E enjte, 08.05.2025, 03:29 PM (GMT+1)

Kulturë

Ermira Plaka: Tradita e tezgjahut në Sulovë

E enjte, 10.04.2014, 08:03 PM


TRADITA E TEZGJAHUT NË KRAHINËN E SULOVËS

NGA ERMIRA PLAKA

Banorët në krahinën e Sulovës, në jug të Elbasanit, vazhdojnë të ruajnë ndër breza me fanatizëm traditat e trashëguara ndër shekuj. Studiuesi Pëllumb Gorica autori  edhe i monografisë "Sulova e Poshtme në shekuj", thotë se koha, pushtuesit, luftërat dhanë ndikimin e vet në zbehjen deri diku të traditës, duke imponuar jo vetëm në këtë krahinë, por në të gjithë vendin traditën dhe zakonet e tyre. Por pavarsisht, në Sulovë traditat e bukura e të trashëguara nga populli në kohëra ruhen e zbatohen me kënaqësi dhe dashuri. Gjërat e veçanta, të bukura të thjeshta dhe me vlerë të ardhura nga e kaluara do të mbijetojnë gjithmonë kundrejt modernes".

Një ndër traditat që ka mbijetuar edhe në ditët e sotme, të cilën edhe në kohën e komunizmit e ruajtën fshehurazi dhe me fanatizëm, është punimi me tezgjah, me të cilin bëheshin veshjet deri në gjysmën e dytë të shekullit XX-të me gjithë kushtet e vështira brenda banesave të kohës. Ndaj sot tezgjahu cilësohet si pasuria materiale e sulovarëve, që edhe pse në zhvillimet e reja të kohëve moderne nuk e kanë harruar. Punimet në tezgjah vazhdojnë të trashëgohen ndër breza, edhe pse më pak.

Dikur tezgjahu gjendej gati në çdo familje sulovare. Kjo pajisje artizanale prej druri na ndihmonte shumë të bënim veshje grash dhe burrash si shallvare, xhoke, xhamadanë, thekore aq të bukur me ngjyra të bukura e me shije artistike që t’i ha syri kur i shikon", thotë Esmaja, një e moshuar nga Sulova.  Ajo shton "me tezgjah bëheshin thasë për drithin, hejbe apo ndryshe torba prej liri, shami dore e peshqir prej liri e pambuku, të cilat kombinoheshin me ngjyra të ndryshme". Tezgjahu ishte i thjeshtë, prej një skeleti me dy këmbëza druri të vendosura paralel me njëra-tjetrën dhe mbahen në mjediset familjare, pasi nuk zë shumë vend dhe mund të vendosej në konak, çardak, koridor, dhomën e bukës, apo dhe në një kasolle afër banesës. Pas punëve ditore apo mujore atë mund ta ç’montoje. Esmaja rrëfen mënyrën e funksionimit të tezgjahut, tefenë, mjeti prej druri që tërheq majën, krehërin në mes të tefesë për të ndarë fijet e shtëllungës së pëlhurës, shulin që mban pëlhurën, kanurkëzën në formën e një shkopi që mban të mbledhur indin që endet në pëlhurë, litarin e lidhur një enë me peshë të rëndë, që mban të tendosur pëlhurën. Esmaja çmon se "kurioze nuk është vetëm misteri me të cilin punohet në këtë tezgjah, por edhe mënyra e organizimit të pjestareve të grave gjatë punës". Në tezgjah nuk punonin të gjitha gratë, pasi kryesonin më të vjetrat dhe me përvojë, rrallë punonin nuset dhe vajzat e reja, pasi duhej një kohë e gjatë të mësoheshin. Por puna kryhej nga moshat e vjetra për arsye të pozicionit ulur dhe lodhjes së pakët për këtë moshë, ndërsa nuset dhe vajzat e reja merreshin me punë të tjera të ekonomisë familjare. Shkëmbimi i modeleve bënte të mundur larmishmërinë e punimeve.

Duke u interesuar për këtë traditë, që aq sa është e vjetër, është edhe me vlerë, që angazhonte shumicën e grave në dimër, studiusi Pëllumb Gorica tregon me passion për  punimet e tezgjahut. "Nuk ka familje në Sulovë që në shtëpitë e tyre nuk kanë punime në tezgjah. Nuk ka rrugica dhe qilima më të bukura sesa ato që dalin nga tezgjahu sulovar. Jam e sigurt se çdo grua në Sulovë e ka provuar edhe një here të vetme këtë punë", thotë ai. “Zbukurimet e shumta të befasonin me ngjyrat dhe teknikën e punimit, se sulovarët e kanë dashur dhe e duan të bukurën, të pastërtën dhe e kanë shprehur në veshjet e shumëllojta të zbukuruara në kohëra me shije dhe aftësi punimi. Ka zotëruar veshja prej leshi e thjeshtë, gërshetuar me larmi ngjyrash ku dominon e bardha në përshtatje me kushtet natyrore dhe klimën mesdhetare.”

Tezgjahu artizanal në Sulovë, një ndër elementët më të vjetër të përpunimit të veshjeve, i ka rezistuar kohës denjësisht në disa familje sulovare, por pak prej tyre arrijnë t’i realizojnë ashtu siç bënin të parat e tyre.

Edhe pse jeta ecën përpara, sulovarët nuk e harrojnë traditën, që flet për kulturë të trashëguar brez pas brezi.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx