E enjte, 08.05.2025, 12:11 PM (GMT+1)

Kulturë

Agim Mato: Kryqëzimi im

E hene, 14.04.2014, 07:25 PM


Agim Mato

 

KRYQËZIMI IM

 

  vetmuar dhe me shpirtin e sakatuar

më çuan drejt kryqëzimit të ri në Golgota.

Gozhdët,

pikat e gjakut, ringjallja

ishin një provë e vështirë

në kohën kur parimet klonoheshin me shiringat e ideolo-

       gjive.

 

Tej kryqit, tej vetmisë, hamendësoja botën.

 

Ata që më kryqëzuan

flisnin midis tyre për një botë të re,

për një ideal ku fjalët  “armiku i klasës”,

“luftë vendimtare mbi dhe”,

dëgjoheshin dhe afishoheshin

deri në faqe malesh.

 

Askush nuk iu afrua drurit të kryqëzimit tim.

Vetmisë  sime.

 

Ku mund t’i  gjeja të dymbëdhjetët e mi?

Të gjithë

zgjasnin që prapa hekurave

gavetat prej alumini.

 

Pas tridhjetë vjetësh u ringjalla më në fund.

Rreth e rrotull, blasfemitësit

u shfaqën sërish,

me sloganet konvertuara

e me qirinj në duar.

 

Po biblën e vuajtjeve të mia

kurrë nuk e pranuan. Shiringat e ideologjive

shpirtrat ua kishin sterilizuar.

 

 

SPEKTAKLI I LULEVE

 

Ëndërrza të mia që çelni në hone, në livadhe e në pyje,

të selitura nga flladet,

të notepsura nga mjegullat, vesa dhe bletët,

të ndriçuara nga kaviteti i brëndëshëm i petaleve tuaja,

 nga ylberet, nga hëna e dielli,

ju që bëni tërë dheun të parfumojë,

luleshqerra që populloni pllajat e fëmijërisë,

manushaqe kokulura që i vinit veshin, atje ku jeni

fshehur, hapave të mia,

ti, Ylli i Alpeve, Fillikatja e Pyjeve,  Adonisi i Verës,

ti lule rradhiqe  si bojë shkrimi,

lulëkuqe që shtroni fushat me një qilim si të

 avëlmendeve fshatare, 

lule të vogla imcake që kujdeseni vet për veten tuaj,

- ka kohë që nuk rroj më pranë jush.

 

Më është rëndur hapi. Nuk ua  shoqëroj dot  si dikur

spektaklin madhështor të  ringjalljes biblike,

nuk bares më në kopshtet e lulëzuara. Tani rroj

pranë kushërirave tuaja të largëta, luleve që rriten në

 sera,  të vendosura në rresht nëpër parqe,

rroj pranë atyre që bëjnë rojenderi rrotull monumenteve

 prej  bronxi të qyteteve, 

që mbushin dritaret e ballkonet,

që nuk krahasohen me dlirësinë, thjeshtësinë,  

sinqeritetin dhe finesën  e ngjyrave tuaja.

 

Më ze meraku për prekjen tuaj,

për dridhjen e brishtësinë e linjave estetike që

fisnikërojnë dheun, 

për bukurinë e heshtur,

për misterin që u vishni peisazheve të ndriçuara nga

abazhuret e gonxheve tuaja.

 

Spektaklin tuaj e dirigjojnë erërat e ngrohta të gjithësisë.

dhe të qarat e fëmijëve të porsalindur në pelena.

 

 

VARREZAT E ANIJEVE  TË MBYTURA

 

Lundrojmë me katamaran    brigjet joniane,

në kërkim të varezave të anijeve antike të mbytura.

 

Rrëshqasim mbi ekspozenë e ujrave të xhamta të këtij

 muzeu kohrash, mbi spirancat,

patavrat e anijeve të luftës, anijeve tregëtare të

ngarkuara me amfora e tjegulla, që shfaqen

përmes një vegjetacionit të dendur jonian.

 

Peshq të thellësive hyjnë e dalin në ambientet e këtij

 muzeu si ca rojtarë të heshtur,

ku hijet tona prekin dëshmitë e betejave të lashta detare

kurse shpesët e detit,  pulëbardhat, këlthasin pasthirrmat

  e  ushtarëve,

dhe përsëritin britmat e tyre,  duke u vërtitur sipër nesh.

 

Hapësira e pamatë e detit  në perëndim të diellit përsërit

 flakët, hirin, tymin dhe mirazhet e anijeve që

zhyten në thellësitë e ujrave. Zëri i Cezarit hepohet mbi

valë duke ndjekur Pompeun. 

Guiskardi,  Bohemundi bredhin me flotat e tyre në këto

 gjire. Dikush

i humb tërë anijet nga shtrëngatat. Një tjetër i fundos vet

që ushtarët të mos mendojnë për kthimin.

 

Tendosim velat në këto rrugëtime mbi Detin Jon.

Shfaqemi në gjirin para Butrintit,  para  Onhezmit,  Porto

   Palermos,  Palasës

dhe katamarani ndal në Gramata,

ku dikur strehoheshin anijet për t’i shpëtuar furisë 

 Poseidonit.

Monument i gurtë i memorjes

i ngitur thikë mbi humnerat e egërsuara,

me shënimet e udhëtarëve të mëdhenj të gdhëndura në

                                                       murin e historisë,

me lutjet kushtuar perëndive,

me thirrjet,

me agoninë  e lundërtarëve të rrezikuar,

që ndjehen të vegjël para natyrës

dhe pendohen për mëkatet.

 

Prekim me dorë  shenjat, 

adresat e lëna

bashkë me ankthin e tyre

për të mbijetuar.

 

Prekim emrat e  Pompeut,    Dolabelës,

  Mark Antonit,

të konsullit  Tit Statit Tauri

në këtë enciklopedi të udhëkryqeve mesdhetare,

për të dëshmuar se janë të vdekshëm.

Duke udhëtuar për në Francë, këtu u tulat

për t’u mbrojtur nga stuhia

perandori i Bizantit, Joani V  Paleologu.

 

Dhe katamarani vozit në skajet e kohrave,

duke shtyrë ca valë indiferente për të shkuarën.

 

 

MEMENTO

 

Mund edhe  të mos ishim takuar në jetë,

mund edhe të mos kishe ardhur ashtu si një

 shtojzovalle e sigurtë në vetvete e të uleshe përballë

                                                                              meje

me flakën shkrepëtitëse të syve

që e mbuloi me një dritë koralesh tërë qenien time.

 

Zëri yt u derdh si një shushurimë ëndërrash.

 

Mund edhe të mos kishe ardhur

dhe gjërat mund të kishin mbetur si më parë.

 

Mua nuk do të më mbulonte ajo dritë e tepërt

që vinte nga thellësitë e detrave të tua,

ai verbim i ajrit rreth e rrotull,

ajo klithmë habie, ajo drithërimë.

 

Nuk ma mbajtën këllqet tërë këtë vërshim vezullues

         që përmbyti ç’gjeti përpara

dhe m’u desh të rive në vendin e vet

gjithë shtyllat e rrëzuara brenda meje.Nga të çarat

                                                     e shpirtit

filloi të rrjedhë teprica  si ca përrenj kanionesh.

 

 

THERTORJA

 

Kujt i pat shkuar në mendje ndërtimi i asaj thertoreje

 buzë detit në të dalë të Sarandës

me kanalin e gjakut  që derdhej mes valëve të Jonit

dhe skuqte tërë gjiun e fëmijërisë sonë rreth e rrotull?!

 

Afroheshin egërsirat e detit, kafshonin fufat e mushkrive

                        që lundronin mbi ujë,

rrëmbenin plëncat, dhjamrat, duke u grindur me njëra

                                                            tjetrën

dhe hapeshin të friksuara kur shfaqej

koka e bishti energjik i peshkaqenëve.

 

Nuk guxonim të kridheshim në ujra.

 

Kur vinin makinat të shkarkonin tufat e derrave në

   sheshin e therrtores,

plasnin hungurimat çjerrëse të tyre dhe ajri bëhej i

padurueshëm,

sikur të fillonin nga puna dhjetra sharra elektrike.

 

Derrat ngulnin thundrat, duke u tendosur,

ndërsa kasapët  me mustaqe dhe thika të mprehta në

 duar

i tërhiqnin nga veshët brënda sallës së madhe të

therrjeve.

 

Shihnim të tmerruar seancat e sakrifikimit të tyre,

trullosjen me vare, prerjen e gabzherëve, xhveshjen e

 lëkurës,

sikur të zbërthenin kopsat e një këmishe,

dhe e ndanin me grushta nga trupat që lëkundeshin

   në çengela.

 

Ca gra me çizme llastiku, me tuba uji në duar, shtynin

            me fshesa gjakun si lumë

dhe pjesët që flaken, për në kanalin që lidhej me detin.

 

Oshëtinte salla e madhe,

gurgullonte kanali!

 

Ishim  spektatorë të një teatri tragjedish që luhej çdo ditë

   para syve tanë

me skenat e kasapëve e të peshkaqenëve

në sallën e madhe, në detin e hapur

dhe bridhnim këmbëzbathur mbi shkëmbinj

deri vonë mbasditeve.

 

Përpëliteshim netëve në gjumë,  shihnim ëndërra me

 kasapë e peshkaqenë

që kacafyteshin sëbashku në hapësirën mbi det

dhe përsëri të nesërmen

u afroheshim këtyre skenave

si somnambulë

që çapiteshim në truallin e këtyre  tragjedive

si në truallin e  Trojës. 

 

Sarandë, 22.03.2014

 

 

ZHYTEM

 

Horizonti, si një gjergjef, mban të mbërthyer qiellin e

    qëndisur me yje.

Rroj nën këtë punëdore të perëndisë

dhe shijoj tërë arredimin gati hyjnor të hapësirës.

 

Lë Akrokeraunet, lë bregun me shkëmbinjtë

si skulptura të bardha të punuara në shekuj,

lë rërën koralore

që shushurin në tërheqje të valës

dhe zhytem thellë ujrave të Jonit.

 

Jam brënda pajimeve

që më japin lirinë e një peshku.

 

Notoj mbi kopështe koralesh,

mbi sfungjerë e spirografë me tubin gëlqeror të tyre,

në mes të një bote mrekullish,

ku retë e  planktonëve iluminishentë më përshkojnë tej e

          tej si në një hapësirë kozmike.

 

Në thellësi gjej sedimente anijesh antike të populluara

nga qenie shumëngjyrëshe,

amfora nga dalin oktapodët e shqetësuar prej meje

dhe lëshojnë mellanin për të humbur gjurmët.

 

Gjej lumenj që derdhen nga ca zgavra karstike

dhe ndjej të ftohet nga gulshet e tyre

uji i kristaltë rreth meje. Përshkoj

lëndina algash

ku kullosin tufa peshqish

dhe një sepie e madhe guxon e më afrohet

duke u lëkundur nga kurioziteti.

 

Sfilojnë para meje

me zhdërvjelltësinë e bishtit të tyre

peshq të artë e të ndritshëm të thellësive.

 

Këtu drita filtrohet që nga lart,

vezullimet  vizatojnë ëndërra të xhamta,

të lëvizëshme,

dhe të mbushin me një lloj euforie shpirtin, që endet në

  shurdhërinë  sureale të funddetit.

 

Ku jam? E paanë është hapësira rrotull meje

e mbushur me instikte të panjohura,

ku endem mbi relikte të qytetërimit,

të pushtuara nga një jetë tjetër.

 

Kur dal, plandosem në rërë

me gjithë bombolën, këmbëzat e maskën,

duke honepsur ende brënda meje

relaksin e botes  ku u zhyta.

 

Gjergjefi i horizontit atje tej,

si një punëdore e perëndisë

qëndis Detin Jon, Rivierën,

Sarandën si një gjysmëhënë

dhe tërë bukuritë që ndesh.

 

 

PLAZHI I KRORËZËS

 

Këtu natyra është si në ditën e krijimit të botës.

 

Edhe rëra e plazhit,

edhe shkëmbenjtë që dalin nga uji,

edhe deti,

edhe fundi i tij

mbajnë të pashqitur pullën origjinale të krijuesit.

 

Shkelim me kujdes, grup, grup,  mbi këtë virgjëri rëre të

   koraltë

dhe ndruhemi  mos hedhim përtokë as bishtat e cigareve.

 

Bluja e thellë e detit dhe ngjyra e smeraldit na sugjestio-

                                                                                        non.

Këtu askujt nuk i hyjnë në punë aparatet për matjen e

 nivelit të pastërtisë.

Nuk ka asnjë element të ndotjes. Edhe zogjtë e shumtë

duket sikur janë të porositur të mos u shpëtojë asnjë fije

                                                          kashte nga sqepi

për ruajtjen e mjedisit ku rrojnë.

 

Këtu objektet rreth e rrotull janë të veshura me ajër dhe

                                                                                    dritë.

Heshtja është mbretëresha e pakurorëzuar e natyrës.

Koha këtu ka ngecur dhe nuk e dimë në ç’ epokë gjeolo-

                                                                  gjike po çapitemi.

 

Dëgjojmë ritmin e muzikës së valëve

që shtyjnë përpara rërën e ndritëshme dhe e tërheqin në

                                                                               zmbrapsje,

                                                       si mbylljen e një refreni.

 

Dikush prej nesh

lëshon një thirrje me zë të lartë dhe të gjithë e ndejmë

kthimin e shumëfishuar të jehonës..

 

Na ngjan se kemi hyrë në një tempull të harruar.

 

Dhe sa e vërtetë duket kjo kur na fanepset një manastir

i braktisur mbi shkëmbenj,

i pashkelur prej shekujsh

nga murgjërit dhe besimtarët!

 

 

Në shpatet e pjerrëta  rritet një pyll i dëndur e vertikal

prej ilqesh, dushqesh, lisash e valanidhi

në garë se kush të arrijë më parë qiellin.

 

 

Mos ardhtë  dora jote,  o njeri,  që ta shbëjë këtë bukuri

me betonet e infrastrukturën moderne që ke  shpikur.

 

06.04.2014

 

 

TEUTA

 

Rashë të fle mbi Majën e Hekurave

dhe u gdhiva në skajin tjetër të qytetërimit.

 

Tërë natën mes reve nxitonin karroca mbretërore ilire

duke hapur rrugën me fshikullima rrufeshë.

“Erdhi, erdhi”

                        thërrisnin ardianët dhe ndiqnin

gjarpërimet e ndritëshme të vetëtimave

që vizatonin në qiell përkrenaren e mbretëreshës Teutë.

 

“Në prill është grua,

në tetor dragua”, tha një ilir

kur e pa të zbriste me tërë hiret e saj. Lulet alpine

drithëroheshin kur i ndjenin hapat.

 

Pas shkëmbinjve rrinin mjegullat në pritje.

Vetëtimat dhe bubullimat nxirrnin kokën

nga kukurja e saj.

 

Nga ç’betejë kthehej?

Ku do t’a ndalte sërisht vrapin?

 

Kuajt gulçonin dhe me patkonj mihnin dheun.

 

Ilirikumi i tërë dhe detrat 

trandeshin

nga qerret dhe flotat.

 

Teuta kryeneçe

nuk ndalej me shpurën dhe trimat.

 

Po kukurja e saj,

një ditë do t’i soste

gjëmimet dhe vetëtimat.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx