| E hene, 14.04.2014, 07:25 PM |
Agim Mato
KRYQËZIMI IM
Të vetmuar dhe me shpirtin e sakatuar
më çuan drejt kryqëzimit të ri në Golgota.
Gozhdët,
pikat e gjakut, ringjallja
ishin një provë e vështirë
në kohën kur parimet klonoheshin me shiringat e ideolo-
gjive.
Tej kryqit, tej vetmisë, hamendësoja botën.
Ata që më kryqëzuan
flisnin midis tyre për një botë të re,
për një ideal ku fjalët “armiku i klasës”,
“luftë vendimtare mbi dhe”,
dëgjoheshin dhe afishoheshin
deri në faqe malesh.
Askush nuk iu afrua drurit të kryqëzimit tim.
Vetmisë sime.
Ku mund t’i gjeja të dymbëdhjetët e mi?
Të gjithë
zgjasnin që prapa hekurave
gavetat prej alumini.
Pas tridhjetë vjetësh u ringjalla më në fund.
Rreth e rrotull, blasfemitësit
u shfaqën sërish,
me sloganet konvertuara
e me qirinj në duar.
kurrë nuk e pranuan. Shiringat e ideologjive
shpirtrat ua kishin sterilizuar.
SPEKTAKLI I LULEVE
Ëndërrza të mia që çelni në hone, në livadhe e në pyje,
të selitura nga flladet,
të notepsura nga mjegullat, vesa dhe bletët,
të ndriçuara nga kaviteti i brëndëshëm i petaleve tuaja,
nga ylberet, nga hëna e dielli,
ju që bëni tërë dheun të parfumojë,
luleshqerra që populloni pllajat e fëmijërisë,
manushaqe kokulura që i vinit veshin, atje ku jeni
fshehur, hapave të mia,
ti, Ylli i Alpeve, Fillikatja e Pyjeve, Adonisi i Verës,
ti lule rradhiqe si bojë shkrimi,
lulëkuqe që shtroni fushat me një qilim si të
avëlmendeve fshatare,
lule të vogla imcake që kujdeseni vet për veten tuaj,
- ka kohë që nuk rroj më pranë jush.
Më është rëndur hapi. Nuk ua shoqëroj dot si dikur
spektaklin madhështor të ringjalljes biblike,
nuk bares më në kopshtet e lulëzuara. Tani rroj
pranë kushërirave tuaja të largëta, luleve që rriten në
sera, të vendosura në rresht nëpër parqe,
rroj pranë atyre që bëjnë rojenderi rrotull monumenteve
prej bronxi të qyteteve,
që mbushin dritaret e ballkonet,
që nuk krahasohen me dlirësinë, thjeshtësinë,
sinqeritetin dhe finesën e ngjyrave tuaja.
Më ze meraku për prekjen tuaj,
për dridhjen e brishtësinë e linjave estetike që
fisnikërojnë dheun,
për bukurinë e heshtur,
për misterin që u vishni peisazheve të ndriçuara nga
abazhuret e gonxheve tuaja.
Spektaklin tuaj e dirigjojnë erërat e ngrohta të gjithësisë.
dhe të qarat e fëmijëve të porsalindur në pelena.
VARREZAT E ANIJEVE TË MBYTURA
Lundrojmë me katamaran në brigjet joniane,
në kërkim të varezave të anijeve antike të mbytura.
Rrëshqasim mbi ekspozenë e ujrave të xhamta të këtij
muzeu kohrash, mbi spirancat,
patavrat e anijeve të luftës, anijeve tregëtare të
ngarkuara me amfora e tjegulla, që shfaqen
përmes një vegjetacionit të dendur jonian.
Peshq të thellësive hyjnë e dalin në ambientet e këtij
muzeu si ca rojtarë të heshtur,
ku hijet tona prekin dëshmitë e betejave të lashta detare
kurse shpesët e detit, pulëbardhat, këlthasin pasthirrmat
e ushtarëve,
dhe përsëritin britmat e tyre, duke u vërtitur sipër nesh.
Hapësira e pamatë e detit në perëndim të diellit përsërit
flakët, hirin, tymin dhe mirazhet e anijeve që
zhyten në thellësitë e ujrave. Zëri i Cezarit hepohet mbi
valë duke ndjekur Pompeun.
Guiskardi, Bohemundi bredhin me flotat e tyre në këto
gjire. Dikush
i humb tërë anijet nga shtrëngatat. Një tjetër i fundos vet
që ushtarët të mos mendojnë për kthimin.
Tendosim velat në këto rrugëtime mbi Detin Jon.
Shfaqemi
në gjirin para Butrintit, para Onhezmit,
Palermos, Palasës
dhe katamarani ndal në Gramata,
ku dikur strehoheshin anijet për t’i shpëtuar furisë së
Poseidonit.
Monument i gurtë i memorjes
i ngitur thikë mbi humnerat e egërsuara,
me shënimet e udhëtarëve të mëdhenj të gdhëndura në
murin e historisë,
me lutjet kushtuar perëndive,
me thirrjet,
me agoninë e lundërtarëve të rrezikuar,
që ndjehen të vegjël para natyrës
dhe pendohen për mëkatet.
Prekim me dorë shenjat,
adresat e lëna
bashkë me ankthin e tyre
për të mbijetuar.
Prekim emrat e Pompeut, të Dolabelës,
të Mark Antonit,
të konsullit Tit Statit Tauri
në këtë enciklopedi të udhëkryqeve mesdhetare,
për të dëshmuar se janë të vdekshëm.
Duke udhëtuar për në Francë, këtu u tulat
për t’u mbrojtur nga stuhia
perandori i Bizantit, Joani V Paleologu.
Dhe katamarani vozit në skajet e kohrave,
duke shtyrë ca valë indiferente për të shkuarën.
MEMENTO
Mund edhe të mos ishim takuar në jetë,
mund edhe të mos kishe ardhur ashtu si një
shtojzovalle e sigurtë në vetvete e të uleshe përballë
meje
me flakën shkrepëtitëse të syve
që e mbuloi me një dritë koralesh tërë qenien time.
Zëri yt u derdh si një shushurimë ëndërrash.
Mund edhe të mos kishe ardhur
dhe gjërat mund të kishin mbetur si më parë.
Mua nuk do të më mbulonte ajo dritë e tepërt
që vinte nga thellësitë e detrave të tua,
ai verbim i ajrit rreth e rrotull,
ajo klithmë habie, ajo drithërimë.
Nuk ma mbajtën këllqet tërë këtë vërshim vezullues
që përmbyti ç’gjeti përpara
dhe m’u desh të rive në vendin e vet
gjithë shtyllat e rrëzuara brenda meje.Nga të çarat
e shpirtit
filloi të rrjedhë teprica si ca përrenj kanionesh.
THERTORJA
Kujt i pat shkuar në mendje ndërtimi i asaj thertoreje
buzë detit në të dalë të Sarandës
me kanalin e gjakut që derdhej mes valëve të Jonit
dhe skuqte tërë gjiun e fëmijërisë sonë rreth e rrotull?!
Afroheshin egërsirat e detit, kafshonin fufat e mushkrive
që lundronin mbi ujë,
rrëmbenin plëncat, dhjamrat, duke u grindur me njëra
tjetrën
dhe hapeshin të friksuara kur shfaqej
koka e bishti energjik i peshkaqenëve.
Nuk guxonim të kridheshim në ujra.
Kur vinin makinat të shkarkonin tufat e derrave në
sheshin e therrtores,
plasnin hungurimat çjerrëse të tyre dhe ajri bëhej i
padurueshëm,
sikur të fillonin nga puna dhjetra sharra elektrike.
Derrat ngulnin thundrat, duke u tendosur,
ndërsa kasapët me mustaqe dhe thika të mprehta në
duar
i tërhiqnin nga veshët brënda sallës së madhe të
therrjeve.
Shihnim të tmerruar seancat e sakrifikimit të tyre,
trullosjen me vare, prerjen e gabzherëve, xhveshjen e
lëkurës,
sikur të zbërthenin kopsat e një këmishe,
dhe e ndanin me grushta nga trupat që lëkundeshin
në çengela.
Ca gra me çizme llastiku, me tuba uji në duar, shtynin
me fshesa gjakun si lumë
dhe pjesët që flaken, për në kanalin që lidhej me detin.
Oshëtinte salla e madhe,
gurgullonte kanali!
para syve tanë
me skenat e kasapëve e të peshkaqenëve
në sallën e madhe, në detin e hapur
dhe bridhnim këmbëzbathur mbi shkëmbinj
deri vonë mbasditeve.
Përpëliteshim netëve në gjumë, shihnim ëndërra me
kasapë e peshkaqenë
që kacafyteshin sëbashku në hapësirën mbi det
dhe përsëri të nesërmen
u afroheshim këtyre skenave
si somnambulë
që çapiteshim në truallin e këtyre tragjedive
si në truallin e Trojës.
Sarandë, 22.03.2014
ZHYTEM
Horizonti, si një gjergjef, mban të mbërthyer qiellin e
qëndisur me yje.
Rroj nën këtë punëdore të perëndisë
dhe shijoj tërë arredimin gati hyjnor të hapësirës.
Lë Akrokeraunet, lë bregun me shkëmbinjtë
si skulptura të bardha të punuara në shekuj,
lë rërën koralore
që shushurin në tërheqje të valës
dhe zhytem thellë ujrave të Jonit.
Jam brënda pajimeve
që më japin lirinë e një peshku.
Notoj mbi kopështe koralesh,
mbi sfungjerë e spirografë me tubin gëlqeror të tyre,
në mes të një bote mrekullish,
ku retë e planktonëve iluminishentë më përshkojnë tej e
tej si në një hapësirë kozmike.
Në thellësi gjej sedimente anijesh antike të populluara
nga qenie shumëngjyrëshe,
amfora nga dalin oktapodët e shqetësuar prej meje
dhe lëshojnë mellanin për të humbur gjurmët.
Gjej lumenj që derdhen nga ca zgavra karstike
dhe ndjej të ftohet nga gulshet e tyre
uji i kristaltë rreth meje. Përshkoj
lëndina algash
ku kullosin tufa peshqish
dhe një sepie e madhe guxon e më afrohet
duke u lëkundur nga kurioziteti.
Sfilojnë para meje
me zhdërvjelltësinë e bishtit të tyre
peshq të artë e të ndritshëm të thellësive.
Këtu drita filtrohet që nga lart,
vezullimet vizatojnë ëndërra të xhamta,
të lëvizëshme,
dhe të mbushin me një lloj euforie shpirtin, që endet në
shurdhërinë sureale të funddetit.
Ku jam? E paanë është hapësira rrotull meje
e mbushur me instikte të panjohura,
ku endem mbi relikte të qytetërimit,
të pushtuara nga një jetë tjetër.
Kur dal, plandosem në rërë
me gjithë bombolën, këmbëzat e maskën,
duke honepsur ende brënda meje
relaksin e botes ku u zhyta.
Gjergjefi i horizontit atje tej,
si një punëdore e perëndisë
qëndis Detin Jon, Rivierën,
Sarandën si një gjysmëhënë
dhe tërë bukuritë që ndesh.
PLAZHI I KRORËZËS
Këtu natyra është si në ditën e krijimit të botës.
Edhe rëra e plazhit,
edhe shkëmbenjtë që dalin nga uji,
edhe deti,
edhe fundi i tij
mbajnë të pashqitur pullën origjinale të krijuesit.
Shkelim me kujdes, grup, grup, mbi këtë virgjëri rëre të
koraltë
dhe ndruhemi mos hedhim përtokë as bishtat e cigareve.
Bluja e thellë e detit dhe ngjyra e smeraldit na sugjestio-
non.
Këtu askujt nuk i hyjnë në punë aparatet për matjen e
nivelit të pastërtisë.
Nuk ka asnjë element të ndotjes. Edhe zogjtë e shumtë
duket sikur janë të porositur të mos u shpëtojë asnjë fije
kashte nga sqepi
për ruajtjen e mjedisit ku rrojnë.
Këtu objektet rreth e rrotull janë të veshura me ajër dhe
dritë.
Heshtja është mbretëresha e pakurorëzuar e natyrës.
Koha këtu ka ngecur dhe nuk e dimë në ç’ epokë gjeolo-
gjike po çapitemi.
Dëgjojmë ritmin e muzikës së valëve
që shtyjnë përpara rërën e ndritëshme dhe e tërheqin në
zmbrapsje,
si mbylljen e një refreni.
Dikush prej nesh
lëshon një thirrje me zë të lartë dhe të gjithë e ndejmë
kthimin e shumëfishuar të jehonës..
Na ngjan se kemi hyrë në një tempull të harruar.
Dhe sa e vërtetë duket kjo kur na fanepset një manastir
i braktisur mbi shkëmbenj,
i pashkelur prej shekujsh
nga murgjërit dhe besimtarët!
Në shpatet e pjerrëta rritet një pyll i dëndur e vertikal
prej ilqesh, dushqesh, lisash e valanidhi
në garë se kush të arrijë më parë qiellin.
Mos ardhtë dora jote, o njeri, që ta shbëjë këtë bukuri
me betonet e infrastrukturën moderne që ke shpikur.
06.04.2014
TEUTA
Rashë të fle mbi Majën e Hekurave
dhe u gdhiva në skajin tjetër të qytetërimit.
Tërë natën mes reve nxitonin karroca mbretërore ilire
duke hapur rrugën me fshikullima rrufeshë.
“Erdhi, erdhi”
thërrisnin ardianët dhe ndiqnin
gjarpërimet e ndritëshme të vetëtimave
që vizatonin në qiell përkrenaren e mbretëreshës Teutë.
“Në prill është grua,
në tetor dragua”, tha një ilir
kur e pa të zbriste me tërë hiret e saj. Lulet alpine
drithëroheshin kur i ndjenin hapat.
Pas shkëmbinjve rrinin mjegullat në pritje.
Vetëtimat dhe bubullimat nxirrnin kokën
nga kukurja e saj.
Nga ç’betejë kthehej?
Ku do t’a ndalte sërisht vrapin?
Kuajt gulçonin dhe me patkonj mihnin dheun.
Ilirikumi i tërë dhe detrat
trandeshin
nga qerret dhe flotat.
Teuta kryeneçe
nuk ndalej me shpurën dhe trimat.
një ditë do t’i soste
gjëmimet dhe vetëtimat.