Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Zyba Hysa: Elegji për gratë e masakruara

| E shtune, 12.04.2014, 05:19 PM |


THIRRJE E POEZI

Nga Zyba Hysa

Të dashur miq,

Në shoqërinë tonë shqiptare, me shtet që s’është i zoti ta ndalojë krimin, mbjelljen dhe shitjen e drogës, trafikimin e femrave dhe fëmijëve, që nuk di e nuk do të dijë se sa shtetas ka e sa nevojë kanë këta shtetas për shtetin ligjor, që nuk interesohet për historinë, për kulturën, për traditën e Kombit tonë, ne, të dashur miq, duhet të kuptojmë se jemi në mëshirën e fatit. Pra, të bëhemi bashkë, të duam njëri – tjetrin edhe kur na kanë lënduar, që të kuptojmë se lëndimet i kemi jo nga vetja, por nga rrethanat tejet  të rënda të shoqërisë sonë shqiptare.

Do t’u lutem shumë ta lexoni këtë poezi (më është kërkuar nga një vëlla, për motrën e vrarë), që e kam shkruar me dridhje zemre dhe me guxim nëne, motre, gruaje...

Secili nga ne, kush më shumë e kush më pak, e kemi nga një plumb në njerëzit e afërt, e kemi nga një njeri që ha dhe padrejtësisht. Ndaj, të bashkojmë duart dhe t’i japim forcë njëri – tjetrit, për ta kapërcyer këtë katrahurë, që na ka pushtuar, se vetëm kështu do i shpëtojmë asimilimit tone, si njerëz dhe si komb.

E KAM SHKRUAR KËTË POEZI, QË TË SHPËTOJMË NGA TERRI I HAKMARRJES DHE TË REFLEKTOJMË SI NJERËZ TË QYTETËRUAR DHE TË MOS PËRSËRITEN MË KRIME TË TILLA.

Merreni, shpërndajeni në faqet tuaja të Internetit e në shtyp, jo për të më bërë mua “publicitet” (pot ë doni, hiqeni emrin tim), por për të bërë thirrje për bashkim kundër së ligës, kundër krimit në familje dhe mes shqiptarësh. Të bëhemi bashkë, në të mirë e në të keq! Të falim për të vazhduar jetën, të falim për të mos ndodhur më këto tmerre. Se, kur shqiptari vret shqiptarin, më i vdekur mbetet i gjalli...

 

ELEGJI PËR GRATË E MASAKRUARA

(Vëllai, për motrën)

 

I.

- O motër, që vitet egër na ndanë,

Zemër e shpirt jam përvëluar;

Si s’munde të më thuash një fjalë,

Por ike tragjikisht, me le përmalluar?!...

 

Thikat, që trupin tënd e sulmuan,

Në zemrën time ende ngulur janë,

Mundohem t’i shkul, por nuk mundem,

Të lutem, o motër, si mund t’ia dal?!

 

Nuk e kam ditur sa duhet një motër,

Gjithë botën t’u fali, ta kisha pranë,

Ta përqafoja, t’i shkulja pak flokët,

Apo të ndjeja vështrimin e saj...

 

O motër e bukur, o lule zambaku,

E freskët, vesuar si në muajin maj,

Si të këputën pa i zënë meraku,

Se ishe e re dhe s’ishe për varr?!

 

Më thuaj, o motër, si të shpëtoj,

Nga dhimbja, që ndjej në timin shpirt?

Më fal, o motër, që ty po ta kërkoj,

I gjalli, i vdekur, nga pamundësitë...

 

II.

- I miri i motrës, kur ndjej vajin tënd,

Më fort rëndon mbi mua pllakë varri,

Si Konstadini hipur mbi kalin shpend,

Të përqafoj, si dukur e më piku malli...

 

Dua të kthehem prapë në fëmijëri,

Kur loznim e grindeshim pa u zemëruar;

O vëlla i motrës, sa do kisha dëshirë,

Në krahët e tu të mbetesha përqafuar.

 

Fati përcaktohet që foshnjë, pa na pyetur,

Se fatet për njerëzit caktohen atje lart;

Mos u ndje keq, s’të shoh dot të mërzitur,

Me fatin nuk hahemi e pse keqas na ndan...

 

Mbase, ashtu fatin e kisha të shkruar,

Në varr unë, vdekur së gjalli krimineli;

Edhe më i ligu, kur dikë ka qëlluar,

Gjithë jeta e tij, pa gaz jete i ngeli...

 

Se krimi nuk shlyhet me vite burgu,

As me një plumb qëlluar në ballë;

Që t’i shpëtosh gjëmës që na zuri,

Lërja në zemër “plumbin” ta mbajë!

 

Çfarë kaloi, vëlla, s’mund të ndryshohet,

Dua të jesh i lumtur ti në tënden jetë,

Në do që motrës shpirti t’i paqësohet,

Duaje jetën tënde të lumtur, të qetë!...

 

Vlore, 9 prill 2014