Kulturë
Timo Mërkuri: Refleksione shpirtërore
E hene, 07.07.2014, 07:23 PM
Refleksione shpirtërore
Shënime momenti gjatë leximit të librit “Refleksione lirike” të Zejnepe A. Rexhepi
Nga Timo Mërkuri
1-Duke çfletuar faqet e librit “Refleksione lirike” të Zejnepe A Rexhepi, ndjej që prej shkrimeve buron një fllad i ngrohtë aromë shumë, që të bën të mos largohesh nga libri, pavarësisht nga ora e vonët e natës. Mendimi i çastit se, ky është thjeshtë një iluzion, që do të largohet e do fashitet si mjegulla në dritën e diellit, në faqen tjetër a në shkrimin tjetër, rezulton se është thjeshtë një …iluzion.
Më shumë ngrohtësi gjen përpara, më shumë dashamirësi.
2-Thua se po hyn në një trëndafilishte ku petalet të ftojnë me buzëqeshjen e tyre për të të …dehur me aromë.
Dhe aty, nuk mendon për të këputur një trëndafil, për ta marë me vete që tja dhurosh dikujt, duke shprehur e shpresuar ëndrën më fisnike të jetës.
Çuditërisht, këputja e një trëndafili në trëndafilishte , akt i dëshirueshëm dhe i mirëkuptuar kudo e nga kushdo, këtu të duket sakrilegj. Në trëndafilishte nuk këputet trëndafili, aty admirohet, shijohet dhe jetohet bota e trëndafiltë. Aty jetohet si zot. Dhë në rast se këmbngul të “rikthehesh” në tokë, më e shumta që mund të bësh është që të krahasosh se cili trëndafil i ka petalet më të bukura , më të gjëra apo më aromëshumë.
3-Një trëndafilishte më duket ky libër i Zejnepe A Rexhepi, pavarësisht nga
stili akademik i të shkruarit. Kapitujt e emërtuar akademikisht më duken
thjeshtë …gjëmba trëndafili..që assesi nuk e pengojnë aromën e këndëshme dhe të
ngrohtë. Referencat dhe citatet janë thjeshtë…gjethe trëndafili.
4-Te ky libër të lind dëshira ti
njohësh të gjithë autorët për të cilët
shkruan studiuesja, ti lexosh gjithë krijimet e tyrë, se me siguri do
jenë aqë të bukur(a) sa ç’i përshkruan Zejnepe A Rexhepi. Me siguri të tërë do kenë
… pranverë…në krijimet e tyre. Të tërë do reflektojnë ngrohtësi e dashuri, së
paku, si në shkrimet e studiueses Zejnepe A Rexhepi për ata dhe veprat e tyre,
përmbledhur te libri që mbaj në duar.
5-Pikërisht në këtë moment mu kujtua një koment i poetes Albina Idrizi për një rast analog, ku shkruante…Kam menduar se ishte dhunti e disa njerëzve të shihnin, të nxirnin e të vinin në pah më të mirën tek tjetri. Më von u binda se mrekullia, se e mira qëndronte tek ata vetë dhe ishte gjuha e saj që fliste nga brendia e tyre dhe ajo vetëm sa përshkruan reflektimin e vetë aty ku gjen ngjashmërinë…
6-Pikërisht në këtë moment kuptova se…kjo trëndafilishte ishte në shpirtin e Zejnepe A Rexhepit, dhe nëpërmjet saj ajo sheh dhe flet për gjithë autorët e tjerë. Ngrohtësinë e saj shpirtërore, ajo e shpërndan te të gjithë autorët për të cilët flet, duke pranveruar profilin e tyre krijues dhe të veprës së tyre, në sytë e lexuesit të saj.
Ende pa i lexuar librat e tyre, unë po krijoj në vetëdijen time një portret për secilin, të parë me sytë e autores, portret i cili më ngjall një “zili”, se qënkan vërtet të bukur.