E diele, 28.04.2024, 11:49 PM (GMT+1)

Kulturë

Ramiz Lushaj: Harku i triumfit i poetit Gjon Neçaj

E marte, 25.02.2014, 08:24 PM


HARKU I TRIUMFIT I POETIT GJON NEÇAJ

Nga Ramiz LUSHAJ

1.

E njoh një shenjt të gjallë. Gjon Neçaj i thonë. Njeri i letrave shqipe: poet, prozator, publicist, studiues. Autor i mbi dhjetë librave e qindra shkrimeve. Fitues i disa çmimeve lokale e kombëtare. Nënkryetar i Forumit Shqiptar të Kulturës, Edukimit e Shkencës. Dy vëllimet e fundit poetike të tij janë botime në disa gjuhë të huaja: “Haiku i bjeshkëve” në shqip-anglisht (Elbasan, 2009), “Sinus” në shqip-anglisht-italisht-greqisht  (Tiranë, 2011). Disa poezi të tij kanë zanë vend në antologji poetike në Shqipëri, Kosovë, etj. Në mbi katër dekada krijimtari ka emrin e tij, profilin e tij, veprat e tij, udhën e lartësitë e tij letrare.

Në hapa e vargje ndihet “i qasur kah mjeshtrat e mëdhenj të lirikës poetike”, pas lisave poetik bregdrinas e kombëtar: Martin Camaj që e ka njoft nga larg dhe Ndoc (Anton) Papleka, që e pati gjithmonë afër, kryehere, përkrah, i të njëjtit fis, në të njëjten  udhë.

Në koft se fjalaflet me poetin Gjon Neçaj ka me i hap dritaret e shpirtit e i pëllumb përmallshëm e lartnueshëm dy miqtë e tij të sofrës së bukës e të poezisë, Ali Podrimja e Din Mehmeti, dy bregdrinas të Gjakovës, dy lisa poetik kombëtar.

Gjon Neçaj ndan mirënjohje me zemër e letër për miqtë e tij, si për poetin elbasanas, Milianov Kallupi: “mjeshtër i haikut shqiptar” i cili e nxiti në “lëvrimin e kësaj gjinie magjike” (vëllimi poetik “Ju që më shihni çdo ditë”, Tiranë, 2007, fq. 59).

Diku, para një viti, poeti e studiuesi Haki Zllami tue hulumtue e hulmue vlera të haikut tropojan Gjon Neçaj e ka cilësue si “Haiku i Alpeve”.

2.

Poetin Gjon Neçaj duhet me e thirr me emën e mbiemër plotor, pasi vllaznia e tij ka edhe poetin Pal Neçaj, prej vitesh shtetas shqiptaro-amerikan, autor i disa vëllimeve poetike dinjitare. Djali i tij, Sokol P. Neçaj, ishte një prej diplomatëve të parë shqiptar postkomunist në Uashington. Qytetarin e pushtetarin Pal Neçaj e ka njoft për mirë Malësia e Gjakovës, Dukagjini me rrethina, Puka e Përtejdrinit. Duket se pushtetari Pal Neçaj e ka ruejt shpirtin e bardhë për me ujvarue  në moshën e tretë poezi me dritë.

Gjon Neçaj shkon në tre breza me Pal Kokrrin, “axhën” e tij, që kishte humor plot filozofi e urti deri në “institucion” e shpesh i lëshonte si “kokrra rrufeje” në kohë e mjedise të jehonshme, aqsa e ka shtyrë edhe shkrimtarin Pjetër Meta me i tufalakue ato në monografinë 390 faqëshe “Ka thënë Pal Kokrri (Neçaj)!...” (Tiranë, 2011). Kjo monografi më ka lanë pa fjalë, se shfletimi i faqeve të saj më përngjan sikur hedh hapa në auditor dijeje, sikur  marr leksione universitare.

  vitet ’70 e kam pasë mësues kujdestar në tetëvjeçare Pjetër Neçajn, mësuesin e matematikës që na mësonte aritmetikën e jetës, na e bante me u rrit me shkollën, na e brumoi nderimin për mbiemrin Neçaj.

Perajt e kanë një tjetër poet si të ardhun prej Perëndie: Jak Perpalin, të cilit vargjet e vëllimet poetike ia kanë thur emrin mbi heshtjen e thjeshtësinë e tij, mbi moshën e epokën e tij, me jehonë magjike e magnetike drejt të nesërmes. Ai nuk ka vargje çimçakiz, po hoje mjaltimi poetik me realitete përjetuese, ndëshkuese, triumfuese. Jak Përpali e Gjon Neçaj janë miq ndërveti, të cilët i lidh edhe vendlindja e poezia, sikurse edhe me poetin tjetër, Gjin Gjonpali i Perajve, autor i disa librave të jehonshëm e dhjetra poezive të mirëpritura në shtypin elektronik e me letër.

Një triptik për vendlindjen ka Pjetër Meta i vllaznisë Përpali të Perajve: romanin historik “Fundi i Kalvarit” (2010) i nisur në rininë e moshës e i botuem në rininë e tij letrare; monografinë “Ka thënë Pal Kokrri (Neçaj)!...” (2011) e monografinë “Gruaja që sfidoi fatin”, një trajtesë teme që do ta nderonte edhe penën e Kadaresë dhe ekranin botëror të Hollivudit në Amerikë.  Në maje të penës i ka disa vepra, që me sa duket po krijon një korpus letrar, si emblemë, si gjerdan me dekorata të përjetshme.

Nga Perajt alpin me 730 metra lartësi mbidetare, ma i ulët se qyteti i Korçës, vjen politikani Lush Perpali, studenti me medalje të artë, profesor doktor me disa libra për ekonominë, ia ka mbrri të ngjitet në pushtetin legjislativ deri nënkryetar i Parlamentit të Shqipërisë e në pushtetin ekzekutiv deri në ministër i Pushtetit Lokal.

Nga Perajt perlë natyrore, nuk janë botue vetëm libra të bukur, po ka dalë edhe “Mis Shqipëria – 2000”, Elisabeta Gjonpali, e cila mori pjesë edhe tek “Mis Europa”.

Jeta ka shenjat e veta. Pal Kokërr Neçaj ishte mësues letërsie në shkollën 7 vjeçare në Gjonpepaj të fisit Nikaj kur nipi i tij, Gjon Neçaj, publikoi me bukurshkrim tek “Letrari i ri” ma të paren poezi e, asokohe, i patë thanë fjalën e së mbares: “Ti do të bëhesh poet, shkrimtar”. Ajo poezi mbante titullin e thjesht “Fshati im” e kishte një madhështi të papërseritshme, një fuqi magjike, titanike, një lartësi alpine, pasi i kushtoj Perajve, tokës ku Gjon Neçaj pa diellin qiellor e i lëshoi rrezatimet e tij poetike, letrare, veprimtare.

Në poezinë “Erdha” flet për ëndrren e kahershme për me trokit, për me u ulë këmbëkryq në Lidhjen e Shkrimtarëve, pasi kishte pengesa e vështirësi në udhën e fjalës poetike e letrare, ndaj i ka parasysh porositë profetike të babës të tij: Kujdes biro, rruga është e gjatë / lakadredha, e shtrembër / në këtë botë.../ Monopateve kur ngjitesh / rrugëve rrenacake / ulu pusho pak.../ Në poezinë “Sytë” jep mesazhe për  veprimtarim, sinqeritet, objektivitet, periodicitet: Për të parë jetën / duhen hapur sytë / Për të dashuruar / duhen puthur sytë / Kur të vdesim / mbyllim sytë /.

3.

Poeti, prozatori e publicisti Gjon Neçaj i përket fisit Nikaj (degëzim i Krasniqes), një fis me emra të mëdhenj në letërsinë e gazetarinë kombëtare shqipe si Dom Ndoc Nikaj (1864-1945), Padër Pjetër Mëshkalla (1901-1988), Ndoc (Anton) Papleka,  e të tjerë.

Shpesh më kanë fjalathanë për Dom Ndoc Nikaj: “mos i jep hapët”, “mos e fut në Enciklopedinë e Tropojës se nuk është nga Nikajt”, “jo gjithmonë mbiemni përcakton origjinën”, etj. Sot, n’mujsha, po e mbylli kit’ debat të hapur. Historiani, koleksionisti, veprimtari i njohur, miku im, Shpëtim Sala, e përktheu nga gjermanishtja një libërth të albanologut të shquar, akademikut austriak, Maksimilian Lamberc me titull: “Raport mbi studimet e mia linguistike në Shqipëri nga mesi i majit deri në fund të gushtit 1916”, që u shtyp në Shkodër më 2011 nga “Botime Françeskane”, ent prestigjioz i veprave të Fishtës e “Hyllit të Dritës”, të cilët më nderuan me besimin që të jem redaktor i këtij botimi me interes shkencor. Në faqen 29 të tij Lamberci i madh shprehet tekstualisht: “Dom Ndoc Nikaj thotë se të parët e tij kanë dalë nga fisi i Nikajve të Malësisë”. Albanologu austriak, Lamberc, që mbështeti idetë e projektet e “Komisies Letrare” për dialektin e Elbasanit për “me u bam gjuhë zyrtare dhe gjuhë arsimore”, i njihte mirë fiset Nikaj e Krasniqe, Mërtur, etj., pasi ishte kah vera 1916 edhe në Malësinë e Gjakovës, aty ku dy bigohen  Valbona me Drinin dhe me Bushtricën.

Një emën tjetër i madh i Nikajve është edhe Pjetër Mëshkalla që i kreu studimet e larta për teologji-filozofi në Vjenë e shërbeu fillimisht në Poloni, Itali, etj. e mbasandejna edhe në Shkodër e Tiranë, i cili u dënue me 25 vjet burg nga E.Hoxha e M.Shehu në burgun famëkeq të Burrelit. Padër Mëshkalla ka botue e dorëshkrimue dhjetra poezi e artikuj, iu dha nga Presidenti i Republikës titulli “Martir i Demokracisë”, monumenti i tij hijeshon e lavdimon para Katedrales së Shkodrës, etj.

Nga fisi i Nikajt, përveç personaliteteve të fshatit Peraj, ka me dhjetra emra të njohur në letërsinë, gazetarinë e shkencën shqiptare si prof. asoc. dr. Murat Gecaj–historian-shkrimtar, gazetar; dr. Afrim Krasniqi–pedagog, analist, poet, publicist;  prof. asoc. dr. Lush Susaj–pedagog, poet, publicist, studiues; poetët Nikoll Ulndreaj, Ndue Vatnikaj, Ndoc Qokaj ; prof. asoc. dr. Gjin J. Ndrepepaj–mjek kardiolog e dr. Fili Meshi–mjek zooveterinar; studiuesit Mark Palnikaj, Frrok Vukaj, Ylli Prebibaj; publicistët Agron Prebibaj, Mejdan Zhivani, Blerta Mrishaj, Besnik Palnikaj e të tjerë.

Një nga emrat e njohur të fisit Nikaj, poeti i letrave shqipe Gjon Neçaj, në vëllimet e tij poetike ujëvaron dimensionet e tij njerëzore me poezi kushtimore për  njerëzit e letrave shqipe: Ibrahim Rugovën e Kosovës, Din Mehmetin e Ali Podrimjen e Gjakovës, Bilal Xhaferin e Çamërisë, Dhimitër Shuteriqin e Milianov Kallupin e Elbasanit, Sotir Andonin në Amerikë, për Martin Camaj e Anton Paplekën, e të tjerë.  Në poezinë “Përkthyesi” për ikjen e Robert Shvarc elegjon:

Prilli lule çeli,

Zogjtë ndërprenë këngën,

Ah, iku Roberti,

E mira e marrtë!

Luhatet Harku i Triumfit,

i shkrimtarit Remark.

4.

Koha, poetin, prozatorin e publicistin Gjon Neçaj në 63 vite jetë në udhë e gjurmë të hapave të tij, në dritën e zemrës, në të qeshuren e syve, në shpirtin e fjalës poetike, e njohu qëndrestar të themeltë. Si shtiza e flamurit të bajrakut të tij të Nikajve të pushkës e të penës. Si palca e gurit të kullës trekatëshe në trollin e tij.

Gjon Neçaj, në ma të parin vëllim poetik të tij “Mrizi i Zanave”(1994) një poezi me pak vargje e shumë domethanie, ia kulmon vendlindjes së tij, amfiteatrit natyror, historik e kulturor Nikaj-Mërturit:

Në lartësinë e bjeshkëve të tua,

Kam matë dashurinë për Ty...

Tek unë nuk ke fund as skaj,

Zemra ime këngë,

Shpirti im mall.

Në këtë “Hark Triumfi” midis dy qafave të Kolçit e të Morinës, midis tre lumenjve të historisë e bukurisë  Drinit, Valbonës e Nikajt, qëndron forca e madhështia e Gjon Neçajt, jeton shenjtëria e tij poetike, njerëzore, burrërore..

Poeti Gjon Neçaj nga ky Hark Triumfi i vendlindjes dritëron me vargjet e tij në horizonte të kohës, lartësi të qiellit, vargni të brezave: “Njerëz të mirë të dheut tim”, “Shumë ëndrra do të kryej nesër”, “Pres Diellin të lind në agim...”



(Vota: 5 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora