E enjte, 01.05.2025, 03:47 PM (GMT+1)

Kulturë

Murat Gecaj: Krijimtaria e poetes Ganimete Thaçi

E shtune, 22.02.2014, 03:31 PM


GANIMETE THAÇI: SI I GJETI VARGJET E POEZIVE TË SAJ

Nga Prof. Murat Gecaj, publicist e studiues-Tiranë

G.Thaçi e M.Gecaj (Tiranë, 28 janar 2014)

1.

Nuk e di se si mendojnë të tjerët, por unë shprehem këtu që mirënjohja e respekti më i madh i një krijuesi, në poezi ose prozë a degë tjera të artit, për të dëshmuar prejardhjen e nderimin për vendlindjen, është atëherë, kur ai ose ajo përdorin si emërtim letrar, pikërisht atë gjë, që përmenda më sipër. Kësaj here nuk do të flas për krijues të tjerë, por vetëm për një vajzë, e cila e zgjodhi emrin e saj letrar, kaq të bukur e domethënës, “Çika Hasjane”.

Për ndonjë, që nuk e di se ku ndodhet kjo krahinë e Shqipërisë, po tregoj se gjeografikisht është një rreth i vogël malor, të cilin sikur e mbajnë ngushtësisht në gjirin e tyre, Malësia e Gjakovës (Tropoja) dhe rrethi i njohur i Kukësit. Në jetëshkrimin e tij historik, ai ka dëshmi e fakte të shumta për traditat e pandërprera atdhetare e luftarake, liridashëse  e arsimdashëse etj. Ndër to, tani po rikujtoj se, në qendrën e krahinës së Hasit, në vitet ‘3-të të shekullit të kaluar u çel e funksionoi për disa vite shkolla-konvikt e Krumës. Në bankat e saj morën dituri dhe kalitën ndjenjat e tyre më të mira të shqiptarizmit, sa e sa djem e vajza nga Veriu i Atdheut tonë, por dhe nga Kosova. Emrat e tyre. Tashmë, janë të rreshtuar në gjerdanin e artë të traditave liridashëse e përparimtare mbarëkombëtare.

2.

Por, në këto radhë, ku më bëri të shprehem pikërisht Ganimete Thaçi, nuk do të zgjatem më tej për Hasin e bukur, me natyrën dhe njerëzit e mirë të tij. Se cilido mund të shfletojë dhe lexojë shkrime e libra të botuar ose të hapë faqe të ndryshme Interneti. Pra, nxitësi i vërtetë u bënë, në këtë rast, vargjet poetike të “Çikës Hasjane”. Ja, tani kam ndër duar vëllimin e saj të parë, me titullin domethënës, “Kërkoj vargun tim” (Tiranë, 2013), me redaktor Lulzim Hajdarin. Nuk ka ai, fjalë hyrëse as përmbyllëse, siç praktikohet zakonisht në librat tanë, që publikohen, në poezi ose prozë. Ndoshta, kështu është më mirë, pasi secili lexues e zgjedh mënyrën e është në gjendje që vetë t’i kuptojë dhe t’i shijojë poezitë e vargjeve poetike.

Në këtë vëllim modest, me 86 faqe, janë gjithësej 80 poezi, rresht njëra pas tjetrës dhe të pandara në cikle ose kapituj. Ato i bashkojnë ndjenjat e çiltëra dhe të pastra, plot frymëzim rinor e si ujëvarë mali, të autores së tij, afër 24-vjeçare. Sigurisht, vetë Ganimetja, por dhe redaktori i vëllimit, e kanë menduar mirë, kur në faqen e parë kanë vendosur poezinë me titullin, “Buzëkuqja ime”. Se është ndjenja e pandarë njerëzore, dashuria, ajo që e ka pushtuar atë, ashtu si vajzat e djemtë bashkëmoshatarë. Prandaj, ajo shkruan: “Buzëkuqja ime, sykaltra mavi,/ më fal, të lutem, pak dashuri!/ S’kërkoj më shumë, shikimin nostalgjik,/ një puthje e ëmbël, e ngrohë këtë shpirt…”. E, drithërima e shpirtit të butë e të ndejshëm të autores ndeshet, nga njëra poezi në tjetrën, duke derdhur edhe lotë të valë: “Ma mori loti faqen,/ në këto netë të gjata,/ ma mori flaka buzën,/ për ato puthje të zjarrta…”.

Por, kjo poete e re, i derdhë pa kursim ndjenjat e saj edhe në vargjet kushtuar vendlindjes. Në mjedisin e dhomës së vet, ajo vështron raftin e librave, në gjini e lloje të ndryshme, letrare e shkencore:  “E, mes tyre, krenar libri i vendlindjes,/ me shumë peshë e më i bukuri i asaj ane”. Ndërsa, me kujtimet e pashlyera të jetës së shkuar: “Mallëngjyeshëm eci rrugëve të qytetit tim…”.  Po, para saj shfaqet edhe hapësira e tërë Shqipërisë dhe e trojeve tjera amtare: “E kërkoj unë vargun tim/ e ty vargjet t’i kushtoj,/ ty, moj toka jonë arbërore,/ me shumë mall po të këndoj!”. Duke udhëtuar me vargun e dlirët, ajo e kthen vështrimin edhe ndaj një bije të lavdishme të kësaj toke, figurës gjithënjerëzore e mbarëbotërore, duke u përkulur para Nënë Terezës sonë. Prandaj, me krenari të ligjëshme, e shprehë në vargje vlerësimin më të merituar ndaj saj: “Moj hynjneshë e kësaj Shqipërie,/ ti je nëna e çdo fëmije…/ O e dashura e vendit tim!”

Ndjenjat e dashurisë për Atdheun, ashtu thjesht e natyrshëm,  G.Thaçi i ka derdhur në poezitë “Ditës së Pavarësisë” e “Njëqind vjet”. Thirrja e saj e sinqertë, për të gjithë, është: “Të mos harrojmë të parët tanë, kurrësesi,/ të mos harrojmë kurrë atë gjak,/ që lumë u derdh në çdo prag!” Ndërsa te poezia “Me gjak shkruat historinë”, me radhë përmendë disa figura të shquara të Kombit tonë: “Nga çdo skaj i Arbërisë,/ Arbërisë dhe Ilirisë,/ që me bojë gjaku shkruan/ Lavdinë e Historisë”.

Të më falin autorja dhe lexuesit, se nuk po zgjatem më tej me komente të tjera rreth poezive të këtij vëllimi të ri, të cilat u kushtohen edhe prindërve, gjyshit e të afërmve, mësuesve e miqëve të saj etj. Të gjitha ato kanë veçoritë e tyre dhe përmbledhin, si një buqetë lulesh shumëngjyrëshe, ndjenjat dhe mendimet e  saj rinore.

3.

Po cila është Ganimete Thaçi, që kështu na i “trazon” ndjenjat tona, me vargjet e poezive të saj? Për herë të parë, e takova atë këto ditë, në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar në kryeqytet, ku emigrantja, tash 20 vjet në Greqi, Mina Çaushi përuronte librin e 13-të të saj me poezi. Ndoshta, “Çikën Hasjane” e sollën në atë sallë edhe vargjet e disa poezive të veta për kurbetin. Ja, në një nga këto poezi, shprehet me dëshpërim për djalin, që ndodhet në emigracion: “Më thuaj, të lutem, një fjalë të vërtetë,/ a të dha më shumë dashuri, i mallkuari kurbet?”Apo poezia tjetër, në të cilën thuhet se biri i shkruan nënës së tij, që nga larg: “O nënë, me lotë shkruaj e përmallime,/ këtu në kurbet sytë më janë tharë…”.

Ganimetja  ka lindur më 2 mars të vitit 1990, kur po niste kështu pranvera e jetës së saj, por dhe një pranverë tjetër, për tërë Shqipërinë. Bashkudhetare e viteve në Demokraci, ajo mbaroi shkollën 8-vjeçare në vendlindje dhe Gjimnazin “Havzi Nela” të Kukësit. Sigurisht, duke u njohur me jetën tragjike dhe krijimtarinë e këtij poeti- martir, nisi të shkruajë vargjet e para dhe disa poezi i publikoi në gazeta e revista të Shqipërisë, Kosovës, Malit të Zi etj. Në vitet 2008-2011, ndoqi e mbaroi degën Infermieri e Përgjithshme. Vazhdon të shkruajë e të publikojë edhe në faqe të ndryshme Interneti.

Pikërisht në ditën, kur mori pjesë në përurimin e librit, të cilin e përmendëm më lart dhe në mbarim të tij jashtë po binte shi me rrëmbim, shkroi vargjet e poezisë së shkurtër,”Trandafili”: “Fillikat, e zhveshur prej llukseve të jetës,/ nuk lagem as nga shiu-rrebesh i këtij dimri,/ teksa më del përballë sfida e jetës,/ më mbështet vetëm aroma e trandafilit”.(Çika Hasjane-Ganimete Thaçi, Tiranë, 28 janar 2014).

I urojmë nga zemra kësaj poeteje të re: Udhëtim të mbarë, në botën e magjishme të krijimtarisë letrare dhe gëzime e lumturi në jetë!

 

Tiranë, 30 janar 2014



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx