E enjte, 01.05.2025, 07:36 PM (GMT+1)

Kulturë

Neki Lulaj: Takimi me heshtjen

E merkure, 19.02.2014, 08:20 PM


Neki Lulaj

 

TAKIMI ME HESHTJEN

(Baladë kurbeti)

 

Kore bukë misri me lot e njomur

Guvë në zemër zë i dridhur i ndarjes

Shtrat i tharë n’dhe të huaj mall i përvëluar

Brez i ndezur vetmie n’kurbetin e lavdëruar

 

Në tokën e premtuar kalendar i varur

N’vetminë memece shpirti shi i rënduar

Me ëndrrat në gji të netëve të gjata i internuar

Gishtërinjtë dhe duart e erës për dashuri përmalluar

 

Si vaji i qiririt shkrihet loti i nuses mbi qepallë

E ajo me duart e njoma n’arkë palon pajën e nusërisë

Me  buzët e etshme nanurisë vargje rinie

Me syrin shqiponjë rrëxon bregoren e vajzërisë

 

Ditët e muajve ikin në heshtje mbi shpirtin e tyre

Pritjet drithëruese te dashurisë nuk i zbehë koha

Kujtimet kalërojnë si mjegullat para stuhisë

Dëshirat rikthehen duke ndezur zjarrin e dashurisë

 

XËRMOJ

 

Si në endërr xërmove mbi vetullat e ojnikut

Buzët i njoma me lotin e qiellit

Nen strehën e Kullës së gurit

Çerdhe dallëndyshes

N’mes zgërbonjave të murit

Shtrydha deri në palcë mishin e gurit

Preka palcën e përvëluar të dashurisë

Kohën e barta kaliqafë

 

I hipa kacabunjët ne shpinë

Si i kolovitur mbi shpatulla e lumit

E sa qetë fjeta mbi zhurmën e fletoreve

Në mullirin e bardhë të Bardh Sokolit

Ku guri vërtitej duke bluar historinë

 

Në mëngjes shalova majat e Alpeve

Me brumin e pjekur të shpirtit

Brezarët shekullore bukuri mitike

Mbi qerpikët e bjeshkëve jetë poetike

Shqiponja ruan zogjtë në çerdhe

Theva etjen n’kristalet e ftohta të Valbonës

Atje ku merr krah jeta

 

NË QIELL

 

Me rrezet e dritës ylberi puthë dy brigje

Lotët e qiellit bien mbi brushën e piktorit

Duaj lëshon mjegulla tym mëdafsh oxhakut

Nëmijë piktura përmbi lëkurën e ajrit

Qerrja e qiellit mbushur me burrat e kombit

Mes ngushticave të kohës përbiruan

Për në Univers...

 

Nëpër hanet e qiellit mbi re

Mes ndërskëmbcave të kohës së pamëshirshme

Mbi gjoksat e tyre gaca zjarri ranë

Ata kurrë s’u dorëzuan e as nuk lotuan

Le të lotojnë të tjerët që u betuan për ta

 

Sonte

Me perin e merimangës

Qepa aortën e plasur nga paradigma e padrejtësisë

Pulsonte pusia e fshehtë e pasigurisë

Me buzët e shkrumuara nga etja

Putha në ballë Diellin e mëngjesit

Gërmova me thonj mbi tokën time

Trupa të patretur mish gjak e eshtra

Pellgjet e shpirtit dhe grushtat i mbusha

Plotë gjak dashurie

Eheeeeeeej

Pse kaq shpejt u harrua robëria

 

Gijotinë e ëndrrës së keqe

Trokasin ëndërrat tona për lirinë

Në ujërat e përfytyruara të ëndrrës

 

DRITË SYRI

 

Dje ishte uturimë mbi tokën tonë

E gjatë ishte nata e Shën Bartolomeut

Të marrët të tërbuarit të çmendurit

Rrënuan kopshtin e Edenit tim

 

Mes zgërbojave të lisave

Mes zgalave të murit Ilir

Frymuam

Rilindëm

Jetën ia dhuruam errësirës

Sytë ia falëm dritës

 

E dritën e mbollëm

Sot për sot

Ojnikë e lehtë moj dritë

Sa të ka toka e dielli

Dhe deti që dremitë



(Vota: 18 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx