E shtune, 27.04.2024, 08:36 AM (GMT+1)

Kulturë

Murat Gecaj: Poezi me ndjenja kombëtare

E merkure, 23.04.2014, 06:08 PM


POEZI ME NDJENJA KOMBËTARE SHQIPTARE

(Drita Nikoliqi Binaj përuron vëllimin “Si ta pagëzoj heshtjen”)

Drita rrjedh nga dy familje atdhetare: është nga qyteti i Gjakovës dhe nënën e ka nga Shkodra. Jeta e solli që të jetojë familjarisht në një mjedis të huaj, por, mendjen dhe zemrën gjithnjë i mban të pashkëputura nga vendlindja, në Kosovë e Shqipëri dhe trojet tjera të stërlashta amtare.

Nga Prof. Murat Gecaj

“Jemi të lumtur vetëm në lartësi,/ sepse atje për fundërrina konak nuk ka./ Unë jam stuhi,/ erë e fuqishme,/ për të gjitha ulësitë.” Muaj më parë, kolegu e miku im, nga qyteti i Pejës (Kosovë), poeti Agim Desku, dërgoi një mesazh përmes Internetit. Në të, njoftonte se kishte dalë nga shtypi libri me poezi i Drita Nikoliqit-Binaj, “Si ta pagëzoj heshtjen”. Bile, këtë botim të ri e dërgoi dhe me e-mail. Sigurisht, kjo ishte një ngjarje e gëzuar për autoren, por dhe për familjarë, miq e kolegë të saj. Prandaj u interesova të mësoja diçka më shumë për të, gjë që ma mundësoi jetëshkrimi i saj, në botimin në fjalë, por dhe Facebook-u.

Drita rrjedh nga dy familje atdhetare: është nga qyteti i Gjakovës dhe nënën e ka nga Shkodra. Jeta e solli që të jetojë familjarisht, në Novi Sad të Vojvodinës. Megjithëse në një mjedis të huaj, mendjen dhe zemrën gjithnjë i mban të pashkëputura nga vendlindja, në Kosovë e Shqipëri dhe trojet tjera të stërlashta amtare. Këtë gjë, ajo e ka pasqyruar më së miri në krijimet e saj, të cilat mund të gjinden edhe në faqet e Internetit. Ndërsa poezitë më të zgjedhura i tuboi në vëllimin “Si ta pagëzoj heshtjen”.

Dhe ja, përsëri një njoftim tjetër i këtyre ditëve, nga poetet Genta Kaloçi (Tiranë) dhe Shefqete Gosalci (Prishtinë). Meqenëse ishte planifikuar përurimi i këtij libri edhe në kryeqytetin Tiranë, me dashamirësi, këtë lajm ua bëra të ditur disa shkrimtarëve e poetëve, si dhe personave të tjerë të interesuar. Përurimi i këtij vëllimi me poezi u organizua në sallën kryesore të Ministrisë së Kulturës. Kishin ardhur mjaft të ftuar, nga Shqipëria e Kosova, krijues të fushave të ndryshme, punonjës të artit, kulturës e shkencës, nga media e shkruar dhe ajo elektronike etj.

Modeatore e veprimtarisë ishte Marjola Kaloçi. I pari foli Stavri Trako, i cili e analizoi këtë botim të parë të Drita Nikoliqit-Binaj. Poezitë, që ai përmban, pasqyrojnë përjetime të autores, plot dashuri e dhimbje njerëzore, ëndrra të parealizuara etj. Por ato, gjithashtu, përshkohen me ndjenja të larta atdhetare, kombëtare shqiptare. “Drita për dritën”, kështu e nisi diskutimin e saj, poetja nga Prishtina, Shefqete Gosalci, anëtare e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës. Autorja në fjalëe ka vite të tëra, që shkruan e shkruan poezi të frymëzuara për vendlindjen, për Kosovën e Shqipërinë. Ndërsa vetëm tani, ajo i gëzohet vëllimit të parë të saj. Poezitë aty janë të mbushura plot me atdhedashuri, nderim e mall të pashuar për vëllezërit e motrat shqiptare, kudo që ndodhen. Me zërin e një poeteje dhe veprimtareje të papërtuar nga diaspora, ajo shpërndan “dritë” nëpër trojet tona shqiptare. Me interes u ndoqën nga të pranishmit diskutimi i frymëzuar i shkrimtarit e poetit Namik Selmani dhe përshëndetja e Besim Ndregjonit, mik i autores. Ndërsa u duartrokitën nxehtësisht recitimet e Margarita Xhepës-“Artiste e Popullit” dhe kënga “Thërret Prizreni: Mori Shkodër”, nga Shyhrete Gosalci.

Dëshiroj të shënoj këtu pak radhë të redaktorit të këtij libri, Agim Desku. Ndër të tjera, ai nënvizon: “Kur i lexon vargjet e përmbledhjes poetike, “Si ta pagëzoj heshtjen”, natyrshëm ndjen tek vlojnë brenda tyre vlerësimet krijuese për peshen e fjalës së thjeshtë, në dukje, por me figuracion të pasur dhe të dëshiruar…Aty janë ndjeshmëritë poetike, forca dhe karakteri i saj, zemra e mbushur me guxim, dritë dhe besim në vetëvete… Përmes vargut të saj, ajo sikur të merr miqësisht përdore dhe të fton në kopshtin e saj poetik, duke zbuluar para teje përftytyrime dhe ndjenja të bukura të shpirtit të pastër fisnik….

Të tri ciklet e këtij vëllimi shquhen për formësimin poetik dhe lirikat e bukura, duke dëshmuar krenarinë e dashurinë për Kombin tonë dhe mëllefet e forta sociale të autores”. Në mbyllje, po citojmë edhe vargje domethënëse, nga dy poezi të këtij vëllimi: “Jemi të lumtur vetëm në lartësi,/ sepse atje për fundërrina konak nuk ka./ Unë jam stuhi ,/ erë e fuqishme,/ për të gjitha ulësitë!…”.Ndërsa te poezia “Unë jam dritë”: “Diçka e pangopur/ është në fund të shpirtit tim/ dhe do flas…/Etje e fuqishme për…/është mbledhur në mua/ dhe po flet me gjuhën e vet…”.  Pasi morën dhuratë libra, me shënimin e autores Drita Nikoliqi Binaj, pjesëmarrësit në këtë veprimtari të bukur përuruese bënë fotografi dhe i kaluan disa çaste së bashku, në koktejin e shtruar, me këtë rast.

(Tiranë, 14 dhjetor 2013. Zgjodhi për ZSH: B. Y.)



(Vota: 3 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora