Një vepër poetike me shpërthime të
bukura artistike…
Nga Tefik Selimi
Fehmi
Qerimi, për lexuesit kosovar është më pak i njohur, për faktin se, ai jeton në
Zvicër. Ndonëse jeton në dhe të huaj, ai kurrë vendlindjen e atdheun nuk i
harron. Atdheun e vendlindjen i ka dy pjesë më të dashura të zemrës. E para se,
atdheu është atdhe, dhe e dyta, vendlindja, ç’farë do qoftë ajo, është
vendlindje. Pra, ky krijues, edhe atdheut, por edhe jetës mërgimtare i ka
kushtuar disa krijime të bukura artistike, të cilat kanë zënë vend në vepra e
tij letrare. Poeti, Fehmi Qerimi nuk i ka ndalë vargjet për atdheun,
vendlindjen, shkollën, rininë, por edhe për tema të tjera interesante nga jeta.
Ato janë përkushtime të tij krijuese arti. Prandaj, autori në fjalë, gjer më
tani ka botuar dy vepra letrare:” Klithmë kohe (2013)” dhe “Aty ku s’jam unë”
(2014). Kjo vepër e fundit doli para pak ditësh nga Shtëpia Botuese “Beqir
Musliu”, e cila u përurua në Gjilan. Me këtë rast, për veprën e tij folën Tahir
Arifi, studjues, Sabit Rrustemi, krijues, Izet Abdyli, gjithashtu krijues dhe
Arsim Halili, krijues nga Bujanoci. Siç dihet, poeti, Fehmi Qerimi është i
lindur më 1971 në fshatin Pidiç, Gryka e Karadakut të Gjilanit. Shkollimin
fillor, përkatësisht atë të mesëm, i mbaroi në Zhegër dhe në Gjilan. Kështu që,
gjatë viteve 1991/92, ai dhunëshëm përfshihet në luftë si ushtar i armatës
jugosllave. Më pas, nis studimet për gjuhë dhe letërsi frënge në
Universitetin e Prishtinës. Por, rrethanat kosovare të asaj kohe e detyrojnë F.
Qerimin të mëgojë në Zvicër. Në vitin 2001 përfundon studimet e larta në fushën
e mjekësisë intensive. Diplomon në vitin
2004 në Menagjment shëndetësor, me tokus
Psikologjia e Ndërmarrjeve Spitalore – Resurset Humane. Pas kësaj kohe, poeti i
Grykës së Karadakut F. Qerimin e shohim duke jetetuar në botën e jashtme,
Zvicër. Ai, edhe pas kësaj rruge sfiduese, krijoi vepra arti. Arti i tij poetik
është diçka joshës që të rrëmben. Duke i lexuar vargjet e veprës “Aty ku s’jam
unë”, lexuesi ndjen një shpërthim ndjenjash të brendshme, të cilat janë sa
aktuale, aq edhe emocionuese, për fakin
se, e tërë poezia e tij, e kësaj vepre, sikur është e kthyer apo e frymëzuar
kah konfiguracioni atdhe – mërgim. Kjo është ajo bota e tij artistike, e cila
është e shpërthyer me ato vargje poetike, të cilat të përkujtojnë Lasgushin e
madh, kur ka shtuar, se “për të thënë shumë” duhet shkruar vjershën me pak
fjalë.!” Edhe Fehmi Qerimi e ka respektuar këtë “ligj” të metrikës poetike. Ai
ka shkruar vepër me poezi të shkurtëra,
të cilat thonë shumë. Kjo është ajo bota e tij
artikuluese poetike, e cila është e kursyer jo vetëm me vargje, por edhe mendime e me shprehje
artistike. Shikuar nga kjo anë, poezia e F. Qerimit na është një zë fort i
matur, i lirë, por edhe i artikuluar me një filozofi arti, e cila formë gjen
pranim tek secili lexues e kritik letrar. Zatën, kjo krijimtari e këtij poeti
është e përshkuar me një botë të thellë ndjenjash, e cila në vete ngërthen
brendësi shpërthimesh, por edhe shpërthime mendimesh e idesh. Duke lexuar
poezinë e kësaj vepre të bukur poetike, lexuesi sikur nuk ndahet nga vargnimi
i bukur, nga ato figura fjalësh e figura
mendimesh, të cilat, në tërësi krijojnë një fuqi të brendshme të poetit, i
cili, sa i këndon atdheun, i cili i mungon, se jeton në dhe të huaj, aq edhe
krijon kontrast duke folur e “kënduar” për jetën e dhimbshme të mërgimtarit, që
është një temë shumë e prekur në poezinë e tij. Sepse, jeta e margimtarit është
për dhimbje, për vaj kënge, ku poeti në botën e huaj e ndjen jetën e
inferioritetit, ku zemra i përvlohet nga brenda nga malli ndaj vendlindjes e
atdheut. Kjo poezi është e “rrëfyer” me krijime të bukura nga jeta djaloshare,
e cila jetë ka lënë mbresa të thella e të dhimbshme në kohë. Edhe Arsim Halili,
krijues, duke folur për këtë vepër në fjalë, ai ka shtuar se, “vargun e ka
ndërtuar me refleksione të qartësuara, ndonëse në tematikë nuk ka ikur shumë
nga libri i paraprak, veçmas kur në fokus ka atdheun dhe mërgimin. Me mjaft
qartësi poetike, evoluon në lirinë e mendimit, nuk lodhet në rrugën e tij krijuese
e as nuk zbrapset. Thjesht, sipas A. Halilit, -e thotë atë që është për
të thënë”. Ndërsa, Izet Abdyli, krijues thotë se, “poeti me fantazinë e tij
krijuese kap fragmente jete nga përditshmëria, duke i veshur ato me petkun
poetik e duke i dhënë fuqi vargut përmes metaforave dhe figurave tjera
stilistike”. Pra, poezia e Fehmi Qerimit është e një rruge të mbarë të krijimit
dhe të prezantimit para lexuesve, e cila na shfaqet si një artikulim jo aq
spontan, por një shpërthim i thellë poetik, i cili del nga brenda dhe zgjon emocione tek
secili adhurues i “këngës” poetike. Me këtë rast po i veçojmë disa nga poezitë
e kësaj vepre, të cilat janë shprehje të bukura poetike, si janë: ”Ndryshe” e
cila poezi “rrëfen” për mllefin e vjetër, “ku pasojat, si thotë poeti, “nuk do
të shlyhen/ me këto status-quo jemi fëlliqur/ kujto vitet që na shkuan/ kujto
dhunën që duruam/ e dëshmorët që luftuan/ dhe, poeti ngre zërin prej atdhetari
se “me gjakun e derdhur - s’bën të luhet”. Mandej, poeti shton: “frikë po kam
mos po çalojmë/ edhe historinë shpesh po e shkelim”! Kjo poetikë është e nxitur
nga “protesta” e autorit, sepse, e kaluara s’do të duhej të përsëritet, dhe kjo
duhet të jetë ndryshe nga dje. Vepra e F. Qerimit është e ndarë në katër
kapituj, si janë: Dallgë shtegëtimi, Simbiozë shprese, Metamorfozë e lirisë dhe
Diopri zemre. Po i dallojmë disa nga poezitë e kësaj vepre letrare, si janë:
“Heshtje false”, “Mos prit më”, “Mërgimtar”, Larg nënës”, “Kaos”, Loti lumin
nuk e ndal”, “Rrugëtim”, “Unë udhëkryq”, “Kalimtar”, “Nëpër mote”,”Shtegtar”,”Ku
lindi dielli”,”Kush i tretë kujtimet”,”T’i shoh lisat qysh po
rrojnë”,”Brenga”,”Pa dashje”,”Fati i vulosur”,”Harrojmë vetën”,”Krejt
lirë”,”Metamorfozë”,”Pa dilemë”, “Simbiozë”,”Simbolika e këaj game”,
“Përmallshëm”,”Heshjte nuk dua”,”Kjo natë”,”Pa titull”,”Mos harro” e shumë të
tjera. Që në fillim të këtij shënimi shtuam se, poezia e këtij autori është e
frymëzuar më tepër nga vetëndodhja e autorit larg atdheut, larg vendlindjes e
familjes. Prandaj, ai në poezinë “Shtegtar”, sikur “këndon” për të mos thënë se
vajton kohën e jetuar në dhe të huaj. Poeti shton: “Ngjyrave pa shije/ netët
s’i numëroj/ ëndrrave përgjumur/ plagët i arnoj” (f.28). Apo
poezia “Kthehu”, poeti thotë: “Pa
plisin e bardhë/ nuk mund të ecësh mbarë/ ditët ikin s’kthehen/ emri të
mungon/ që kur ndërrova kahje/ u bëra
shtegtar/ bota sillet mbrapsht/ e një zë nga brenda thërret/ ktheu!, (f. 44).
Në poezinë “Pa dilemë”, autori mediton për jetën, e cila ecën dhe s’ka të
ndalur. Ajo mishëron njeriun tonë, i cili, e ka mendjen, fjalën, këngën, dhe
krejt kjo nuk ndryshohet e as nuk burgoset. Poeti thotë: “Mendja nuk burgoset/
as fjala/ as kënga/. E ti vazhdo me terrin/me të birin/ e me dreqin/ pos mos sharro/ kurrën e kurrës/ s’do
mund ta ndalësh/ lëvizjen e tokës rreth
diellit”(f. 56). Kjo është ana metaforike e jetës, asaj që ne i nënshtrohemi
dhe s’ka mundësi ndryshimi. Kjo mbetet dilemë e jetës, por edhe dilemë e kohës.
Në poezinë “Sa keq”, autori shton: “Para syve tanë/ e botës/ perdja hiqet”. Pse jo? Edhe
kjo është një realitet, sa i hidhur, aq i padëshiruar, për faktin se, gjërat,
sa mbyll e qellë sytë, ndryshojnë. P.sh. “Kur ia behu paqja/ na futën në
rishikim”, apo “Nga ajo ditë/ kur u lind fjala/ e u dha besa/ jeta lirshëm
jeton” etj. Por, në fund, autori shton: “Kaltërsinë e këtij qielli dua/ si fjalën e lirë/ të vezullojë nga dardanja
Kosovë/ deri te e lashta Iliri” (f. 72). Në kaptinën “Dioptri zemre”, poeti,
Fehmi Qerimi ka tubuar disa poezi që “rrëfejnë” për jetën “intime” të
dashurisë. Edhe ky poet, si gjithë të
tjerët, motivin e dashurisë e “kultivojnë” me disa vargjet mjaft interesante,
të cilat në vete ngërthejnë një jetë të kësaj natyre. E petei shton: “Derën
lëre hapur/ s e kam për të ardhur”, ose, kur i riu takohet me të dashurën e
tij, ai e harron kohën e takimit, e cia i bëhet e vonë. Poeti shton:”Një
mbrëmje të vonë/ të takova/ me një kafe turke/ natën e bëmë ditë/ peng të
dashurisë” (f. 93). Po
kështu, takimet janë të etshme dhe të papritura. Andaj, poeti “këndon” pa u
ndalur: “Për sa kohë që të kam parë/ stina ime më je ti”! Kjo është fuqia
poetike e autorit, i cili me ato pak vargje poetike, ai i ka kënduar dioprisë
së vërtetë të zemrës.Veprën e ka botuar Shtëpia Botuese “Beqir Musliu” - 2014
dhe ka 119 faqe.