Kulturë
Tahir Bezhani: Erotika si rrugëtim jete
E hene, 07.04.2014, 07:34 PM
Veshtrim libri
EROTIKA SI RRUGËTIM JETE
Jonida Osmani:”Engjëlli i mjegullës”-poezi, 2013
SHB”Kristalina” Tiranë.
“Thonë se pika
Gërryen gurin
Kur mbi te pikon...”
(Jonida Osmani)
Nga Tahir Bezhani
Jonida Osmani, e lindur me 1986 ne jug të Shqipërisë, në Vlorë, e bërë nuse në veri, në qytetin Bajram Curri, buzë gurgullimës së këndshme të Valbonës, e nën sqetullat e Alpeve shqiptare, ku frymëzimi poetik, është përherë gacë e ndezur në zemrat krijuese brez pas brezi të kësaj ane.
Jonida Osmani, në Tiranë ka mbaruar Fakultetin për Sociologji, ndërsa është e apasionuar për letërsinë, e cila këto ditë, në B.Curr, përuroj librin poetik, ”Engjulli i mjegullës”me redaktor, Haki Zllamin.
Duke lexuar librin “Engjëlli i mjegullës”, të autores Jonida Osmani, fillim e mbarim, ndeshemi me një varg të veçuar stilistik e ideorë, mendimesh të përndezura, të nxjerra nga thellësi shpirti i një moshe të re e plot entuziazëm, një zjarr erotik ngjeshur me ndjenja të pastërtie e të sinqerta. Ky zjarr erotik, si burim shpirti, është një tregues rrugëtimi jetësore, si një vetëbesim që sfidon jetën fillim e mbarim. Një përcaktim i tillë, si rrugëtim jete, nuk është thjeshtë vetëm sa për të dashuruar, por nënkupton një shpërthim imanent i karakterit të brendshëm psikologjik, ku dashuria mbi çdo gjë, të shihet e përjetohet si triumf mbi valët e jetës rinore;por edhe në lëmi të jetës si tërësi.
Te thantë dashuri, nuk limitohet vetëm mes dy partnerëve, por nënkupton filozofinë e jetës në tersi ku kërkohet mbi të gjitha, dashuria si përballje me të keqen dhe empirizmi logjik .Këtë element të gjetur në poezitë e autores, Jonida Osmani, më së miri mund ta lexojmë tek poezia “Llumi”, ku autorja lufton me dukuritë negative që
posedojnë kategori njerëzish të mendimit ndryshe, lexo:” “Zhytur në llum kjo njerëzi/Ferr nëpër këmbë do rri”, dhe vazhdon me mendimin kritik se” një ditë do t’u mbarojnë parat/do ngelni si shkurre të thatë”.
Pra, kredoja poetike e Jonida Osmanit, përmban idenë universale të vlerës njerëzore, e cila, pa hezitim, konfliktohet me paragjykimet se “llumi, mbetet llum”.
Poetja e
re, Jonida Osmani, e mbërthyer nga valët e jetës, të vetmin shpëtim e gjënë tek
dashuria, miku i përbashkët në rrugëtimin jetësorë. Ajo aludon në një dashuri
te pastër, pa tradhti, pa lajka e mëri. Në vargun e saj shpesh gjendet i ndezur,
si një fitil eksplodues, dhe nga pasioni, gjendemi para momenteve të
një afeksioni pa mbarim. Kjo, mendoj, vërehet çartë tek poezia”Vjedhja e
zemrës”, ku pos tjerash lexojmë:” Nëse do më duash vërtetë/Me ty do jetoj këtë
jetë/Po më deshi zemra jote/Ta jap jetën e kësaj bote/Nëse marr vesh/Ndonjë
mashtrim/Ti s’do jesh më shpirti im”.
Është kjo një ndjenjë e diktuar nga zjarri i brendshëm, kur kupa erotike pëlcet në kohë e hapësirë me një simptomë besnikërie të pa parë, me rrënjë të lidhura në traditën tonë, kur një shpirt i pastër nuk duron tradhtinë në çfarëdo aspekti të jetës. Autorja , Jonida Osmani, këtë karakter e nxjerr nga brendia e sajë duke i besuar edukatës dhe traditës sonë, kur është fjala në dhënien e besës si forcë e brendshme, si karakter.
Duke e ndier veten të tillë, nxjerr edhe poezinë që po e citojmë:”Të gjithë diamantët e mëdhenj/E gëzojnë një emër/Ky që kam unë këtu/Me të drejtë quhet zemër...”
Libri me poezi “Engjëlli i mjegullës” i autores Jonida Osmani, është një pëlcitje vullkanike, krateri i së cilës mbetët i hapur për të hedhur në vazhdimësi vargje të zjarrta, me peshë e vlerë artistike, me largpamësi filozofike, mesazhe evolutive njerëzore.
Dashuria në poezinë e Joniuda Osmanit, rrjedh si një proces i natyrshëm i jetës njerëzore, pa të cilin nuk mund të paramendohet ekzistenca njerëzore. Këtë mendim mund të nxjerrim tek poezia “Ti”, ku pos tjerash shkruan:
“Prometeu u mori zjarrin perëndive/Dhe ua dha njerëzve/Dhe pranoi torturime/Ti e more atë zjarr/Dhe e ndeze në zemrën time”. Një gdhendje e veçantë poetike e autores në këtë poezi ....
Marrë në tërësi, libri poetik, “Engjëlli i mjegullës”, i Jonida Osmanit, me 150 poezi, është një dhuratë për lexuesit, një pasuri për bibliotekat tona shkollore e universitare, të cilit, më së miri vlerën do ia japin lexuesit e nderuar.