E marte, 06.05.2025, 07:38 AM (GMT+1)

Kulturë

Meri Lalaj: Gëzuar ditëlindjen Nazime!

E shtune, 01.03.2014, 09:04 PM


Gëzuar ditëlindjen Nazime!

Nga Meri Lalaj

Kushedi sa djem dhe vajza më 3 mars do të festojnë njëzetvjetorin e lindjes. Njëra ndër ta është edhe Nazime Visha. Këto vajza dhe djem mezi e presin këtë ditë sepse do të mbushin njëzet vjeç dhe njëzet vjeç është një mrekulli e moshës, të duket se krejt bota është e jotja. Këta njëzetvjeçarë ëndërrojnë për dhuratat që do të marrin, për vendin ku do të festojnë, për miqtë që do të ftojnë për të gëzuar së bashku. Tok me ta gëzojnë edhe klubet ku këndohet dhe kërcehet deri në agim. Prindërit lumturohen që biri apo bija e tyre do arrijë këtë moshë kaq të bukur. Mundet që dikush të marrë për dhuratë një udhëtim mbresëlënës në Londër, Paris apo Dubai. Një tjetër do marrë si dhuratë një varëse, byzylyk, unazë të çmuar apo makinë. Dikujt nuk i intereson asnjë dhuratë mjafton që në këtë ditë të jetë pranë të dashurit a të dashurës të zemrës.

Edhe sot e kësaj dite sjell në mendje ditën kur unë mbusha njëzet vjeç: qiellin e kaltër, diellin e ngrohtë, tufën e madhe me gladiola, kukullën e vockël që më vuri tek nënkresa Helena, që ta gjeja në mëngjes (ishim në konvikt). Në atë kohë isha studente e gjuhëve të huaja. Kujtoj ditëlindjen e sime bije kur mbushi njëzet vjeç, ajo ishte studente e letërsisë, ndonëse ai vit shënonte kulmin e varfërisë në vendin tonë, e festoi bukur me shokët dhe shoqet e saj. Ime mbesë, që jeton në Gjermani, me siguri do ta festojë bukur njëzetvjetorin e saj tok me mamin, me babin dhe të dashurin.

Më 3 mars do të ketë ditëlindjen Nazime Visha. Nazimeja ndodhet në Burgun e Grave në Tiranë sepse ka vrarë një burrë që e dhunonte. Ajo këtë 3 mars do të jetë e mbyllur në burg, po kështu në burg ishte edhe vitin e kaluar kur mbushi nëntëmbëdhjetë vjeç, nuk e di nëse do të kujtohet dikush për ta uruar a për t’i dhuruar një tufë lule. Ndoshta gjyshja e saj do t’i gatuajë ndonjë ëmbëlsirë. Unë kam parë në televizor fytyrën e saj të bukur të pafajshme, sytë e saj të pastër dhe për mua ajo është krejtësisht pafaj sepse gjithçka e ka bërë vetëm për vetëmbrojtje. Mirëpo në Shqipëri drejtësia jonë përsa i përket dënimeve e anon më tepër dhe rëndshëm peshoren në anën e femrave kur duhet që t’i dënojë, ne e dimë mirëfilli se kemi një shoqëri maskiliste.

Gëzuar ditëlindjen! Do të vijë një ditë kur ti Nazime do të jesh e lirë si të gjitha vajzat e tjera, do ta fillosh jetën nga e para, përkrah do të kesh një djalë që do të dojë sepse ti je një vajzë e bukur, e vërtetë dhe do vijë një ditë kur do të kesh në krahë një vajzë tënden e do të jesh e lumtur. Duhet të ëndërrosh Nazime sepse jeta është kaq e bukur, e mrekullueshme. Unë të dua ty sepse je vajzë e mirë. Ne femrat duhet ta duam më shumë njëra tjetrën dhe kështu do ta duam edhe më shumë Shqipërinë, Atdheun tonë, që do të bëhet vetëm me dashuri. Të përqafoj Meri Lalaj.



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx