E enjte, 01.05.2025, 10:36 AM (GMT+1)

Kulturë

Namik Selmani: Poezia e Drita Nikoliqi Binaj

E diele, 23.02.2014, 06:10 PM


Kodet e njohura dhe të panjohura të poezisë së Drita Nikoliqit Binaj

(Në rolin  e kritikut unë do ta vija librin e Dritës në rradhën e parë të librave që janë shkruar në diasporë në vitin 2013.)

Nga Namik Selmani

Librat me poezi në këtë garë librore që bëhet të paktën në trojet tona amtare kanë  dy rrugë për t’i prekur , për t’i lexuar Ose t\i mbash në duar dhe t’ i fshehësh nga përditshëmria jote ose  ta mbash në duar, në xhep, nën jatstëk, apo edhte të mësosh disa vargje përmendësh dhe të  mos ta lësh diku në sirtarin e librave si një libër të rëndomtë. Libri më i ri i Dritës që në ballinë të vë në udhëkryqin e gjetjes së kodeve librorë. Gjëja e parë që më lindi në mend kur nisa të shkruaj për këtë libër ishte saktësisht KODI. Kodi dhe të fshehtat e të njohurat e tij. Kur e mora librin ishte një mbrëmje tiranase vjeshte. Kur nisa ta lexoj më duket se e përjetova në shumë vargje ujëvara drite të saj ashtu si ndjeva pranverën gjakovare.  E doja ta përpija e ta rilexoja disa herë.

KODI I DRITËS. Drita e poezisë së këtij libri konkurron me vetë sozinë e emrit që ka vetë autorja. Si duket ajo vihet në një garë që nuk ka e nuk do të ketë asnjëherë të fituar e të humbur. Në një nga poezitë e saj shkruan: “Dritë e Pangopur është në fund të shpirtit tim dhe do të flas. Unë jam Dritë edhe sikur të isha natë, po kjo është vetmia ime që jam e rrethuar me dritë”” Në libër del jeta me dritëhijet e vargu dritëror i poetes kërkon të heqë qoftë edhe atë terr që e mbulon shesh zemrën njerëzore qoftë edhe të asaj, Në poezinë “Kapërceva veten” ajo tregon edhe një herë atë luftë që kishte bërë dikur me terrin për të mundur dritën “Motit pata ra njëherë, e ngopur prej dritës E lodhur prej ditës nga iluzioni i së vërtetës.”

KODI I FEMINITETIT. Që në vargjet e parë e deri në vargun e fundit në këtë libër duket drita femërore, dialogu i saj me jetën. Është një dritë që na rrëzëllin bukurisht në çdo ditë të jetës, por që në poezi është më ndryshe, më e ëmbël, më jetëdhënëse. Është një fakt i bukur që besoj se kritika letrare në Kosovë e në Tiranë sikur nuk po e sheh me të gjithë forcën e vërtetësinë e saj. në vetrinat e librave shqiptare ka me dhjetra botime të femrave. Që nga studentet e reja që sapo botojnë librat e tyre të parë deri te ato që kanë përvojë më të madhe botimesh. Shikoni promovimet që bëhen në këto vitet e fundt në trojet amtare në Tiranë, në Prishtinë, në Gjilan, në Vushtri, në Gjilan, Mitrovicë e gjetkë. Duke përshëndetur shumë përzemërsisht zonjën fisnike që sot ka statusin e një evropianeje do të kujtojmë edhe atë kontribut të jashtëzakonshëm që sot vajzat shqiptare kanë në fushën e gazetarisë së terrenit apo edhe të ekranit. Gjë që edhe Drita e ka bërë shumë herë në vite. E të kesh sot këtë status duhet jo vetëm guxim, po edhe mençuri. Ky përfundim më erdhi fill pasi lexova dhe rilexova atë pyetje paksa tunduese të Dritës: ”Si ta pagëzoj heshtjen?”

KODI I ENIGMËS. Enigma përherë ka qenë Porta ku ka dashur të futet njeriu i mençur. Dhe Çelësi për të hyrë te kjo portë është pyetje. Pyetje si figurë retorike është një nga figurat letrare më të përhapura letërsinë botërore. Edhe Drita e ka përdorur shumë bukur në formën e një dialogu: “Ku je? A do ta gjej? Si t’ia bëj? Si ta emërtoj çiltërisnë? Ç’të them sonte? Cilën fjalë njoha? Deri kur rri pritje?| Janë pyetje që në pamje të parë të futin te përditshmëria po që brenda qelizave të vargjeve që vijnë pas tyre është një botë e madhe aspak naïve, po e gjitha e pjekur . Janë vënë këto pyetje sa për të intriguar lexuesin për të lexuar poezitë e saj. Në poezinë “Deri kur rri në pritje?” ndër të tjera ajo shkruan vargjet: “ Nuk vdes pa këngën tënde. Jam rrënjë e shqipeve bashkë jemi roje?” Brenda kësaj “gracke” të bukur ku ajo kërkon që të vërë lexuesit e të gjithë trojeve. Kërkon që në mënyrë të natyrshme dhe shumë spontanisht të bëhet FLUGER i rrugëve të kohës që jeton sot dhe i asaj rruge që do të prekin në frymën e tyre të tjerë pasardhës që do të jetojnë në këto troje të përgjakura dhe kaq ëndërrorë. E në këtë lëçitje për të kuptuar këtë Kod do të donim që të shihnim në fund të çdo poezie një datim, një vend, një kohë shkrimi. Po ajo e thyen me plot guxim këtë skemë ku bien edhe poetë më me përvojë në Shqipëri e në botë.

KODI I QYTETARISË Nuk është vetëm vendlindja e saj toponimia gjakovare që i jep kaq shumë qytetari poezisë së Drita Nikoliqit Binajt. Ai zhbiron që të jetë sa më social në hapësirën e tij. Një qytet që del me të gjithë dritëhijet sociale të tij. Me ëndrrën e zhgënjimin. Nëse do ta vazhdoja pak me fjalët e mia mesazhin poetik të librit të kësaj zonje fisnike do të thoja figurativisht sot do të thoja gati i drithëruar. Diku na zgjohet në shumë vargje Shkodra trëndafilore, Shkodra e kalldrëmeve, e barsoletave ose e hajgares, si i thonë në Kosovë. Aty ajo ka patur gjyshen nga nëna. Edhe në një poezi me titull “Shkodrës“ Në të na e jep këtë gëzim dhe këtë lidhja kaq të natyrshme e të fortë me vendlindjen. Kjo vjen natyrshëm e pastaj edhe te ajo frymë kombëtare. Është një betim që ajo e ka shkruar së pari me jetën e aktivitetin e saj në këtë libër ajo e bën këtë betim në poezinë “ Edhe unë jam Shqipëri!. “Nuk do të isha e marrë, nëse do të vdisja për secilin yll, Preshevë e Malësi, Tetovë e Çamëri”

KODI I KODEVE. Tani dua ta lexoj pak me frymën e shpirtit tim. Njoh Gjakovën njoh shumë shpate, livadhe të Kosovës që i kam prekur në të gjithë stinët e vitit. Tani po njoh edhe poezinë e saj sa delikate aq mëmësore, aq dashurore. E këtë emocion të takimit me poezitë e këtij libri që vjen si dallandyshe në këto ditë të ftohta dimri doja të thoja me plot gojë Një ditë do ta vesh këmishën e vargjeve të Dritës. Do t’ia jap maleve, lëndinave, shkollave e shpirtit të kombit tim. Do të kaltëroj sytë e stërnipërve dhe Drinat e moçëm. Do të bëhem në çast Erenik i bukur. Drini u bëftë dorëzanë në betimin e pahumbur mes Motit e shpateve të bjeshkëve të ma palcojnë në ashtin e gjoksit një shpirt të ri. Fjala jote poete më qënka një brumë i porsaardhur në magjet e Gjakovës e të Novi Sadit. Është shtatlistë e më përcjell kudo. Do ta dërgoj në Kalamanë e Çamërisë që edhe ajo është në grackën e heshtjes së rëndë. Një heshtje që duhet të gjitha ta njohim e ta nxjerrim në dritë. E nderuara poete! Në këtë libër me dritën e shpirtit tënd po më trazohen në të njëjtën kohë krojet, ninullat, bedanat, ehot e druvarëve. Po më rizgjohen brenda shpirtit tim orteqet e borëruar, lulnaja e mjaltosur e bjeshkës. E në gjoksin tim bëjnë fole pëllumbat, shqipet.

Në rolin e kritikut unë do ta vija librin e Drita Nikoliqi Binaj  në rradhën e parë të librave që janë shkruar në diasporë në vitin 2013. Të lumtë! Mirë u takofshim në libra të tjerë! (Tiranë, shkurt 2014)

BOX

E dashur dhe e çmuar Drita! Të nderuar pjesëmarrës! Dua t’ju përgëzoj për daljen në dritë të vargjeve të Dritës. Këto janë rrezet e para të Diellit poetik që kjo damë e vërtetë (siç e quan mikja ime, Shefqetja), kjo Ikonë shqiptare me virtyte të larta njerëzore dhe kombëtare” i ka ofruar publikut tonë. ”Të dashuroj në agun e parë të mëngjesit”, thotë kjo poeteshë që duket e heshtur. Por, a thua kjo është heshtje? Jo, jo motër e dashur! Ky është shpërthim, është lulëzim. Është ballafaqim me jetën. Është thjesht dashuri për të vërtetën, për jetën e lumtur të cilën ti e meriton aq shumë! Le të jenë këto rreze tua poetike të ngrohta, frymëzim i gjeneratave që vijnë!  Le të na ngrohin shpirtin edhe neve, kur kemi të ftohtë! Le të shkruajë pena jote në vazhdimësi! Të uroj diell në jetën tënde dhe qofsh e bekuar! Po e mbaroj këtë urim me vargjet tua plot dritë: “Tani e zbrazët jam pa tynë/ pa kthim e pa ngushëllim/ më ike larg o SHPIRTI im/ o gjaku i gjakut tim.” (Besnik Camaj, Përfaqësues  i Shoqatës së  Krijuesve Shqiptarë në  Zvicër, 5 janar 2014)



(Vota: 9 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx