E marte, 06.05.2025, 08:42 AM (GMT+1)

Kulturë

Ullmar Qvick: Diçka gati magjike në jetën time

E premte, 28.02.2014, 08:56 PM


DIÇKA GATI MAGJIKE NË JETËN TIME

NGA ULLMAR QVICK

Kisha kaluar 3 vite në vetmi pas çkurorëzimit. Jeta ime ishte në rregull, as nuk më mungoi shoqëri femërore por asgjë me shpresë për të ardhmen. Fillova të ndiej vetmi... dhe shkrova një letër nënës - për çudi shqip, nëna ime nuk kishte ditur asnjë fjalë të asaj gjuhë, por në parajsë sigurisht kuptojnë çdo gjuhë...

Letër drejtuar nënës sime përtej varrit 1 gusht 1995

(Nëna vdiq më 8 shtator 1986.)

E dashur nënë:

Ndoshta po habitësh kur të shkruaj ty shqip. Mirëpo e di se ku je s'ke kurrfarë problemi të më kuptosh. Kam nevojë të bisedoj me ty, nënë, sepse jam shumë i brengosur.

Për herë të parë ndieva vetmi në vitin 1976. Largimi i Irjës ishte fakt i kryer. Pastaj u larguan fëmijët. Si do të zhvillohej e ardhmja? Kisha shpresa, prapë...

Fati deshi të bashkohem me Helenën. E ndieva si shpëtim. Mirëpo, pas 15 vitesh unë vetë u largova nga banesa e saj. Po, nga banesa e saj, sepse blerja e shtëpisë ishte dëshira e saj e madhe, dhe unë atje kisha ndier vetëm disfatë. Disfatë profesionale, disfatë njerëzore. Mbarimi i disfatës, nënë, a mos është fitore?

Prapë, çmimi i lirisë mund të jetë tmerrsisht i lartë. Sot, i vetmuar, e ndiej këtë më shumë se kurrë.

O nënë, sa më ke përkëdhelur, sa ke derdhur në qenien time atë dashuri që ndoshta kishe dhënë pjesërisht babit, por ai të kishte zhgënjyer. Me egoizmin e tij ai të kishte zhgënjyer shumë. Por me kalimin e kohës ju të dy disi u bashkuat shumë bukur, përsëri, u bë pajtim, harmoni në vitet e pleqërisë.

Nënë, sot jam shumë i trishtuar. Nënë, nga parajsa ku je, sillmë një vajzë të bukur dhe të dashur, një vajzë që më bën çdo të mirë. Një vajzë për miqësi, për bashkëjetesë, për përjetime të përbashkëta. Një vajzë me epshe të pashtërshme, që më rrethon me dashuri gjithmonë. Një vajzë që më nxit të bëj të mirën, duke ndarë me të punët e përditshme me gëzim.

Nënë e dashur, vetëm ti mund të besh këtë. Vetëm ti më kupton. Sidomos më kupton kur të shkruaj shqip. O nënë, të përqafoj me mall, të puth dhe të përkëdhel mollet e faqeve, të kuqe dhe të freskëta si në kohën e fëmijërisë sime.

Nënë, sot je shumë afër - ndjeje dorën time të ngrohtë.

I biri yt Ullmar

- - - - - - - - - -

Kaluan dy muaj. Pastaj u takova me Samkën dhe ajo më vizitoi në banesën time. Me ndrojtje i lexova letrën time drejtuar nënës. Ajo u bë e emocionuar, dhe pashë në buzëqeshjen e saj të ëmbël se këtë fshehtësi nuk i kisha treguar kot. Pas pak u bëmë çift. U realizua kënga që këndoi ajo për mua: "Ndoshta në vjeshtën e shëmtuar." Dhe tani kemi kaluar gati 18 vite në martesë.

Miq të dashur, mësimi im është: Mos prito të shkruash letër nënës, edhe përtej varrit. Ajo me urtësinë e saj mund të të rregullojë punët.....



(Vota: 13 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx