E merkure, 07.05.2025, 08:40 PM (GMT+1)

Kulturë

Shefqete Gosalci: Dritë nga drita poetike

E enjte, 17.04.2014, 06:46 PM


DRITË NGA DRITA POETIKE E AUTORES DRITA NIKOLIQI BINAJ

(Përshtypje për librin me poezi ”Si ta pagëzoj heshtjen”, Prishtinë 2013)

Poetët sipas Galaktikës Poetike, janë paraprijës të agimeve – zbardhëllim. Ata  janë muza dhe shpirti i ëndrrave – shpresërim. Poetët janë fryma dhe muzikaliteti i fjalës – shenjtërim. Ata janë koloriti më i ndritshëm i qenësisë sonë - qytetërim! Me një harmoni të veçantë tematike dhe komunikuese ndërmjet shpirtit dhe vargut, Drita Nikoliqi Binaj ndërton kullën e individualitetit krijues dhe identitetit të saj artistik.

Nga Shefqete Gosalci

Poezitë e Drita Nikoliqi Binajt i gjejmë të botuara në shtypin e kohës, qysh në vitet e saj të rinisë 1987-89, e të redaktuara nga poetët  Ali Podrimja dhe Azem Shkreli.  Për gati 30 vite e mbyllur në një guaskë kurbeti, Drita krijoi por nuk botoi. Siç gufojnë lulet fushave në pranverë, ashtu malli i poetes na vjen i bulëzuar si buqetë dhe i përkthyer në vargje malli, dashurie, nostalgjie, që me intuitë personale i këndon krenarisë, vajit e atdhedashurisë, duke përcjellë mesazhin e ndërgjegjësimit njerëzor kundër të keqes dhe ligësisë.

Si ta pagëzojmë heshtjen? Sado qetësuese, pushuese, madje edhe relaksusese të jetë heshja, ajo përbrenda zien një lëmsh tallazitjesh e shqetësimesh shpirtërore, që manifestohen herë me  stuhira të vogla shfryese, herë me xixa vullkanesh spirituale, e herë me të dyja, erëra e vullkane, që së bashku shkaktojnë turbulenca emotive deri në ndonjë  ”cunam shpirtëror”.  E rëdësishme është që në të dy situatat, heshtja prodhon ndjenja, që të nxjerr llavën e shpirtit. E gjendur në  një shtjellë të veçantë shpirti, autorja fillon përpjekjet e jashtëzakonshme dhe këmbëngulëse me poezinë “Ku…Kah”, me sintagma si, në cilin fillim, nga cili fund…, duke vazhduar me performancën vargëzuese. “Sonte e theva gotten/ E shpresave të plagosura/ Të jetës sime të vogël/ E dëshirave të mia të mëdha.”

Duke e ushqyer e përkedhelur shpresen me këngët e dashurisë, Drita arrin të dalë në verën artistike me një brumë të ngjeshur e motivues poetik… “Pranvera në mua, zgjoi zemrën time nga gjumi.” Ajo arrin në mënyrë lehtësuese ta latojë ndjenjën e saj në vargje, dhe përmes vargut ta artikulojë ëndrrën e saj të bardhë, tashmë të jetësuar. Në poezitë Shkodrës, Nënë jam loti yt, Dritë rrufeje, Ua fala mëshirën, Vdes ngadalë, Mbretëresha vargëzon, Virtyti im, na shpërfaqet i brishtë e i padjallëzuar shpirti poetik, ndjesor e human i Dritës, pothuajse, si një fëmijë i rritur. Kurbetin, këtë plagë të hapur të kombit shqiptar, autorja e përjeton si një qengj në arrati, që gjen qetësi vetëm nën strehën e heshtjes dhe në varg. Kujtoj këtu vargjet e një kënge: ”Largësitë kush i ka shpikur/ s ‘do të ketë qenë ndonjëherë larg”.

Përmes përmermbledhjes me poezi  ”Si ta pagëzoj heshtjen” poetja na sjell një tablo realiste me ngjarje e ngjyrime të ndryshme , në kohë të ndryshme, e të mbështjellura me një vello optimiste, pavarësisht nga çastet kur përmes vargut mallkon edhe gjakun e vet. Temat sociale janë tema të një shpirti fisnik, tejhuman e njerëzor: “ Në helmet e tyre me bollëk/ U mbyt edhe ajo që ishte/ Më e shenjta për mua/ E unë/ Ua fala edhe mëshirën.” Me një harmoni të veçantë tematike dhe komunikuese ndërmjet shpirtit dhe vargut, Drita Nikoliqi Binaj ndërton kullën e individualitetit krijues dhe identitetit të saj artistik. Përfundimisht mund të themi se Drita po hap shtigje drite.

(Nga Galaktika Poetike “Atunis”, e zgjodhi për Zemrën Shqiptare, Baki Ymeri)



(Vota: 8 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx