E hene, 29.04.2024, 06:19 AM (GMT+1)

Kulturë

Përparim Hysi: Palltua e re e brigadierit

E hene, 24.02.2014, 06:38 PM


Palltua e re e brigadierit

Tregim

Nga Përparim Hysi

Binte në sy  e dallohej nga gjithë të tjerët, ashtu si një ka balash në një tufë me qe të kuq. Jo vetëm kishte veshur një pallto treçerekshe të re tringo, por dhe që e mbante veshur për një ditë të zakonshem pune. Ndërsa ai bënte paradë mode, njerëzit (qe koha kur t'i këndonit  teskeretë nga xhepi), ashtu mbyturazi, në vënd që ta uronin, pëshpërisnin. Dhe kishin hak, me të vërtetë. Kish pesë fëmijë të mitur ( në fshat thonë: për bukë e me lugë) dhe, veç rrogës së tij si brigadier, nuk kishte asgjë, se e shoqja që lindte,pothuajëse, çdo vit dhe rrallë,shumë rrallë dilte në punë. Mor,po si  i del? Dhe ja tani jo vetëm me pallto  të re, po ma mban apo s'ma mban veshur sikur pa të dhe nuk bën dot. Thoshin për pallton,se për të tjerat, i shihnin hapur,kur vinte  orari i i drekës. Ndërsa punëtorët hapnin trastat, ai frohej dhe ku një copë e ku një tjetër, ma mbushte trakaçen plot. Epo t'i bëj mirë,se as  që llogarisin bukën nga anët tona, kur ta falin vet atë. Kështu dhe puna e brigadierit. Qenë mësuar me këtë gjë dhe gratë, ( këto qenë dhe më shpirtdhimbura)  tek përgatitnin  çdo merrnin me vete, llogarisnin dhe atë, brigadierin. Por dhe ai, ama, nuk e hante  thatë. Sipas trastës,edhe normat kur lexonte. Qe njëfarë marrveshje në heshtje. Ata që e shihnin se heponte keqas kandari, nuk para ndiheshin: gjynah, ka pesë kalamanj! Ç'të bëj, ditëziu? Se, në fund të fundit, nuk është se nuk u jepte hakën të tjerëve. Po  e lëshonte pak "dorën" për ato të trastave. Unë as do merrja vesh këtë histori, po mos hasja një debat në zyrat e llogarisë.

 

*     *    *

Tek zyrat e llogarisë shkova të paguaja qeratë dhe dritat. Atje dëgjova një debat të fortë për normat e punëtorëve të brigadës të këtij brigadierit me pallton e re. - More,- jepnin e merrnin ata duke parë listat,- si është e mundur që ky xha Veizi, në prag të pensionit, të bëj për një 15 ditësh me radhë nga një normë e gjysëm, kur në brigadë ka djem  në vakt, që e hanë punën me dhëmbë, dhe rallë, shumë rrallë, e kanë tejkaluar normën?

Unë dëgjoja tek jepnin e merrnin, por me   mënd shkoja tek  xha Veizi, i cili, shpesh, vinte e lozte domino me tim atë. Xha Veizin, po ta shihje, thoshe se ku i mbahet shpirti. Të dukej, se po të frynte erë e fortë, mund ta merrte e ta vërviste kushedi se ku. Por ky plak i dobët,qe burrë mjaft i zgjuar. Qe nga ata që nuk ia hante dot qeni shkopin. E keqja (edhe ky kish 5 fëmijë që akoma nuk ishin për punë) e detyronte të punonte për të ushqyer fëmijët. Çudia qëndronte në faktin, se si ishte e mundur që ky plak i moshuar dhe i dobët, të bënte nga dy norma në ditë.  Pagova qeratë e dritat dhe më nuk e di se si i dhanë dum ata të normave, por,sa për vete, do  prisja xha Veizin dhe do ta nxirrja merakun.

Ashtu, në të ngrysur,  dha ballë. Hynte duke qeshur dhe, ndërsa një nga gratë e shtëpisë, bënte gati kafet (gjithmonë me nga një godë raki), babai i  kishte shtruar dominotë. Unë, pa i lënë të fillonin lojën, i them:

- Ore, xha Veiz, qeshë sot në zyrat e llogarisë dhe dëgjoja që lakohej emri yt. Thoshin po si është e mundur,që të jetë kaq punëtor ky, xha Veizi, që vazhdimisht, o një normë e gjysëm, o dy norma?

- Medemek, i kish zënë meraku për mua?- tha pa iu përgjigjgur pyetjes sime. Dhe, ndërsa unë prisja përgjigje, ai përzieu dominotë.  Pa e prishur terezinë, në prisja a s'prisja unë përgjigje dhe, pa e vrarë mëndjen ,që përflitej puna aq e dyshimtë e normave. Kur pa që unë këmbëngula, më tha: - Ore, e ke parë atë pallton e re të brigaderit ti? E,atë pallto e kam blerë unë. Pagova vërtet një thelë, po do ha një pelë.

Se me aq rrogë sa merr ai, nuk i dalin jo për pallto, po as  për bukë. Unë i kisha ca lekë mënjan dhe u morëm vesh. Si do m'i kthej? Po merret vesh. Me ato të shkretë norma. Mua më bëhet mirë:  lekët i marr dyfish dhe trupin nuk e lodh.

 

*    *   *

Tek e shihja brigadierin me pallton e re, e çoja buzën vesh më vesh,e më bëhej sikur në të shikoja  xha Veizin e zgjuar dhe aq të mirë. Vërtet që nuk qe punëtor ( por vërtet si mund të ishe punëtor kur po i rrokte të gjashtëdhjetat), por jeta e kishte pajisur me një zgjuarësi  natyrale për t'u patur zili. Qe i qashtër, mënd ta jepte shpirtin në pëllëmbë të dorës, por nevoja për të  mbajtur familjen, e kish kthyer në pehlivan. Njerëzit që i hynin në punë, i studjonte nga larg, dhe, mbasi vërente dobësitë e tyre, ua blente shpirtin. Asnjë punë, asgjëkund, nuk e quante punëmbaruar, pa përdorur  ryshfetin. Kish bërë edhe burg dhe, megjithatë, nuk hiqte dorë. Qe besnik që nuk kishte shok. Spiunët i urrente. Paratë , siç më thosh, i kish vënë në kohë të fashizmit

Kish qenë ortak me një italian dhe "xhëku" binte një thes nga mushka. Tregonte dhe ca gjëra i linte me nënkuptime. I marrë me  tregëti dhe i qe bërë si zakon ( u binte dyqaneve rreth e përqark sikur t'i kish të tijtë) që shitësve në fshat t'u mbante ndonjë leksion. Porosia për ta: hani si minj, jo si arinj! Kur shihte se iks shitës dilte defiçit, i thoshte:- Po pse o bir i babait hëngre si ari? Dëgjo,- mësonte më të  riun, në fut në ditë nga një të kuqe (qenë ato pesëqindshet e vjetra), më je në terezi dhe nuk ka rivizor që të vë në kular, jo po në u lëshove azat si ari, më dole si ky birçja:  me këpucë të kuqe. Të tëra i bënte haptas dhe po haptas tregonte për burgun. As që ia bënte syri tërr. - Epo bie thesi nga mushka, se sos se qe një  mushkë, po një karvan i tërë,- mbrohej për burgun. Ky burrë shpirt njeriu që i tregonte të gjitha, kish fituar simpatinë e gjithë fshatit, sado që qe i ardhur në fshat.

Më tha një ditë mua:- Nuk ma kini  mësuar mirë djalin në shkollë. Tek po matesha  që t'i thosha se i biri,  ndryshe nga çupat, nuk para mësonte, ai më tha:- E kuptoj vet. E  pyeta sa çereke  ka leku dhe ngeci karkaleci. Pra,qe nga ata që llogarinë ta bënte me çereke. Hajde që t'ia dilje mbanë. Punët e tij i zgjidhte tak-fap. Hë,- i thosha,- kujt do t'i blesh pallto të re. Aha,- më tha,-  e navasa ndryshe. Për të çuar çupën në shkollë,i dhashë kryetarit të kshillit, kazanin e rakisë. Ta vjelë "vërgjinë" për vete, i shkreti. Dhe, për çudi, ma "bleu" dhe mua shpirtin. Ndodhi në kohën e provimeve. Ai e dinte që unë qeshë më tepër i shtrënguar se sa duhej dhe, tek po përgatitesha të nisesha në shkollë,  më trokit dera. Të trokasë dera në mëngjes heret, nuk ndodh, por, me siguri mendova se do jetë ndonjë i sëmurë që  ka nevojë për timeshoqe (qe infermiere) dhe, tek e hapa derën, shikoj  xha Veizin.

- Po ti, xha  Veiz, ç'ne  kaq heret, mos  ke njeri sëmurë?

- Jo , mor jo,- më tha duke qeshur,- por imbir ( ky që nuk dinte sa çereke ka leku?) ka provimin me ty sot.

- Po le ta ketë, pse nuk e di unë që është ytbir?

- E di, or e di, pa e di ti që huqi del me shpirtin. Nuk zë "bazubeja" ime, pa dhënë njëçikë plaçkë dhe, papritur, se si do të reagoja unë, tak dhe nxorri nga nënxhaketa ( si një veprim fshehura,se ashtu i kish dukë), një shishe me raki. Ta kam taksur, pa punë për ty, pastaj.

Po ta marr,- i thashë,- se ty nuk të zë gjumi rehat. I vetmi  ryshfet që kam marrë në jetë. Pra, u bëra  dhe unë  me "pallto" të re. Qe tip i çuditshëm dhe në asnjë rast nuk dilte huq.  Aha,- thoshte,- dora e thatë, nuk ka uratë. Dhe aq mirë i rregulloi punët e tij,sa duhet t'i kishe zilinë. Djalin që nuk dinte sa çereke ka leku, e dërgoi në shkollë rezevash dhe e bëri zanatçi. Për ta dërguar, kazani jepej me "qera", qeranë  e hante kryetari dhe djali shkollën. Atje, në Kuçovë (ku mësonte djali zanat) dukej  xha Veizi dhe, pas mbarimit të shkollës, po kështu i "bleu" dikuj tjetër pallto dhe iku nga kjo botë me shpirtin plot.

Tiranë, 21 shkurt 2014



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora