Kulturë
Qazim Shehu: Krisma
E merkure, 23.04.2014, 06:55 PM
QAZIM
SHEHU
KRISMA
Nata shpështillet humnerave të saj,
më fton ta dua,
përkund ëndrra të arta,
Në barkun e saj vetëtijnë
Krismat e fjalëve të pakta…
KUKULLAT
Dikur nuk e dija,
Se njerëzit ishin kukulla,
Ne kukull s`kishim,
Shpesh mungonte buka.
Vonë e kuptova këtë,
Njerëzit si kukullat s`qenë,
Ishin më të bukurat.
Ah, nuk i kuptova kukullat.
FOGRAFOVA NJË RE NË QIELL
Sot, fotografova një re në qiell,
Me sy, me shpirt.
Shikimin kur ngrita sërish,
Reja më nuk qe.
Eh, ç`fotografi që bëra
Me një re.
Nga qindra të tjera,
Ajo,
Më e bukura qe…
TË PASURIT
Ndërrojnë:makinat,gratë shtëpitë,
Me gjak të varfërish shtojnë pasuritë.
Hajnitë i kyçin në ligje,prej ligjesh jetojnë,
Kur zihen ngushtë,
Partitë në gjirin e tyre i strehojnë…
VORBULL
Emri i detit që s`u pa,
Fjala nuk u tha,
E thëna s`u dëgjua,
Dëgjimi u harrua.
Harresa u mpi,
Mpirja u ngri,
Ngrirja u derdh,
Zjarri tek erdh.
Kujtesa u shpërnda,
Pluhur në zemër ra…
BIOGRAFI
Biografia na nxin jetën,
Jemi bijë të mashtrimit,
Nëse pa të mbesim
Ia hodhëm trishtimit.
Të tjerët kur ta shkruajnë,
Për ne s`do mendojnë,
Vetëm do të vuajnë,
Të ruajnë një rrethanë.
Duke na pasur ne ,
Si lojë a preteks,
Më mirë të ishim re,
Të ikim më shpejt..
NJERIU
Nga qiell bie meteor i shuar.
Është njeriu.
Si një shtrese akulli për ta coptuar,
Në kazanin e egos e shkriu?
Prapë njeriu…
CJAPI
Mjekër e malit krihet nga stuhia
Mjekër mbreti,
Në shi e mbyt hidhësia,
Sipër një shkrepi.
Ç`shikon ashtu, o cjap trishtues,
Mos ftujkën që ta therën,
Ujkun që i afrohet tufës,
Qenin që s`i bie erës?
Në shiun plot rrëzjerë
Mos do të hidhesh poshtë humnerës,
Për ftujkëzën e mjerë?...
TUNDIM
Tundimet dalin nga mëngë e ditës,
Plot joshje,rreze të kobshme,
Hidhen me vërtik si zëra mbi humnera,
Nuk i bën zap as era.
Jeta me pabesi aq e aq tundime na ve përpara.
Sa për tundimet e vjetra të merr e qara…
VALVULA
Hyra në zemrën tënde,
Si përrua në një guvë.
Rrugën për të dalë s`e gjeta.
As ashpër as butë.
Zemra e ka një shteg,
Ku mund të hysh, të dalësh,
Një breg
Për përplasje dallgësh.
Ndryshe,
Në oqean do qe thyer,
Pa,
Valvulën e vyer…
KËSHTJELLA
Gurë të çmuar me tepri
Të ndërtoj një kështjellë,
E ndezur, kjo dashuri,
Më sjell..
E pamposhtur është ajo,
Korracëhirtë në trup,
sa çdo shenjë të gjallë,
E zhduk…