Norfolkut, në Virxhinia (le të prehen në paqe eshtrat e tij), ai nuk kishte pirë më parë Benedictine apo Grand Marnier të zgjedhur dhe pije të tjera të ëmbla e të këndshme. I pinte drejt e nga shishet. Mandej në një heshtje midis fjalimeve, u ngrit përgjysmë më këmbë dhe tha:

“Zotërinj, përpara lufte unë mendoja se britanikët ishin ca bij bushtrash të mallkuar, por tani dua të them...”

Askush dhe asnjëherë nuk do të dihet se çfarë donte të thonte ai. Ne iu hodhëm përsipër, kamerierët e nxorrën jashtë nga Savoja madhështore dhe për të nuk u dëgjua më kurrë.

Princi i Paqes

Megjithëse udhëtimi i dhjetorit i Presidentit Wilson për në Britaninë e Madhe ishte, ndoshta arritja e tij më e madhe në bashkimin e dy kombeve anglisht-folës, vazhdimi i udhëtimit të tij triumfal për në Itali, që vijoi menjëherë, rezultoi me disa skena të jashtëzakonshme të kohëve moderne.

Më 1 janar, 1919, Zoti Wilson hipi në tren për në Romë, i shoqëruar nga shpura e tij e zakonshme dhe pak korrespondentëve, që e patën bërë udhëtimin e Londrës. Presidenti përnjëherësh u bë i kundërti nga sa ishte më parë duke këmbëngulur për të takuar dhe për të folur me njerëz punëtorë të zakonshëm, jo thjesht me udhëheqës dhe politikanë e tjerë “të shquar” siç pat bërë në Francë dhe Britani. Përfaqësuesit e partive pëshpëritën midis tyre se Wilson po çmendej, ndonëse është e vërtetë disa prej tyre e prisnin prej tij, megjithëse amerikan, ai ishte më tepër makiavelian sesa ishin ata.

Wilson e gjeti Italinë në një gjendje histerie kombëtare. Kudo në veriun industrial turma shpirttrazuara fshatarësh, punëtorësh të industrisë dhe njerëz nga qyteti të të gjitha klasave mbushnin rrugët nga shtëpia në shtëpi, duke ndalur tërë trafikun, duke bërtitur, madje duke vajtuar me të madhe dhe kur kishte pakëz vend të lirë, të dy palët burra e gra gjunjëzoheshin jo vetëm mbi trotuaret, por edhe në udhët e fëlliqura dhe këndonin e luteshin me zë të lartë.

Wilson u brohorit si princ i paqes; ai u adhurua nga shumica si njeri i dërguar nga qielli për të ndihmuar të varfërit, të shpronësuarit, ata pa shtëpi, burrat pa punë, të mjerët e kësaj toke. Madje disa besonin se parashikimi për Ardhjen e Mesias të Dytë ishte përmbushur.

Monarkia italiane dhe kryeministri, Orlando, u alarmuan nga lutjet e fshatarësisë dhe nga vërshimi i oratorëve socialistë midis popullit punonjës. Ata me të vërtetë e kthyen mbrapsht fjalimin e Wilson “jo vetëm për Romanët por për mbarë Njerëzimin”, që ishte lajmëruar publikisht. Qeveria italiane dërgoi regjimente me ushtarë të armatosur për të shpërndarë qindra mijëra njerëz, të cilët pa marrë parasysh asgjë erdhën duke bërtitur për Wilson. (Për ironi, Presidenti ishte planifikuar që të mbante fjalimin e tij të madh nga ballkoni i Palazzo Venezia, njëri nga dy ballkonet, që më vonë u bënë të famshëm apo famëkëqinj, nga fjalimet e diktatorit fashist të vendit.)

Me aq sa di unë, asnjëri nga qindra njerëzit e lajmeve, të cilët shoqëronin Wilson, nuk bënë me dije dy nga faktet më të rëndësishëm të Konferencës së Paqes: që mbështetja kryesore për Presidentin në Europë erdhi nga klasa punëtore e Atyre Që Nuk Kanë Asgjë, ndërsa Ata Që Kanë të klasës së mesme dhe klasës qeverisëse qeshnin me të madhe me idealizmin e këtij amerikani naiv; dhe që socialistët kishin filluar të udhëhiqnin klasën punëtore.

Askush nuk raportoi se Wilson tek mbërriti në Brest e përshëndeti kryetari i bashkisë së qytetit, një socialist; apo që delegacioni i punëtorëve, i cili i bëri një vizitë të shkurtër Wilson në Paris, udhëhiqej prej Jean Longuet, i nipi i Karl Marksit; ose që në takimin që u mbajt në Sallën Albert në Londër i gjithë programi i Wilson u miratua dhe u organizua prej Ramsey MacDonald, kryeministrit të ardhshëm, si edhe prej Arthur Henderson dhe Philip Snowden, sundimtarët e ardhshëm të Perandorisë Britanike, të majtë, liberalë, laburistë.

Në Suedi gazeta socialiste e kryeministrit socialist Branting u bashkua me gazetën e Zvicrës Journal de Geneve jo vetëm për ta mbështetur Wilson, por edhe duke hedhur fjalën se Klemansoi, gazeta e tij gjysmë-zyrtare Le Temps dhe zyrtarët e Atyre Që Kanë të agjensisë së lajmeve ishin bashkuar në një orvatje për të shkatërruar idealizmin e Wilson. Kur Wilson sugjeroi se ushqimi do vepronte më saktë sesa pushkët për të përhapur bolshevizmin në Europë, shtypi reaksionar britanik, i udhëhequr prej Northcliffe të Times, filloi luftën kundër Presidentit. Botuesi italian ryshfetçiu me damkë B. Musolini i gazetës së Milanos Popolo d’Italia, i cili ish larguar nga Partia Socialiste për të fituar pare, tani e sulmonte Wilson si një “radikal të rrezikshëm.” Gazetari i vetëm i shquar amerikan (jashtë të përjavshmeve liberale), i cili jo vetëm që e mbështeti Presidentin, por  gjithashtu nxori në shesh karakterin e armiqve të tij; punëtorë dhe socialistë që ishin kundër tij, klasat shtypëse dhe shtypin reaksionar po kundër tij; ky ishte pronari dhe botuesi i Emporias Gazette, William Allen White. (Po çfarë mund të bënte një e përditshme e vogël e Kanzasit ballëpërballë me Chicago Tribune apo edhe me Star të Kanzas Sitit?) Shtypi zulmëmadh amerikan qeshte me idealizmin uillsonian, i hidhte rromuze therëse politikave uillsoniane; shtypi u kthye në një lukuni ujqish që i skërmitej atij dhe që po rastësisht e shkatërroi.[1]

Shkëputur nga libri: “Dëshmitar i një shekulli”

Përktheu nga gjuha angleze: Meri Lalaj


[1] Kryetarët e dy kombeve të mëdha Aleate ishin aq diplomatë sa të mos shprehnin ndonjë kritikë zyrtare, por në mirëbesim ata u thonin shokëve të tyre që të mos e bënin për fjalë se mendonin që Presidenti Amerikan, si të gjithë amerikanët, ishte shumë naiv dhe shumë jotokësor për politikat ndërkombëtare. Teksa George Adam intervistonte Clemenceau dhe i përmendi katërmbëdhjetë pikat e Wilson, “Tigre” plak e ndërpreu me fjalët “le bon Dieu n’avait que dix,” “o Zot i madh ishin vetëm dhjetë.” Dhe pas konferencës së Versajës Lloyd George tha, “Mendoj se munda të bëj më të mirën që pritej prej meje, të rrija ulur midis Jezu Krishtit (Wilson) dhe Napoleonit (Clemenceau)”.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora