E enjte, 01.05.2025, 05:08 PM (GMT+1)

Kulturë

Qazim Shehu: Pikëvështrim

E marte, 18.02.2014, 07:49 PM


PIKËVËSHTRIM

 

Nga QAZIM SHEHU

 

Anijet e vogla treten horizonteve,

Sikur nuk dijnë ku shkojnë,

Për ne në breg mbeten si ëndrra,

Për marinarët një destinacion.

Po ti matje gjithë lëvizjet e njerëzve,

Ti afroje në një rrugë a pikë,

Mërzia më e madhe kjo do qe,

Askush aty s`kish me arritë…

 

EDHE NJË FJALË

 

Edhe një fjalë e rëndomtë zbulon dashurinë,

Një fjalë e stërholluar atë befas e vret,

Një gjysmë fjalë e bind njerinë,

Buçet në mote ky sekret.

Dhe thuret shthuret kjo çudi,

Pa qenë e tillë, pa e kuptuar,

Si ndez dinamitin një shkëndijë,

Si një zjarr i madh fal drurët e lagur…

 

SENDËRTIM

 

Nyjet e sendeve lak i hapur,

Mund t`ua marrësh, fytin të shtërngosh,

Ose me to një litar imagjinate,

Të bësh e drejt thelbit të tyre të shkosh.

Sa pak kujdeset njeriu për to,

Por ç`them, për njeriun njeriu kujdeset më pak,

Pa e menduar atë lak të fortë,

Që e shtërngon çdo ditë si prerje në bark

 

HIJA

 

Vij tek ti pa menduar se para meje ka ardhë

Hija ime, apo hija e dikujt tjetër.

Apak s`e themi këtë,shihemi sy ndërsy,

Si në një lojë të vjetër.

Kur ia kemi marrë të gjitha njëri tjetrit,

Gaz e këngë, premtim e pendim,

Kuptojmë se diçka doli  mangët apo tepër,

Ah, po,është hija jonë që jashtë nesh dhëmbët kërcëllin…

 

IKJA E DIMRIT

 

Lulet, bar i blertë dhe dielli që ngroh retë,

Përrenjtë që uturijnë si lotë nga lëkurë e dimrit,

Lajmërojnë se po vjen pranvera

Sikur për herë të parë të vijë,

Ndryshe nga herët e tjera që mend nuk mbahen.

Dhe dielli rri mbi re, syrin e vet e hap më shumë,

Vijnë zogjtë në sofrën e madhe të cicërimave,

Hedhin gjithnjë grimca gëzimi ngjethës.

Tani po, erdh pranvera dhe dimri iu ngashërye vetvetes…

 

LËVIZJA

 

Lëvizja e njerëzve në tokë zgjat,

Aq sa zgjat në qiell një vetëtimë,

Nëse sekondi në qiell bubullimën mat,

Në tokë bubullimat e brengave ,

duan vite të vjijnë…



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx