Kulturë
Zyba Hysa: Elegji për gratë e masakruara
E shtune, 12.04.2014, 05:19 PM
THIRRJE E
POEZI
Nga Zyba Hysa
Të dashur miq,
Në shoqërinë tonë shqiptare, me shtet që s’është i zoti ta ndalojë krimin, mbjelljen dhe shitjen e drogës, trafikimin e femrave dhe fëmijëve, që nuk di e nuk do të dijë se sa shtetas ka e sa nevojë kanë këta shtetas për shtetin ligjor, që nuk interesohet për historinë, për kulturën, për traditën e Kombit tonë, ne, të dashur miq, duhet të kuptojmë se jemi në mëshirën e fatit. Pra, të bëhemi bashkë, të duam njëri – tjetrin edhe kur na kanë lënduar, që të kuptojmë se lëndimet i kemi jo nga vetja, por nga rrethanat tejet të rënda të shoqërisë sonë shqiptare.
Do t’u lutem shumë ta lexoni këtë poezi (më është kërkuar nga një vëlla, për motrën e vrarë), që e kam shkruar me dridhje zemre dhe me guxim nëne, motre, gruaje...
Secili nga ne, kush më shumë e kush më pak, e kemi nga një plumb në njerëzit e afërt, e kemi nga një njeri që ha dhe padrejtësisht. Ndaj, të bashkojmë duart dhe t’i japim forcë njëri – tjetrit, për ta kapërcyer këtë katrahurë, që na ka pushtuar, se vetëm kështu do i shpëtojmë asimilimit tone, si njerëz dhe si komb.
E KAM SHKRUAR KËTË POEZI, QË TË SHPËTOJMË NGA TERRI I HAKMARRJES DHE TË REFLEKTOJMË SI NJERËZ TË QYTETËRUAR DHE TË MOS PËRSËRITEN MË KRIME TË TILLA.
Merreni, shpërndajeni në faqet tuaja të Internetit e në shtyp, jo për të më bërë mua “publicitet” (pot ë doni, hiqeni emrin tim), por për të bërë thirrje për bashkim kundër së ligës, kundër krimit në familje dhe mes shqiptarësh. Të bëhemi bashkë, në të mirë e në të keq! Të falim për të vazhduar jetën, të falim për të mos ndodhur më këto tmerre. Se, kur shqiptari vret shqiptarin, më i vdekur mbetet i gjalli...
ELEGJI PËR GRATË E MASAKRUARA
(Vëllai, për motrën)
I.
- O motër, që vitet egër na ndanë,
Zemër e shpirt jam përvëluar;
Si s’munde të më thuash një fjalë,
Por ike tragjikisht, me le përmalluar?!...
Thikat, që trupin tënd e sulmuan,
Në zemrën time ende ngulur janë,
Mundohem t’i shkul, por nuk mundem,
Të lutem, o motër, si mund t’ia dal?!
Nuk e kam ditur sa duhet një motër,
Gjithë botën t’u fali, ta kisha pranë,
Ta përqafoja, t’i shkulja pak flokët,
Apo të ndjeja vështrimin e saj...
O motër e bukur, o lule zambaku,
E freskët, vesuar si në muajin maj,
Si të këputën pa i zënë meraku,
Se ishe e re dhe s’ishe për varr?!
Më thuaj, o motër, si të shpëtoj,
Nga dhimbja, që ndjej në timin shpirt?
Më fal, o motër, që ty po ta kërkoj,
I gjalli, i vdekur, nga pamundësitë...
II.
- I miri i motrës, kur ndjej vajin tënd,
Më fort rëndon mbi mua pllakë varri,
Si Konstadini hipur mbi kalin shpend,
Të përqafoj, si dukur e më piku malli...
Dua të kthehem prapë në fëmijëri,
Kur loznim e grindeshim pa u zemëruar;
O vëlla i motrës, sa do kisha dëshirë,
Në krahët e tu të mbetesha përqafuar.
Fati përcaktohet që foshnjë, pa na pyetur,
Se fatet për njerëzit caktohen atje lart;
Mos u ndje keq, s’të shoh dot të mërzitur,
Me fatin nuk hahemi e pse keqas na ndan...
Mbase, ashtu fatin e kisha të shkruar,
Në varr unë, vdekur së gjalli krimineli;
Edhe më i ligu, kur dikë ka qëlluar,
Gjithë jeta e tij, pa gaz jete i ngeli...
Se krimi nuk shlyhet me vite burgu,
As me një plumb qëlluar në ballë;
Që t’i shpëtosh gjëmës që na zuri,
Lërja në zemër “plumbin” ta mbajë!
Çfarë kaloi, vëlla, s’mund të ndryshohet,
Dua të jesh i lumtur ti në tënden jetë,
Në do që motrës shpirti t’i paqësohet,
Duaje jetën tënde të lumtur, të qetë!...
Vlore, 9 prill 2014