Kulturë
Sejdi Berisha: Në dollapin e vjetër të nënës
E hene, 14.04.2014, 07:35 PM
P o e z i
Sejdi BERISHA:
NË DOLLAPIN E VJETËR TË NËNËS...
1.
Ka kohë që ëndërroj
Ty Diell
Të ta puth syrin
Por të di
Se në cilën anë te të kërkoj
Bereqetin për të na shtuar
2.
Nëse nuk e njeh skamjen
Të lutëm futi rrezet
Në dollapin e vjetër të sime nënë
Aty i gjen opingat
Që m’i kishte blerë babai
Kur isha krejt i vogël
Të lutëm
Futi në këmbët tuaja
Se shumë do trimërohesh
Sipër tyre
Është edhe ai janxhiku
Kur i lëshoja delet për kullotje
E përdorja për bukë
Kur shkoja në shkollë
Në vend të librave dhe fletoreve
E mbushja me copa letrash
Me lapsa të harxhuar
Kurse ngjyrat për të vizatuar
Kur binte shi
I huazoja nga ylberi
3.
Vëre krahëve janxhikun tim
Se tash
Letra as bukë nuk ka
Dhe shikoje vetën
Sa çun i bukur do bëhesh
O diell
Që ndritë e rrezon botën
Edhe bimës fuqi i japë
Në arën time
Që as sot unë nuk e kam
Edhe lulet në oborrin e vockël
Që bletët m’i harxhojnë
Nektarin duke ua marrë
4.
Kur t’i bësh të gjitha këto
Kam frikë
Se në kalama do shndërrohesh
Për të ma grabitur fëmijërinë time
Filigran kohe
5.
Pastaj
Plotë tutë do të afrohem
Me lutjen për t’mi ruajtur opingat
Edhe janxhikun
Se aty brenda
Në vend fletoresh buke e djathi
Do kujtime të ngujuara janë
Që kurrë nuk e parë dritën tënde
Ti Diell
Por ruajtur ma kanë
Amanetin e fshehtësive të ëndrrave
Peshën e uratës të nënës
Edhe etjen e babait
Për dritën tënde
6.
Nëse dorën e fut më thellë
Kujdes
Se do kujtime tjera të përcëllojnë
Janë më të vonshme se të asaj kohe
Dhe zemra therë më shumë
E mendja çmendet
Vetveten duke kërkuar
Pra
Mos e nxjerr atë histori
Nga janxhiku im i shkollës
As opingat
Se janë të shpuara
E ta lëshojnë ujin
Këmbët të bëhen qull
E mund te të ftohet trupi
7.
Dil tash Diell nga ky rrëfim
Dhe ik sërish pa ta puthur syrin
Sepse
Kështu kam dëshirë të udhëtoj
Gjithmonë i etur
Dhe askujt të mos i tregoj
Për lojën që ta bëra
Diell
Që kur mungon
Më së shumti përcëllon
8.
E kuptoj
Je larg... larg je
Megjithatë
Të puth syrin në mëngjes
Në mesditë të përqafoj
Nga një varg ta thurë në muzg
Për agun që vjen
Për opingat dhe janxhikun tim
Për letrat dhe lapsat e shpenzuar...