Kulturë
Hyqmet Hasko: Penë e zhbirimeve të holla ironike
E shtune, 12.04.2014, 06:20 PM
Një penë e zhbirimeve të holla
ironike dhe sarkastike
Rreth aktit krijues të publicistit, shkrimtarit dhe kritikut letrar Vangjush SARO
Nga Hyqmet Hasko
Ajo që përjeton lexuesi qoftë dhe më i zakonshmi nga leximi i një libri të mirë, më e pakta është emocioni dhe, nëse ky emocion shoqërohet me përfytyrime që bashkëshoqërojnë kredon e autorit dhe më tej me reflektim rreth asaj që shkrimtari ka bërë objekt të shqyrtimit të tij artistik, kjo do të thotë se kemi të bëjmë me një krijim që ia ka vlejtur barra qiranë ta lexosh dhe ta përjetosh si pjesë të historisë tënde dhe të bashkëkohësit tënd. Kjo është një e vërtetë e pranishme në të gjitha llojet e krijimtarisë letrare, për të gjitha moshat që iu drejtohet ajo, qofshin fëmijë, qofshin të rritur.
Këtë po mendoja duke lexuar librat e shkrimtarit Vangjush Saro, kryesisht në fushën e fabulistikës dhe të gjinisë së humorit e satirës, ku pena e tij zhbiruese depërton thellë në të fshehtat e një shoqërie të sëmurë nga deformimet e gjithëkahshme. Kjo panomramë që jepet në mënyrë alegorike dhe simbolike, qoftë nëpërmjet personazheve kafshë, qoftë njerëz, e vendos autorin në fokus të një rrëfimi të shumëfishtë, ku trajtat dhe strukturat narrative, përshkruese dhe situatat poetike, në rastet librat janë shkruar në vargje, janë në funksion të ideve dhe qëndrimeve që autori mban ndaj objektit të shqyrtimit estetik.
Saro ndërton subjekte të zhdërvjellëta, të shkruara me vrullin e një pene të mprehtë e zhbiruese, ku lexuesi, sidomos lexuesi i vogël, zhytet në përjetimet e një fantazie të bukur e të harlisur, prej të cilës burojnë ndjenjat e bukura dhe refleksionet përkatëse.
Një emër që po bën emër midis dhjetëra krijuesve që kanë shpërthyer në një krijimtari të begatë e të vrullshme në këto kohë të çlirimit të energjive është dhe Vangjush Saro, prozator e fabulist, i cili në disa libra të tij me tregime e fabula ka përcaktuar një profil të veçantë të vetvetes, për cilësinë e artit shkrimor.
Saro ka një stil të tij, të pandikuar nga askush, ku me anë të zhbirimeve të holla groteske, alegorike e sarkastike, operon në ndërtimin e artit poetik, qoftë narrativ të mirëfilltë, qoftë fabulesk. Ai është një krijues që ka gjetur vetveten në shtratin shkrimor estetik, ku me mjete të thjeshta, por të freskëta dhe komunikuese ia ka dalë të përcjellë një botë të përndezur të përditshmërisë sonë, në të gjitha shfaqjet dhe fasadat e saj.
Botëvështrimi i tij është kompleks, por pa stërhollime, artifice e zbukurime dekorative, është një botëvështrim vertikal, që na përcjell një shumësi ndjenjash, përjetimesh, emocionesh dhe mesazhesh.
Në fakt, emrin e Vangjush Saros, para se ta ndeshja në mbi pesëmbëdhjetë tituj librash të botuar gjatë këtyre viteve të çlirimit të letrave nga dogmatizmi dhe jashtësia letrare, e kam ndeshur si opinionist në gazetat e përditshme të Tiranës, ku shkrimet e tij antikonformiste kanë qenë dhe mbeten një refleksion i vazhdueshëm mbi plagët e realitetit shqiptar, për një shoqëri tjetër, për një shtet të fortë të së drejtës, që të jetë në shërbim të njerëzve të lirë dhe jo të oligarkive të ndryshme.
Gjithashtu, Saro është autor i spikatur shkrimesh kritike dhe studimesh letrare, me një rrezonancë të gjërë depërtimi dhe këndvështrimi.
Në këtë fokus emri i tij ka çliruar energji pozitiviste, me një mendim të kualifikuar dhe me prognoza interesante për daljen nga kriza të shoqërisë shqiptare e veçmas të kulturës, artit dhe letrave shqipe.
Fabulistika është maja e krijimtarisë së tij. Në këtë krijimtari përfshihet proza, poezia, mpleksen lirizmi, ironia, sarkazma, humori i hollë, alegoria therëse, bota e fëmijëve dhe e të rriturve në të njëjtën kohë.
Fabulat e përmbledhura në disa libra të Saos i flasin me lexuesin në një gjuhë jo thjesht e vetëm alegorike, por hera-herës edhe përmes një lirizmi që përkon me disa nga karakteristikat e stilit të tij letrar.
Ndër veçanësitë e librave të tij me fabula është edhe përcjellja e fabulës përtej subjekteve e botës së kafshëve, tani edhe te sende e dukuri të ndryshme të jetës, që përmes vargjeve apo rrëfimit në prozë personalizohen duke hyrë në marrëdhënie varësie a sjelljeje me njëra-tjetrën.
Vangjush Saro ka një përvojë të gjatë në zhanrin e satirës dhe humorit. Në vitet e fundit, krijimtaria e tij është pasuruar në mënyrë të dukshme; deri tani ai ka botuar rreth 15 tituj. Nga librat e tij me tregime satiro-humoristike, mund të veçohen “Dy orë dramaturg” dhe “Biri i ambasadorit”. V.Saro është gjithashtu autor i kinokomedisë “Shkëlqim i përkohshëm”; por ka shkruar edhe skenarë për filma dokumentarë dhe vizatimorë. Sidoqoftë, pjesa më e veçantë e krijimtarisë së tij, janë pikërisht fabulat dhe proza për të vegjëlit, tregimet dhe novelat gazmore. Në këtë fushë, janë të njohur sidomos librat “Një ditë pa mamin”, “Polic Këmbëvogli”, “Dy fëmijë në Kampionatin Botëror të Futbollit”, “Aventurat e Don Kishotit në Shqipëri” dhe “Rrëfime nga shkolla ime”.
Besoj, është e kuptueshme që nuk mund të bësh një analizë të gjithë kësaj krijimtarie, në pak faqe të një shkrimi të zakonshëm, por dëshiroj të shfaq vetëm ndonjë mendim modest për krijimtarinë e një autori që ka një profil të tij krijues, që shkruan sipas një mënyrë origjinale dhe pa u ndikuar nga askush, përveçse nga vetvetja e tij, nga uni, nga bota e kujtimeve dhe përjetimeve që e rrethojnë në përditshmërinë e tij.
Ajo që e bën të dallueshme krijimtarinë e Saros është vokali shumëgjyrësh përshkrues dhe meditativ, ritmi i përndezur, figurat e gjalla dhe të freskëta, vrulli i fjalës dhe thellësia e ndjenjës dhe mendimit. Aventura e tij shkrimore është një aventurë e bukur, në një rrugëtim të natyrshëm drejt vetvetes autentike, vetvetes poetike. Njëherësh është një udhëtim në thelbin e vetë kohës shqiptare. Shkrimtari konfiguron një peisazh të thyer të shpirtit njerëzor, na jep tablo në lëvizje, si vetë jeta e saj dinamike, në kërkim të gjërave të bukura, për të cilat ia vlen të jetosh.
Krijimtaria e Saros dallohet për stilin e ngjeshur, poetikën e rrëfimit, fuqinë e përshkrimit dhe gjallërinë e mjediseve të përshkruara. Ai zhbiron përditshmërinë dhe zbulon tipa dhe karaktere të epokës sonë, në të gjithë hapësirën e botës shqiptare. Përditshmëria me ëndrrat dhe zhgënjimet janë “Kutia e Pandorës” së tij.
Subjektet e Saros nuk sajohen as mistifikohen, përkundrazi,
ato vijnë si copëza jete të gjallë dhe krijojnë mozaikun e përditshmërisë sonë,
ku bota e fëmijëve kërkon identitetin e vet. Saro i vë shumë rëndësi subjektit,
ngjarjeve, fatit të personazhit, dhe nga këtu kalon në fatin e shoqërisë duke e
lënë këtë me nënkuptim. Me një gjuhë të thjeshtë e të ngjeshur, që rrjedh bukur
brenda logjikës së jetës, ai shtjellon fijet e narracionit të vet, të praruara
këto nga dielli i ndjenjës dhe përjetimi i fortë.Është thënë gjithnjë ajo që
duhet dhe nuk pritet të thuhet më tepër, se ajo çfarë është thënë e zotëron
rëndesën dhe peshën e kumbimit dhe të kuptimit të plotë. Kjo do të thotë se
autori i ka shkruar subjketet e tij i nxitur nga ngacmime të forta emocionale,
jo për të thënë po për t`u shprehur e nga të shprehuri lind dhe e thëna që
troket bindshëm përmes talentit rrëfimtar të autorit. Këtë përshtypje e krijon
vetiu dhe sapo gjendesh në paslexim, duke u shtyrë drejt një distance për t`u
marrë me diçka tjetër, vetiu ndjen dëshirë t’u rikthehesh këtyure librave me
peshë të lehtë në fletë, por me mesazhe të forta.
Vetia e çdo shkrimtari të lindur nuk është sa i zoti është ai për tu dukur interesant,po për të shkruar një prozë interesante dhe të natyrshme. Ai mund të kënaqë veten, po nuk dihet se çfarë shijesh estetike u sjellë të tjerëve, aq më tepër fëmijëve, që janë shumë qibarë në këtë drejtim dhe nuk mund t’i kënaqësh me gjithçka; kështu duke lexuar në tregime të aty këtueshme në shtyp, je i detyruar të kapërcesh fraza e fjali se autori e tjerr dhe e çtjerr fjalën dhe zgjat skenat e jetës për t`i errësuar e stilizuar brenda këndesh gjasme moderne. Me Saron nuk ndodh kështu, rrëfimet e tij lexohen me një frymë, duke tërhequr fletët njëra tjetrën dhe kalojnë si rrjedha e ujit në përrua, qetë qetë e bukur. Kjo mënyrë e të shkruarit ku subjekti hetohet në thellësi, duke mos i dhënë shumë rëndësi atij, po çfarë ka shkaktuar ngjarja tek personazhi, është një mënyrë moderne e shkrimtarit , e cili e shfaq atë në mënyrën e trajtimit të shpirtit njerëzor.
Ndonëse në të shumtën e herës, rrëfimet e Saros i drejtohen lexuesit të vogël, ato janë rrëfime që mund të lexohen me dëshirë nga të gjitha moshat. Janë copëza jete të ngritura në art, me fuqinë e përfytyrimit dhe rikrijimit të një realiteti që duke u transfiguruar bëhet një model konteksti se si duhet të jetë brezi ynë më i ri, në rrekjen tonë të përçdoçastshme për ta mirërritur dhe mirëedukuar atë me dashuri dhe çiltërsi.
Si kritik letrar, Saro shquhet për zhbirimin e hollë në tekstin e autorit, për gjetjen dhe zbulimin e situatave poetike, narrative dhe dramatike që vë në lëvizje mekanizmi krijues i çdo autori apo shkolle edrejtimi letrar, që ai bën objekt të shqyrtimit të tij estetik.
Në analizë të të fundit, mund të themi se tek shkrimtari Vangjush Saro shohim një shkrimtar të formuar plotësisht e me një profil të vetin letrar, një prozator, poet, fabulist me zë original, që me librat e tij dëshmon një talent e përkushtim përtej të zakonshmes, duke na përcjellë vrullet dhe ritmet e botës shqiptare, me një lirizëm të ngrohtë, një rrëfim mbresëlënës, akte krijuese të vetvetishme, fine e spontane.