E diele, 28.04.2024, 11:28 AM (GMT+1)

Kulturë

Remzi Limani: Si t'i kapërcejmë të ligat e kohës?

E diele, 29.06.2014, 07:02 PM


SI T`I KAPËRCEJMË TË LIGAT E KOHËS?

Nga Remzi Limani

Nga thellësia e shpirtit të plagosur..., shpeshherë derdhej ofshama e një trishtimi për kohën që iku vrikthi, pa e shijuar ëndrrën e lirisë së vërtetë! Tani, rënkimet gjëmojnë për krenarinë e zverdhur nga anemia e kohës së ligë... sepse shpirti ynë bëri rrugë të gjatë të shtruar me jargë ujqërish..., deri tek liria e merituar për të dalë i shpëtuar nga kthetrrat e Bajlozit të Zi. Tani, çuditërisht, i thelluar në brazdat e kujtimeve, herë-herë, çmendurisht mbështillemi me hijet e zeza, të një bote dhe lirie tjetër që ende nuk i takojmë!... Vërtet çuditërisht, herë jam bosh, herë jam plot me qiell... Zatën… kështu dukej hija e një të çmenduri – sepse, ështe veshtirë të jetosh me frymën në të sosur... Si ta ruash baraspeshën e arësyes së shëndoshë, e ta ngushëllosh vetveten me terrinën që s`mund ta shqyesh?!? As lavdia, as paratë, nuk mund të na kthejnë ndjenjen e kënaqesisë, për t'i takuar vetevetes dhe per të qenë të lumtur. Krenarinë dhe synimet mund t`i kemi me bollëk dhe gjithçka e kerkojmë nga vetvetja jonë dhe asgjë nuk gjejmë...!

Shoqëria shqiptare duhet të frymoj lirshëm dhe pa drojë për të nesërmën e saj. Është koha e fundit për prurjen e një fryme njerëzish të një formati tjetër, ndryshe nga të sotmit të cilët na erdhën lak në fyt… Ky është zëri i trumbetës së alarmit për të dalë të shpëtuar nga humbella e kohës gëlltitëse… Tani si kurrë më parë, kemi nevojë për krenarinë tonë të pakontestuar, në hapjen tonë të plotë që të shkëlqejë tërësisht e vërteta jonë, identiteti ynë, kultura jonë, që së bashku të udhëtojmë mëtej..., në kohën dhe hapësirën e përbashkët dhe rrugën e natyrshme drejt qytetërimit evropian. Kombi shqiptar duhet të dalë i tëri nga shkëterra e gjatë për të hyrë në jetën e tij reale, të shfaqet në realitetin e dritës së plotë dhe jetës së vërtetë, sepse shpirti i njeriut u krijua me vullnet e tij për të qenë i lirë dhe i barabartë me gjithë të tjerët...

Pra, barra e kohës në vorbullën e shumë shqetësimeve tona, janë të paktën, dy nga arsyet kryesore që njeriun normal e bëjnë të mendojë ngjeshur si të shpëtojë nga poshtërimet e shumta që i bëhen nga të marrët e kohës... Margjinalizimi i individit kreativ nga ana e strukturave kompetente shoqërore është fshehje e vlerave të njëmendta nën rrogoz. Për të dalë nga ethet e hijeve të frikshme, nga humbja e durimit, shpeshherë ngjajmë të “paarsyeshëm” dhe, me nguti, sa bën flurudha e plumbit, kërkohojmë çlirimin nga djallëzitë, nga kohë e vrarë dhe rrathët e errësirës që na mbajnë shpirtin peng. Për t`u çliruar nga kjo e keqe duhet ta fusim në funksion të mirën, e cila “fle” në kokat e ndritura, të cilët nuk kanë rast që mendjen ta fusin në veprim. Pra, nuk duhet të mashtrohemi me imazhet e një jetë të rreme, ngase, atëherë jeta shfaqet plot naze, tamam si një aristokrate e llastuar. Na bën të mendojmë për monedhat që hidhen tregjeve gjithandej, ndërtesave shumë katëshe e në komoditet mbretërish. Kështu shpeshherë, njerëzit pa e lodhur fare mendjen ngasin pas mashtrimeve optike, duke harruar se jeta ndërtohet me durim e shpresë, me falje e pendime për gabimet e bëra. Budallallëqet janë njerëzore, thotë një fjalë e urtë popullore por, këmbëngulja në budallallëk s’është gjë tjetër veçse djallëzi. Për këtë budallai ndjehet krenar pasi ta ketë bërë veprimin prej budallait.

Njeriu bashkëkohor, vazhdimisht duhet matur peshën e përgjegjësisë së vetë – gjithmonë në ujdi me arsyeshmërinë, kohën dhe hapësirën në gjetjen dhe hulumtimin e zgjidhjeve të duhura, sa më të avancuara, për ta mposhtur dhe shëruar plagën e hapur nga e keqja. Duke i shfrytëzuar të gjitha energjitë kreative, kur, për fat, janë të pakufishme, duhet angazhuar në krijimin e një shoqërie funksionale kurdoherë të gatshme t’i nxjerrë në skenë individët krijues, në avancimin e vlerave kombëtare dhe ideve pozitive. Pra, në qoftë se nuk ndryshon logjika, mënyra, por edhe ritmi i punës në krijimin e shtetit funksional dhe të vërtetë, atëherë njeriu dëshpërohet madje edhe bie në depresion, pa e parë qartë të ardhmen e tij.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora