E shtune, 27.04.2024, 09:37 PM (GMT+1)

Kulturë

Adem Zaplluzha: Sa me mall

E diele, 06.04.2014, 05:43 PM


Adem Zaplluzha- Katër poezi nga libri “Stoli në parkun e vjetër”


SA ME MALL

 

Në këtë moshë të shtyrë

Sa të doni

Kam kohë për ëndrra

Kur të zgjohem nesër

Do ju pyes për rrënjët e atdheut

 

Mos ma prekni gjumin

Me shpotit e juaja

Sonte do ta kalëroj lumin

Që nëpër tejdukshmërinë e fjalëve

Të mbërri deri te ju

 

Kur u njoftova me hinoren

Kishte një madhështi hyjnore

Ngjyra e saj

I përngjante kaltërsisë së Jonit

Kur mbi sini qeshte

Hija e Ali Pashait

 

Kjo fushë e Këlcyrës

Dikur ka qenë dhe sot është

Dhembja e ime

Sa me mall

I kam kalëruar këto lisa

Në fëmijërinë e maleve

 

 

DITA ENDE DËNESË

 

Një vrap nëpër galaktikë

S’do të thotë asgjë

Posa ka nisur beteja

Në hingëllimën e yjeve

 

Kush i thirri në bejleg kuajt

Kur demonët e zinj

Tradhtisht

E shaluan natën

 

Dita ende dënesë

Në krifat e prera të hënës

Sa me mallëngjim

I përjetoj

Sinorët e kafshuar të atdheut

 

Do të kthehemi nesër

Ende i kemi disa punë të pakryera

Në fund të honeve

Baladat na presin pa shti

Gjumë në sy

 

Kur i dëgjojmë thirrjet e hingëllimës

Do t’i lidhim të gjitha kuajt

Për fjalët e burrave

Dhe do t’i dalim zot

Kësaj toke të zhuritur me shekuj

 

 

U KËNDON MALEVE

 

Sa herë që kuajt i krehin krifat

Mikun tim e zë qeshja

Ai në pikat e shiut

I kërkon

Anijet e humbura

 

Kur mrrolet qielli

I mjelë rretë

Mjegullave u del përpara

Prej galaktike në galaktikë

Fluturon me pëllumbat

Për të ja zënë shtegun agimit

 

Kur e humb rrugën

Në shuplakat e ditës

Gjunjëzohet përpara vrapit të kalit

Si para mbretit

Përulësisht

U përgjërohet patkonjve

 

Kur i çon kuajt në kullota

Me veti e merr kavallin magjik

Dhe aq bukur

U këndon maleve

Sa që zanat dalin nga nëntoka

dhe pushojnë në flatrat e eposit

 

 

KALI IM

 

Kalit tim

Nuk i janë thinjur flokët

Ai nuk pi çaj rusi

As kafe turke

 

Nuk di pse

Por i ka mbetur peng hingëllima

Sa që ngjizet me zërin e erës

Kur vrapon mëngjeseve

As shpejtësia e dritës

Nuk mund t’i dal përpara

 

Kali im

Ai i Gjergjit dhe i Lekës

Sa herë që hynë nëpër beteja

Po aq herë

Ngadhënjyen mbi vdekjen

 

Kur na zë meraku

Nuk njohim asnjë zot

I dalim përpara dritës

Dhe vrapojmë luadheve

Deri sa ta zëmë diellin



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora