E shtune, 27.04.2024, 04:03 PM (GMT+1)

Kulturë

Ilir Muharremi: Dramaticiteti i Henry Moore-it

E hene, 07.04.2014, 07:59 PM


Dramaticiteti i Henry Moore-it

Vlerësim për ekspozitën personale të krijuesit Henry Moore që u hap në Galerinë kombëtare të Kosovës

Nga Dr. Ilir Muharremi

E bukura është e bukur pothuajse për të gjithë e njësuar, me të duhet të jetohet aspak të imagjinohet. Bukuria ka forcë të ngulmoj tek individi pamëshirshëm duke e rrëmbyer më të dyja duart. Nëse morali zgjedh reformën, atëherë dëbon të bukurën, e në art morali shkelmohet dhe zëvendësohet me të bukurën. Skulptura si më e madhja me plot ambicie e të gjitha arteve, fiksohet në tri dimensione që ka figurën e njeriut, mashkullit apo femrës të cilat i kthen në rrëmujë gjestesh të unifikimit dhe stilit. Ajo eksploron gjestin, shprehjen e fytyrës, apo shikimin e zbraztë. Albert Kamy shënon: “Qëllimi i saj nuk është të imitoj, por të stilizojë dhe të mbajë ngushtë në një shprehje domethënëse”.  (Albert Kamy, Njeriu i revoltuar, Aikd, Prishtinë 2010, fq:250.) Nga kjo del se ajo zbutë ethen e pandalshme të njerëzve.

Nga ana praktike, skulptori krijon me mundin fizik dhe me forcën e krahëve  mposhtë fortësinë e mermerit, dhe çfarëdo guri tjetër, madje edhe nëse ato pjesë nuk hyjnë fare në punë. Por, kur sheh skulptorin të mbuluar në pluhur, s’thua  dot që ke parë artistin, por furrxhiun. Duhet besuar skulptorit britanik Henry Moore të cilit para disa ditësh u ekspozuan grafika dhe skulptura në Galerinë Kombëtare të Kosovës. Ekspozita titullohej : “Grafika dhe skulptura të përzgjedhura” e organizuar në bashkëpunim ndërmjet Galerisë së Arteve dhe Këshillit Britanik. Sa më shumë vështrojmë skulpturat aq më tepër kuptojmë thellimet ndërmjet muskujve, të lënë në vendet e fryra, më pastaj kishte dhënë vendeve formën e duhur. Kjo punë është mendore e skulptorit në veçanti atij Moore. Në skulptura vërejmë përkuljen, ngritjen e drejtë të tij me qëllim për ta parë madhësinë, lartësinë apo thellimin e duhur. Ai është marrë vazhdimisht me korrigjimin e skulpturës,  mendorja dhe fizikja veprojnë të njëjtën kohë. Mendja në profil korrigjon konturet e pjesëve të trupit, aty ku muskujt theksohen. Moore përpiqej tu jepte imazh femrave të shtrira dhe rikrijonte trupat e tyre , gjithë dashurinë apo zhgënjimet e një jete që ato kishin treguar në takime , apo të grave të tjera që kishte njohur dikur. “Dua të jem krejt i lirë për të pasur një arsye për të bërë figurat e gjysmështrira dhe akoma më i lirë për të gjetur “kuptim” në to.” Shënonte Moore. Këtu nxjerrim se çdo grua ka një histori brenda trupit të saj, distanca liria për ta kapur esencën, dominon me heshtje të skulptorit. Qartazi vërejmë se atij nuk i intereson për kufijtë e figurës së trupit, por për gjendjen e saj, kjo gjendje në raport me figurinën, arrihet duke u gdhendur nga vizioni individual i mjeshtrit. Kjo është e vërtetë. Gratë, e Moore janë delikate të ndryshme, unifikuara, të stërmbushura me emocion, detaj me forma të përçudnuara, unikolore, fatkeqe plot dramaticitet. Shpesh ato paraqiten në poza çlodhëse, të lodhura nga jeta, të kaluara në një ekstazë, dehje, fazë konsumimi, ku çdo gjë nëse i sulmon pranohet ashtu me lehtësi. Këtu dukshëm artisti loz sinqeritetin përfiton ndjenja të njëjta nga femrat. Ai është gjykim i së bukurës, një artist që nga dramaticiteti ka përfituar plotshmërinë  e forcës së grumbulluar duke e shprehur në gjykimin e së bukurës. Instinkti i tij estetik shikon nga lart rrjedhojat më të largëta, por edhe nga afër shikon rrjedhën,  bëhet i gjithanshëm vetëm për tu unifikuar. Gjendjen e fuqisë kafshore, Moore na rikujton me kafshët e krijuara në grafikë. “Unë shoh shumë ngjashmëri në mes të kafshëve dhe mund të përfitoj ndjenja të njëjta si nga kafsha ashtu dhe nga njeriu.” Thekson Moore.  Nga njëra anë është një vërshim me tepri të lulëzimit të njeriut në botën e dëshirave, aspak të qëndrueshme nëse e kapim në thelb ekzistencën, nga ana tjetër shihet si një nxitje e funksioneve kafshore, dëshirave të jetës më të fortë, barasvlerës, stimulues , ndjenjë e shndërruar në një.

Duhet përmendur edhe thënien e famshme të Moore. “Dallimi në mes modelimit dhe gdhendjes, është se modelimi është një gjë e shpejtë dhe kështu ai bëhet një shans për të hequr qafe idetë e ndonjë tjetri". Mjeshtri ruhet nga ky tundim dhe bënë gdhendje të drejtpërdrejtë bazuar në masat e gjatësive, trashësive, gjerësive të pjesëve përbërëse dhe i përmbahet kësaj duke mos hequr asnjëherë copëza tjera. Qëllimi i ideve të shpejta të cilat në esencë përpiqen të trashëgojnë atë që gjithherë ekziston,  ndërtohet mbi afshin kalimtar të trupit ose vërtitjeve të pafund dhe qëndrimeve. I fiksuar pas idesë, por prapë nuk qe ajo ide e cila mendohet, Moore zgjedh modelin, tipin , perfeksionin e lëvizshëm, të çuditshëm, ekzagjeruar në formë, proporcion, qëllimshëm disproporcion dhe përnjëherë zbutë ethen e pandalshme të njerëzve. Atëherë, dashuria për modernen nuk mungon, ai nuk zgjedh përmasën, por gjendjen e njeriut, dhe asnjëherë momentin real të njeriut, kjo është individuale. “Nëna dhe fëmija”, sipas tij, është temë e përjetshme e pafund, një formë e vogël në relacion me të madhën për ta mbrojtur të voglën. Këtu arti realizon me përpjekje të dukshme lidhjen e veçantë universale, të cilën asnjëherë nuk mund ta shkëpusim, përse ta shkëpusim kur kështu rritet përjetësia në univers. Edhe këtu ai qartazi prek kontaktin,  gjendjen, e jo formën, forma vetëm rrëshqet mbi gjendjen. Arti përpiqet ta konteston realen, por nuk ik prej saj. Ndjenjat që i paraqet artisti janë të pakapshme për zemrën, bëhet fjalë për kontaktin e pangopur që me miliarda vjet do të jetë ky kontakt. Ky është art jo vetëm i të jetuarit, por i ta vazhduarit, i krijuar mbi vazhdimin dhe zgjerimin e përjetësisë. Kjo temë, ngjan me “Madonen dhe fëmijën”, art i së kaluarës, ndikim nga mjeshtrit e vjetër, me një natyrë morale e cila na mëson pafundësinë e lindjes të pa bazë dhe vazhdimit drejt të panjohurës. Me qëllim se duhet vazhduar. Ai nuk trajton thelbin e absurdit para lindjes se ku ishte ky fëmijë para se të shfaqej në realitet, por ka do të vazhdoj më tutje. Ndihet qartë se po përkufizoj një metodë analitike sepse përmban metafizikë dhe na tradhton pa dashje, ky pafund i pa zgjidhur na detyron të lindim duke u ngritur shkallë shkallë, pa mohuar veten. Kjo më shumë i ngjan një dashurie dhe komedie të përjetshme. Nëse e kapim më në thelb, ky fëmijë do gjendet i habitur kur vëren se bota është e papërshkrueshme dhe të gjitha forcat e natyrës janë të huaja për të, por mund të na tundojnë. Kjo është një nostalgji që ilustron lëvizjen thelbësore të dramës njerëzore. Kjo e kënaq menjëherë dhe dominon nga shtrëngimi i nënës së tij.

Moore i jepte rëndësi temës dhe e konsideronte si gjënë më vitale nga e cila mund të provon shumë ide formale, nga mosdija për to, ai mund të eksperimentojë. Eksperimentimi ndodh në formë që kërkon ndriçim të posaçëm, dritën dhe hijen, natyrën e relievit që lind vetë dritëhijen. Perspektivat nuk duken aspak të vërteta, ngaqë nuk vërehen trupat e tejdukshëm, me ata ndriçues. Veçori kryesore e skulpturave të tij është aftësia për t’i qëndruar kohës. Nëse ai do thotë: E bëra gabimin, prapë mund ta korrigjoj krahas me mjeshtrit e renesancës. Mendja është ajo që korrigjohet, por edhe vepra nëse nuk dëmtohet  në thellësi.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora