Një darkë që nuk e kam
"paguar" akoma
Kujtimit të Atë
Dhimitër Priftit
Tregim i jetuar
Nga Përparim Hysi
Kisha dy
vjet që punoja në atë fshat të largët. Qe aq larg nga shtëpia ime, sa , po ta
bëja të gjithë rrugën në këmbë, donte pa frikë nja 7 orë të mira. Shpesh unë në
këmbë e bëja dhe, vetëm disa raste, të paktën gjysmën e rrugës e bëja në këmbë.
Flitet për vitin 1960 kur, ende, në atë krahinë të largët të Fierit, nuk kish rrugë për makina. Qeshë emëruar
mësues në shkollën 7-vjeçare të Ndërnënasit, fshati më i largët që përfshihej
në lokalitetin e Libofshës. Fshati qe goxha i
madh dhe, përfshirë në kooperativën e bashkuar, qe si qendra e disa
fshatrave. Vërtet larg nga Fieri dhe, gati 10km, nga Libofsha që qe dhe qendra e lokalitetit, por nxënësit
ishin jo vetëm të urtë, por dhe të dhënë
pas mësimeve. Unë punova tri vjet (nga viti 1959-1962), por përshtypjet për
fshatin dhe për nxënësit e kësaj klase (janë të vitit shkollor 1960-1961), i
kam nga më prekëset. Klasa kishte gati 25 nxënës (flitet për klasën e shtatë)
dhe qenë aq të mirë,sa nuk dije kujt t'i vije katër e kujt pesë. Katër e pesë,
se në ato vite, nota më e lartë qe pesa. Ata qenë njëri më i mirë se tjetri dhe
ky përparim cilësor i tyre çoi në një tregues që dhe sot më emocionon. Të gjithë ata nxënës cilësorë, u
arsimuan më tej dhe tri të katërtat e tyre u bënë mësues dhe të tjerët: kush ekonomist, kush agronom; kush oficer;
kush mekanik dhe njëri që qe,si pak veçantë, u bë muzikant. Që në shkollë, i
binte violinës. Violinë që e kish bërë me dorën e vetë. Po ju mos kujtoni se në këtë
"skërkë" të fundit ( më tej kishte vetëm det ose kënetë) ja doli një
muzikant made in Stradivar. Jo, po ai nxënësi i veçantë me vesh për
muzikë,atë violinë pati si
"pasaportë" që mori porvimet e lirimit (qe i vetmi që s'para ia
thoshte për mësime) dhe, më tej, kur shkoi ushtar mbante në këmbë gjithë
regjimentin. Po atje, në regjiment, kishte një
violinë të vërtetë. "Stradivari" i vogël qe Llaqi i Petro Dhanit. Në
nuk po zgjatem edhe më për atë
"Stradivarin" e vogël nga Ndërnënasi
i Libofshës, e bëj për faktin se në këtë tregim do flas po për një
nxënëse të asaj klase cilësore që qe bashkëshoqe klase me muzikantin. Kam arsye
të qëndroj tek kjo nxënëse. E kam fjalën për nxënësen time të asaj kohe (më
vonë ajo u bë mësuese shumë e mirë për
gjuhë e letërsi shqipe), Jorgjie Dhimitër Prifti.
* * *
Në po e
veçoj Jorgjien nga bashkëshokët e saj të asaj klase, kam një arsye madhore.
Jorgjia ishte vajza e priftit të fshatit. Në ato vite bursat për të vazhduar
shkollat e mesme jepeshin nga shkolla. Drejtoria merrej me listat për nxënësit
ku kirteri dihej: politika në plan të parë. Nga kjo anë, ata meritonin që të
shkonin që të gjithë në shkollë. Dhe, pothuaj, që të gjithë shkuan. Bursa kishte me shumicë dhe kishte
raste që "tepronin",se
familjet nuk kishin mundësira më elementare për t'i dërguar në shkolla.
Rrezikohej Jorgjia ( si çupë prifti) dhe, veç saj,edhe Perikli Çuni. Ky i
fundit se i ati qe anti kooperativë. Në gjithë atë fshat të bashkuar, Llukë
Çuni, e ndizte oxhakun veç. E pati parë
kooperativën me syrin e njerkës dhe shteti e partia i vinte kufirin tek thana: Perikliu, ai floriri i vogël i
klasës, mbeti pa bursë. *
Pra,
Jorgjia, që, pothuaj, ma rrëmbente
fjalën nga goja kur flisja për letërsinë
rrezikohej. Sado që qe vënë barrierë e tillë, e bisedova me drejtorin (qe njeri
shumë i mirë) që mund ta dërgonim dhe
Jorgjien për në pedagogjike. Dhe unë u futa në "valle", por
pak me shejtanllëk.
* * *
Atë
Dhimitri qe prift. Qe burrë i zgjuar dhe kishe qejf të bëje muhabet me të. Jo
vetëm kaq: ekonomikisht, sado që kishte një tuf me fëmijë,qe mirë. Mbi nivelin
e jetesës të të gjithë fshatarëve, me përjashtim të atij "antit", Llukë Çunit! Atë
Dhimitri, sa i zgjuar qe, po aq dhe
hokatar. Nuk ia hante qeni shkopin kollaj dhe, tek bisedonte me dikë që s'e
njihte, e vinte në kandar: ia vlente apo nuk ia vlente. Mua më hahej muhabeti
me të, por asnjëherë nuk kish ndodhur që të më thoshte (unë
flija në fshat), urdhëro andej nga shtëpia. Bashkëfshatarët që ia dinin huqet thoshin për të:- Zor se fut njeri
në shtëpi, por, po e futi, nuk ka njeri
më të pritur. Unë tanimë e kisha marrë këtë "informacion" dhe sikur i
vura vetes detyrë që, o të haja një
darkë atje, në shtëpinë e tij, o do bëhej kiameti. Dhe, tek Jorgjia e kish mbaruar klasën e shtatë me të
gjitha pesa, i them Atë Dhimtrit:-
Dëgjo, po të rregullova një bursë për Jorgjien, e shtron një darkë ti
"papu" a jo? - Po në vend,- m'u përgjigj: çak-fak. E thënë,e bërë. Frymën
unë tek drejtori dhe i them:- Një bursë për pedagogjike do ja japim Jorgjies,se është me të gjitha notat
pesa! Sidomos, në lëndët e mia,qe nga më të mirat! E di që, po ta lexojnë tregimin tim shumë nga nxënësit
e mi (ata sot janë në pension) mund të mërziten,se me pesa kanë qenë dhe ata,
si: Perikliu,Hilli,Liria,Naunka,Lefteria, Olimbia,Sokrati e të tjerë, por
Jorgjien e veçoj për arsye tjetër.
* *
*
Pasi e
mbushi drejtori, Andon Gjerazi, shkresën për akordimin e bursës me atë në xhep
dhe drejt e tek prifti. - Ta gëzosh,- i them.
Në shtator Jorgjia do shkoj në pedagogjike të Tiranës. Tek ia zgjata
shkresën, e pashë që fytyrën ia mbuloi
një buzëqeshje, por vetëm për pak. Pastaj ai u bë, po ai: Atë Dhmitri që unë,si
të gjithë për reth, i thoshin "Papu". Unë, me që e kisha bërë
realitet detyrën time, prisja që jo vetëm të më falnderonte, por dhe të më
ftonte për darkë. Po
kështu e kishmim dhe "kontratën" me të. Po ai as i zi dhe as i bardhë. Unë
po mënd po plasja nga e keqja. E kisha marrë si me revan. Gojën tërë jetës e
kam patur brisk. Dhe këtë radhë e zbraza:- Të
bëmë goxha nder, po të çojmë Jorgjien në shkollë për mësuese dhe ti as
po na fton për darkë?!!! Po ku ia hante qeni shkopin kollaj atij njeriu aq të zjguar
dhe aq të mirë? - U bëre ti, një "fiçorr" nga Petova, të më
bësh nder? Nderin ma ka bërë partia e
punës, dhaskal!!! Kur tha, kështu, ia dha një të qeshuri, sikur me këtë po më
thoshte: vëri majat nga ke thëmbrat!
Gjete qishë ku të falesh! Dhe,vërtet, asi kohe unë qeshë një
"fiçorr".
Natyrisht,
ky dush me ujë të ftohtë ma nxori dalldinë
e darkës që do haja, dhe bërë si ajo era që fryn për të nxjerrë shi,
frymën e mbajta tek dhoma ku flija. Xha Zariku, roja e atij mjedisit ku kishte
depo kooperativa, më pa dhe lexoj shqetësimin tim. Më pyeti dhe ia tregova se
ç'ma "punoi" ai "Papu". Aha,- tha Xha Zariku,- nuk futet "Papu" aq lehtë në kular, por
bukën nuk e ha thatë ai,dhaskal. Digjo, xha Zarikun ti, prapa i vjen haberi
këtij muhabeti. - Po
ç'prapa, o xha Zarik, -turfullova
unë,- i
bëmë gjithë atë nder dhe të ma bëj kështu. - Or çun, mos e merr përpjekur. Kush e merr përpjekur, rrëxohet. Ma
mbaj vesh llafin plakut ti. Po unë, tanimë, qeshë ndarë me
darkën apo drekën e Paput.
* * *
Kishin
kaluar nja dy-tri ditë dhe një perëndim dielli, tek po kaloja (rruga shkonte mu
pranë shtëpisë së priftit) rugës për tek dhoma ku flija,pashë priftin në
oborr. Bëra përshëndetje me të dhe, tek
i thashë natën e mirë, dëgjova që tha,
si nëpër dhëmbë:- Po
pse nuk kthehesh për darkë? Kaq. Vetëm njëherë,po ai kish harruar që unë mezi e prisja një
ftesë të tillë. - Ja, u ktheva,- thashë. Dhe hyra në oborr.
Po ai shpotitës siç qe, ma pati:- Ku do vesh? Po unë sa shalova kalin dhe do iki
në Shën Kozma! Po
ku dëgjoja unë me atë vesh. Flakë për flakë:-Shko daç për Shën Kozma dhe daç
për Shën Gjergj. Dhe bëra për brënda. Pa u ulur mirë, ai mbrriti, më hodhi
duarët në qafë dhe, prapë shpotitës, sulmoi:- Ore, e di ti që ku hyn pa ftuar, e
gjen pa shtruar!!! Opo lëri ato,se nuk
luaj unë. E, kështu, hidh e prit me "rrotulla", dhe ja tek ulemi
ballë për ballë. Filloi muhabeti dhe,pastaj, sofra. Ajo sofër me gjithë ato të
mira. Ajo pritje që zor se ia kam gjetur
shoqen kund. Qe aq i çiltër dhe aq gazmor, sa të jepte përshtypjen se mezi e kish pritur një takim të tillë. Nuk la fjalë pa më falnderuar për nderin që i
kisha bërë , por nga shpotia as që hiqte dorë. Më thotë aty nga mesnata, kur
bëheshim gati të flinim gjumë,:- Ore, dhaskal, ti je skrapali rritur
në Myzeqe, por nuk i di zakonet tona. Po prisja që ta çonte më tej
ligjëratën dhe e mbaj mend mirë që më tha:- Në Myezeqe, dhaskal, thonë : - Po there pulën e botës, bëj hazër tënden! E kuptova ç'donte të thoshte
dhe ia prita:- Po
kur të duash, o Papu! Derën hapur,e kam! Në flas me superlativa për atë darkë,
e kam jo vetëm për sofrën e mbushur me gjithë të mirat, por dhe atë çiltërsinë, ku i zoti i shtëpisë bëhej kurban për mikun. Fjeta aty dhe e mbaj mend që ka qenë
ditë e premte. Të shtunën (njëherë në javë shkoja në shtëpi) dhe, kur të hënën,
mbasdite vonë po kthehesha për tek dhoma, Papu më preu rrugën.
* * *
- I kishe
goxha ata "dobiçat" e fshatit,- më tha. Ta shpëtuan erzin! Nuk po e kuptoja se ku do të dilte. Dhe e
pyes:- Po ku i pe ata "dobiça?!". -Qeshë në mbledhje
me Papë Polizoin ( më i madhi i klerit orthodoks për Fierin) dhe më zuri
dmbasditja vonë, aty, në Mbrostar-Urën ku rri ti. Epo, po kthehem tek
dhaskali,- i dhashë karar. E ktheva kalin nga xhadeja për tek pallatet. Sa hyra në fshat, kur m'u lëshuan ata
"dobiçat" e fshatit: "Ta lashë, njëri! Ta lashë tjetri! Dhe pse
pushonin? Dëgjove,dhaskal,- thashë me vete,- shpëtove. Kamzhikun kalit dhe sosa
në hijezen time. Dhe ia dha të qeshurit. Po ke për ta "paguar" një
ditë,- më tha duke qeshur.
Po nuk qe e thënë. Darkën që hëngra tek ky njueri aq i mirë,
ende, nuk e kam "paguar", por, sidoqoftë, duke shkruar këtë
përjetim,s'kam se si mos e kujtoj me dashuri jo vetëm atë, por edhe Jorgjien që tani ka dalë në pension dhe,
njëkohësisht,edhe ata nxënës aq të mirë të atij viti shkollor 1960-1961. Më bëhet
qejfi që djali i Jorgjies, Ylli, është drejtor shkolle,atje, në Ndërnënas të Libofshës. E sa për atë tjetrin, Perikliun,apo "floririn e
vogël" të Llukan Çunit që qe anti kooperativë, ju them se u bë oficer i
zoti deri komandant i brigadës tankeve në Elbasan ku jeton (tani ka dalë në pension). Këtë përjetim
sikur e kam për të gjithë ata nxënës aq të mirë të vitit shkollor 1960-1961 të
Ndërnënasit të Libofshës në Fier.