E hene, 29.04.2024, 02:54 AM (GMT+1)

Kulturë

Ilir Muharremi: Artistët dhe debati

E hene, 24.02.2014, 08:43 PM


Artistët dhe debati

Nga Dr. Ilir Muharremi

Njerëzit kanë debatuar për artin për shekuj të tërë, gjithnjë për atë se çfarë është arti dhe pse radhitet si i madhërishëm? Artin duhet kuptuar si diçka të madhërishme, ekstazë, dehje, instinkt, luftë drejt të përsosurës, efekt tonik që shton forcën dhe ndez kënaqësinë apo ndjenjën e forcës.   Por, a duhet të kemi frikë dhe të pohojmë se a është i vërtetë arti ngaqë e vërteta është absolutisht e vërtetë në vetvete dhe e vërteta ka të bëjë me identiken e vetvetes, dhe çfarëdo qenie koftë ajo që e percepton, fitorja e kësaj trumbeton dhe aspak nuk mund të mohohet. E vërteta paçka një rregull absolut, por edhe arti që buron nga e vërteta në esencën e saj, por kur arrin të lirohet e humb atë gjenezën e vërtetë në vete, dhe na del si art me ndryshime. Çdo art i pjekur ka si bazë një sasi rregullash, dhe në këtë kuptim ai mishërohet si një gjuhë. Arti është më shumë se fjalë, ngjyrë, muzikë, vallëzim, akrobacion.... Është ajo e vërteta në vetvete, që sapo shkëputet bëhet art.  Por, arti kufizohet nga ligji i tërheqjes, nuk mund të ikë nga kjo. Hurseli e shpjegon kështu: “Nëse të gjithë trupat që i nënshtrohen ligjit të tërheqjes zhduken, ligji i tërheqjes nuk do të prishej, por vetëm do të mbetej pa zbatim të mundshëm”, kjo është metafizikë e ngushëllimit të artit  si trup sepse pa trup nuk mund të ekzistojë.  Përveç të vërtetës kufizohet edhe nga tërheqja e mundshme. Atëherë, këto rregulla gjithnjë do debatohen për artin dhe arti nuk mund të jetë vetëm një shije e sëmurë, sepse të gjitha gjendjet  janë thellësisht të afërta dhe të lidhura me dukuri mundjeprurëse. Artisti në një fare forme është person i dytë, kjo e dyta është më e zbehtë se e vërteta e parë.

Artistë dhe ekspertë, shpesh me ide fare të ndryshme nga njëri-tjetri, janë grindur keq mes tyre. Piktori francez, Manet, pat debatuar shumë ashpër me një kritik, saqë e ftoi në duel. Ekzistojnë shumë pyetje polemizuese, por përgjigjet nuk janë kurrë të drejta apo të gabuara. Njerëzit formohen me shije të ndryshme dhe pikërisht këtu secili vendos mendimin, disa edhe vulosin për atë që shohin, duke mos njohur relativen në art. Ka nga ata që mendojnë se arti duhet të jetë i bukur apo realist; të tjerë mendojnë se e rëndësishme është të kapen gjendjet dhe ndjesitë e caktuara, disa besojnë se arti ka zanafillën tek idetë. Të tjerët klithin mbi shijen. Njerëzit pikturonin pamjet jetësore të kohës së tyre, derisa të tjerët krijonin zbulimin e efekteve të dritës mbi objekte. P.sh piktori Edgar Degas në pikturën “Krehja e flokëve” (1896), ka përdorur ngjyra të ngrohta e të kuqërreme, për ta bërë këtë skenë të ndjehet e ngrohtë dhe intime. Ai që nuk pëlqen ngrohtësinë dhe intimitetin, mesiguri se do kërkojë diç tjetër dhe do debatoj për mangësitë e veprës. Ndjesia është intime, egoiste dhe ndodhet thellë tek krijuesi. Krijuesi duhet ta pranoj debatin, por mos të pajtohet me të nëse nuk është nevojshme. Piktori Ingres nxjerrë në debat veprën: “Madamë Moitessier” (1856). Megjithëse shumë realiste, Ingres bënë lojë me cepin e pasqyrës, ku reflektohet profili i Madamë Moitessier-së. Dimensioni i tretë, perspektiva, përmes anës vizuale depërton në pikturë. Por, nuk do të thotë se duhet pëlqyer realizmin, dikush gjen shijen, por nuk e vlerëson si vlerë. Atëherë debati i nënshtrohet shijes e jo korrektësisë, sepse korrektësia distancohet nga shija dhe shija është unike, peshon në origjinalitetin e krijuesit apo vështruesit. “Detaje nga banjo dielli në Ansieres” nga Goerges Seurat. Kjo pikturë ka shkaktuar reagime të forta për mënyrën si paraqiten, në të, njerëzit e zakonshëm. Në vështrim të parë, piktura të jep përshtypjen e një pamje të paqtë, me njerëz që pushojnë buzë lumit Ansier, në rrethinat e Parisit. Shumë njerëz u tronditën nga madhësia e veprës. Në atë kohë, telajot e mëdha zakonisht përdoreshin për tema të rëndësishme historike. Nuk kish ndodhur që një artist të kish krijuar një pikturë kaq të madhe, për punëtorë të zakonshëm. Ai pikturoi këta punëtorë me përmasa të mëdha. I jepte rëndësi të veçantë punëtorëve me tentim të dukeshin të nderuar sa njerëzit e paraqitur në pikturat madhështore historike. Ky qe një akt radikal, por edhe më radikal ishte debati ndaj veprës. Kjo është edhe qëllimi i artistit: të ngacmoj opinionin duke tentuar virtualisht të ndryshoj diçka në kohë apo të krijon stil të ri të artit.

Arti nuk mund të tejkalohet pa debat, debate të mirëfillta nëpër Galeritë tona mungojnë. Ekspozitat hapen dhe lavdërohen punimet, krijuesi ndjehet i privilegjuar dhe i madh natën e hapjes. Por, kjo është në dëm të opinionit dhe artistit, sepse e vërteta që u tha në fillim nuk del asnjëherë në pah. Debatet nuk janë në qejf të artistëve dhe as atyre që ofrojnë hapësirën për ekspozim. Ekspozitat janë memece , impotente, të debatuara në heshtje dhe kjo heshtje rrënon artin, edhe pse shpesh arti modern është tiranë.  Është një logjikë e përvijëzimit trashanik me forcë. P.sh motivi thjeshtëzohet derisa shndërrohet në formulë, por formula tiranizohet. Brenda kompozicionit dhe vijave ndodh një shumëfishim i egër, një masë mbizotëruese, karshi së cilës shqisat turbullohen, brutaliteti kafshon ngjyrën, pastaj lëndën dhe dëshirat.

Sot, më shumë se kurdoherë, theksi i vihet prodhimit të një arti origjinal. Artistët gjithmonë e më shumë po i zgjerojnë kufijtë, edhe pse të shtypur brenda një klani dhe revolte, ata disi përpiqen të triumfojnë. Duhet të debatohet për të , për çmimet e larta. Ndër objektet e ekspozuara nga artistët, mund të jetë edhe një rrotë biçiklete mbi një stol, piktura e një lule me nënshkrim, një pirg tullash, telajo e bardh, pirg gjërash të mbetura pas feste, shtrat i pandrequr. Shtrohet pyetja? A duhet të duken art këto? Këto nuk krijohen nga artistët, janë objekte të gjetura prej tij. Nuk e kanë vendin në Galeri dhe as që përpiqen ta kenë. A duhet t’i quajmë art? Ato zgjojnë reagime të ndryshme, të fuqishme që merr një kahe tjetër dhe këtu qëndron arsyeja e kësaj gjetje, si arrogancë më ndryshe, pa ndjenja, rastësore, por gjithmonë e krijuar nga natyra, kafsha, dhe njeriu. Arti është i pamenduar, buçet nga një ndjenjë force që nuk e percepton mendimi, pastaj bëhet trup dhe objektivizohet, por në esencë nuk qe ajo e vërtetë që peshon në brendësi. “Ne asnjëherë nuk komunikojmë mendime, komunikojmë lëvizje, shenja mimike, të cilat i lexojmë dhe i kthejmë në mendime.” Shënon filozofi Nietzsche.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora