E shtune, 27.04.2024, 01:06 PM (GMT+1)

Kulturë

Nehat Jahiu: Zëri i Tokës sonë

E marte, 22.04.2014, 06:01 PM


NEHAT JAHIU

Zëri i Tokës sonë

(Poetit , atdhetarit dhe veprimtarit Remzi Bashës)

 

Zemra me dashuri kurr nuk t’u  mbush

për atdhe, ty zemra t’u dogj si prush,

kurrë nuk e harrove tënden Therandën

shpirti poet u dogj për Kosovën-NËNËN.

 

Shpirtkallur poet e i përvluar

i etur,  gjithmonë i pashuar,

larg vendlindjes i larguar

i mërguar, djegur në vend të huaj.

 

Të mungoi përqafimi, të përvëloi malli

u dogje e u trete si qiriu për së gjalli,

ikur e tretur larg e më larg në mërgim

u dogje si zjarri në përmallim.

Zemra seç u dogj flakë

për nënën tënde plakë,

gjakun ia pastrove me lotë

ia lidhi me shaminë  që e mbante në kokë.

 

Atdheut ia puthe plagët mbushur me gjak

ia fshive nga  floku i saj pak ngapak,

ia puthe ballin e ata dy sytë

e shtrëngove  dhe e fute thellë në shpirt.

 

Eh, miku im, kur u takuam çfarë më thoje

buka atje në  kurbet është me shtatë kore,

sa herë, or mik, sofrën kur e kemi shtrirë

kafshata e kësaj buke në lotë  ka ngrirë.

 

Sa herë në vendlindje i kujtoj këto varre

digjem flakë prej mallit të babës e të nënës,

digjem..., e kallem..., kallem me trup më gjuhë flake

pse në prehër nuk më vdiq ajo nëna  plakë si mes ëndrrës.

 

Kafshatë që nuk kapërdihet është or, mik, mjerimi

kafshatë që të mbetet në fyt është mërgimi,

eh, more mik korja e kësaj buke është shumë e fortë

sepse është e ngjeshur dhe e mbruijtur me  lotë të ngrohtë.

 

Eh,  vëlla  kjo bukë, bukë me shtatë kore në kurbet

nuk e di sa herë më ka shtrënguar e në fyt më ka mbet,

lotët që më janë derdhur në mërgim në syrin e mrrolur

Pragun e vatrës dhe bukën në sofër, or vëlla e kam njomur.

 

Të dhemb mik shpirti për të bukurat fusha e male

qëndisur në pranverë me lule thurur në gjerdane

për të dashurat kroje që I ke lënë mes një fushe

livadhe të mbushura plot me erë lule.

 

Lisa të gjatë ngritur kokën latë nga qielli

që aq bukur ju këndoi poeti ynë Naimi,

ata lisa të bukur , ata plisa të bardhë

që në ëndërr në vendlindje i sheh çdo natë.

 

Atdheut i thua: Në dorë dua të marr

atje në vendin tim, dua që ta kem në jetë atë varr,

të marrë erë, o dhe, dheu i ngrohtë i tokës sime

ta puthi atë varr të dashur të nënës time.

 

Eh, ju fusha e male të bukura të vendit tim

që për çdo ditë e natë ju kërkon shpirti im,

ju që më digjni e më kallni mushkëritë flakë

e që shpirtin tim ma thërrmijoni pak nga pak.

 

Eh, ju dallëndyshe që tani në pranverë fluturoni

më merrni në krahë e në vendlindje më dërgoni!

të shkoj e të pushoj nën hije atje në Therandë

që shpirtin po ma bën hi e ma djeg shkrumb e flakë.

 

T’i shoh vreshtat atje në kodër mbi katund

ta dëgjoj gurgullimën e ujit atje tek ai lumë,

ta dëgjoj zërin e ëmbël e të bukurit bilbilit

kur këndon në vendlindje tani në muajin e prillit.

 

Ti je një livadh bjeshjke e gurgullimë uji

në varg të poezisë rri në vite e shekuj si rrasë guri,

asht e lëkurë e truallit tënde do të mbetesh

e në  vargun e poezisë  do të tretesh.

 

Seç po tretesh poet e po bëhesh hi

vargun e poezisë po e shtrëngon fort gji,

me erë djerse, ugari dhe  e gjaku

në poezinë tënde thuret bujarisht vargu.

 

Je një lis lis poet e një shkëmb guri

Je shqiponjë tek flamuri

Seç u dogje e u trete

ti vargun e shpirtit kurr nuk ua jepje.

 

Së bashku me zogjtë, aty pranë kroit

vargu yt shkriu akullin në majë të Tomorrit

shpirtin gjallë ta mbajti, poet poezia

u dogje si qiri deri sa erdhi në Kosovë liria.

 

Vargu yt nuk i  la të shkelen livadhet

e nga dorë e fëlliqur të preken varret

the se këtu janë të parët e mi

këtu unë kam lashtësi dhe histori.

 

Mos m’i prisni the lisat e gjatë

se janë rritur në vendin tim të Therandë,

aty dua t’i shoh  diellin yjtë e hënën

ta shoh të dashurën  time dhe  nënën.

 

Nuk dua the të më turbulloni ujin tek kroi

Tek syri i fëmijëve të shoh gaz e të mos pikojë  loti,

e dua këngën e zogjve aty tek burimi dhe ferra

dua të vij në Kosovë sa më shpejt Pranvera.

 

O ,ju fusha e ju male të vendit tim

unë ju lashë e fluturova në mërgim,

nënë e dashura ime vallë, ku më mbete?

zemrën flake, moj nënë, ma mbushe me derte.

Oh, kur u nisa për të shkuar në kurbet

koka me një anë mua seç më mbet,

seç u kalla Kosovë  në vite u dogja për ty

për herë të fundit kur të shikova me sy.

 

Që nga ditë e zezë kur prej teje jam ndarë

Jam mbytur në lot për ty duke qarë,

shpirti si qiri m”u tret e si qiri u shkri

kur jam larguar prej të dashurës shtëpi.

 

Prej pragut të derës unë kur kam dalë

oh, seç m’u shkul zemra për ty, oj nënë,

edhe ty kur të putha në ballë o vendlindje

seç m’u kall e mu dogj kjo zemra ime.

 

Nënës sime i mbetën në sy lotët duke qarë

edhe sot akoma asaj nuk ju kanë tharë,

eh, kur më puthi në faqe, e në ballë e sy

në majë të bjeshkës atë ditë dëbora u ngri.

 

Mos ma heqni  kurrë mallin!

mos ma shani asnjëherë varrin!

se unë dua të jem me krojet aty

aty  pranë varreve të të parëve të mi.

 

Në këtë vend ku është baba e nëna

aty ku do më ndriçojë natën hëna,

nuk dua kurrë të më shkelni mbi varr

se do më digjet shpirti flakë si zjarr.

 

Mos ma shkulni gurin nga varri

që vetë unë aty e solla nga mali!,

para se të vdes e kam vënë unë aty

dheun e kam lagur me lotët e mi.

 

Kur kam buzëqeshur e kur kam qarë

kam kërkuar këtu të kem këtë varr,

aty ku më është derdhur djersa e çurguar

Eshtrat  e mia aty kanë për të pushuar.

.

Dua ti kem eshtra, ku do zemra ime

aty në vendin tim, aty në vendlindje,

këngën e zogjve aty dua ta dëgjoj

në varrin e tokës sime dua të pushoj.

 

Koka më dhembte donte të më mbyste

flakë digjesha e gjak më pikonin  qepallat e e syve,

kur ti më kërkoje akullin e ngrirë

në shpirtin tënd unë për ta shkrirë.

 

Kërkoje  të shkrihej akulli e dëbora

që të mos merrej abetarja nga dora,

sytë të digjeshin prush nga loti

kërkoje ndihmë nga unë e nga Zoti.

 

Qielli e toka po digjeshin flakë

hëna dhe yjet nuk bënin dritë atë natë,

dora jote më afrohej pranë ballit tim

më thoje gjak më pikon shpirti im.

 

Më thoje akulli dorën më ka ngrirë

lapsin në dorë kush ma ka shkrirë?!,

trup e shpirt më kanë mbetur bash si të shituar

abetaren e lapsin në ëndërr po i shoh të bashkuar .

 

Jam djegur, tretur e jam zhuritur

kam mbetur si një qiri i fikur,

si llamba pa fitil e pandritur

kallur shpirti si lule e venitur.

 

Shpirti më eshtë tretur e tharë

buzët me gjak të njomë më janë larë,

Kërkoje prej meje një dritare

ti puthje shkronja në abetare.

 

E unë digjesha së bashku me ty flakë

qielli mbi kokë më binte në këtë natë,

edhe unë me ty po digjesha si qiri

akullin e shpirtit tënd nuk mundja ta shkri.

 

Më iku kjo natë me lotë në qepalla si shi

sëbashku me korbin aty diku mbi çati,

në gjoksin tim shpirtin ta shtrëngova

në varrin tënd u shkri akulli e dëbora.

 

Zemër kallur e zemër këputur

i molisur si një krah në flutur,

mbështetur në tëndin krahëror

shpirtin për ta çlodhur kërkon.

 

Prek ballin e shoh si djerswt akullojnw

plaga më nuk të  kulloi

ta pastrova me ujë, ujë kroi.

 

Ta preka shpirtin me dorë

ta futa thelllë në  krahëror,

seç t’u derdh shpirti në poezi

vargjet t’i fala vetëm, vetëm ty.

 

Si hëna seç u  buzëqeshe

u bëre si një mollë e pjekur vjeshte,

ka kohë që  këtë mollë e prite

lëngun asaj sonte me shije ia thithe.

 

Së bashku me ty hëna buzëqeshi

flokët e thinjura Kosova t’i përkëdheli,

akulli në shpirtin tënd seç u shkri

vargjet t’u derdhën, poet, në poezi.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora