E enjte, 01.05.2025, 07:35 PM (GMT+1)

Kulturë

Ryzhdi Baloku: Gonxhja e trëndafilit

E merkure, 19.02.2014, 08:32 PM


KUR GONXHJA E TRËNDAFILIT NIS ME U ÇELË

Nga Ryzhdi Baloku

Edhe pse ishte ditë pushimi dhe në mëngjesin e kësaj dite të tjerët ende po flinin, Sokoli me të shoqen Zojën ishin zgjuar herët. Kishin shkuar në odën e pritjes, ngase në këtë mot të nxehtë, aty ishte më fllad sesa në dhomat tjera.

Kjo ditë ishte e veçantë për ta, kalendari i jetës së tyre bashkëshortore shënjonte përvjetorin e martesës. Kësaj radhe vendosen ta përkujtonin këtë datë, duke pirë enkas kafe me llokum.  

Këtë periudhë të përbashkët jete, e kishin kaluar me mirëkuptim të ndërsjellë. Me mbështetje të njëri-tjetrit i kishin tejkaluar edhe çastet më të vështira të jetës.

Ndonëse kishte kaluar një periudhë bukur e gjatë e jetës së tyre martesore, ky mëngjes bëri që t’i rikthenin kujtimet e ditëve më mbresëlënëse të asaj kohe.

Bisedën e filluan me kujtimet e bukura të jetës.

Duke  i pirë kafetë foli Sokoli:

- Zojë, a po të kujtohet çasti kur për të parën herë i puqem shikimet?

- Po njeri, po më duket si të kishte ndodhur dje, - iu përgjigj ajo dhe vazhdoi: - Kur m’i pate lëshuar sytë, e kisha ndjenjën se brenda atij shikimi po tretesha si mjalti në qumështin valë. Eh sa shpejt po kalon  koha! Kur të vjetrit flisnin se periudha prej rinisë e deri në pleqëri, iu kishte kaluar si me dalë prej një dere dhome e me hy në tjetrën, ose me shpejtësinë e një hapi vrapi, më dukej absurd. Tash po e vërej se vlerësimet e tilla ishin domethënëse.     

- Sigurisht që është ashtu, posaçërisht çastet e hareshme të jetës kalojnë më shpejt. Edhe mua po më duket se ajo kohë më ka kaluar sa çel e mbyll sytë.

Për një çast të dytë ranë në heshtje. Sokolit iu kujtuan disa momente nga koha e rinisë, atëherë kur i ishte shfaqur interesimi për Zojën, që konsideronte se ishte një dashuri në shikim të parë.

Kur banorët e këtij qyteti, asokohe pothuajse të gjithë njiheshin mes veti, ky e kishte njohur Zojën qysh nga mosha e fëmijërisë, më vonë nuk e kishte parë për një kohë bukur të gjatë. 

Një ditë në kohën e djalërisë, derisa po ecte rrugës ajo i bie në sy. E pa te lagjja e saj, kur të dytë mbi urë po e kalonin jazin. Me t’u përballur me të, e njohu, por edhe u mahnit nga pamja e saj tërheqëse. Ajo tashmë kishte arritur në moshën e vajzërisë dhe dukej si një gonxhe trëndafili që posa ka nisur me u çelë. 

Si duket edhe ajo u befasua, meqë e ndaloi ecjen për një çast, pastaj me një shikim ngashënjyes e pikasi Sokolin drejt në sy. 

Shikimi i saj joshës e tërhoqi Sokolin aq shumë, saqë menjëherë nisi të dashurohej në të. 

Ai mendon: Ura?! Jo vetëm që po i bashkuaka rrugët, por po i lidhka edhe njerëzit me fatin e vet. 

Pas kësaj përballjeje të shkurtër, të dytë vazhduan në drejtimet e kundërta të urës. Mirëpo, nga ai çast pamja e saj nuk i hiqej mëndsh. Menjëherë nisi të mendohej e të bëjë plane se si ta takonte përsëri.

Të nesërmen po në atë kohë doli te vendi ku e kishte takuar një ditë më parë. Aty u soll për disa herë, por nuk arriti ta shohë.

Vendosi që të dilte prapë, derisa ta takonte.

Mbrëmjeve kur shtrihej në shtrat, nuk mendonte gjë tjetër veç saj. E paramendonte pamjen e saj të bukur tek ecte me flokët e gjatë që i binin lehtë mbi supe.    

Përkundër daljeve të përditshme, përpjekjet për ta takuar prapë i përfundonin pa rezultat, aty ku kishte rastisur ta takonte atë ditë, ajo nuk dukej më.

Një ditë kur edhe shkëndija e shpresës së fundit i ishte fikur dhe i zhgënjyer po kthehej në shtëpi, çuditërisht mu atëherë ajo doli nga cepi i rrugës si një feniks që mbin prej hirit.  

Kur e pa, ajo ishte në një distancë bukur të largët, megjithatë e dalloi siluetën e saj, ecjen me elegancë, kundruall erës që frynte lehtë, si peshku kur ia mësyn lumit përpjetë. Me fustanin e kuq prej mëndafshi që i valëvitej e ngjitej për shtatin si qiparis, dukej si një princeshë.

Derisa ecnin përballë njëri-tjetrit, distanca mes tyre zvogëlohej, ndërsa pamja e tyre vinte duke u qartësuar edhe më shumë. Sokoli e shikonte Zojën pa ia ndarë sytë. Sa më gjatë që e sodiste, aq më  tepër magjepsej nga bukuria e saj, i dukej si zanë. Edhe ajo, herë pas here ia lëshonte sytë. Pas atyre shikimeve, ai tretej në botën e imagjinatës së dashurisë.  

Në çastin që u përball me të, në një distancë prej disa hapash, Sokoli iu drejtua:

- Mirëdita Zojë, dhe për një çast heshti. U mundua të përmbahej nga emocionet që e kishin kapluar, por ndjenjat e bënë të vetën. Me një ton të butë e vijë të lehtë melodike filluan t’i dalin fjalët sikur të recitonte vargje poezie. I tha: 

- Kur atë ditë të pashë te ura, ishte shkruar prej perëndisë, zemrën time peng ta lashë, si dëshmi të dashurisë. 

Zoja, këtë e përjetoi si kompliment, por mënyra sesi iu vardis, bëri që t’i shkojë buza në gaz. Por, si duket në atë çast edhe asaj iu zgjuan emocionet e fjetura që i kishte për Sokolin, por që mos t’i hetohej kjo ndjenjë, e uli shikimin e eci pa ia kthyer përgjigjen. Po t’ia niste të flasë frikohej se do t’i dridhej zëri.  

Kur Zoja nisi të largohej, ai iu drejtua me një ton pakëz më melankolik:

- Zojë, të lutem mos u largo pa më treguar se a mund të të takoj prapë?

- Po Sokol, do të përpiqem të dal, - iu përgjigj ajo si me gjysmë goje e me një ton të butë, por pa e kthyer shikimin kah ai.

Pas kësaj përgjigjeje, Zojën e kaploi një ndjenjë turpi, e cila si dallgë përvëluese ia përshkoi trupin, saqë mollëzat në fytyrë iu bënë all. Uli kokën dhe nisi t’i shpejtojë hapat që mos ta vërejë Sokoli shqetësimin e saj.

Derisa  Sokoli ishte kredhur në mendime edhe e shoqja e tij Zoja duket se ishte kthyer në kohën e rinisë. Asaj iu kujtua koha e vajzërisë, atëherë kur në moshën e re kishte rënë në dashuri me Sokolin.

Iu parafytyruan ato çaste ngazëllimi të asaj kohe kur Sokoli si djalë i ri ia shprehte adhurimin përmes buzëqeshjeve të hareshme dhe vështrimeve joshëse, të cilat si valët magnetike ia tërhiqnin zemrën dhe nxisnin ndjenjën e këndshme të dashurisë për të.

Një ditë, derisa ajo ecte rrugës dhe andejpari nuk shihej askush, ai i ishte vënë pas, që ta shfrytëzonte rastin për t’i folur. Në çastin kur Sokoli po i afrohej, asaj i bie shamia nga dora. Ai nuk e dinte se ajo e kishte bërë qëllimisht. Me atë rast Sokoli e merr shaminë nga toka që t’ia kthejë dhe si me gjysmë zëri por thekshëm thirri:

- Zojë, Zojë, prit pak se të ra shamia.

Kur ajo e ktheu shikimin prapa, kinse për të parë se kush po i flet, Sokoli e hapi shaminë, ia shkundi pluhurin, mandej e mblodhi në grusht dhe nisi t’i marrë erë si ndonjë luleje që lëshon aromë, pastaj iu drejtua Zojës e i tha:

- I mora erë që së paku në këtë mënyrë ta shijoj nektarin tënd magjeps, aromën e lules së jetës nga kopshti i parajsës së dashurisë, të cilën përherë e ndjej dhe më bën të lumtur kur mendoj për ty, ja shaminë, urdhëro.

- Mbaje Sokol, - ia priti Zoja, - po ta dhuroj, merre për kujtim që të më mbash përherë në mendje.

Gjesti i saj la të kuptojë se edhe ajo ia shfaqi dashurinë. Sokoli i trimëruar ia ktheu:

- Zojë, në ndonjërën prej ditëve të ardhshme, a ka mundësi të shihemi që të bisedojmë pak?

- Po, Sokol, - por a mund ta di se për çfarë është fjala?

- Posi, të flasim për ardhmërinë tonë, për jetën tonë të përbashkët.

Nga kjo bisedë, Zoja e kuptoi se Sokoli do t’ia ofronte fejesën, mirëpo për një çast ra në kujtesë. U vu në një sprovë të vështirë dhe po qëndronte mes dy zjarreve. Zakonet që mbisundonin në këtë trevë, ia ndalonin një takim të tillë paramartesor. Në kokën e saj gërshetohej një luftë mendimesh. Në njërën anë do të përballej me rrezikun që me vetëdije ta thyente kodin e sjelljes, i cili përmbante atributet e imazhit të ndershmërisë së një vajze. Por, ishin virtytet e Sokolit, të cilat ia forconin bindjen se bashkëshortësia me të do ta bënte të lumtur. Ajo nuk dëshironte ta humbiste këtë ofertë, pa marrë parasysh pasojat që mund të dilnin nga një sakrificë e tillë. Duke i vënë të gjitha në një peshojë, në fund vendosi ta pranojë kërkesën e tij për një takim të fshehtë, prandaj iu përgjigj:

- Po Sokol, por më duhet ta gjej momentin e përshtatshëm që askush mos të kuptojë për këtë takim. Do të përpiqem të të njoftoj disi, ku dhe kur mund të shihemi, mirëpo tash më duhet të largohem.

Pas kësaj përgjigjeje ajo nisi t’i shpejtojë hapat, që kalimtaret e rastit mos ta vërenin se ishin duke biseduar.



(Vota: 28 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx