E shtune, 27.04.2024, 08:10 AM (GMT+1)

Kulturë

Beqir Cikaqi: Dasma me dhi

E merkure, 23.04.2014, 07:34 PM


Fabul, Beqir M. Cikaqi,  redaktoi: Alma Papamihali

 

DASMA ME DHI

 

Në një fshat  kosovar

ishte një herë një beqar,

një beqar djalë i ri,

kishte qen, bari për dhi.

Dhitë e kuqe për hijeshi,

kush i shihte i kish lakmi;

dhe si familje që ishte

prej tyre kishin shumë leverdi.

Qysh i vogël kur ishte fëmijë

na ishte bërë merak për dhi,

kështu n’ ato male e kodra,

edhat i kishte të vetmit lodra.

Dita shpejt i kalonte,

se me edha u argëtonte,

tërë ditën me ta vraponte

e natën n’ gjumë i ëndërronte,

ku mezi priste të agojë dita,

e të shkojë ai te torishta.

Të gjithë edhat i përqafonte

diç me ta ai kuvendonte,

herë fishkëllente herë këndonte,

kohë pas kohe edhe i qortonte.

Ndodhte shpesh  që për me fjet

e merrte një në shtrat të vet...

 

Eh, kur i bëri vetëm pak vjet,

edhat  n’ mal i lëshonte vet,

vetëm një këlysh e shoqëronte,

edhat  n’ mal kur i lëshonte,

kurrë s’ulej që të pushonte,

me kureshtje i vëzhgonte,

i lavdëronte e i qortonte

Kur mendonte se janë ngi

edhat e vegjël i kthente n’ shpi,

N’ shpi edhat çdo herë i qonte,

atëherë, kur dielli perëndonte

këtë e kishte si kohë t’ caktuar,

se më shumë s’duhet vonuar.

Ashtu pra edhe kur u rrit,

merak kishte shumë për  dhit,

dhe që atëherë  si djalë i ri,

na ishte bërë bari për dhi.

Dhitë e kuqe për hijeshi,

kush i shihte ia kish lakmi,

kishte ndodhur shumë rrallë

që kopeja e tije të ketë galë

dhi të bardhë, apo larë.

Me vullnet e pa përtesë

dhitë i lëshonte çdo mëngjes,

shumë krenohej për kope

e krahasonte veten me Skënderbe,

që dhitë shumë i patën ndihmua,

kur me turqit pat luftua,

për nder të fitoreve ngadhënjimtare,

mbante kokën e dhisë në përkrenare.

E, ai me këtë krahasim

i  epte vetes shumë besim.

Kështu; në derë  t’ oborrit

E nëpër dhoma  t’ shpijes,

nga meraku, për stoli

kishte vendosur brina  t’ dhie.

 

Si shumë në dhi ishe mishërua

S’linte ditë pa i lëshua,

n’ borë  e  n’ shi ai çdo herë,

për to kujdesej dimër e verë.

Verës kur dielli shumë rrezonte,

në mes ditë dhitë i mrizonte,

derisa vapa të kalonte,

në disa mrize plotë freski,

e vet drekonte me kënaqësi;

bukë pogaçe e djathë dhie,

nuk i ndrinte as me petë flije.

N’ çantën e bukës për ushqim,

e fuste një fyell për argëtim.

I binte fyellit për mrekulli,

duke luajtur këngë, valle e melodi;

asnjë valle s’i hynte n’ hakë,

por valle dasmash, i kish më merak..

Në dhi shumë ai u mishërua

s’linte ditë pa i lëshua.

S’shkonte n’ pazar, as ndër miq

se në dasma hiq se hiq;

as në festa të ndryshme fetare

ditën s’merrte pjesë ai fare,

edhe në katund e n’ kojshi

shumë rrallë dilte ai…

S’brengosej shumë për miqësi,

as për pazar e as për kojshi,

vetëm dasmave iu kish lakmi.

Me ndonjë dasmë me qëllua,

s’kishte dhitë kush me ia lëshua,

besa edhe çdo kujt si besonte,

që dhitë ai t’ia dorëzonte.

Se kishte frikë edhe tutë,

ndonjë dhi mos po ia hupë.

 

Në një ditë të bukur  n’ verë

dhitë i lëshoi si për herë,

as vet se kishte pritur,

që të ishte aq i mërzitur,

pasi  n’ mbrëmje kishte pas dëgjua

për tri dasma që ishin caktua,

në një periudhë kohore,

jo ma të gjatë se një mujore;

njëra dasmë në kojshi,

e dy të tjera në miqësi.

Si shumë atë ditë pat menduar

në njërën dasmë për të shkuar.

Që në njërën dasme me qëllua,

s’kishte dhitë kush me ia lëshua...

 

Shumë variante i mendoi

që në dasma ai të shkojë,

duke menduar, atë ditë iu tek,

pse s’bëje dasmë edhe vet,

ja kështu si kam mundësi,

me edha cjep edhe dhi.

Ndonëse pak si vështirë,

kjo ide iu duk e mirë,

i mendoi edhe shpenzimet

do të i kushtojnë shumë më lirë.

Mirë  shumë pati mendu

se si dasmën me mbaru,

gjatë e mirë imagjinoi,

dasmën me dhi si  t’ a organizoj.

Të dielën ditë e kishte caktua,

që dasmën ai me fillua

dhe po atë ditë me mbaru.

Shumë mirë e kishte kuptuar,

dasmë tjetër mos me qëlluar,

të gjithë t’ ftuarit për me ardhë,

mos  t’ ketë arsye, dikush mu ndalë.

 

Disa ditë pat menduar

role dhive me iu caktuar,

edhe edhave me cjep,

gjithsecilit  ia caktoi rolin e vet.

Dita e diel ishte afruar,

dasmën për  ta e filluar,

çdo gjë e kish përgatitë,

që ta nis dasmën  me dhit,

një lutje e kishte  n’ perëndi

që atë të diele të mos bie shi.

Ashtu rolet si i pat menduar,

nisi dhive me iu komunikuar:

Cjepve t’ mëdhenj e me mjekër

Iu dha rolin e “pleqve  të vjetër”

I këshilloi që mos me lirit,

se ju duhet me i prit “miqtë”,

ndonjë mesele duhet me iu tregua,

por jo edhe shumë me e teprua,

ku është mirë edhe mbarë,

që “miqtë” të kenë ma shumë fjalë,

dhe në vend se me kafe me i gostitë,

kokrra misri  duhet me iu qit.

Cjeptë e vjetër ashtu i urdhëroi,

e me të tjera dhi vazhdoi.

Dhive  t’ vjetra iu priu nafaka,

i caktoi  n’ role si “plaka”,

ato nisi me i porositur,

se disa gjëra duhet ditur,

që mos të jenë të koritur.

Kur të vjen ndonjë “mikesh”

S’duhet ju fort me u qesh;

për gjëra t’ ndryshme duhet pyetur,

që mos të ndihen të mërzitur.

Kështu “plakat” i këshilloi

E me të tjerat deshi të vazhdoi,

por për pak sa nuk harroi,

desh harroi me iu than,

që edhe nuset anash mos me i lan,

pasi janë shumë të “përgazta”,

na përgojojnë në tjera dasma.

 

Edhat e vegjël e të rinj,

i caktoi n’ role si “fëmijë”,

s’duhet shumë ju me u “halit”,

se mandej iu përqeshin “miqtë”,

n’ sofër të fundit ju do të hani,

çka të iu qesin zë mos bëni,

pra, duhet  t’ keni shumë kujdes,

që mos  t’ keni ndonjë ekses,

e kush  s’ rrinë mirë si peshqesh,

mund  t’ shpërblehet me flakaresh,

a të kapet për dy vesh,

se thupra  besojë  nuk ka nevojë

ta përdorim në këtë “farë lojë”;

ju ma të rriturit s’duhet me bë zë

se kush nuse s’ju jep më.

Dhe me edhat e mbaroi,

iu duk mirë se i udhëzoi,

një edh lazdrak bëri meee…

veshin deshi me ia ngre,

këtë, herë i tha po të fali,

se tjetër herë rrihesh si kali;

për këtë gjest në formë tallje,

u ndal edhi e kërkoi falje.

Kishte edhe tjera kategori,

n’ role dasmës pa u përfshi,

akoma se caktoi “bajraktarin”,

dhëndrin, nusen e këngëtarin.

Për bajraktar shumë s’mendoi

cjapin e kumbonës e caktoi,

në brinat e tije e pat sosur,

një shirit  t’ kuq me ia vendosur,

e kumbonen me ia pastrua,

sa ma mirë me ia larua,

që ma larg me u dëgjua,

gjithë andej me dhënë haber

ka dasmë në mrize këtë herë.

 

Derisa , natën kishte pa ëndërr,

se cilin cjap ta bëjë dhëndër,

s’ishte i ri, e as i vjetër,

me brina të mëdhenj në kokë,

e në nofull edhe mjekër.

I tha “dhëndrit” që mos të pështillet,

sa ma mirë ai dihet sillet,

se e gjithë kjo tollovi,

është kah bëhet veç për ty;

kur të vjen nusja mos mu habit

e bombonat vet me i qit,

s’duhet  pra  ti me gabuar,

cjapin “dhëndër” e pat mësuar.

 

E për “nuse” s’e kish vështirë,

që ta caktojë si një ma të mirë,

si një trëndafil të bardhë,

një balushë e kishte  n’ ballë;

e në qafë dy resa i kishte,

ma e mira ndër tjera ishte;

që nusja të duket më e bukur,

n’ kokë i vendosi një kurorë dushku,

e në qafë si zinxhir ari,

ia përgatiti një me fije bari,

në vend të vathëve ia ngjiti,

në vesh nga dy kokrra misri;

e bëri nusen për merak,

i mungonte veç një “duvak”.

Nisi “nusen” me udhëzua,

të tjerët çka flasin mos me u hutua,

në këmbë duhet me qëndrua;

kur të japim sinjal ti me bë,

herë mbas here “temena”,

të lavdërojnë kur të këndojnë,

po mos mendo se e meriton,

e këshilloi me gjithë nder,

si të sillet edhe në qyler…

 

Nga të tjerët kish dëgjua,

se kumbarën duhet me ftua,

me gjithë ndrikull vjen kumbara,

dikush duhet me i dal para,

që mos  t’ humbin me hy n’ ara;

sa ma mirë duhet me i pritur

që mos  t ‘mbetem të koritur.

Ndërsa edhit të dhies plakë,

i dha rolin e “djalit” nën “duvak”,

se ashtu kishte ndëgjue

edhe plakat  duhet nderu.

 

Shumë e kishte një merak

ta ftojë n’ dasmë edhe qenin Shark,

që mos t’i hyjë edhe atij n’ hakë;

si mendoi ashtu  edhe veproi

Sharkun, si mysafir e ftoi,

për ta gostit si është më mirë,

i hodhi eshtra për  t’ lëpirë.

Si problemi u paraqit

këngëtari për muzikë,

jo fortë shumë u mundua,

derisa edhe iu kujtua

ku e murr me vullnet,

fyelli ai të i bie vet,

dhe  herë pas here me vallëzua,

e këngë dasmash me këndua,

gjithë mali e fusha me ushtua,

sa ma larg me u dëgjua;

të gjitha vet i përgatiti

më në fund dasme ai ta nisi.

 

Kështu, pran ujit te mrizi

të dielën dasmën ai e nisi,

që t’i shfrytëzojë në përdorim,

disa mrize  kishte  n’ disponim;

ani se , ditë e bukur ish me diell

dhe asnjë re s’dukej  n’ qiell

u lut edhe një herë n’ perëndi

që atë ditë të mos bjer shi…

Sikur më parë që mendoi,

tani  fillojë të veprojë,

me vullnet e pa përtesë,

për secilin kish kujdesë.

Nisi dhitë t’i ndajë veç e veç,

nën një mriz i vendosi ata si “pleq”

iu tha shumë mos me lirit

sa ma mirë me i prit “miqtë”.

Dhitë “gra” si ma të vjetra

i caktojë në mrize tjera,

atyre shyte e të pa brirë,

ju dha urdhër për t’ shërbyer,

me kujdes  t’ madh e sa ma mirë.

Ndërsa, edhave iu bëri me dorë,

ju “fëmija” luani atje n’ oborr,

derisa këta t’i rregullojë,

juve pak më vonë, por s’ju harrojë.

 

Ndaj edha e ndaj dhi

cjeptë vinin me u për zi,

zhurmë e madhe u bë,

besa edhe shumë tollovi,

me të gjithë e pat “zorë”,

sidomos me edhat e vegjël

që nuk luanin në oborr,

shumë kërcenin e vraponin,

askënd n’ dasmë se nderonin.

Edhe cjapi i caktuar “dhëndër”

kurorën e nuses ia hëngër…

I shkojë dita pa ngrënë pa pijë

duke u munduar ta organizojë

një dasmë me dhi.

Atë ditë dielli shumë rrezonte,

djersa ballit fortë i shkonte,

vapë e madhe si çdo herë

zakonisht që bëhet  n’ verë.

 

Disa herë atë ditë tentoi

dasmën me dhi  ta organizoi;

më në fund u bindë se s’ka mundësi

që të bëjë një dasmë me dhi,

u mërzit shumë e u zemërua

lëshonte fjalë pa i kontrollua,

iu jepte epitetet si është më keq

sa i pat quajtur edhe “dreq”.

U mërzit e u lodhë shumë,

djersa i shkonte sikur lumë,

pran kroit shkojë me u fresku,

për pak çaste me mendu;

duke e fshirë nga balli djersën,

ofshani thelë, e tha: Aiii, bre

S’ bahet dasma me “dreqen”...!!!



(Vota: 2 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora