Kulturë
Tefik Selimi: Bota e pasur krijuese
E merkure, 23.04.2014, 07:59 PM
Bota e pasur krijuese e një poete
gjilanase...
Nga Tefik Selimi
Shahe
Rama është poete e njohur nga Gjilani. Ajo kryesisht shkruan poezi për fëmijë.
Ajo ka një botë jo vetëm interesante krijuese, por edhe joshëse për të gjithë
fëmijët. Poetja është e tëra “poezi”, e cila poezinë e vjershëron lehtë dhe
bukur. Pse jo? Gati në të gjitha veprat letrare të saja vërehet se ajo po
hapëron guximshëm në hartimin e vargjeve të bukura artistike. Kjo e bën ate të
jetë një “krijesë” e zellshme e kësaj gjinie letrare poetike. Poetika e saj
është më tepër e botës fëmijërore. Ndonëse ajo nuk është mësuese e jetës,
përkundrazi, ajo i do fëmijët, i do prindërit, por e do edhe syrin e nënës,
bukën në sofër, bareshën e maleve, tik-takun e orës, festën e nënës, ditën e
mësuesës, balerinën, shtëpinë e pavarësisë, palaçon, djalin e mirë, Pin Pinokion
etj. Pra, poezia e saj është një zë i ëmbël i jetës së përditshme, e cila poezi
të magjeps dhe të bën për vete për ta adhuruar si krijim poetik. Por, kush e do
këtë poezi? Dihet: të vegjëlit janë ata që i gëzohen poezisë së bukur, të
cilët, mezi presin t’i mësojnë shkronjat e Abecesë, që të futen në ëndrrat e
jetës shkollore. Dhe, s’ka si t’mos adhurohet poezia e saj, e cila është një
“tufë”e bukur vargjesh që tingëllojnë e kanë elemente edukative, vargje këto që
ia thonë “jehonës” së jetës së përditshme shkollore. Vepra e saj “Hëna me
shtatë yje”, Shahe Rama, poete, e cila është botuar ditë më parë, është e ndarë
në tri kaptina, si janë: “Dritare shpirti”, Ftesë për klasë të parë” dhe “Syri
i pranverës”. Në pjesën e parë, autorja “këndon” me zërin e saj poetik, që janë
poezi të “prekshme” të zemrës, të cilat kanë në vete dhembjen dhe dashurinë e
njeriut tonë. Ndërsa, në pjesën e dytë, Sh. Rama, ndalet tek frymëzimet e saja
për Abetaren, për ftesën e Abetares, shkollën, për ditën e mësuesit, muajin shtator,
muajin e gëzimeve të papërshkruara atë fëmijëve etj. Ja disa poezi të bukura të
kësaj vepre: “Jam në klasë të parë, 7 Marsi, Feston Kosova, Shoqe Nita,
Dembeli, Kur vranë poetin etj. Edhe pjesa e tretë e kësaj vepre është mjaft
joshëse me poezitë e saja të thella poetike, të cilat shprehin botën e
krijueses të saj. Poetja, këto “sende” i sheh me syrin e pranverës apo me gazin
e jetës. Nga kjo shohim se, poetja në mënyrë simbolike e ka shprehur dashurinë
ndaj stinës më të bukur të vitit, pranverës, e cila stinë na sjell ngjyra të
shumta jete, si hënën, detin, shiun, kohën e pjekjes së qershisë, pranverën si
stinë, vjeshtën, shiun e vonë, dimërin, dordolecin, Vitin e Ri etj. Këto janë
ato “mini” tema të botës së saj frymëzuese në veprën “Hëna me shtatë yje”,
vepër kjo që ngërthen në vete botën e pasur me frymëzime artistike. E, poetja,
Shahe Rama, këtë art të bukur e ka ushqim shpirti e në zemër. Ajo jeton me
vargje, strofa, rima, tema, por jeton edhe me fantazinë krijuese artistike. Kjo
është bota e saj artistike poetike. Arti, në çdo formë të shprehur, nuk njeh kufi. Ky art i saj është i shkrirë
për botën e fëmijëve. Ata ushqehen me artin e bukur, por edhe i gëzohen jetës.
Pse jo? Arti i rrit dhe i madhëron fëmijët. Ja si ka shtuar Shahe Rama në
poezinë e saj “Nënës sime”: “Ishe hënë me shtatë yje/ gjithmonë e plotë në
zemër tona/ fjalët e tua – ngjyrë dashurie/ shkëndija të mëdha – mirësie” (f.
2). Apo në poezinë “Syri i nënës” poetja shton: “Syri i nënës rrallë gabon/ ky
sy i bukur të shpëton/ kur të harrojnë e kush s’të njeh/ syri i nënës, pas vete
e ke” (f.7). Në poezinë “Baresha”, poetja i këndon qingjit të vogël, e cila
figurë shpreh urtësinë dhe “mikun” më të mirë të fëmijëve. Ajo shton: “Qengji i
vogël të përcjell/ be- be bënë një mijë herë/ me këtë qengji shpreh dëshirë/ që
të bëjë një gjumë të mirë”. Në veprën e Shahe Ramës, lexuesi i vogjël “takon”
edhe Skënderbeun, heroin e madh shqiptar. Ardhja e Skënderbeut në shehin e
Prishtinës, sikur poeteshën e ka frymëzuar të hartojë poezinë me titull “Gjatë
të pritëm”, ku ajo “këndon” me këto vargje të bukura artistike: “Shumë gjatë të
pritëm/ Gjergjin tonë lavdiplotë/ Edhe lotët e gëzimit/ atë ditë Kosova s’i
ndalonte dot”(f.16). Këtu fëmija mëson historinë e të parëve tanë. Mëson për
trimat dhe luftën e drejtë të popullit tonë për liri e pavarësi. Sepse, aty, ku
qëndron krenar shtatorja e Skënderbeut, trimi i Arbërit, aty është edhe zemra e
gjithë Shqipërisë, ku afër tij, qëndron krenar Zahir Pajaziti, trimi me fletë,
por edhe Nënë Terezën, zonja vetë. Kjo tingëllon bukur dhe s’ka si mos të
adhurohet e të “këndohet” nga të gjithë artdashësit e artit të bukur letrar.
Poetja, Shahe Rama, poezi i ka kushtuar edhe poetit të njohur kosovar, Ymer
Elshanit, të cilin gjakatarët e vranë. Ja si shton autorja: “Ylberi, s’doli si
për inat/ hëna, buzëvarur ndriçonte/ nuk vdes peti – tha vargu i tij/ vetëm pak
gjumë, ka vënë në sy” (f. 42). Edhe shumë poezi të tjera janë “rrëfime”
poetike, të cilat janë të dala nga thellësia e shpirtit të autorës në fjalë.
Siç dihet, Shahe Rama është përkthyese e gjuhës angleze. Jo vetëm kjo. Ajo
tashmë ka bërë emër jo vetëm me këtë vepër të fundit, por edhe me veprat tjera
letrare të botuara më parë, si janë: “Ngjyra ylberi”, (2004), ‘Unë nuk dua
vetëm lodra” (2005). Vepra e saj e tretë dhe e fundit është “Hëna me shtatë
yje” (2014). Ditë më parë, këtë vepër e ka botuar Shtëpia Botuese “Kurora” në
Gjilan, 2014. Vepra ka 61 faqe. Kjo vepër shënon një ecje përpara të
krijimtarisë së saj poetike. Vepra në fjalë ngërthen në vete botën e brendshme
intime të autores, e cila është munduar ta shprehë me anë të vargjeve poetike
dashurinë e madhe ndaj fëmijëve në jetë.