E shtune, 26.07.2025, 02:06 AM (GMT+1)

Kulturë

Vangjush Saro: Nga krijimtaria e kohës tjetër

E premte, 11.07.2014, 08:59 PM


Nga krijimtaria e kohës tjetër

"Kur qesh tërë qyteti" i Qamil Buxhelit dhe "Mysafirët" i Tasim Aliajt

Nga Vangjush Saro

"Kur qesh tërë qyteti" ishte një roman satirik i Qamil Buxhelit, (pena e parë në këtë zhanër për shumë kohë). U botua në vitet '70. Romani bënte fjalë për një qytet provincial dhe për një institucion kulture krejt në anarshi e prapambetje. Humori dhe satira fshikulluese shoqëronin të gjitha ngjarjet groteske, që në njëfarë mënyre tregonin për jetën vanitoze dhe përpjekjet pa sens në sektorin e kulturës, pjesë e një ngrehine false dhe e një shoqërie me probleme të rënda.

Ndër batudat që ende kanë mbetur nga ai roman, është: "Në Francë, edhe fshatari më i humbur e di frëngjishten". Një pjesë të mjediseve dhe të atmosferës së tij, do ta gjenim më pas te "Zyloja..." që gjithsesi do të vinte me dimensionin e tij origjinal dhe shumë qëmtues. Romani i Buxhelit u ndalua shumë shpejt; (ai "nxiu" realitetin). Autorit i qe ndaluar më parë edhe një dramë.

Tregimi "Mysafirët" i shkrimtarit të njohur satirist Tasim Aliaj u publikua për së pari në revistën "Ylli". (Gjatë kohës që atë revistë e drejtonin Qamil Buxheli dhe Shefki Karadaku, botohej mjaft letërsi; edhe asi nga zhanri satiro-humoristik.)  Tregimi "Mysafirët" përcillte jetën plot telashe të një qytetari që kishte trashëguar një shtëpi në plazh. Një sezon tejet i ngarkuar me mysafirë, ishte ngasja mbi të cilën ndërtohej tregimi. Të zotët e shtëpisë e kalonin gjithë kohën duke planifikuar ku t'i vendosnin të ardhurit: një çift, pastaj një tjetër i posamartuar, një i tretë me fëmijë, një i katërt. Të zotët e shtëpisë vetë përfundojnë në baxho dhe... shumë shpejt në korridor.

Tregimi kishte situata komike tejet interesante dhe në të njëjtën kohë, thellësi mendimi e prirje për meditim. Dy ishin nervat që ai shtypi: E para, strehimi, problem i treçerekut të shqiptarëve. E dyta, tregimi i hoqi petën fjalës së madhe mikpritje, realisht një prej zakoneve më të bukura, por disi egzotike dhe, sidomos, të degraduara për shkak të varfërisë; në atë kohë, kjo ishte një tabu.

Nuk di cili institucion, cila zyrë, ç'pjesë e këtij shteti-lëmsh merret me këto gjëra... por jam i bindur, dikur, këto krijime do të rimerren nga studjuesit dhe antologjistët; fragmente nga kjo letërsi do të jenë në tekstet shkollore. Sigurisht, kur në Shqipëri të ketë më shumë drejtësi dhe kur edhe në këtë punën e letrave dhe të letrarëve,  të ketë zënë vendi vend.



(Vota: 3 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx