E enjte, 01.05.2025, 07:37 PM (GMT+1)

Kulturë

Mark Vuji: Vlera e një gazetari

E marte, 18.02.2014, 08:11 PM


VLERA E NJË GAZETARI

FRAN GJOKA - 40 VJET PËRVOJË DHE KONTRIBUT PËR ARSIMIN

Nga Prof. As. Dr. MARK VUJI

Nuk është e lehtë të shkruash për vlerat e një gazetari, që tërë jetën e tij ia kushtoi punës në shkollë si mësues dhe si gazetar. Që kur ishte nxënës u përpoq të jetonte me shqetësimet dhe sukseset e shkollave ku mësoi dhe punoi. Shkrimet e para i bëri kur ishte nxënës në shkollën Pedagogjike “ Shejnaze Juka” Shkodër, në gazetën “Jeta e Re” dhe që në atë kohë dha shenjat e para se do të bëhej një gazetar pasionant në fushën e arsimit. Me të filluar punën, punoi si mësues e përcaktoi qartë vizionin e tij për të ardhmen. Ai i vuri detyrë vetes që të bëhej mësues dhe gazetar. Sot tematika e punimeve të tija është e gjerë. Ka shkruar jo vetëm për problemet e arsimit parauniversitar, por edhe për shkollat e larta. Me kalimin e viteve u bë i njohur si gazetar i “Mësuesit” në rreth e qark dhe mund të themi se ka një shtrirje në të gjitha organet e tjera qëndrore të shtypit, duke depërtuar në të gjitha trevat ku jetojnë e punojnë shqiptarët. Gazeta “Mësuesi”, thotë Frani, duke qenë profesionale, më ndihmoi të përballoj detyrat si mësues dhe më formoi si gazetar, duke trajtuar me profesionalizëm problemet më të mprehta të arsimit dhe shkollës. Kujtoj, shtoi ai, me mirënjohje të thellë kryredaktorët dhe redakotrët që punuan ndër vite në këtë organ të rëndësishëm shtypi shqiptar, si: Bedri Dedja, Sadije Agolli, Kozma Grillo, Bardhyl Xhama, Murat Gecaj, Thoma Qëndro, Ilir Kanini, Vedat Demiraj, Sali Hamzaj, Kiço Kosta, Viron Kona, Vjollca Spaho, Andon Andoni, që me dashamirësi më ofruan përvojën e tyre dhe më hapën dyert e mësuesit, që hyja dhe dilja aty si në shtëpinë time. Kjo pati shumë rëndësi për mua që të formohesha si gazetar, që luftova për të vënë problemet e shkollës në rrugën e zgjidhjes. Profesor Bedri Dedja  i pëlqente shumë shkrimet e Franit dhe një herë më pat thënë : ”Ai di të zgjedhë tematikën e shkrimeve të tija në përputhje me kërkesat në rritje të shkollës sonë dhe në mënyrë të veçantë ato, që lidhen me reformën arsimore“. Aftësia për të përzgjedhur problemet dhe për t’i trajtuar ato në thellësinë e duhur ka rëndësi të madhe për punën e një gazetari, që me shkrimet e tija synon të vërë në lëvizje masën e njerëzve për të kërkuar, gjetur e mbrojtur të renë dhe për ta zbatuar atë në praktikë në mënyrë kritike e krijuese. Janë shumë shkrime, që ai me të drejtë ua ka kushtuar figurave të shquara të arsimit tonë kombëtar dhe gjithnjë e lidh përvojën e re me figurën e atij që e ka prodhuar, me qëllimin që ajo të bëhet më e besueshme dhe e pranishme për të tjerët.

Herë pas here ka dhënë portrete mësuesish që  kanë kontribuar me vlerat e tyre morale dhe profesionale për t’u dhënë dije e kulturë brezave. Këto shkrime do të jenë një ndihmesë e madhe për ata hulumtues, që do të merren më vonë me historikun e arsimit të rrethit e të qarkut tonë e më tej. Puna e tij nuk mbaron këtu. Ai ka bërë një punë me vlerë për të popullarizuar dhe vlerat e disa prej pedagogëve, akademikëve dhe albanologëve tanë brenda dhe jashtë Shqipërisë. Frani është edhe një bashkautor i kërkuar. Ka mjaft shkrime që ka bërë me profesor Shefik Osmanin, Qazim Dushkun, Murat Gecajn, Viron Kona, Artan Haxhin,  Gjovalin Shkurtaj, Fadil Kepi, Vehbi Hoti, Tomor Osmani, albanologun e njohur Basil Shadri etj.  Ai është një bashkëbisedues i kualifikuar. Intervistat e tij të pandërprera, që bën Frani, ka tërhequr vazhdimisht vëmendjen e lexuesve dashamirës, ku theksohen me forcë kërkesat e reformës sonë arsimore, siç janë problemet e drejtimit, menaxhimit, mësimdhënies e të mësimnxënies, kujdesi për nxënësit dhe për rezultatet e tyre konkrete etj. Shkrimet e tija në këto fusha kanë ndikuar që mësuesit të përqëndrojnë vëmendjen e tyre tek këto probleme, që përbëjnë thelbin e punës mësimore në shkollë e që duhet të jenë një objekt themelor i punës me mësuesit, studiuesit dhe gazetarët. Në tematikën e shkrimeve të këtij gazetari të talentuar zënë vënd të rëndësishëm edhe problemet e edukimit familjar. Ai lufton që familja jonë të shërohet përfundimisht nga disa koncepte të edukatës patriarkale, që po marrin nëpër këmbë dinjitetin e familjeve shqiptare. Ai, me vlerësimet e tija, përpiqet që të ndikojë sadopak tek prindërit, që të forcojë kulturën e inkurajimit në edukimin e fëmijëve dhe që të krijojë bindje tek ata se puna për t’i formuar fëmijët me kulturën e shoqërisë demokratike është kërkesë parësore e kohës sonë. Ai kërkon që të dëgjohet me vëmendje fjala e fëmijëve e të rinjëve, duke krijuar urë suksesi prind të rinj dhe të bëhen të gjitha përpjekjet që toleranca dhe mirëkuptimi të zënë vëndin kryesor në shkolla dhe në komunitetin prindëror. Vetëm kështu plotësohen kushtet që t’i përballojmë me sukses detyrat mësimore e shoqërore. Në shkrimet e tij zënë një vënd të rendësishëm problemet e kualifikimit të mësuesve, jo vetëm ato që bëhen në  bazë rrethi apo qarku, por edhe për të tjerat që zhvillohen brenda shkollës. Me shkrimet e kësaj rubrike përpiqet që të përhapë përvojën e shkollave më të mira dhe ka vënë githnjë në dukje se vetëm me një autoritet dhe profesionalizëm të lartë mund të realizohen me sukses detyrat e Reformës Arsimore, që synon të formojë një shkollë e nivelit europian. Në shkrimet e tij, ai i vë shumë rëndësi edhe vetkualifikimit si një mjet tjetër  i kohës në arsim, për të përballuar kërkesat e kohës në arsim, që në kohën tonë po rriten me shpejtësi. Ai mbron idenë se mësuesi duhet të jetë inspektor i vetvetes dhe përpiqet të forcojë mendimin se “vlerësimi i nxënësit është vetëvlerësim për mësuesit”. Gjithnjë e ka mbrojtur me forcë idenë se mësuesit dhe prindërit, sukseset ose mossukseset e fëmijëve duhet t’i shohin në radhë të parë tek cilësia e punës së tyre mësimore-edukative, që bëjnë me ta. Ai mbron me forcë mendimin se shkolla e familja duhet të punojnë gjithnjë e më shumë për të përballuar me sukses detyrat e vështira të edukimit dhe kërkon që ato të  mbështeten në konceptet e reja pedagogjike. Frani është edhe një nxitës për të vënë të tjerët në punë si bashkëpunëtorë të gazetës “Mësuesi”. Ai, kur merr premtimin e ndonjë mësuesi për të shkruar për ndonjë problem, i ofron ndihmë dhe e ndjek derisa të përgatisë materialin për botim. Për afër 40 vjet vazhdon të jetë i pranishëm në faqet e shtypit periodik. Fushat e tij të preferuara janë shkrimet problemeore dhe ato me theks social, gjuhësor dhe që lidhen edhe me historinë e mendimit pedagogjik shqiptar. Me fillimet e viteve 80-të, veprimtaria e tij publiçistike u përqëndrua në pjesën me të madhe të shtypit shqiptar të asaj kohe, duke u përfshirë edhe revistat shkencore, ku emri i tij shfaqej hera herës. Pas viteve 90-të u intensifikua aktiviteti publiçistik i tij, duke gjetur hapsira edhe në trojet shqiptare jashtë kufijve të Shqipërisë. Vazhdon me intensitet të shkruajë e botojë  në organet e shtypit shqiptar e të huaj, duke rritur në mënyrë të vazhdueshme nivelin cilësor të tyre. Frani është një intelektual që di të kapërcejë edhe goditjet e rënda të jetës. Ai dhe familja e tij, me tërë forcën e shpirtit, mundën të përballonin me dinjitet humbjen e djalit të tij të vetëm dhe të talenduar  e që Frani dhe zonja e tij e nderuar po prisnin shumë prej tij... Këtë  gjëndje të rëndë e patën të vështirë ta kalonim edhe ne shokët e miqtë e tij. Ai e përballoi atë me një mënyrë dinjitoze. Kjo flet se ai është një përsonalitet i fortë, që u bën ballë dallgëve të jetës, sado të vështira të jenë ato. Edhe në ditët me të vështira, miqtë e shokët e shumtë që ka në të gjithë Shqipërinë, nuk e lanë të ndërpriste shkrimet. Ata i dhanë forcë dhe e mbajtën në aktivitet të pandalshëm në shërbim të shkollës dhe të arsimit tonë kombëtar. Në jetën shoqërore dhe publike është një person për t’u admiruar, gazetar i mirë, qytetar cilësor dhe atdhetar shqiptar me zemër të madhe. Ai merr pjesë aktivisht në gëzimet e shqetësimet e të tjerëve dhe përpiqet me të gjitha forcat që ka, t’i ndihmojë ata për të gjetur zgjidhjet me të mira të mundshme, qofshin ato zyrtare apo shoqërore. Gazetarët e rinj e ata me pak përvojë kanë shumë për të mësuar nga kjo figurë e rëndësishme e arsimit dhe shtypit tonë pedagogjik.

Së pari, nga ai mësojnë se, që ata të kenë sukses, duhet të duan profesionin që kanë zgjedhur vetë. Së dyti, se baza e sukseseve është puna e vazhdueshme e me cilësi të lartë për të kërkuar e gjetur zgjidhje të reja për probleme nga me të ndryshme. Së treti, se si duhet punuar për të njohur në thellësi gjuhën letrare profesionale dhe si mund të përsoset arti i të shkruarit, që është një kërkesë kryesore për gazetarinë e sotme. Së katërti, se si jetohet me shqetësimet e reformës arsimore dhe si luftohet për të realizuar kërkesat e saj në të gjitha drejtimet, për të ndërtuar një shkollë në nivelin e  mendimit pedagogjik europian. Së pesti, duke njohur shembulllin e tij si mësues dhe si kontribues i shtypit profesional, armata e mësuesisë  kërkohet të japin ndihmesën e tyre në fuksion të rritjes së cilësisë së punës në shkollat tona.

Frani na ka dhënë shumë e me një tematikë të gjerë e të rëndësishme, që përbëhet nga disa qindra artikuj të shkruar në një periudhë kohore rreth 40 vjeçare. Ne jemi të mendimit që kjo pasuri e madhe dhe me cilësi të lartë në interpretimin shkencor, pedagogjik e social duhet të mblidhet, seleksionohet, përpunohet e të botohet në disa vëllime. Nuk gabojmë të themi se është e mjaftueshme për të bërë tre vëllime me pjesë të zgjedhura. Urojmë që të fillojë sa më parë puna për botimin e tyre, sepse ato shkrime përbëjnë një pjesë të rëndësishme të mendimit pedagogjik shqiptar.

-Per ZSh-ne, marrë nga gazeta “Dielli” USA, 16 shkurt 2014, nga Z. Lushaj-



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx