E premte, 02.05.2025, 08:01 PM (GMT+1)

Kulturë

Mimoza Agalliu: Poeza është melodia e zemrës sime

E marte, 15.07.2014, 07:39 PM


MIMOZA AGALLIU: E NDIEJ SE POEZIA ËSHTË MELODIA E ZEMRËS SIME…

Nga: Prof. Murat Gecaj - publicist e studiues-Tiranë

1.Nga jetëshkrimi yt, Moza, mësova diçka interesante, pra se ke ndjekur studimet në tri degë, për bio-kimi, histori-gjeografi dhe infermieri…Më tej, ke përfunduar “Masterin” për menaxhim publik e spitalor, menaxhim territori dhe mjedisi. Pra, dëshiroj të di se kur ke nisur të shkruash poezi dhe cila nga këto degë të ka ndihmuar më shumë për këtë gjë?

-Ndoshta, kam qënë me fat, se linda dhe u rrita në Tiranë. Fëmijëria dhe arsimimi bazë ishin sfidat e para të mijat me jetën. Kam patur dëshirë të madhe për studime, etje për njohuri, pasion për të lexuar libra, intuitë për të pëvetësuar çdo gjë interesante, në raport me dijen. Kam dashur gjithnjë që të kem sa më shumë libra në duar. I lexoja ato me shumë kënaqësi dhe në kohë të shpejtë, sepse në atë periudhë ishte e vështirë të gjeja libra, për të cilat kishe interes. Pa u zgjatur, mund t’u them se letërsia ka qënë dhe mbetet hobi im. Kam qenë nxënëse e shkëlqyer në të gjitha lëndët, por letërsia ishte ajo, që më tërhiqte.  Kështu fillova të hartoja poezitë e para. Mbusha me to disa fletore, por  krijimet e mia mbetën aty, duke  u tretur nën pluhurin e kohës. Ky është edhe një peng, nga jeta ime. Periudha e studimeve, sigurisht, ka qënë një kohë  mjaft e ngjeshur për mua, sepse më duhej të studioja në dy fakultete njëherazi, duke përballuar  detyrimet familjare dhe të merresha me veprimtaritë e shumta shoqërore etj.

Për të ardhur përsëri te pyetja juaj…Pa dyshim, poezitë e para nisin nga fëmijëria ime. Për një kohë relativisht të gjatë, poezia jetoi brenda meje, duke grumbulluar gjithnjë e më shumë dhe për të pritur një shpërthim. Si pa e kuptuar, diçka më mundonte e diçka tjetër sikur e ndrydhte shpirtin tim poetik. Kjo vazhdoi, derisa një ditë vendosa t’i sistemoja dhe t’i përuroja krijimet e mia në vëllimin e parë, “Çelnajë”. Më tej vazhdova në  vëllimin e dytë, “Shtatorja e kurorës”, për t’i pasuar më tej me prozë.

E ndiej se poezia është melodia e zemrës sime. Pra, nuk mund ta përceptoj jetën të shkëputur nga vargu. Më pëlqen ta hedh në shkronja,  gjithçka që  është e bukur, por edhe dukuritë në jetën social-ekonomike të vendit ose mjedisit, ku gjendem e frymëmarr. Ndoshta, kjo është e lidhur edhe me profesionin tim të mësimdhënies, pedagoge e studentëve të degës së Infermierisë. Më pëlqejnë natyra, në kuptimin e gjerë të fjalës, peizazhet, kërshëritë e zbulimet. Kjo vjen, ndoshta, ngaqë një nga degët, në të cilën kam studiuar, është histori-gjeografia, pra menaxhim territori dhe mjedisi, në studimet shkencore.

2. Pa i përmendur të gjitha trajnimet tua, se vërejta që është një “listë” e gjatë, cila prej tyre të ka aftësuar më tepër për jetën? Po, për ta shkruar e botuar librin tënd të tretë, “Mbrojtja ndërkombëtare e minoriteteve”(Tiranë, 2013), duke u ndalur shkurt në përmbajtjen e tij?

-Jo vetëm poezia, por gjithcka  buron prej meje, është shpirti im i derdhur në rreshta, falë edhe punës sime të vazhdueshme e të palodhur në kërkim të vetëvetes, nëpërmjet studimit. Jam përpjekur të përfitoj nga përvoja e njerëzve të letrave, qofshin këta vendas ose të huaj dhe të mësoj sa më shumë prej tyre, për ta shfaqur krijimtarinë brenda hapësirave dhe shpirtit tim të lirë. Ende vazhdoj të lexoj, kryesisht letërsi, filozofi, histori, psikologji etj. Dëgjoj për shumë kohë muzikë të lehtë e sidomos klasike, në shqip dhe në gjuhë të huaj, nga ku marr mjaft energji e frymëzim poetik. Libri për mua është shumë i dashur.

Le  t’i shmangem pak poezisë, për të dhënë përgjigjen, që ju kërkoni rreth librit tim të tretë, “Mbrojtja Ndërkombëtare e Minoriteteve”. Në fakt, vite më parë, rreth kësaj teme kam hulumtuar së bashku me profesorin tim, udhëheqës shkencor. Pa dyshim, është rrjedhojë e asaj pune të palodhur për mbrojtjen e temës së Masterit Shkencor, pranë degës përkatëse, në Universtetin e Tiranës. Ndaj e pashë të arsyeshme  e  interesante, si subjekt për një libër. Jo vetëm kaq,  por edhe përvoja ime  politike, rreth 20 vjeçare, duke qenë dhe këshilltare në bashkësi, ku kam njohur më nga afër, psh, bashkësinë rrome, egjiptiane etj.

Ka edhe një arsye tjetër, se përse u botua ky libër. Duke qenë pedagoge, përgatis shumë leksione për studentet dhe kështu  mendova ta provoja veten në fushën, për të cilën kam studiuar. Shkurtimisht, përmbajtja e këtij libri është: Një analizë njerëzore, politike, shoqërore, ekonomike  e më gjerë, për vështrimin dhe trajtimin e minoriteteve, e lidhur ngushtë kjo me konventat ndërkombetare, për liritë dhe të drejtat e njeriut. Vetë termi, për të cilin po flasim,  tregon se këtu flitet për një masë shumë të madhe  bashkasishë njerëzore, në hapësira të ndryshme gjeografike të botës, ku ato e ushtrojnë veprimtarinë e tyre jetësore, mbi bazën e disa të drejtave dhe detyrimeve.

Mendoj se është një libër mjaft i dobishëm, sidomos për lexuesit e interesuar. Ai jep informacione të larmishme edhe për minoritetet në Shqipëri, si dhe për pakicat kombëtare shqiptare përtej trojeve tona amtare, ku janë vendosur, sa janë e si trajtohen etj. Këto janë saktësuar me shifra konkrete, si psh, për numrin e shqiptareve në botë, që arrin në mbi 10 milionë. Gjithashtu, dokumentohet se  Shqipëria është shembulli më i mirë në Ballkan, për trajtimin e minoriteteve, përveç rastit të bashkësisë rrome, që pritet të menaxhohet më mirë. Pra, ky libër vlen te lexohet për hapje të vizionit vetjak, nga mosha të ndryshme dhe për njohjen e panoramës shqiptare të emigrimit, që nuk i lodh, por u jep thjesht informacione interesante, për këtë fushë të jetës njerëzore.

3.Po i rikthehem edhe një herë pyetjes së parë: Cila është tematika kryesore e dy librave me poezi, publikuar më 2013: “Çelnajë” dhe “Shtatorja e kurorës”?

-Tematika në këto dy vëllime është shumë e gjerë. Në to, është poezia e peisazhit shpirtëror,  thellësia e mendimit, imagjinatës, ndjenjës e zemrës së shkrirë në peisazhin natyror, të cilën e dashuroj, si frymëmarrjen time.

Së pari, poezinë e jetoj dhe pastaj e “filozofoj” në vargje. Poezia ime është  fjala, që buron nga shpirti dhe i pikturuar në natyrë, për të nxjerrë një peisazh shpirtëror, duke ndërthurur këto dy botë, pra natyrore dhe shpirtërore. Në poezinë time ka vend për të gjitha ndjesitë, pozitive ose negative, sepse vetë jeta është në funksion të tyre.

Duke jetuar me çastin, duke e vlerësuar atë me natyrën, si foleza e shpirtit poetik, duke qenë një vëzhguese e mirë, reflektoj pas një meditimi të gjatë. Më pëlqen të shëtis në shi, ku brenda shpirtit më lind një poezi. Se ajo është dashuri, ndjenjë e pastër, komunikim i mirë njerëzor, është respekt i ndërsjelltë e gëzim. Është  vjeshtë, dimër e verë. Por, mbi të gjitha, më pëlqen një pranverë e çelnuar, e hedhur në mënyrë mbresëlenëse në kohë, hapësirë, largësi, në një varg të çiltër e të ndjerë. Është një gërshetim nëpërmjet mendjes, shpirtit e zemrës, që vjen ndjenjë, kristalizohet në ide. Me imazhet luaj për ta përcjellë me një mesazh vargu, ku mundohem të arrij një feed back pozitiv, ndërmjet vetes dhe lexuesit. Mbaj një dialog të shkëlqyer me peisazhet, barin, pemët, liqenin, detin, yjet, hënën, gurgullimën e ujit, fëshfërimën e gjetheve, këngën e zogjëve, vesën e mëngjesit, aromën e luleve. Qëndroj gjatë duke dialoguar me natyrën.

Në letërsi, shkrimtari im i pëlqyer është Stefan Cvajg. Në jetën reale pëlqej më shumë të bukurën dhe artistiken, duke jetuar me pozitiviteten,  e cila është bërë parim në jetën time.

Muzika është, gjithashtu, melodia e shpirtit tim. Kur dëgjoj muzikën, që më pëlqen, pa tjetër, që “direkët e anijes së poezisë” më duken në horizont.

4. Nga pjesa e bisedës së deritanishme, del se ti je tepër e ngarkuar, si me detyrat e përditëshme dhe veprimtaritë shoqërore, duke përfshirë këtu dhe ato në familje…Pra, si ia ke arritur që të mbetesh e kënaqur nga tërë kjo punë? Po familjarët tu, si ndihen dhe a i ke në krahun tënd, në këto drejtime?

-Faleminderit edhe për këtë pyetje, e cila më “ngacmon” që të flas… Kam fatin që kemi një familje të konsoliduar mirë, në harmoni, paqe e mirëkuptim të ndërsjelltë. Pra,  janë mbështetja ime kryesore dhe, pa ata, kurrë nuk do të arrija të isha kjo, që përpiqem të jem sot, në punë, në jetën shoqërore dhe në krijimtarinë lëtrare e studimore. Eshtë një forcë e brendshme, që të shtyn të ecësh përpara dhe që quhet vullnet, përkushtim e këmbëngulje, për t’i arritur qëllimet, objektivat.

Në të vërtetë, e quaj veten një njeri, që punoj me ngarkesë të plotë. Për mua, ka shumë pak kohë për pushim ose gjumë.  E kuptoj mirë se është e vështirë të jeshë femër dhe familjare e përkushtuar, deri në detajet më të imta dhe veprimtare shoqërore, deri në sakrificë njerëzore, studiuese e orëve të vona, pedagoge në disa fakultete e poete, të jesh prind shembullor, njerëzore dhe të tjera si këto. Nëse do të marrësh përsipër të bësh diçka dhe për të lënë një emër të mirë, të jesh sadopak e vlefshme për shoqërinë, padyshim që do të marrësh përsipër edhe rriskun e sakrificave vetjake. Fundja, ç’kputim do të kishte jeta, nëse të gjithë njerëzit do të mbylleshin në guaskën e tyre?!

Ndjehem mirë, se   profesioni im më ndihmon në zgjerimin e koncepteve për jetën, vizionin e të përceptuarit të problematikave, gjë që shërben në përballimin e situatave edhe kur ato janë të vështira. Jetoj në një fazë pjekurie, me koncepte më të qarta  për jetën, më vizionare dhe me objektiva e qëllime më specifike.Tashmë, e di çfarë kërkoj nga vetja, duke u përpjekur në realizimin e çdo detyre, pa e kthyer kokën pas. Detyra e pedagoges,  në radhë të parë, do të thotë profesionalizëm, përkushtim, ambicje, kërkesë llogarie, si ndaj vetes dhe të tjerëve. Femra shqiptare sot ka shumë probleme përpara,  ashtu si vetë shoqëria, në përgjithësi. Ka problem identitetin e vet, përfaqësimin dhe trajtimin e barabartë në shoqëri, mbrojtjen fizike e psikologjike, pjesëmarrjen aktive në të gjithë jetën e vendit.

5.O, Moza edhe ty po më duhet të bëj atë pyetjen “standard” dhe paksa “të besdisshme”, që ua kam drejtuar krijueseve të tjera: Çfarë ke në dorëshkrim dhe kur do ta dërgosh në shtyp librin e radhës, po mos bëj “goditje” me tre përnjeherësh, si me këta të tjerët?! (ha,ha)

-Më pëlqen edhe proza, sepse kam mundësi të shprehem gjatë dhe të fjalosem me veten ose me personazhet. Aty kam lirshmëri ose hapsirë më të madhe shprehëse, duke e zgjatur në kohë përshkrimin. Romani im, i cili ka 5 vjet në dorë dhe  që po punohet, ka në qendër  personazhin femër. Po kështu, kam gati një vëllim të ri poetik, si dhe një vëllim me tregime. Gjithësesi,  nuk dua  që të nxitohem për t`i botuar. Sepse, siç dihet nga të gjithë krijuesit,  gjithçka e shkruar ka nevojë për t’u riparë e rishkruar …

6. Ndonjë fjalë e Mozës, në fund të Bisedës, për të cilën të falënderoj përzemërsisht…

-Të bisedosh me një  publicist dhe studiues të mirefilltë,  siç jeni Ju, është një kënaqësi e veçantë…E kisha shumë të vështirë të flas në vetën e parë. Por, “e detyruar”, rrëfeva diçka dhe kërkoj mirëkuptimin e lexuesve të këtyre radhëve. Përfitoj nga rasti t’u uroj jetë të gjatë dhe me shendet të mirë,  i nderuari profesor Murat Gecaj! Faleminderit për këtë bisedë dhe me shumë respekt për ju!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx