E diele, 28.04.2024, 12:08 PM (GMT+1)

Kulturë

Rezart Palluqi: Gjyqi moral!

E hene, 03.03.2014, 07:31 PM


Gjyqi moral!

Nga Rezart Palluqi

Më në fund shqiptarët do e duan Shqipërinë më shumë se sa baltën e saj të përgjakur. Më në fund, do të hapen dosjet e diktaturës- pëshpëriti gjyqtari i gëzuar në veshin e sekretares së tij. Kjo e fundit nuk i kapi qartë fjalët e eprorit të saj, sepse atë çast dy policë, me një fytyrë me seriozitet të hekurosur spicë, sollën prej krahu në sallë, një prej dhjetë të akuzuarve, ose gjelave të diktaturës siç u pëlqente t'i thërritinin poetët dhe gazetarët.

Në sallë hynë nxitimthi të afërmit e familjes së të akuzuarit dhe viktimave. Gazetarët lëviznin të nervozuar sa majtas djathtas. Dy gra panë njërin prej gazetarëve vëngër sepse kabllot e kamerës së tij u fërkuan disa herë me flokët ose kokat e tyre.

Sot ishte seanca e peste e gjyqit. Gjyqtari në fundin e seancës së katërt, vendosi që në gjyq të paraqitenin edhe disa prej artistëve të kohës së diktaturës. Edhe pse propozimi i tij shkaktoi zhurmë dhe kundërshtime të forta midis palëve të ndryshme, si gazetarëve, familjeve të viktimave, vrasësve, ose të pandehurve, gjyqtari nguli këmbë që në seancën e ardhshme të thirren patjetër në bankën e të akuzuarve edhe artistët e asaj kohe.

-Ku janë artistët?- pyeti ai policët.

Ata ngritën supet me mosvetëdije.

Gjyqtari në vazhdim i kërkoi llogari sekretares; ajo diç i tha, por ky nuk dëgjoi asgjë sepse disa zëra nga salla pohuan fort: është e panevojshme!

- Atëherë të thërrasim katër milion shqiptarë në bankën e të akuzuarve- shtoi një zë tjetër.

Gjyqtari u trondit për vdekje, sepse kundërshtimet kësaj here erdhën edhe nga palët e familjes së viktimave.

-Nuk keni turp? Edhe ju jeni kundër gjykimit, edhe pse simbolikisht të artistëve të asaj kohe? Edhe ju, fëmijtë e baballarëve të vrarë ose dënuar padrejtësisht mendoni kështu?- akuzoi gjyqtari.

-Shkrimtarët, këngëtarët dhe humoristët e asaj kohe, na mbajtën shpirtin gjallë. Pa ta, do të kishim rënë në depresion vetëvrasës- cicëroi një grua pispilitë, me një zë të hollë, thuaj sikur kishte instaluar në fyt një filtër stërhollues fonetik.

-Po, ata artistët (të thashë unë ty se po t'i gjykosh artistët, ata do t'i zejë paniku, sepse ata i kanë ofruar atyre një siguri, edhe pse artificiale...- e ndërpreu sekretarja duke pëshëritur në veshin e e tij.

Gjyqtari ndaloi për pakëz rrjedhën e fjalëve, pa sekretaren i zemëruar dhe vazhdoi.

-Po ju qënkeni popull i habitshëm. Ata i kënduan me vetëdije, jo pak, por tridhjetë vjet, duarve vrasëse të baballarëve tuaj.Hëngrën, pinë, shëtitën botën anë e mbanë, ndërkohë që ju dhe baballarët tuaj dergjeshit për një copë bukë. Nuk kemi të bëjmë këtu me ca artistë naivë, të rrëmbyeshëm që u mashtruan përkohësisht nga një teori politike, si dikur, në shekullin e kaluar, kur ca poetë përqafuan përkohësisht komunizmin ose fashizmin. Këta tanët i kënduan dhe e ngritën diktatorin në Olimp rreth dyzet vjet.

Sot ata, duhet të paktën t'i kërkojnë një të falur të madhe, popullit të tyre, që e mashtruan atë me vetëdije. Nuk i thanë të vërtetën e madhe... Përndryshe përse u dashkërka të marrë politika lamtumirë prej diktaturës?

-Kështu ishte atëherë!- justifikoi një zë nga mesi i sallës.

-Epo, meqë paska qenë kështu atëherë, përse të mos jetë edhe tani si atëherë? Më kot kërkoni të hapen dosjet dhe dënohen hajdutët e jetëve të baballarëve tuaj- brofi gjyqtari, i cili pa e kuptuar edhe vetë, i shoqëroi fjalët me dy të rëna të forta me çekiç tavolinës.

-E çtë bënin atëherë? Të iknin për dhjam qeni në kasaphanën e diktatorit?- replikoi përsëri një prej bijve të baballarëve të dënuar.

-Të paktën të heshtinin, e ta kërkonin shpëtimin artistik në zemrën e natyrës- siç bëri Poradeci e të tjerë.

-Heshtja është më e rëndë se sa vetë krimi- tha një djalë i ri andej nga fundi.

Gjyqtari mori zemër prej përgjigjes së tij të thellë.

-E thashë të paktën të heshtnin, e jo t'i këndonin rrënjëve të Partisë. Apo të hidhnin në allçi e mermer trupin e diktatorit.

Mesa po kuptoj- vazhdoi gjyqtari, i inkurajuar prej heshtjes së shkurtër që mbizotëroi në sallë- sipas kësaj logjikës tuaj: të iknin për dhjam qeni?- atëherë edhe një ushtar mund të justifikojë dezertimin e tij të turpshëm duke thënë nuk shkoj në luftë se vritem, rrjedhimisht familja e tij të kalohet në thikën e pushtuesit?

- Nuk i lejohet një gjyqtari të merret me politikë. Do t'ju denoncoj për gjykim të njëanshëm- çuçuriti një burrë me buzë të dridhura.

-Mos doni të na thoni zotërote se edhe artistët që kanë bërë emër jasht shtetit dhe që janë krenaria e kombit duhet të ulen në bankën e të akuzuave?-pyeti gjyqtarin njëri prej gazetarëve.

-Po! patjetër që po- u përgjigj gjyqtari pa iu dridhur qerpiku i trashë i zi.

-Në thelb bëhet fjalë për një gjyq moral. Artisti duhet t'i japë popullit të tij shembullin se si mbijetohet me dinjitet në kohë të vështira. Ndërsa artistët tanë bënë paqe me diktatorin në kurriz të lirisë së popullit të tyre- shtoi ai.

Në sallë mbizotëroi gjatë një romuz i paparë. Mbas dhjetë minutash gjyqtari arriti ta risjellë rendin e qetësisë.

-Këtë seancë e deklaroj të mbyllur. Në seancën e pestë pres të paraqiten të gjithë artistët e njohur të asaj kohe. Nëse nuk paraqiten unë refuzoj të merrem me këtë çështje. Nuk mund të dënosh duart e vrasësve dhe nderosh me verbëri foshnjore këngëtarët e duarve vrasëse të diktatorit dhe ndihmësve të tij, siç bëni ju sot.

I akuzuari i radhës, ia krehu miqësisht fytyrën gjyqtarit.Atij iu desh t'i bindet urdhërit të policit dhe ta ndjekë atë drejt portës dalëse të sallës së gjyqit.

Dy ditë para seancës së pestë, gjyqtarit i komunikuan lajmin e shkarkimi të tij nga puna, pa asnjë lloj motivacioni.

Dy ditë mbas seancës së pestë të gjyqit, të cilin e mori përsipër një gjyqtar krejt i ri, dhe i panjohur për të, ai faturoi një taksi, dhe vizitoi varrin e Enver Hoxhës. I ndezi atij një qiri, vendosi mbi pllakën e varrit : një thikë të përlyer me gjak, librat e yjeve të tij letrarë, disqet e këngëtarëve të mbushura me bëmat e tij heroike dhe fotografitë e skulpturave të bëra enkas dikur për diktatorin.

"Më shumë respekt ushqej për ty, o Enver, se sa për ata hipokritë të paparë. Ti, të paktën në profesion kasap ishe, kasap mbete, dhe nuk u turpërove për duart e përgjakura. Edhe vejusha tënde, besnike të qëndroi gjatë gjithë jetës.

Ndërsa ata...artistët që shkëlqyen nën një qiell të prangosur dhe përgjakur, sot nuk shprehin as edhe një lloj pendese, vetëreflektimi. Shumica sillen si viktima të diktaturës ndërsa disa të tjerë disidentë...

Taksisti, po ndiqte me kërshëri prej spiuni, ecurinë e vizitës në varin e diktatorit dhe monologjet e gjyqtarit. U nis kur gjyqtari ia bëri me gisht drejt Tiranës.

Sapo zbriti nga taksia, u përball me një turmë njerëzish që i ulërinin:

-Sa mirë që të pushuan nga puna!!! Gjyqtar i rrjedhur!

Gjyqtari, në një heshtje Sokratiane, ngjiti shkallët e katër kateve që e ndanin nga apartamenti ku banonte. Përpara se të hynte në shtëpi, nxorri kokën si një patë në dritaren e koridorit dhe tha: ju jeni majmunë dhe drejtësia juaj, banane që ju i hani orë e minutë duke kënduar!

©Rezart Palluqi

janar, 2014



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora