E diele, 28.04.2024, 03:55 AM (GMT+1)

Kulturë

Agim Bajrami: Metafora shtegtare nga Sulova

E marte, 15.04.2014, 07:56 PM


METAFORAT SHTEGTARE  QË VIJNË NGA SULOVA

Mendime pas leximit të vëllimit poetik “Dallëndyshet e erës” i Pëllumb Goricës

NGA AGIM BAJRAMI

Me shpirtin poetik të Pëllumb Goricës, atë shpirt që të ngre pezull dhe që është e aftë ta bëjë vetëm fjala e zgjedhur artistike, jam njohur shumë vite më parë, atëherë kur në Sulovë promovohej libri i tij ”Sulova e Poshtme në shekuj”. Ishte mars, por ky promovim e bëri edhe më të prekshme dhe më pranverore natyrën përreth. Ndonëse ky libër evidentonte vlerat dhe karakteristikat historike, e etnokulturore të krahinës së tij, Sulovës së Elbasanit, gjuha me të cilin ishte shkruar, si dhe kënga e brendshme që e karakterizonte brendinë e tij, ishte një paralajmërim i bukur se mes nesh i veshur me kostumin e studiuesit, si një dallandyshe e asaj treve po vinte edhe poeti. Ky parashikim m’u evidentua muaj më vonë, kur lexova disa nga poezitë e tij, të cilat ai m’i tregoi disi me ndrojtje. Më pëlqyen por nuk u habita. Të lindësh në një krahinë si Sulova, me atë ndërthurje të mahnitshme: fushash, kodrash të valëzuara, ku gjelbërimi dhe uji jetojnë kaq pranë njëri-tjetrit, ta ndjesh veten edhe pak bir Tomorri, domosdo do bëhesh edhe poet. Ky është shkaku që vetë poeti, s’është gjë tjetër veçse refleksion bukurish e ngjyrash shpirtërore të vendlindjes së tij.

Vëllimi poetik “Dallëndyshet e erës” i Pëllumb Goricës është edhe një element më shumë për t’i folur dashurisë së përjetshme me gjuhën e zemrës. Duke qenë njeri i ndjeshëm dhe bir i natyrës, poezitë e tij kanë trokitur vetvetiu në penën e poetit. I kanë vënë përpara krejt natyrshëm një fletëz blloku dhe i kanë thënë: “Shkruaj tani!”, dhe shpirti i poetit, për t’i bërë ballë kësaj grishje, ka bërë të tijën më pas. Lexon njëra pas tjetrës poezitë dhe në sy të mbeten pasazhe ndjesish shpirtërore, bukuri sublime, por edhe shqetësime qytetare. Shfleton impresione dhe peizazhe karakteristike pikturuar mjeshtërisht prej tij dhe kur e mbaron i thua vetes se: “Unë i kam parë këto peizazhe jo vetëm në fëmijërinë time të largët, por edhe në ëndërra. Si s’kam ditur t’i vlerësoj si pena e poetit, si nuk kam mundur të dëgjoj zërat dhe shfletoj me sy bukuritë e vendit tim!”. Pena e Pëllumbit është zëdhënësja e një njeriu, i cili shfletimin e ajrit dhe eksplorimin brenda tij e ka qëllim parësor. Ai i vesh ato jo vetëm me ngjyra e realitet, por edhe me ëndërra. Është një poezi udhëtimi, impresionesh që të lodrojnë, por edhe një poezi që të bën për vete e të zhyt brenda saj. Lexuesi e kupton se ka të bëjë me një poet të ndjeshëm, që humbet si pa ndjerë mes bukurive të natyrës së tij, që e shpërfill vetveten dhe harrohet pas ngjyrave e zhurmave të saj, si një eksplorator i vëmëndshëm. Do ta shohim këtë në poezinë “Një mall gërvisht”:

“Më humbet zëri ledhatimeve stërgjyshërore

dhe era luan me një partiturë simfonie;

zogjtë cicërimës ia marrin livadheve hyjnore...

Ç’koncert i çuditshëm me bekim perëndie!”

Poezia e Pëllumbit, aq sa është e thjeshtë dhe e ngarkuar me impresione, është aq edhe e shqetësuar dhe kërkuese ndaj enigmave të jetës. Sa delikate, aq edhe e fuqishme përballë sfidave të kohës dhe dritëhijeve të realitetit. Pasqyrat e poezive të tij edhe pse ndonjëherë të turbulluara, na evidentojnë artistikisht dhe poetikisht diej të rremë dhe fantazma njerëzore që nuk duhet të ishin mes nesh. Shumica e poezive mund të lexohen edhe si përthyerje të herëpashershme të trupit dhe shpirtit të tij të tejdukshëm, si këngë për të bukurën dhe antikëngë për të shëmtuarën, si fragmente brengash, por edhe gëzimi. I ndërgjegjshëm për misionin e tij poetik në ndonjë rast, vargu poetik transferohet edhe në një lloj britme dëshpëruese për të ligjtë e kësaj bote, që fatkeqësisht i kemi me shumicë brënda dhe jashtë nesh:

“Ndonëse si derrat lerosen në llum,

të shfaqen qengja me shpirtin qelibar...

Ata janë të lig, më shumë

se ujku i përrallës këmbëbardhë!”

Duke jetuar në një kohë pa kohë, ku patriotizmi shikohet thjesht si një rudiment folklorik dhe dashuria e sinqeriteti po bëhen gjithmonë fjalë të rralla, poezia e Pëllumbit mëton krejt të kundërtën. Ajo krijon mendime të qashtra dhe jep mesazhe dritë shprese dhe qytetërimi. Blicet e tij poetike asnjëherë nuk e vënë në sfond principin njerëzor, përkundrazi, ato e ndërtojnë dhe e shpallin atë si qytetar të dorës së parë. Arkitektura e këtij vëllimi ndryshon hera - herës në varësi të gjendjes së tij shpirtërore. Herë e mbushur me pezm e herë aromë me lulesh. Një poezi që vjen drejtpërdrejt nga një atmosferë urbane. Ajo ka ditur të kalojë temat e vockla hedonistike dhe idilet e rëndomta pa rëndësi për të tjerët. Është një poezi që nuk ka kohë të merret me ofshama e pshertima individuale. Këtë funksion kanë shumë poezi të tij, si ato me temën e dashurisë dhe të mallit, por edhe ato me temën e historisë. Vargu poetik merr vetvetiu konstruktin e rrugës, ku shkon përditë e krijon botëza të vogla në dukje, por shumë të thella në mendime. Poeti, duke vendosur piketat e udhëtimeve të tij në udhë të shkelura e të pashkelura, tenton me zërin e tij të bëhet i veçantë dhe ta pasurojë vetveten në lëvizje e sipër:

“Drejt një rruge nisem pa mbarim,

ngushëllohem në dritëhije dëshirash,

eci pa e ditur në një botë të pakthim,

pengohem e humbas në krahë hapësirash.”

Akti i leximit dhe transpiktimit të filozofisë së këtyre vargjeve shoqërohet vazhdimisht edhe me zëra të brendshëm të natyrës dhe njeriut, mes të cilëve, poeti ka pasur mundësi për zgjedhje por edhe të riformatojë. Si një piktor i ngjyrave të brendshme të shpirtit, peneli i tij arrin të pasqyrojë reagimet e lotit të një vajze të braktisur nga dashuria, por edhe psikologjinë e një qielli të fundosur në mendime. Për këtë shpesh autori kërkon ndihmë nga fëmijëria e tij e pafajshme. “Ku jeni gjerdanë kujtimesh?”- thotë ai në poezinë “Rikujtimet!”:

“Ku jeni gjerdanë kujtimesh, heshtjetretura,

turbullime makbethiane si fantazma?!

Pulëbardha ëndërrimesh mërgoni të tilla,

si mushkëri të plurosura, tek i ndjek pas azma.”

Duke iu shmangur natyralizmit dhe duke tentuar drejt fokusimit të një poezie reflektive, metafora poetike e tij shpesh është e ngarkuar me ndjenja dhe ide përgjithësuese, me ngjyra afektive dhe me mesazhe të drejtpërdrejta. Si studiues i apasionuar i arkeologjisë së antikitetit dhe historisë, metafora e tij poetike arrin të krijojë si pandjerë edhe paralele krahasimore. Të vendos bukuri të vdekura dhe të gjalla pranë njëra - tjetrës, duke i dhënë mesazhit të tij poetik një frekuencë të lartë. Për poetin, edhe një zog i thjeshtë në fluturim apo pjalmi i një luleje merr shpeshherë peshën e një simboli të veçantë me vlera tipizuese. Poeti ka një prirje të lindur drejt këtij tipizimi dhe di t’i përdorë ato me sukses. Figura e njeriut dhe e natyrës për të nuk mund të ekzistojnë asnjëherë veç. Ato kanë lindur dhe do të ekzistojnë së bashku si sinonim të së bukurës. Brenda këtij binomi, autori evidenton mesazhe dashurie dhe harmonish ndjesore. Zbulon shpirtra lirikë, por edhe epicitetin e jetës në lëvizje. Për të natyra dhe njeriu janë edhe mbeten fillimi i dashurisë dhe i vazhdimësisë së saj. Në figurën e femrës, të cilën autori e sheh si burim jete dhe dashurie ai krijon, vizaton trille poetike me vlera të veçanta, zbërthen shpirtin e tij poetik dhe ndërmjet statujzave të vogla prej zemre arrin t’i jap kësaj figure përmasa idilike:

“Larg teje zemra digjet

në heshtje, papërtuar;

purpuri afsh vesh brigjet

si buzë e përvëluar.”

Ky lloj krahasimi dhe konceptimi i ndenjave të saj, edhe pse mund të konsiderohet si një poezi e traditës sonë më të mirë poetike, përsëri ka ngjyrat e veta autentike, sepse poeti fut vetveten në të, duke u shpirtëzuar poetikisht. Kjo u jep poezive të tij një lloj fuqie tërheqëse, i vesh me një aureolë tipike. Edhe pse është libri i parë i tij poetik, të bën përshtypje figura origjinale, fraza e plotë dhe e figurshme, dinamika dhe intensiteti poetik. Njohja e mirë e foklorit të trevës nga vjen dhe përpunimi i tij në laboratorin krijues tregojnë se poeti respekton kërkesat dhe parametrat që duhet të ketë një poezi moderne si kjo e sotmja, që më shumë se fotografime, rreket të prek dhe evidentojë një frymë dhe moral të ri në thellësi dhe gjerësi.

Mbaron së lexuari vëllimin poetik “Dallëndyshet e erës” të Pëllumb Goricës dhe ndjen se je mbushur vetvetiu me botëra dhe zëra interesantë. Një ndjesi e tillë ndodh vetëm me një krijues që s’mund ta konceptojë vetveten pa qënë i shkrirë me mjedisin dhe unin e kohës së tij.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora