E merkure, 01.05.2024, 02:31 AM (GMT+1)

Kulturë

Zejnepe Rexhepi: Fjala peshon në kohë të trazuara

E hene, 14.07.2014, 07:44 PM


FJALA QË PESHON EDHE NË KOHË TË TRAZUARA

Vështrim kritik i vëllimit me poezi “Bërthama e fjalës” - Xhevat Muqaku

Nga Zejnepe Alili - Rexhepi

Poeti i lirikës moderne, Xhevat Muqaku, shfaqet si shprehës i pakompromis i emocionit dhe perceptimit të një fryme mendimesh vlerëpërçuese.

Kjo rrymë poetike ngrihet mbi labirinte ideore e asociacione tematike…, me përzgjedhjen e figuracionit të pasur, me mjeshtërinë e një poeti që di të krijojë mrekullinë metaforike. Poezitë janë të shkurtëra, fjalët e pakta me mendime tejet koncize, por shumë domethënëse për kah porosia që lansojnë. Korrelatat, gjithmonë janë të ndërsjella midis autorit dhe veprës.

Përgjithësisht, vepra dhe frymëzimi e mbështesin njëra - tjetrën përmes yjësive metaforike, atyre shkëndijëzave që burojnë nga një shpirt i ndjeshëm krijuesi, ashtu që i tërë vëllimi poetik “Bërthama e fjalës”, transmeton akumulimin ndjesor dhe logjik të poetit Xhevat Muqaku.

Mendimi që bartet ndër vite në kujtimet e poetit, qëndron në vargjet e para: “zjarri dhe liria/flakëruan guerilën”, të distikut me titull “Pas shpinës” (10), poezi në të cilat dhembja shfaqet si Komedia Tragjike. Kështu “Balansimi në mes dy pikave…/na ekuilibronte djersën dhe hutimin”.

Në qendër të ridimensionimit të kërkimeve, me thellësi përjetimi, imagjinate e përditshmërie..., përvijoi konjukturat e përshkrimit ndjesor, me imazhet e përzgjedhura në kohë, si fragmentarizime individuale, e më pas si përmbledhje parimesh: jeta - morali - shoqëria.

Shpërfytyrimin e këtij imazhi e nënvizon poezia “Mendje peshku” (15), e cila formësohet nga një ide e realizuar, si: ”Langoi e kafshoi etikën…”, një kërkim vetëdijësimi ky, për rrugën e së ardhmes, ndoshta për brezin e humbur.

Leximi i librit “Bërthama e fjalës” nuk nënkupton vetëm lexim, edhe pse nuk e kisha menduar ca muaj më parë se do t’i lexoja, me kaq ndjeshmëri, lirikat drithëruese në të, ku ndeshim pasqyrimin e jetës me të gjitha nuancat e ylberta të vargëzimit. Vargu i thyer, si model poetik, të jep ndjesinë e një përjetimi vibror, oscilues e të zjarrtë.

Një frymëzim që pa diskutim e lartëson tërë përmbajtjen e veprës. Dizajnimi i poezive, këtu, nuk njeh bariera, ajo lind edhe kur “Përmallshëm i flet plaku i urtë/kreshnikut me plis të bardhë”, që flet për gjakimin e së shkuarës, së dikurshmes të lavdishme, kur plaku e kreshniku kishin një qëllim, ta mbrojnë me krenari plisin (traditat kombëtare).

Poeti, në këtë libër poetik, përmes vargut të mirëkultivuar, del idhtar i kritikës, andaj shkruan vargun e matur, që rrezonon me një përcjellje mesazhesh përndritëse, përmes së cilave synon përflakjen e metamorfizimeve të mentalitetit prapanik, pa dashur të krijojë ndonjë dualizëm ndjesor.

Janë disa çështje jetike që e preokupojnë poetin, andaj simbolikisht shprehet: “Për lulen e diellit / në qiell / mësuesi / dhe çelësin / e kullave të bardha”, përderisa për gjuhën e shenjtë shqipe sajon: “Vargje dhe gjuhë e ëmbël/janë shije e frymëzuar nga ABC-ja”.

Pena e këtij poeti graviton mbi tema të rëndësishme për jetën dhe ekzistencën e artit. Në poezinë “Libri im” shpërfaqet një realitet i trazuar, andaj poeti ndien “një kotësi mbresëlënëse larg dhe lart qytetërimit, më mbërthen në heshtje”, kërkon përshkimin e tokës shqiptare si një pelegrin dhe këtë udhëtim më së bukuri e realizon me anë të poezisë.

Ai shkruan me thellësi zemre prej ku shpërthejnë vatra zjarresh. Kështu, krijon një simfoni të paqtë të shpirtit poetik.



(Vota: 3 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora