E premte, 02.05.2025, 11:50 PM (GMT+1)

Kulturë

Hyqmet Hasko: Strukturimi lirik i një poezie

E diele, 13.07.2014, 10:22 AM


Tingujt, ngjyrat dhe strukturimi lirik i një poezie

Rreth përmbledhjes me poezi “Zemrat shtegtojnë” të poetit Maliq Torro

Nga Hyqmet HASKO

Poezia është një mënyrë origjinale me të cilin poeti jo vetëm që e shikon vetë botën, por na fton dhe neve lexuesve të tij, kritikëve dhe shijuesve të poezisë, ta shijomë, ta perceptojmë dhe të reflektojmë rreth saj. Një poet ka një gjithmonë një trazim të brendshëm që e shtyn të dalë në rrugën e poezisë dhe pikërisht nga ky trazim, nga këto ndjesi që popullojnë vetëdijen e tij krijuese, lind thagma dehëse dhe trallisëse e poezisë. Ky përfytyrim po më shoqëronte në mendje, ndërsa me sy rrokja vargjet, strofat dhe poezitë e poetit Maliq Torro, përmbledhur në vëllimin e tij poetik me titull “Zemrat shigjetojnë”.

Janë një tufë poezishë të shkruara me vrullin e ëndërrimit, shpejtësia e të cilit është baraz me shpejtësinë e dritës, por rruga gjer tek ky ëndërrim është e gjatë, plot kthesa e çaste të vështira, siç është vetë jeta dhe realiteti me të cilin rrethohet poeti në çdo çast të jetës së tij.

Torro bën objekt trajtimi poetik mbresa dhe përjetime të çastit, grimca kohësh dhe kujtesash, emocione të mbetura në një kohë pa kthim, që marrin frymë dhe shendërtohen si imazhe në vargjet e tij. E gjithë kjo lind nga një shkëndijë e vogël, që shkrep si në nj blic në kohën fizike të poetit, duke u kthyer në një kohë metaforike dhe trandenshente.

Torro është poet i rrymës tradicionaliste, poezia e tij vijon të jetë në gjurmët e traditës poetike shqiptare. lirizmi i thellë shpërthen herë herë në tone rebele e dramatike, tablotë lirike mpleksen me dramën individuale të  vetmisë dhe pamundësisë.

Përmbledhja me poezi “Zemrat shigjetojnë” që lexuesi e ka marr në dorë është një pikë ngritje e artit poetik të Torros, një vështrim në bredësi të unit, nëpërditshmërinë e  kohës sonë, në projektin dhe sendërtimin e vizionit tonë kombëtar dhe shoqëror.

Ky është libri i tretë i autorit Maliq Torro, pas dy vëllimeve me poezi “Pak diell nga vendlindja” dhe Djeg ky mall”. Poeti duket më i menduar, me një spektër më të gjërë tematik dhe ideo-emocional, me mjete më të përpunuara e më domethënëse shprehëse, çfarë flet për një rritje artistike të krijuesit.

Në poezinë e Torros duket se ka një komunikim ndjesor dhe reflektiv, ku zotëron një lirizëm i ngrohtë e spontan, teksa përzihen tradita me modernen dhe poeti zhbirilon anët e errëta të dhimbjes njerëzore, por dhe farfuritjet e dritës, teksa rrezitet në hapësirën e ëndrrës së munguar.

Gjeografia e motiveve të Torros përfshinë kategori morale, etike, filzofike, shëmbëlltyra jetësore, mbresa dhe përjetime të forta; në poezinë e tij ka mall, brengë, dhimbje, trishtim, dashuri, kërkim, parakalojnë figura historike, kohë dhe përjetime, etj. Në disa fabula poeti alegorizon veset dhe cenet njerëzore, me anë të detajeve të goditura dhe që flasin për një përpunim të kujdesshëm që poeti iu bën objekteve të shqyrtimit të tij poetik.

Maliq Torro vëzhgon me kamerën e meditimit lirik në mjedise që i njeh dhe  i dashuron me zjarrin e zemrës, nuk merr poza, nuk do që të duket, por thjeshtë e kthen shpirtin e tij të ndjeshëm në një lirë kumbuese, me tinguj që na përcjellin tone të qeta, të shtruara e ndonjëherë dhe të vrullshme të një realiteti që e njohim dhe e shohim përditë të gjithë, por që vetëm poetët kujtohen ta bëjnë pjesë të shqetësimit dhe kredos së tyre, duke dëshmuar se ai nuk shkruan thjeshtë për të shkruar, por se nuk mundet dot të hesht, kur shpirti i është mbushur me muzikë dhe tingujt e saj magjikë ka dëshirë që t’ua përcjell të tjerëve.

Poeti nuk sforcohet as shtiret kur merr penën për të shkruar; ai thjeshtë ndjen ritmin e zemrës së tij, duke na dhënë me një muzikalitet aq të ëmbël e aq të dëlirë gjendje sa reale e konkrete, aq dehëse e trallisëse…

I vendosur në shtratin e tradicionalizmit poetik, në atë guvë burimore ku është folku, zërat e ngrohtë lirikë që vijnë nga etnopsikika poetike kolektive, Maliqi nuk mbetet rob i kësaj tradite, por me origjinalitetin e zërit të tij, me tonet aq të ndjeshme e kumbuese, me lirizimin dhe spontanitetin e tij, e pasuron këtë traditë me imazhe dhe struktura të reja poetike.

Ajo që në të vërtetë përbën individualitetin e poetit është freskia e motiveve, marrja e “lëndës së parë” poetike  nga jeta e gjallë njerëzore, nga raportet e unit të tij me kohën dhe bashkëkohësin dhe jo nga skemat libreske, natyra meditative që shkon drejt kumtimeve filozofike.

Torro është një lirik i ngrohtë, plot ritme jete dhe ngjyra të përndezura; ai vizaton shkujdesur, por me linja të qarta e të përvijuara ëmbël peizazhe të thyera të shpirtit njerëzor dhe të historisë, duke i zgjeruar rrathët e këndvështrimit poetik nga vargu në varg, nga strofa në strofë, nga poezia në poezi, me një pasuri trajtash, figurash dhe mjetesh shprehëse.

Vargu i thjeshtë por elegant i Torros nuk kërcet, nuk kërkon të duket, por është i vetëmjaftueshëm për atë çfarë kumton dhe si e kumton, me një natyrshmëri dhe sponanitet për t’u admiruar.

Poeti fokuson në vargun e tij përditshmërinë, parajsën e vendlindjes, kohën e ikur që i sëmbon në shpirt, magjinë e Mokrës, stinët e dasmave, porosinë e nënës, moshën e pleqërisë, dhimbjen dhe shpresën si kategori filozofike dhe jetësore, projeksionin e gjërave në dukje të vogla e të zakonshme si shtrati ku ai vendos vektorin poetik, por që e bëjnë poezinë e këtij poeti të ndjerë e të freskët, me një lexim që të zgjon afeskion.

Nuk themi ndonjë gjë të re kur themi se gjendja shqirtërore e krijuesve është një rebus. Dhe nuk ka asgjë të re nëse pohojmë (me njëlloj dhimbjeje) që mjedisi nuk është fort inkurajues për poetë të cilët s’dinë ta “shesin” artin e tyre përmes shtirjes dhe kërkimeve gjoja “të kohës”. Duket se kjo “padije” është pjesë e kërkimit poetik të Torros, ai nuk flet me fjalë të zgjedhura, për të habitur të tjerët, por ashtu siç i del nga thellësitë e shpirtit.

Në tërësinë e tyre, poezitë e tij janë fluide e të derdhura, por në të njëjtën kohë, janë edhe të përmbyllura nga pikëpamja gjuhësore dhe estetike.

Në analizë të fundit, duket se kemi të bëjmë me një poet dhe kaq mjafton.

Të jeshë poet, t’i këndosh me dëlirësi gjithçkaje që të rrethon, duke qenë dhe qytetar i përkushtuar në gjithçka që ka të bëjë me të bukurën, kjo nuk është thjeshtë krijimtari, por një mision dhe poezia si mision është një akt shenjëtrimi, siç është kjo poezi e poetit Maliq Torro, e cila është një poezi që na fton ta shohim jetën nën optikën e një filozofie potimiste dhe me kurajën e atyre që dashurojnë, gjithmonë dashurojnë jetën dhe vlerat e saj.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx