E enjte, 08.05.2025, 01:57 PM (GMT+1)

Kulturë

Adem Zaplluzha: Leka ulur në fronin e qiellit

E premte, 11.04.2014, 07:41 PM


Adem Zaplluzha- Katër poezi nga libri “Stoli në parkun e vjetër”

 

LEKA ULUR NË FRONIN E QIELLIT

 

Kur ulërinë era

Kuajt e azdisur i hipin reve

Hingëllimat e luftës

Kthehen nga kozmosi

 

Mjegullat kryeneçe

Hynë në gjumin potkonjve

Dhe nëpërmjet pikave të shiut

Kthehen në liri

 

Pas pak vrapojnë kuajt e egër

Era e lazdruar

Fshihet nëpër xhepat e frikës

Dielli ulet

Në madhështinë e fronit të vetë

Dhe i shikon yjet

Kah bien në tokë

 

Kur çirren erërat

Ndalen edhe kuajt e egër

Gjergj Elez Alia e përgatit gjokun

Leka rri ulur në fronin e qiellit

Dhe ia merr

Atë pamja të bukur të diellit

 

 

VETËM HINGËLLIMAT E DEHURA

 

Mbi kurmin e ditës

Galopojnë hingëllimat

Sa e rënd kjo hukamë e lumit

Sa e pabesë

grahma e erës

 

Ku do t’i kërkojmë duart

E plagëve të pashërueshme

Asnjë dorë

nuk paska mbetur

Në përqafimin e erës

 

Do të ecim  sonte

Deri te varri i luftëtarit

Të panjohur

Aty i kemi lënë dizgjinët e këputur

Do t’i shkulim nga rrënja

Të gjitha hingëllimat e ditës

 

Disa dhjetëra kuaj vrapuan

Nëpër lëndinën e ëndrrave

Pranë shtambave të thyera

Shalat e përgjakura

Dëgjonin e dëgjonin

Hingëllimën e natës

 

2.

 

Era lozte me erën një valle të vjetër

Në degët e bagremit

Asnjë karkalec

Vetëm zërat e dehura në kafene

Bisedojnë

Për kohërat e mira

 

 

KUR U GJUNJËZOVE

 

Ti nga stuhitë

Huazon hukamën e erës

Tatëpjetat

E as tërmalet s’ta zënë udhën

 

Kur vrapon

Krifat i ngjyros me aromën e barit

Tejpërtej luadheve

Dëgjohet hingëllima e mëngjesit

 

Kur i hipe vitheve të ditës

Të dukej vetja dy herë më i madh

Asgjë nuk urreje më shumë

Se sa pelerinën e zezë

Që iku pas famës në Stamboll

 

Kthimi ishte më i rënd se vdekja

I kapërceve

Të gjitha shtigjet e turpit

Kur u gjunjëzove

Nga jashtë dhe nga brenda

Në kala

Të përbuzën zërat e luftëtarëve

Të rënë për atdhe

 

 

IKIN NË KULLOTAT E HËNËS

 

Edhe kuajt janë si njerëzit

Në vend se të hingëllojnë

I hungërojnë erës

e cila ua kashais krifat

kur nën stërkalat e shiut

Takohen me turbullirën e galopit

 

Kur vrapojnë

Janë në gjendje t’i fshehin potkonjtë

Pinë ujë në lëfytin e drunjtë

Të çezmës

Dhe i përqeshin vashat

Që bartin ujë me bucela

 

Në netët e vona të dimrit

Ikin në kullotat e hënës

Të nesërmen kur kthehen

Nëpër ahure të vjetra

Kuptojnë se u mungojnë kapistrat

 

Nganjëherë kuajt e mi të mirë

Janë edhe të pabesë

kthehen me nga një pelë të egër

Dhe tërë kohën hingëllojnë

Në një melodi të vjetër kuajsh



(Vota: 17 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx