E shtune, 27.04.2024, 09:07 AM (GMT+1)

Kulturë

Ilir Muharremi: Arti dhe politika

E hene, 21.04.2014, 08:04 PM


Arti dhe politika

Nga Dr. Ilir Muharremi

Artistët kanë vetëm një gjuhë, gjuhën e shpirtit, ajo gjuhë gjithnjë ka qenë globale, i përket instinktit të lashtë. Pjelloria artistike merr fund me forcën krijuese. Artistët asnjëherë nuk duhet t’i shikojnë gjërat ashtu siç janë, por më të plota, më të thjeshta, më të forta. Rinia e shpirtit, pranvera e lulëzuar në përjetësi është si karakteristikë e tyre. Nëse një artistë, muzikantë, piktor, shkrimtar... me gjendjen shpirtërore përpiqet të bëjë ndërrim pamjeje, dhe plotësi të asaj që ishte gjithherë tek ai dhe në natyrë, duhet t’i përpunon në mendim, dhe ajo vetë do ta pasqyrojë plotësinë dhe gëzimin për të vazhduar. Mirë e ndërlidh Nietzsche: “Ne nuk komunikojmë kurrë mendime, komunikojmë lëvizje, shenja mimike, të cilat i lexojmë dhe i kthejmë në mendime’. Këto shenja, nuk mund të vërehen pa qenë në mendime, sepse imazhet gjithherë ishin për të qenë, lëvizjet e brendshme ekzistuan ndoshta jo kështu si shprehen përmes mimikës dhe muskujve, por si fuqi e botës së brendshme për ta komunikuar atë në të jashtmen. Ku është qëllimi? Variacionet e ndijimeve dhe ideve janë më të qarta,  atëherë kur nuk mund të paraqiten. Qartësia ndodhet përbrenda ndjesisë, kjo është para mendimit.  Por, duhet menduar se arti është ai impuls i cili mohon çdo gjë në të njëjtën kohë. “Asnjë artist nuk e duron reale” thotë Nietzsche-ja. Kjo është e vërtetë. Por, sipas Kamysë, asnjë artistë nuk mund të abstenojë nga realja. Refuzimi bëhet për shkak mungesës dhe shpesh në emër të saj. Realja nuk e duron ndjesinë, sepse ndjesia sundon realen me forcën e shterur krahas qysh ishte më parë. Kjo është edhe më e vërtetë. Shtrohet pyetja, ku mbetet arti sot? Përse nacionalizmi dhe politika ndeshën me artin. Për këtë ja vlen të diskutohet. Politika gjithherë dominoj në krijimin artistik, por ishte vdekjeprurëse aspak e nevojshme. Shpesh dëgjohet thënia se: arti dhe politika së bashku krijojnë fuqinë. Thelbësore në art është përsosmëria e ekzistencës, lindja e përsosmërisë dhe plotësisë, shpesh është edhe pohim, mohim, bekim apo hyjnizim i ekzistencës. Qëllimi i politikës në art është propagandë historike, por arti i mirëfilltë e ndërron këtë lëvizje ngaqë politika flet për moralin e morali e dëbon të bukurën, por në esencë politika është imoralitet prapa perdes së moralit.

Ja vlen të komentohet rasti i këngëtarit serb Zdravko Çoliq, i cili përformoi në mes të Tiranës. Ky është Ballkan, zjarr, tym luftë, por jo art, ndoshta nga të tria lind një art i mirëfilltë, por gjithnjë nacionalist dhe politik. Çoliq u befasua nga duartrokitjet e gjata dhe fjalë miradije, por edhe në superlativ.  Ai pritej si një mbret, një Dukë krahas këngëve të tjera që u dëgjuan. Por, këngët e tija nuk qenë më të mira se ato që u dëgjuan. Edhe ato që u dëgjuan nuk ishin në nivel më të mirë. Të gjitha ishin nga një brumë Ballkanik. Arti nuk ka kufi ,por ka influencë, kjo është njerëzore nuk duhet të anashkalohet.  Përse rrodhi kjo? Nuk do të flas për armiqësi ngaqë kjo dihet, por për cilësinë e këngëve. Muzika e tij qe e imitueshme nga rajoni, madje, asnjë tingull nuk ishte ri. Një përshkrim dobësimi të melodisë e cila është e barabartë me atë të idesë, të dialektikës, lirisë dhe lëvizjes shpirtërore.  Ishte relaksuese në raport me trupin, por jo me ndjenjën siç është absurdi i muzikës dramatike e cila posedon ndjenjë dhe pasion.  Aty pamë shumë ligje, ligje të ndikuara dhe kjo është muzikë komplet e dobët Ballkanike, përpunim përgënjeshtrim i vetes. Ndoshta masa e arrin këtë përsosmëri dhe efekt, por një njëri i thellë  ndjen vetëm  çlodhje nga ajo që përformoi Çoliq. Ai, nuk ka mundur të fluturoj as më larg se vendet e rajonit.  Ai nuk përzien me dorë baltën e harmonive më të zymta e më të hirta derisa të bëjë të thërras nga dëshpërimi shpirtin, por vetëm forcave elementare, rajonale, të zakonshme ballkanike. Nuk është arti Ballkan, por shpirt. Muzika ka vetëm një gjuhë, gjuhën e shpirtit, të gjithë e ndjejnë këtë, pa futur historinë, politikën dhe kohën. Duhet ndarë politikën dhe interpretimin e Çoliq-it. Ai nuk bëri politik, por nuk qe i thellë ashtu siç fitoj duartrokitje. Ai u politizua nga masa kosovare, dhe qenë të drejta akuzat, por artisti është artist me gjuhë, histori, dhimbje, vuajtje, absurd, vetëvrasje të përbashkët. Gjithashtu, kjo është lëvizje e të gjitha arteve. Simfonitë e shpirtit nuk njohin organo. Ato që ne kapim janë tinguj, rrallë ndonjë akord e mos të flitet për melodi. “Megjithatë, muzika ekziston aty ku simfonitë mbarojnë, ku melodia u jep formën e tyre tingujve të cilët nga vetvetja nuk e kanë atë, ku më në fund një përdorim i privilegjuar i notave nxjerr nga rrëmuja natyrore një unitet të kënaqshëm për shpirtin  dhe për zemrën” shkruan Kamy. Kjo arrihet vetëm nën kompozimet e Vivaldit.

Arti shpesh bënë deklaratë të fuqishme kundër luftës. Këtë e shohim te Picasso. Qeveria Republikane e ftoi mjeshtrin të bënte një pikturë murale për një ekspozitë të madhe në Paris. Fillimisht, ai nuk dinte ç’të pikturonte. Por, pas bombardimeve, brenda pesë javësh, ai krijoji Guernikën. Picasso mohonte që ishte artist politik. “Një apel të qëllimshëm drejtuar popullit, pra një sens të qëllimshëm propagandistik”. Qartazi mendimi është politik dhe referim ndaj popullit dhe luftës. Piktura këtu na vije si instrument lufte për të sulmuar dhe për tu mbrojtur nga armiku. Piktura nuk është shumë e qartë, figura e kalit përfaqëson njerëzit, demi mizorinë dhe errësirën. Ata prisnin të shohin shenjën e fashizmit tek demi, por Picasso ka pasur kujdesin të saktësojë: "Ky nuk është fashizmi, kjo është kafshëria, errësira" . Sigurisht, revolta e artistit kundër reales bëhet e dyshimtë dhe kjo është revoltë e të shtypurit.  Subjekti i ka shërbyer Picasso-s për temat e tij, domethënë në të njëjtën kohë, lufta, atdheu i poshtëruar, fashizmi, vdekja.

Andaj, duhet pohuar se asnjë art nuk mund ta refuzoj realen, edhe pse krijimi imagjinar përpiqet të jetë unik dhe i pastër, prapë se prapë realja e vetës është më e ribërë për tu formësuar. Politika formalizohet përmes artit që të jetë më e fuqishme duke e vënë në shkallë më të poshtë, por vetvetiu arti lartësohet mbi politikën, por të dyja nëse qëndrojnë të heshtura do të vdesin pa u përmendur. Konflikti bënë më tërheqës botën, artistin dhe politikën.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora