E merkure, 07.05.2025, 06:22 PM (GMT+1)

Kulturë

Mehmetali Rexhepi: Shën Tereza

E shtune, 19.04.2014, 03:49 PM


Sh ë n   T e r e z a

 

(Ose Gonxhe Bojaxhiu - Nëna Terezë)

 

Nga Mehmetali Rexhepi

 

viti i lindjes

njëmijë e nëntëqind e dhjetë

i vdekjes

nuk do të ketë

 

*

nga çerdhja e shqipes

thithi qumështin e mirësisë

 

*

aq shumë paska thithur

Gonxhja qumësht të tillë

sa të kishte

bonjakët e botës

për t’i ushqyer

 

*

bota tha

mrekulli

nuk është i vogël

kombi

që të ndriti Ty

 

*

krenare në përvuajturi

jetë shkapërderdhur skutave

sheshet prapa shpine

 

*

të ndyrën gojbulë

kush e preku

me zemër e duar

krem dashurie

 

*

ndonëse ishte

një grusht njeriu

botën kureshtare

botën gënjeshtare

se ç’e veshte

me sublimë gjeniu

 

*

fluturove

mbi të përbuzurën

mbi të shkretën botë

qerres së munguar

t’i bëheshe

rrotë

 

*

cilës pranverë

cilit behar

i huazove

për t’ua shpërndarë

gjithë atë nektar

njerëzie

 

*

e të thith e të thithte

çdo fidanishte

 

*

të lahen e shpërlahen

në shpirt det ngrohtësie

assesi mos ftohet

gjen fisnikërie

e shqip jetës

 

*

Shën Tereza një diell

për acarin njerëzor

 

*

Akademi e Bamirësisë

ujëvarshëm ligjëron

pa të fërguar jeta

nuk të vjen era njeri

droja e djegies

prore nuk të ka prirë

 

*

ligjërata vijon

kur e kur

nuk u thyen askurrë

portat e vetjakësisë

 

*

shurdhësia njerëzore

të zhvishet nga zhgualli

po thyhet qëkur

me kokë muri

 

*

aty ku mungon

Krishti

djalli banon

e në këmbëz

gishti

 

*

njeriu ende nuk u la

nga mëkatet që ka

frymë e Krishtit

flijimin vazhdon

 

Gjilan, mars 2000



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx